back to top
20.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Pervizi: Krahas genocidit njerëzor u krye genocid kulturor

Gazeta

Lek Pervizi
Lek Pervizi

Krahas genocidit njerëzor

në Shqipëri u krye dhe genocid kulturor…

nga Lek Pervizi (Belgjikë)

E kushtëzueme prej rrethanave anormale të krijueme gjatë sundimit 45 vjeçar të diktaturës komuniste, kultura shqiptare e kryesisht letërsia, u katandis në gjendjen e nji shterpësie cilësore, duke u shndrrue në idhtare e klikës sunduese dhe përçuese e ideologjisë marksiste, çka ndikoi në ramien e përgjithshme të saj.
E gjithë letërsia e para luftës së dytë botnore, duke fillue nga rilindasit si Kristoforidhi, Çajupi, Naimi, e deri te Fishta, Noli, Mjedja, Migjeni, Koliqi, Asllani, Poradeci etj., u karakterizue nga nji krijimtari e pastër, fisnike dhe me përmbajtje të naltë njerzore dhe shqiptarizmi, përpos vlerës së madhe letrare dhe ideo-artistike, e cila mbetet e padiskutueshme. Askush prej shkrimtarëve të shquem të asaj periudhe as u ba zadhanës i pushtetarve në fuqi, as u këndoi lavde sundimtarve të kohës. Ata qëndruen të pavarun e të paimponuem në gjithë krijimtarinë e tyne.
Liria e fjalës dhe e medimit lejuen që të dalin vepra si “Lahuta e Malsis” dhe vjershat satirike të Fishtës, “Juvenilja” e poezitë e tjera të Mjedjës, “Poezitë” e Poradecit, veprat e Nolit, të Migjenit, të Koliqit, të Prenushit, të Asllanit, të Aranitit, “Visaret e Kombit”, etj., që përbanin thelbin e botës materiale e shpirtnore të shqiptarve, me të gjitha atributet ma të mira të saj.
Mjerisht, historia u shndrrue në nji katastrofë të tillë konceptesh të mbrapshta, sa që mbeti në vendnumëro dhe rrezikoi të kthehej mbrapa, nga që u detyrue t’i nënshtrohej nji manipulimi dhe përdhunimi të neveritshëm, ku vetë konceti “histori” humbi vërtetsinë e kuptimit të tij të saktë.
Prandaj në kontekstin e shpërthimit dhe të ushtrimit të terrorit të kuq, që mbyti me gjak e me krime të shëmtueme gjithë shtresën intelektuale shqiptare të afirmueme, nuk mbetej tjetër, veçse të pritjes se kush e kush do të zinte vendin e mbetun bosh. Nuk vonoi shumë e mbi kokallat e tyne (apo vorret) u ulën kambëkryq e mbinë si këpurdha shpifarake, shkrimtarë e kalemxhinj, pa kurrfar tabani kulturor e pa kurrfarë talenti, që guxuen të vetquhen: letrarë, doktorë e profesorë, deri dhe akademikë, poetë e shkrimtarë, ndërkohë që titulli ishte ma i randsishëm se përmbajtja reale e aftësive të tyne. Në qoftë se pati ndonji përjashtim, siç dihet, përjashtimi përforcon rregullën.
Nji mendje e tillë e “ndritun” e periudhës absurde e të mohimit të “realizmit socialist” (kur arriti të mohojë vetveten, duke mohue sistemin, me të cilin qe bashkpuntor) do të shprehej me cinizëm të madh se përderisa u zhduk (u asgjesue) krejt shtresa intelektuale e vjetër, patjetër se vendin e saj duhet ta zinte nji tjetër, prandaj, sipas tij, ishte e logjikshme që të formohej nji shtresë e re zavendësuese. “Mendja e ndritun” harroi të shtonte se kjo gjeneratë zavendësuese (ku bante pjesë edhe ai vetë) ishte katandisun në nji rrogoz të ndotun me gjakun e vllazënve dhe kolegëve të tyne, dhe qëndronte e shtrueme nën thundrat e idhullit të diktaturës komuniste, shëmbëlltyre e nji tirani me tipare njeriu dhe me veset e nji përbindëshi.
Gjithë kjo përsëritje fjalish, mund të duket si nji rithanje e atyne ç’ka kam shkrue ma parë. Por asht e domosdoshme të shkojmë duke i përsëritë si në nji lejtmotiv, sepse përsëritja asht nana e ditunisë dhe e kujtesës. Lexuesit i duhet t’i ngulisë mirë në mendje të gjithë ato rrethana që u banë shkaktare e përdhunimit dhe përçudnimit të kulturës shqiptare, ku letërsia zen vendin kryesor, nga përmasat e përmbajtjes ideologjike që asaj iu imponuen me autoritetin e totalitarizmit e të terrorit ma brutal. Të qëndrosh gojë e sy mbyllun dhe i pavendosun për të dhanë mendime e gjykime personale, sot, kur arritëm të fitojmë lirinë e plotë trupore e shpirtnore, do t’ishte ngurrim, frikë ose paaftësi. Ngurrim nga kush? Frikë nga kush? Paaftësi pse? Ndoshta pse kemi qenë të mbyllun në burgje, kampe e gulage, apo pse u lindëm dhe u rritem aty? Fizikisht ishim të prangosun e të pafuqishëm, por shpirtnisht jo! Mendja punonte natë e ditë pa pushim për kohën e lirisë që patjetër do të vinte. Të mos harrojmë se ndër ato burgje e kampe ishte e syrgjynosun ajo pjesë e mirë intelektualësh që i kishin shpëtue vdekjes mizore (që patën fat të mos asgjesohen), të cilët u banë pedagogë e profesorë të meritueshëm ndër ato katakombave të shekullit njëzet, për brezat e ri dhe ndanin fatin bashkë me ta. Ato vende denimesh u kthyen në auditore universitetesh e akademish. Patër Mëshkalla, teolog e historian, zotëronte rreth 20 gjuhë e dialekte. Ali Erebara, avokat dhe ushtarak i lartë, zotëronte 12 gjuhë. Mikel Koliqi (Kardinali), përveç se profesor i muzikës e teolog, ishte një poliglot i shquem dhe e fliste latinishten si Ciceroni… po ashtu edhe Lem Dedat, Mit’hat Aranitët, Nedim Kokonët, Ibrahim Sokolët, Lazër Radët, Mark Harapët, Sandër Saraçët, Mark Temalët, Zef Gjetët, Estref Frashërit, Ali Cungët, Ekerem Bej Janinët, Don Nikoll Mazrrekët, Sami Bitinckat, etj. Kampi i Kuçit të Vlonës u kthye në nji universitet apo akademi të vërtetë.
Nuk ka si të qëndrojmë indiferentë e të pranojmë vazhdimsinë e ndikimit të edukatës së “realizmit socialist” pra të pranojmë genocidin njerëzor dhe rrjedhimish atë kulturor pa luejtë qerpikun! Për genocidin njerëzor tashma dihet se ç’u ba e ç’u krye. Për atë kulturor duhet patjetër të përqëndrohemi dhe t’i kushtojmë vëmendjen e duhun, me e nda shapin nga sheqeri, njiherë e mirë. Nuk mund të pranohet që disa Shuteriqa, Çaça, Varfa, Gjata, Musaraj, Siliqa, Puto e shembëlltyna të tjera të këtij lloji, deri te Mehmet Shehat, Shefqet Peçat, të qëndrojnë krah për krah (ndër antologjitë shkollore) me Naimin, Mjedjen, Nolin, Çajupin, Poradecin, Migjenin etj. (Fishta me shokë ishte zhdukë nga faqja e dheut po edhe nga faqet e librave). Letërsia shqiptare po katandisej ne nji veprimtati surrogate, ku s’merrej vesh kush ishin Homeri, Virgjili, Dante, Shekspiri, Gëte etj., për të cilët baheshin vetëm dy tri orë mësim, ndërsa i kushtohesh 16 orë e ma tepër njifar Shefqet Peçi me shokë, kryexhelatë për të pafajshmit dhe për letërsinë, të aftë veç me krye krime! Që nëse kishin mësue të shkruenin, e banin ma mirë me grykën vrastare të pushkëve që villnin batare plumbash mbi gjokset e intelektualëve dhe patriotëve shqiptarë, të fajshëm për kulturë, shqiptarizëm… pra viktima të pafajshme të dhunës kriminale të nji pushteti të egër e gjakatar, udhëheqësit e të cilit shkruenin poema e romane rrënqethse me gjak therorësh e martirësh. Këtë të mos harrojmë! Sepse ka lidhje të ngushtë me gjithë krijimtarinë letrare bashkëkohëse konformiste, e cila bashkëpunoi dhe u dha të drejtë sundimtarëve komunistë me ushtrue veprimtarinë kriminale mbi nji popull që përbahej nga Shqiptarë, vllaznit e tyne. Nuk asht nevoja të përmendim emnat e atyne që shkruen poema, romane, tregime, traktate historike, sociologjike, politike, me kuitalë e tonelata librash të shtirun, për lavdinë e pushtetit dhe pushtetarve komunistë. Kësaj kategorie zhgarravitsash s’u duhet kushtue asnji vëmendje, pse s’ia vlen barra qirasë për ndonji analizë kritike. U përshtaten mirë vargjet e Dantes: “…non badar a lor, ma guarda e passa…”, (mos u merr me ta, veç shihi e shko).

Vdekja e Diktatorit
Vdekja e Diktatorit

Po diku duhet të kapemi që t’ia vlejë, për me e zhvillue ma tutje debatin tonë. S’asht fjala për të nisë nji analizë kritike denigruese, po me formue bindjen, se duhen prekun disa koncepte të ndryshkuna që qëndrojnë të rranjosuna në mënyrë të çuditshme në mendjen e nji pjese shqiptarësh, përsa i përket se kush asht i meritueshëm (e kush jo) për me qëndrue në maje të piramidës së kulturës shqiptare. E këtu problemi ngec. Disa nostalgjikë e disa të tjerë miopë e dritëshkurtën, emnin e Ismail Kadaresë e konsiderojnë ende “tabu” të paprekshëm dhe të pacënueshëm, sepse paskej arritun nji të tillë afirmim sa për t’u lartësue në krenarinë e mburrjen e kombit shqiptar. Megjithatë, le ta pranojmë kët tezë dhe ta vlerësojmë shkurtimisht krijimtarinë e tij, nga fillimi e deri sot.
Së pari, ndeshemi në nji krijimtari fillestar bajate, ku spikasin nji rradhë vjershash e poemash kushtue lavdisë së partisë, Stalinit, luftes së klasave, që të neverisin me servilizmin dhe përulësinë e tyne, ndonëse në formë shihet se nuk mungon talenti. Por “talenti” i përdorun për nji kauzë të keqe e kriminale s’ngre kandar dhe s’mund të vlerësohen nga askush, jo vetëm në Shqipni, por në botën mbarë. Asht si të shkruejsh poema lavdiplote për Neronët, Ivanët e Tmerrshëm, Atilat, Hitlerët, Stalinët e kompani… të damkosun si përbindësha gjakatarë të historisë së njerëzimit, mos me thanë, si të shkruajsh bukur për djallin e humnerave skëterrore. Marrim si shembull Danten, që vërtet shkruejti me vargje të përkryeme për Ferrin, vargje që u ngritën në nivelit e artit ma të lartë poetik, por ama për të damkosun e për të stigmatizue te keqen e të këqinjtë. Në kët rast poezia trajtohet si mjet shprehës i mendimit përmes fjalës së vargëzueme e të rimueme, që përban arritjen e përsosun të krijimtarisë poetike, që përdoret jo për të zbukurue të shëmtuemen dhe kriminalen, por për të denoncue me art atë që në asnji mënyrë s’mund të lavdërohet. E Dante ishte poeti i gjithë atyne që pësuen të zezat e ullinit, vërtetësisht dhe jo si në imagjinatën e Poetit të Madh. Të atyne që u torturuen në rrathët e mynxyrta të burgjeve e kampeve nga dreqnit me mish e lëkurë shumë ma të tmerrshëm se ato të fantazisë danteske. Prandaj një krijimtari që mundohet të zbukurojë të shëmtuemen e t’i japë arsye krimit, terrorit e torturave që kryhen mbi viktima të pafajshme, e të paraqesë djallin engjëll dhe engjëllin djall, nuk ka si të pranohet e të vlerësohet për e bukur kur asht e shëmtueme.
Së dyti, duhet pasun parasysh se ai shkoi të kryejë studimet në qendrën e ferrit komunist që ishte Moska (pavarësisht nga paraqitja monumentale e kryeqytetit të botës komuniste, i kthyem në Olimp zotnash të egër, me nji Zeus rrufelëshues në krye, Stalinin, që s’kursente të shfaroste popuj të tanë si t’ishin miza dheu, pa i luejtë aspak filli i mustakut). Sigurisht se Ismoja u indoktrinue me ideologji marksiste-leniniste-staliniste (alias enveriste) për të cilën ideologji, edukata komsomolase e fitueme atje, e frymëzonte me i thurë himne me poezi e prozë, varrmihësit të Kombit Shqiptar. Kur u kthye në atdhè, hovi revolucionar u ba edhe ma i zjarrtë e ma i përsosun në formë e në stil, sepse në fund të fundit, pati rastin të lexojë disa shkrimtarë të lejuem si Pushkinin, Gogolin, Tolstoin, Lermontovin, Majakovskin, Gorkin, por jo Dostojevskin, disidenti i madh edhe për se vdekmi! Larg atyne që kanë damkën reaksionare, borgjeze, mistike! Pse paskej qenë dhe Dostojevski i tillë?

Kampi i Çermes - 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Kampi i Çermes – 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi

Çështja e vlerësimit të nji vepre letrare lidhet me tre kritere të njohuna: formë, stil e përmbajtje. Kështu pra në qoftë se një vepër e tillë letrare rezulton e mangut nga njena nga këto kritere e humb vlerën. Pra e mirë nga forma dhe nga stili, por e dobët dhe negative nga përmbajtja, arrihet në vlerësimin minus shumë gradësh nga zero, ku çdo send ngrin akull, kallkan. Ç’dimën i madh! (Titull i përshtatun!) Pra përmbajtja e keqe anullon çdo paraqitje sado të llustrueme. Lavirja mund të jetë e bukur, por mbetet gjithmonë lavire! Ose njëlloj si të serviret nji tortë e zbukurueme, që në vend të sheqerit të përmbaje shap!!! Sipas dikujt, Kadares (me shokë) i asht dasht t’i baje dredhë plumbit, sepse ishte talent. Po talentet e tjerë a nuk mund t’i banin dredha plumbit, me shpëtue lëkurën dhe lavdinë e tyne? Flasim për talente. E talente pati plot Shqipnia. Poradeci i pari, shumë i afirmuem. Nuk shkruejti asnjë rresht për lavdinë e partisë që ia kishte zhduk kolegët e shokët. E pra edhe ai mund t’i bante lak plumbit e persekutimit, për të fitue nder e lavdi në emër të realizmit socialist e të diktaturës gjakatare, për të jetue mirë e jo me u ushqye me nji kothere buke të thatë në një dhomë t’errët e të varfën. Por Lasgushit nuk i shkonte kafshata teposhtë, kur shikonte tmerrin rreth tij.
Ndërsa Ismaili e kishte stomakun e fortë dhe gëlltiste e bluente gjithçka: servilizmin, konformizmin, mospërfilljen, përbuzjen, vetëm për të arritë në podiumin e lavdisë, pa çka se ajo lavdi ishte e njomun me gjakun e lotët e vllazënve dhe motrave shqiptare (e nuk begenis t’i kërkojë të fala popullit të tij!)
Ne e dimë mirë se gjithë ata që kishin arritë të afirmoheshin si intelektualë të lartë, para ardhjes së komunizmit, lule e gonxhe të kulturës shqiptare, u kositën pa kurrfarë mëshire nga kosa e kobshme e xhelatëve të popujve dhe ndihmsave të tyne të zellshëm e pa skrupuj, që shitnin shpirtin djallit (si Fausti) për t’i shërbye “mëmës parti” (apo njerkës) Agripina e Neronit.
Alternativa Kadare, me ngritë atë në piedistalin e nderit të kulturës shqiptare (e ka marrë titullin Nderi i Kombit, ndërsa Gjergj Fishtës, s’i gjenden eshtnat e prandaj s’mund të nderohet i tillë) u zgjodh për të rroposë e për të asgjesue atë elitë që kishte Fishtën në krye. “Mors tua, vita mea”.
Do uleshin malet pa do ngriheshin prroskat. Tërmet 12 ballësh! Ai komandonte skuadrën e që do të ekzekutonte Fishtën, mbi të cilin shprazi gjithë plumbat e denigrimeve të gjerdanit të fishekëve të tij, si komunist. Nuk la gja pa thanë për Poetin e Madh Kombëtar. E bani bejtexhi, pa kulturë, obskurantist, shovinist, vjedhës të kangëve popullore (duke harrue se pikrisht ato kangë populli i kishte mësue prej tij), për ta rrëzue përfundimisht nga podiumi ku ky popull e mbante Fishtën akoma, edhe pse i vdekun e pa shej kocke gjëkundi. Kush asht ai poet shqiptar, vepra e të cilit të jetë mësue përmendësh nga nji popull i tanë e të këndohet vazhdimisht djalë pas djali? E që për veprën e tij të ndalueme nga pushteti komunist, po ta gjenin në shtëpi, përfundoje në burg? A nuk u denuen intelektualë si Mark Ndoja, Sejfulla Malëshova, Tuk Jakova etj. që e mbrojtën? Ndërsa veprat e Kadaresë nuk përmbajnë asgja që të hyje në qejfin dhe në trunin e popullit. Asnjë varg, asnjë rresht!
Ku janë përsonazhet e Kadaresë që nuk i njeh askush që mund të krahasohën me ato që i njeh gjithë bota shqiptare, si Oso Kuka, Mic Sokoli, Marash Uci, Ali Pashë Gucia, Tringa, që u skalitën nga dora mjeshtrore e Fishtës, për të mbetun monumente të pavdekshme, përkrah Akilit, Hektorit, Heneut, Ajaksit etj.? Prandaj afirmimi i Kadaresë rezulton i dyshimtë, ekuivok dhe artificial. Ai u nxor në arenën ndërkombëtare për qëllime propagandistike, me e paraqitë Shqipninë Socialiste si kopsht me lule dhe vend i “arritjeve të mëdha”, ku liria e mendimit dhe fjalës përfaqësohesh nga ambasadori Kadare!

Skicë e Guljelm Dedës (Kuc 1955)
Skicë e Guljelm Dedës (Plug 1960)

Ana paradoksale e gjithë kësaj pune qëndron në faktin se përkthyesi në gjuhën frënge i veprave të Kadaresë, na ishte nji i perskutuem me farë e fis, nji ish i burgosun dhe ish bej, anmik i popullit, reaksionar e antikomunist, që jetonte me përkthime (nji patriot me traditë që shyqyr që kishte shpëtue gjallë) Jusuf Vrioni, nji prej familjeve ma të përmenduna të historisë së Shqipnisë. Shkollue e jetue në Paris, e njihte frëngjishten ma mirë se nji francez. Fati i Ismailit!!! Ai e veshi veprën e Kadaresë me nji frëngjishte të përsosun. Me kostumet letrare ma të bukura të modës së lartë pariziane. Francezët u magjepsen nga ajo gjuhë letrare rrjedhëse e përpunueme aq mirë e me shije. Thuej po deshe se veshja s’e ban njeriun. Veshë e kopileshë! Nastradini na e ka lanë kët mësim!
Si përfundim, emni i Kadaresë mori dhenë, kurse ai i burgaxhiut mbeti anonim për shumë kohë, deri sa filloi të lëkundej diktatura. Emni i Vrionasve s’mund të përmendej (të mos harrojmë se Jusufi kishte dhe kushëririn Aziz, po aq i aftë në frengjishtën, që u detyrue të marrë emnin si përkthyes, Luan Gjergji, sepse regjimi nuk lejonte që të dilnin në pah dy Vrionas). Nuk e lejonin kriterët e luftës së klasave! Kur u shemb kalaja na dolën heronjtë. Disa ish burgaxhij, Jusuf dhe Aziz Vrioni. Viktima, i persekutuemi, kishte lartësue persekutuesin! Paradoks! Zotni Kadareja, nuk denjonte as ta falendëronte Jusufin (nga frika?). E pse vallë? E kishte pague vetëm si puntor argat. Në vend që të hapte kanale e të prashiste arat, të merrej me përkthimin e librave të tij. Po! nji anonim i thjeshtë, i barabartë me argatët e tjerë që punonin në fushat e bujqësisë (jo ma të pakët për kulture e dije): Lem Dedat, Mit’hat Aranitët, Nikoll Mazrrekët, Mikel Koliqët, Zef Gjetat, Ibrahim Sokolët, Ali Cungët, Lazër Radët, Mark Temalët, Ali Erebarët, Lazër Jubanët, etj. etj… që prashisnin misër e lakra në parcelat e pafund të Myzeqesë (fushat e Vrionësve në fakt) në pikë të diellit dhe në mëshirë të acarit. Të mos harrojmë të tjerët që lëngonin e vdisnin ndër çelitë e burgjeve, ose pushkatohëshin në ndonjë breg lumi: Prennushi, Zadeja, Shllaku, Kokoshi, Trebeshina, Zhiti, Asllani. Jusufi kishte shpëtue nga lopata dhe kazma si dragoman për veprat e të tjerëve (persekutorëve), kur mund t’ishte ai vetë nji shkrimtar i mirëfilltë! Por ai s’mund t’i thurte himne partisë e diktaturës, që i kishin shfarosë familjen, fisin, kolegët e shokët. Hë de, pse nuk i bani dredha plumbit, që të bahej si Kadareja e kalue atij? Ai nuk kishte nevojë t’i përkthente veprat e veta, sepse i shkruente shqip e frengjisht njëlloj. Kur fitoi lirinë, ishte tepër i lodhun, i sëmunë dhe i moshuem. Koha luftonte kundër tij. Vrioni e sa të tjerë si ai, nuk e kishin atë privilegj për t’i ba dredha plumbit. Ismaili po. Kjo e gjitha! “Quosque tandem…?”
Duke mos hy në trajtimin e drejtpërdrejtë të krijimtarisë së mavonshme, paraqesim anën absurde të saj, që zhvillohet dhe sot sikur në Shqipni, asgja nuk kishte ndodhë. Zaten, punët shkonin fjollë. Rozamunda pranonte të pinte në kafkën-kupë të prindit, që i ofrohej me buzëqeshje mefistofelike nga vrasësi varrmihës! Si mundet atëhere breznia e re shqiptare, shpresa e s’ardhmes se Kombit, të pije nektarin-farmak, te një letërsie që i jepet përmes dorës së “realizmit socialist” që po bahej varrmihësi i kulturës shqiptare (e vazhdon të gërmojë akoma në atë varr)? E gjithë krijimtaria e asaj periudhe, si me përfaqësuesit tipikë mediokër, ashtu edhe me ata tipikë “të shquar”, u trajtue dhe u zhvillue sipas thanjes së njohun: “Kur Stambolli digjej, lavirja krihej…” Shprehje ma krahasuese e ma të goditun nuk ke ku ta gjesh. Vendi ishte kthye në nji burg apo varr vigan dhe krimi ishte ligjërue nga vetë regjimi, të cilit shkrimtarët i shërbenin me zell të madh për ta paraqitë të veshun me puplat e pëllumbit të paqës apo lëkurën e qingjit, nën format e të cilave fshiheshin orli grabitqar dhe ujku gllabërues, të gatshëm me zgjat kthetrat dhe dhambët e tyne ndaj viktimave të mbylluna ndër vathë si bagëtia.
Asnji nga ish shkrimtarët e oborrit tiranik, mos të pretendojë se del i lamë e i pastër, aq ma pak që të vetquhet disident pa qenë. Profka! Asnjeni prej tyne s’i shpëton akuzës për genocid kulturor, sepse qenë funksionarë të lartë të partisë dhe të shtetit totalitar, pra aprovues të masave shtypëse e persekutuese ndaj mija e mija qeniesh njerëzore të pafajshme, motra e vllazën shqiptarë.
Revista “Kuqezi”

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Shumë bindës shkrimi i mësipërm.
    Nuk mund t’i pastrohet figura e formuar në komunizëm, atyre që i shërbyen zëllshëm, siç pastrohen sot paratë e krimit…!Nuk mund t’i pastrohet figura e formuar në komunizëm, atyre që i shërbyen zellshëm, siç pastrohen sot paratë e krimit…!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.