Krist Maloku Polemik… Elsa Demo

Prof. Krist Maloki (1900-1972)

Prof. Krist Maloki (1900-1972)

Krist Maloku Polemik… Elsa Demo

Në 110-vjetorin e lindjes së intelektualit nga Prizreni që u formua dhe ngrysi jetën në Vjenë e Grac. Iu kushtua mendimit shqiptar në shkencat humane dhe ekonomike. Në kritikën letrare ai doli kundër adhurimit të ikonave.
Në mesin e viteve ’20 doli me tezën që argumenton pse Naimi nuk është poet kombëtar dhe as poeti më i madh i Shqipërisë. Për një tjetër premtim të madh, Maloki pyeste: A âsht poet Lasgush Poradeci?

Elsa Demo

Elsa Demo

Në ndryshim nga roli universal që i besohet kritikut letrar si zbulues i së resë në letrat bashkëkohëse, roli i Krist Malokit në mendimin kritik letrar shqiptar, marrë në gjithë shtrirjen historike të një shekulli, – nga viti 1906 i Kohëtores së Konicës tek vitet e pas nëntëdhjetës – lidhet së pari me dyshimin.
Me dyshimin e asaj që është pranuar e vërtetë e fundme, që është bërë traditë (vepra e Naim Frashërit) ose që i është premtuar lexuesit si letërsia e njëqind viteve të ardhme (poezia e Lasgush Poradecit).
Mbi çfarë tezash mbështetet Krist Maloki (8 prill 1900-1972) kur përdor psikanalizën dhe kritikën kulturhistorike? A u mbetet konsekuent bindjeve dhe pikëpamjeve për leximet e autorëve shqiptarë dhe veprave të tyre? Ku afron dhe ku dallon me hulumtues të tjerë si për shembull, Çabejn, kur hyn në kufijtë e interpretimeve sipas kulturë-historisë?
Dhe së fundi: disa çështje të stilit të kritikës letrare të Malokit, të cilat për shkak të përmbajtjes dhe ideve nihiliste, eliminuese dhe rreptësisht kritike të tijat, janë lënë mënjanë.
A përbën në këtë aspekt një model kritika letrare e Malokit?

Ikonoklasti
U cek më sipri, si hyn Maloki në mendimin kritik duke u shprehur kundër adhurimit të ikonave të letërsisë shqipe. Jemi në mesin e viteve ’20, kur Maloki doli me tezën që argumenton pse Naimi nuk është poet kombëtar dhe as poeti më i madh i Shqipërisë. Dhjetë vjet më vonë, për një tjetër premtim të madh të kritikës për letrat shqipe, Maloki pyet: A âsht poet Lasgush Poradeci?
Njëri dhe tjetri poet, Frashëri dhe Poradeci – jetuan në kohë që i ndan shekulli i ri dhe Shqipëria e pavarur – shihen ashtu siç shihet roli i poetit në kohën e formimit të kombeve dhe identiteteve nacionale: si prijës shpirtëror.
Edhe pse i takon një akti herezie në epokën bizantine të shek VII, termi ikonoklast përcakton rolin e Malokit kritik letrar teksa operon në një mjedis ku poeti konsiderohet apostull nacional dhe ku vlerësimi ekstrem i tij si ikonë e një njësie shpirtërore bëhet jo për motive mirëfilli letrare.
Kishte marrë doktoratë në filozofi në Universitetin e Gracit, ishte bërë veprimtar i shoqatës “Albania” të studentëve shqiptarë në Austri, kishte debutuar në revistën “Dialëria” të kësaj shoqate, me pseudonimin K. Lepeteni qysh më 1922.
Në vitet ’30 merr doktoraturën e dytë për drejtësi. Kishte shkruar ndërkohë në revistat “Përpjekja” të Branko Merxhanit me pseudonimin Mali Krishna, “Leka” me inicialet Dr. Kr. M, Krrabë Malsore. Me emrin e tij kishte botuar tek “Hylli i Dritës” edhe esenë “Oriental apor Okcidental”.
Angazhimin në kritikë ai e motivon në esenë “Literatura shqiptare”: “Paralel me gjendjen socjale qindron dhe literatura e jonë e shkatrrueme. Pa një drejtim, pa një qëllim të përbashkët – mbasi u shterp dhe lopa e patriotizmit – vjershojn “poett” e sotshëm ner gjithfar anësh të Shqipnis e gjithfar vendesh të huej, sejcili në mendje të vetë, pa fije inspiracjoni e shije artistike.”
Pak kohë më vonë, Vangjel Koça, i cili së bashku me Malokin janë cilësuar modele të pastra të kritikut letrar, i shkon pas kur shkruan: “…botën mendore shqiptare e mahnit ekstremizmi. Disa e ngrenë Naimin në zenit dhe disa e ulin në nadir. Kjo ngjan edhe për Fishtën, dhe për Lasgushin, dhe për Mjedën, dhe për të tjerë.
Të mos harrojmë se ekstremizmi nuk është sëmundje vetëm shqiptare, por dhe e përbotshme. Mirëpo ky ekstremizëm – le ta quajmë kritik – nuk e dëmton aspak letërsinë. Të shumtën, të shumtën, mund të lëndojë ose të përkëdhelë ndjenjën regjionaliste letrare, që mjerisht fle akoma në shpirtin tonë.”

Krist Maloki, mes studentësh në Grac

Krist Maloki, mes studentësh në Grac

Kritikë si kjo…
Tek disa autorë kyç të kritikës letrare shqiptare të gjysmës së parë të shek. XX, në vend të shpalljes së një metode, aderimit apo aplikimit të një shkolle të caktuar të mendimit kritik evropian, gjejmë të shtjelluar në formën e parafjalës për doracakë arsyet pse mjedisi letrar shqiptar ka nevojë për një kritikë letrare shqiptare. Konica, Maloki, Kuteli, Koça, Pipa më vonë, flasin për një mision të kritikës.
Sikur çdonjëri prej tyre ta ketë parë njëlloj, të ndërprerë, rrjedhën e saj, ndaj kërkon nga një dhjetëvjeçar në tjetrin të lindet kritika.
Natyra e kritikës së Krist Malokit shfaq një karakteristikë që ishte e përgjithshme për kritikën letrare shqipe.
Shqetësimi nga mungesa e një kritike serioze e cila, sipas Malokit, dëshmon se “kulshtedra shoqnore”, e quajtur “opinjoni publik”, nuk është gati, ngaqë deri atëherë çdo mendimi dhe ideje në fushat e shkencës dhe të kulturës i dilnin kundër “savantat dhe engjikllopedistat e kafehaneve – mbrenda e jasht Shqipnis! – e dijtun nga frika se mos po i rrëxohen nëpër frymën e re kolibat e veta mendore të vjetrueme.” Reagimin e botës shqiptare ndaj kritikave të tij ai e merr për dëshmi dhe për pasqyrë të gjallë të zhvillimit kulturor dhe historik të vendit në 30 vitet e fundit.
Kjo për sa u përket faktorëve të jashtëm.
Sa për kritikën në vete, qëllimin e saj ai e sheh tek orientimi në “rrugën e ndrejtë kah e mbara, kah nderi e kah e vërteta.” Në këtë drejtim, duke i njohur kritikës një rol në etikë – “Çdo kritikë letrare me vleftë ka tendenca edukative”, thotë ai – dallon nga themeluesi i kritikës letrare moderne, Faik Konica i cili ndante atdhesinë nga letrëtyra dhe pretendonte nga autorët shqiptarë një vlerë letrare universale që të matej me kultura të tjera.
Konica pyet: Ç’është kritika letrare? Dhe përgjigjet: Është një gjykim i vlerës së librave. Ai thotë: “Kur më pëlqen e kur më ç’pëlqen një vepër, nuk arrin të këcej a të shfryj: duhet të shfaq përsetë e pëlqimit a të ç’pëlqimit tim, në qoftë se dua të përpiqem të shokësoj këndonjësit në një ndjenjë me mua.”
Kurse Maloki pretendon prej misionit të Kritikës të mos mjaftohet vetëm “me shikime dhe kundrime dialektike, me njatë kolovitje ndërmjet veprës së kritikueme dhe botëkuptimit të vet, jo, kritika e vërtetë e ka për detyrë me ngrehë mba njato polaritete shikimesh e kundrimesh urën synthetike dhe ylberin e shumëngjyrshëm të një vepre krejt të re artistike. Kritikani i vërtetë mundet që nuk asht i zoti me prodhue vepra të njëllojëshme me ato të kritikuemet, mirë po kritika krijuese dhe prodhuese në vetvehte i ka gjithë hiret e një kreatyre origjinale dhe të përjetëshme.”
Vetëdijen për ta ngritur tekstin kritik në nivelet e tekstit letrar e gjejmë tek pak kritikë shqiptarë të epokës së Malokit. Tjetër gjë, sikurse do ta shohim më poshtë, nëse vetë Maloki i ka arritur apo nuk i ka arritur kërkesat e estetit.
Përmendëm Malokin dyshues, jo vetëm kur gjykon për një proces të afërt në kohë, po edhe për një të largët, kah tradita.
Dyshimi i tij mbështetet nga natyra pretencioze e tij. Ai e hap rrafshin e diskutimit për nga kultura të tjera atëhere kur kundërshtarët e tij pretendojnë a priori për një poet dhe letërsi internacionale, dhe e ngushton lëmin tek humusi anas kur të njëjtët kundërshtarë flasin për poet dhe letërsi kombëtare.

Fishta - Asdreni - Koliqi - Lasgushi

Fishta – Asdreni – Koliqi – Lasgushi

Maloki-Çabej, afër dhe larg
Dyshimet mbi kombëtaren dhe etninë në poezi që Maloki diskuton tek Naimi dhe Lasgushi, po edhe tek Fishta (në vitet gjashtëdhjetë), na shpien tek tema e letërsisë së një populli parë si e lidhur ngushtë me historinë dhe gjeografinë e atij populli.
Në një ese të gjatë (“Për gjenezën e literaturës shqipe”, botuar për herë të parë në “Hylli Dritës” 1938-1939) të botuar në kohën kur Maloki i kishte hedhur tezat për dy poetët dhe pritur rrufetë, Eqrem Çabej trajton, (duke iu referuar kryesisht romantizmit në letërsinë shqiptare) idenë e njësisë shqiptare si një njësi etnike dhe kulturhistorike, e rrjedhur nga njësia gjeografike.
Fakti që nacioni dhe politika kanë qenë tema kryesore të letërsisë sonë deri në vitet ’30, përbën sipas Çabejt ndryshim kulturo-historik e tipologjik, dhe është një ndryshim themelor krahasuar me letërsitë e Perëndimit. “Prej gjithë shkrimtarëve shqiptarë na del përpara fytyra e shqiptarit të përjetshëm.”
Në dallim prej tij, Maloki është i kapur pas idesë shqiptare, shpirtit të vërtetë shqiptar. Lidhjet më të forta me këtë ent etnik, sipas tij i ka Gjergj Fishta që “s’ka qenë tjetër veçse kasneci, rapsodi e predikuesi evangjelist i njasajë shpirtsije e mendsije arbënore, e cila përmbëlidhet ner tri fjalë, ner tri parulla a ner tre kushtrime mijvjeçare: Besë, Nder e Burrni shqiptare.” Aty për aty ai shton se “Fishta harron se gjallon në shekullin XX, nuk e sheh realitetin përreth…”
Kurrfarë lidhjeje nuk gjen mes Naim Frashërit vjershëtar dhe idesë shqiptare, ndërkohë që Çabej dallon para së gjithash tek poeti i vonuar romantik një patriot, edukator: “Do të pranojmë se me përjashtim të disa pak vjershave vlera letrare e poezisë së tij është e pakët. Sepse veprat e tij më fort se qëllimit estetik i shërbenin një qëllimi etik.”
Pasi ka mbrojtur nëpërmjet qasjes psikanalitike tezën për sipërfaqësinë e veprës së “poetit kombëtar”, për karakterin ahistorik të saj, Maloki pohon se vetëm pas ardhjes së dytë në Stamboll, më 1882, Naimi bëhet simbol i idesë rreth zgjimit të një kombi.
Sa për Lasgushin, për aq sa kërkon këndvështrimi kulturo-historik i Malokit, edhe këtij poeti i mungon lidhja e ngushtë me kombin shqiptar si “ent ethnik dhe jo ent politik apor patriotik.”
Ai flet për mungesën e koloritit karakteristik shqiptar, të cilin e gjen te fryma, atmosfera, afshi, amsia, akullsia, shpirtsia, ngjyrësia, çka i ndesh edhe në jetën sociale e personale.
Këto janë provat e Malokit për ata që i përshtatin Lasgushit titujt “vjershëtor i kombit”, “poet kombëtar” dhe veprës së tij “me bukuritë e saj pa shoqe në letraturën shqipe e me shoqe të rralla në letraturën e përbotshme”.

Oriental apo okcidental - Krist Maloki

Oriental apo okcidental – Krist Maloki

Autori, teksti…
Maloki nuk shfaqet epigon i kritikës psikanalitike. Ai nuk zbaton një teori psikanalitike për hir të teorisë, por i referohet biografisë së autorit duke marrë parasysh mjedisin shqiptar, dhe shqiptarësinë e letërsisë së tij. Kjo ndodh në rastin e Naimit, tek i cili herë e çon jeta e poetit nga të dhënat biografike të të afërmëve, herë e çon vepra e tij. Burimet qofshin direkte ose indirekte për njohjen e autorit në pikëpamje gjenetike, janë të pamjaftueshme për të aplikuar një psykologji analytike.
Megjithatë nga aq informacion sa ka për fëmininë, adoleshencën dhe rininë deri në të tridhjetat e poetit, Maloki tenton të gjejë projektimin e personit, shpirtit dhe karakterit të tij te teksti, vepra letrare. Nuk mund të thuhet se me këtë lloj kritike ia del mbanë. Në fund të fundit, ai e quan poet të prirë për “rrojtje pranë votrës”, për shkak të fizikut të brishtë dhe tendenca “hypertrofike qëndron në të gjitha veprat e tija”.
Letërsinë, atë persiane në veçanti, e shikon faktor bazë në formimin e karakterit të tij. Maloki shtron hipotezën se budizmi e gjeti derën hapur tek ky shpirt të mbrujtur në mjedisin bektashi.
Janë një sërë poezish që Maloki pohon të jenë shkruar nisur nga besimi për shtegtimin e shpirtit (metempsychoza).
Pikërisht te shpirti budist ai shikon burimin e frymës ahistorike te vepra e Naim Frashërit. “Istori e Skëndërbeut”, thotë ai, nuk u përshtatet ngjarjeve të vërteta dhe bashkë me “Qerbelaja” janë pasqyra të mitologjisë persiane. “…e mos t’ishte fjala për luftë etj., do të kishim përpara nesh ma tepër një femën se sa një hero!” (Shih “Oriental apo Okcidental) Për këto përfundime ai i referohet tashmë tekstit.
Guximi për të përdorur një kritikë psikanalitike në rastin e Lasgush Poradecit, duket se e lë në baltë Malokin. Edhe ato burime që përdor nga njohja personale me poetin janë pak. Ai shikon një individualist, tipar që ka dalë në pah nga “mungesa e forcës poetike, ose nga varfërija materiale-financiare ose nga dobësija fizike por sidomos nga një frikë anormale nga ndonjë sëmundje dhe infeksion.
Ka krijuar do komplekse inferioriteti dhe është bërë më hypohondër, mizantrop dhe vetmitar… Një studim psikologjik dhe kulturo-historik mund të zbulojë rrënjët e koloritit lasgushian. Neve mjaftohemi me hamendjen se poezia e tij është e përshkuar nga shirita sllave, vllahçe dhe romano-franceze. Një ambëlsi e butësi ma fort femnore se burrnore që i depërton gjithë vjershat e tija.”
Kritika psikanalitike për rastin e Lasgushit duke e çalë.
Në tërësi, kritika e Krist Malokit kalon në fazën e komentimit dhe të vlerësimit të autorit dhe veprës së tij, pa patur shoqe para po për fat të keq as më pas.

Stili
Në të vërtetë Maloki nuk dha deri në fund shembullin e një modeli kritike të cilën ai e shpallte mision. Eklektik, proliks, me gjithë erudicionin, duket se rrjedha e shkrimeve të tij përhapet në toka ku mjetet e metodave dhe argumentet nuk mjaftojnë, as atëherë kur thërret në ndihmë krahasimet me artet figurative, muzikën, filozofitë dhe kultura të tjera. Përhapja në fusha të dijes bën që të humbasë konsekuencën.
Ai kundërshton me pasion lëvdatat e kritikëve, mirëpo në fund, rezulton se kjo gjuhë pasioni është më shumë përgjigje që ai u jepte kritikëve të kritikave të tij. Çfarë do të mbetej nëse do ta zhvishnim kritikën e Malokit nga ky pasion? Duket një qerthull.
Shkrimet e Malokit “nisën kritikën e kritikës në kritikën tonë dhe me vetëdije e inkuadruan vështrimin psikanalitik, e më shumë atë psikobiografik tradicional, siç cilësohet sot, dhe atë kulturohistorik.”
Ky është vendi që i jep Rugova këtyre “përpjekjeve psikanalitike për kritikë objektive” (Ibrahim Rugova, “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983.”)
Maloki është marrë me disa autorë bazë para tij dhe të kohës së tij.
Ai nuk përfaqëson modelin e kritikut letrar që sipas kriterit universal ka për mision zbulimet letrare, por përkundrazi atë që vë në dyshim vlera të konsoliduara letrare. Ai është një kritik që nuk e sheh dot të ndarë vlerën shqiptare, autoktone të një vepre nga vlera universale.
Maloki nuk sistematizon me koncepte praktikën dhe teorinë e vet kritike sepse siç vënë re me të drejtë disa studiues ai nuk u mor me kritikë letrare për hir të kritikës. Kjo do ishte një nga mangësitë e kritikës së Malokit.
Dy fjalë edhe për botimet e fundit të kritikës letrare të Malokit në Tiranë dhe Prishtinë: janë modeli më i keq i punës me tekste që kanë një distancë kohe mbi gjysmë shekulli që nga botimi i parë, e sidomos kur gjuha është e dialektit geg. Përmbajnë shumë gabime gjuhësore, tekstet e integruara gjermanisht nuk janë të përkthyera.
Shënimet dhe poshtëshënimet janë me pasaktësi dhe nuk u korrespondojnë teksteve përkatëse. Lind nevoja për një botim kritik të kritikës letrare apo mendimit kritik social e ekonomik të Krist Malokit.
Marrë nga http://fryma.blogspot.it 8 prill 2010

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook