Krijimtari të panjohura burgjesh e kampesh – Gdhendjet e Lek Pervizit dhe – Vargjet e Guljelm Dedës

Lek Pervizi - “Luftim me përbindeshin” gdhendje në shqopë

Lek Pervizi – “Luftim me përbindeshin” gdhendje në shqopë

Krijimtari të panjohura burgjesh e kampesh

Gdhendjet e Lek Pervizit dhe

Vargjet e Guljelm Dedës

Dy vjersha të Prof. Guljelm Dedës, kushtuar skulpturave të Lek Pervizit  të gdhendura në dru shqope në kampin-burg të Kuçit të Kurveleshit, Vlorë, 1954-58.
Njena është “Luftim me përbindeshin”, gdhendje në dru shqope, në Kuç te Kurveleshit më 1957, 11 x 9 cm.
Këtij punimi Prof. Guljelm Deda i kushtoi një vjershë. Masi kjo skulpturë, simbolizonte qëndresën kundër diktaturës së egër të cilën autori e ka përfytyruar si përbindësh…

Guljelm Deda - skica Lek Pervizi (Pluk 1960)

Guljelm Deda – skica Lek Pervizi (Pluk 1960)

Trimi dhe monstri - poezi nga Gulielm Deda

Merr jetë
cungu i shqopës
kucka
nga dora jote
artist.

Kapërthye me një përbindësh
monstër
lufton trimi drague
me forcën e muskujve t’çeliktë
nofullat ia çan
e ngordh
egërsinën hukubete
q’aq viktima të pafajshme
hoqi kësaj jete.

E mjera Shqipni
nji kulshedër gjakatare
të ka mbërthye
të ka gllabërue
bijt’ ma të mirë
t’i  ka farue.

Por ka burra
ka trim mbi trimat
Gjergj Elez Ali
të rinj
qe nuk mposhten kurrë
fulqitë me ia shkallmue
bishës monstër
të tmerrshmes lubi

Qëndresën tonë
n’atë skulpturë
ke skalitë
të heshtun e të vuejtun
kundërshtimin tonë
ke simbolizue

Thika e gdhendjeve artistike

Thika e gdhendjeve artistike

Me tehun e nji thike
aq bukur
histori ke shkrue
pa gërma
pa fjalë
luftën e së mirës
kundër së keqes
ke përftyrue

Artistët janë profetë
n’at vepër
fundin ke parashikue
të përbindëshit gjakatar
njashtu
fulqishë zbërtthye
ka me mbarue

Të përgëzoj mjeshtër i ri
nëse i prangosun
sot je
si Prometeu mitik
uroj
që talentin tand
ta shprehish me fuqi
nji ditë t’ardhme
në liri!
Plug, 1960

Lek Pervizi & Guljelm Deda - Perugia 1994

Lek Pervizi & Guljelm Deda – Perugia 1994

Gdhendja që paraqite, autori e kishte punue me teh të një  thike që kishte sajue vetë nga një copë helmetë gjermane me të cilën kishte gdhendë çibukun me “Prometeun e Lidhun” e të tjera  forma, si satirë, luanë,  “Evën me gjarpën e mollë”, “Lirinë e Samotrakës”, “Laokoontin”, etj., të cilat ua dhuroja bashkëvuejtësve të cilat kushedi se ku kanë përfundue, pas kaq vitesh.
Këto gdhendje unë i basha aty në prani të shokëve që merreshin me lexime, biseda e komente, të cilët  me shpotisnin me fjalë të tilla si:
“Ku je o artist i shqopes!”
“Hajde, hajde o Praksitel i Kurveleshit!”

Kampi i Kuçit i Kurveleshit 1958

Kampi i Kuçit i Kurveleshit 1958

Kurse Lemi me kushtoi këtë poezi në një faqe letër fletoreje, që i shtohej asaj të Prometeut, që grueja ime ruente të fshehura, kur ishim në Plug të Lushnjes, të cilën u detyruem ta digjnim bashkë me shkrime të tjera, nga frika e një kontrolli të sigurimit, kur erdhën për kontroll e na morën gjithë librat në gjuhë të hueja. Me të gjetë një  poezi të tillë përfundoje në pushkatim siç ndodhi me poetët e rinj, Genc Leka e Vilson Blloshmi.
Unë e kisha mbajtë në kujtesë dhe e rindërtova bashkë me atë të Prometeut.
I  paraqita në këtë libër, sepse nga Lemi nuk kishte mbetë asgja tjetër, prej terrorit tepër të madh. Prandaj ai iu kushtue përkthimit të veprës “Orlando furioso” i Lodoviko Ariostos, prej 40 mijë vargjesh për të zëvendësue një krijimtari të lirë që nuk i lejohej.

Dorë artisti - poezi nga Gulielm Deda

Tym e flakë nxjerr çibuku prej shqope
gdhendun me mjeshtri të rrallë
Prometeu asht aty skalitë
me pranga e vargoj lidhun pas shkambit
dhe zhgaba
kthetrat e ngulme mbi at trup ciklopik
kah ia copton mëlçinë me skepin çelik.

Zjarrin  jetëdhanës
u a pat grabit zotnave t’Olimpit
ky fatos i të gjitha kohnave
me guxim mbinatyror
me forcën e vetmohimit
për të ia dhurue njerëzimit
dorë artisti
skaliti trupin
e këtij pishtari të qytetnimit
në një cung shqope
dorë e një të burgosuni
i denjë të quhej bir i Prometeut
(bijt e tij ishim në të gjithë)
që protestën e vet
protestën tonë
vetmohimin e qëndresën
përfytyroi
në një lullë të thjeshtë
daltoi
me mjeshtri.

Nuk ka pranga që të lidhin mendimin
që të ndrydhin frymëzimin
që të mbërthejnë shpirtin
edhe n’ato burgje mizore
u shkruen
vizatuen
skalitën
në letër
gur
dru
vepra të përkryeme
vepra  tronditëse
t’amshueme

Në kët’ çibuk shqope
ku ndizet zjarri i pashuem i Prometeut
o artist i burgjeve
me durim e përkushtim të vendosun
me tehun e mpreftë të një thike t’kalitun
në farkën e krahnorit
ke gdhendë
kampionin e lirisë
që ndër shekuj e kohnat
mbetet heroi ma i madh i njerëzisë
dhe heroi
frymëzues
ma i madh
yni!
Të lumtë!
Plug, 1962.

Figura e Prometheut në një llulle të punuar nga Lek Pervizi

Figura e Prometheut në një llulle të punuar nga Lek Pervizi

Në mungesë te çibukut rë shqopës pâraqes skicën origjinale model për gdhendjen e  Prometeun të lidhur, në kampin-burg të Kuçit të Kurveleshi, 1955-58.

Çibukun e parë ia pata dhurue Lemit, i cili me falenderoi duke i kushtue një poezie, që u ruejt nga nana e gruaja ime.
Kisha gdhendë disa çibukë të tillë, dhurue shokëve të ngushtë  bashkëvuejtës. Edhe ajo thika pati nderin të përmendet në poezinë, për arsye se Lemi e kishte marrë vesh se si unë e kisha sajue në Tepelenë nga një copë helmetë gjermane. Ngjarje të vogla, por me kuptim të thellë, që tash mbas kaq vjetësh duken të randësishme. Shpirti i shqiptarit nuk dorëzohet kurrë. Flaka e ditunisë do ta udhëhiqte gjithmonë përpara për të dritun rrugën e vështirë të afirmimit të kombit, ku vendosmënia e qëndresa arrinin deri në sakrificën supreme të jetës, për hir të lirisë, drejtësisë e demokracisë së vërtetë. Guljelm Deda ishte një nga pishtarët ma të guximshëm të kulturës dhe të qëndresës shqiptare kundër fuqisë shtypëse të diktaturës!
Marrë nga Revista “kuq e Zi”

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , , ,
Një përgjigje
  1. Jozef Radi Tha:

    Gjeta rastin të ju përshëndes e t’ju festat e këtij Fundviti,
    me këto kujtime të largëta që përçojnë vuejtjet dhe qëndresën tonë,
    po edhe dëshirën për të krijue edhe pse në kushte të pamunduna,
    por gjithmonë të vendosun e të pamposhtun me shpresën e shpëtimit,
    që ndonse vonoi, erdhi dhe na solli lirinë aq të pritun e të dëshirueme.
    Përshendetje Lek Pervizi

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook