“Krimet e komunistëve gjatë luftës”, një libër që (nuk) provokon – nga Namir Lapardhaja

Çelo Hoxha - “Krimet e komunistëve gjatë luftës”

Çelo Hoxha – “Krimet e komunistëve gjatë luftës”

“Krimet e komunistëve gjatë luftës”, një libër që (nuk) provokon

nga Namir Lapardhaja

I
“Emrat – Lista me 265 drejtues të Luftës që akuzohen për krime nga Instituti i Agron Tufës” – Ky ishte një ndër titujt e disa portaleve dhe gazetave ditën e djeshme që më tërhoqi vëmendjen lidhur me ndërtimin dhe logjikën e tij përsa i përket debateve të ditëve të fundit në shtyp për luftën dhe periudhën e komunizmit. Nën të njëjtën logjikë, pak kohë më parë, deputeti i kahershëm socialist S. Braho, akuzoi drejtorin e ISKPK-së, Agron Tufën, lidhur me shpalljen kriminelë të heronjve të luftës etj.
Nëse do të ndërtonim një parabolë simbolike lidhur me këtë përqasje, do të ishte kjo: të afërmit e pacientit të sëmurë (mbrojtësit e luftës, komunizmit etj.) akuzojnë drejtorin e spitalit (Agron Tufën) lidhur me diagnozën që ka dhënë doktori specialist i fushës (Çelo Hoxha) për pacientin e tij (Hyrje në historinë e LNÇ-it). Që këtu është e qartë se nuk mund të jenë të afërmit dhe dashamirësit ata që kundërshtojnë diagnozën (e aq më tepër të sulmojnë drejtorin e Spitalit), por ky është një debat që duhet të vijohet nga një doktor tjetër specialist i po të njëjtës fushë.
.
Namir Lapardhaja

Namir Lapardhaja

II
Libri “Krimet e komunistëve gjatë luftës 1941-1945 (Dokumente)” me autor dr. Çelo Hoxhën është botuar në vitit 2014 nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, i miratuar nga Bordi Drejtues, pas recensioneve me shkrim të anëtarëve të Këshillit Shkencor të këtij Instituti.
Për realizimin e këtij libri, autori thotë se janë shfletuar 15 mijë faqe dokumente, një pjesë e konsiderueshme e tyre e shkruar me shkrim dore. Në të janë përfshirë 148 njësi dhe ajo që ka bërë autori në këtë rast është kontekstualizimi i tyre dhe pajisja me shënime shpjeguese për lexuesin, duke i dhënë referencën përkatëse arkivore çdo dokumenti, ndërsa disa dokumente të përfshirë në këtë libër janë botuar më parë nga autori në gazetën “Standard” gjatë periudhës shkurt-tetor 2012.
Ky libër shërben si një Hyrje në historinë e luftës Nacional Çlirimtare dhe parabola mbi të cilën ngrihen të gjithë argumentet që jep më tej autori, duke u mbështetur në një material të pasur arkivor, është “Lufta e drejtë dhe lufta partizane”.
Tri pjesët mbi të cilët ndërtohet lufta e drejtë janë:
1)jus ad bellum, e cila trajton të drejtën për të nisur një luftë;
2)jus in bello, e cila trajton të drejtën e veprimeve gjatë luftës; dhe
3)jus pos bellum, e cila trajton të drejtën e marrëveshjes së paqes dhe përfundimin e luftës.
Sipas autorit, Lufta Nacionalçlirimtare nuk është analizuar kurrë e bazuar në këtë doktrinë, megjithëse është interpretuar si luftë e drejtë.
Ndaj ai në këtë libër ka trajtuar veprimtarinë e ushtrisë partizane në dy qasje: sipas teorisë së luftës së drejtë dhe sipas ligjit për krimet e luftës, të krijuar nga vetë komunistët, më 23 janar 1945, të cilin komunistët e zbatuan për të dënuar ata që i konsideronin si kriminel lufte. Sipas këtij ligji, neni 14, “si kriminela lufte, qofshin shqiptarë ose të huaj, konsiderohen: Ata që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, eksekutuar ose ndihmuar në vepra kriminale, si vrasje tortura, turpërim femrash, shpërngulje të detyrueshme popullsish, dërgim në fusha përqëndrimi, dërgim popullsish në punë të detyrueshme, grabitje, djegje, vjedhje, shkatërrim, plaçkitje të pasunis shtetnore e private; ata që kanë qenë bashkëpunëtorë ose ndihmësa të aparatit terrorist dhe formacioneve terroriste t’okupatorit; ata që kanë urdhëruar dhe ndihmuar mobilizimin e popullit shqiptar për ushtrinë e armikut”.
Janë pikërisht këto dy parime mbi të cilën është ndërtuar parabola e librit mbi luftën e drejtë dhe atë partizane. Kjo është e reja që ka sjell historiani Çelo Hoxha në këtë libër. Pjesa tjetër është dokumentacion arkivor i konkretizuar pikërisht mbi këtë parimësi.
Janë dokumentet arkivore të vetë komunistëve dhe drejtuesve të lartë të Luftës Nacionalçlirimtare, të cilat vetëtregojnë dhe vetëzbulojnë veprimtarinë e tyre gjatë luftës. Ato janë të ftohta dhe të pamëshirshme.
.
Pushkatime...

Pushkatime…

III
Lista e personave përgjegjës për krimet e luftës që ndodhet në pjesën e fundit të librit të historianit Çelo Hoxha dhe që i atribuohet pa të drejtë Agron Tufës është përpiluar pikërisht mbi ligjin Nr. 41, që përfshin anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, eksekutuar ose ndihmuar (në këtë rast: forcat partizane) në vepra kriminale”.
Sipas autorit të librit, anëtarët e KQ të PKSH-së dhe anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm kanë përgjithësi direkte për krimet e PKSH-së dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Gjithashtu, autori është treguar i kujdesshëm në këtë listë të shënojë me bold emrat e përgjegjësve direkte në krime (autor ose pasje dijeni), ashtu siç ka theksuar emrat e atyre që kanë denoncuar (ose jo) krimet e PKSH-së dhe UNÇ-së, ose të atyre që kanë qenë drejtues formacionesh partizane, por më vonë i kanë braktisur ato.
 
IV
Ky debat i fundit lidhur me periudhën e Luftës Nacionalçlirimtare le të shërbejë edhe për lexim të librit të historianit Çelo Hoxha, “Krimet e komunistëve gjatë luftës”, i botuar në vitin 2014, por i vënë në qendër të debatit sot, rreth 5 vite pas botimit.
Pavarësisht gjithçkaje, debati për të shkuarën duhet t’i shërbejë shoqërisë shqiptare për të kuptuar aktualitetin e saj dhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt, ngase e shkuara do të na shërbejë ose për të na mbajtur peng ose për të nxjerr mësime prej saj.
-
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook