back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Kostumi i shkon budallait, dhëndrit dhe të vdekurit… Rezart Palluqi

Gazeta

Rezart Palluqi
Rezart Palluqi

Kostumi i shkon budallait, dhëndrit dhe të vdekurit

tregim nga Rezart Palluqi

Kam qenë dhe jam përkrahës i idesë se bota e brëndshme dhe e jashtme e njeriut duhet të jenë në ekuilibër. Prandaj dhe refuzoj të vesh kostum.
Mendja ime është si një arë gruri e shpartalluar nga harabelat. Mendja e poetit dhe e artistit është doktori i premtimeve ose fjalëve të tradhtuara. Kështu që ajo, – pra unë në këtë rast – rrallë herë ose kurrë mund të jetë aq e bukur dhe e rrafshuar si stofi i bukur dhe hekurosur me vizë në mes i kostumit.
Merrem 24 orë në ditë me fjalët e tradhtuara. I mjekoj plagët, i ngushëlloj. Prandaj edhe refuzoj t’ia plotësoj dëshirën bashkëshortes time, kur më kërkon shpesh të vishem në kostum.
-E kupton që nuk e kam përqëndrimin shpirtëror të vesh kostum?  Edhe po ta vesh, mendimet e thella do i ngrijnë flokët përpjetë, rrudhat e ballit nuk do çtendosen. Fytyra ime do jetë po aq e shqetësuar, dyshuese dhe e zemëruar sa kur vesh rroba të zakonshme.
Një herë në jetë e kam merituar kostumin.
-Mos më thuaj se kjo ishte dita kur u martuam?
-Po. Ditën e dasmës bota ime e brendshme u shkri në një me botën e jashtme. Atë ditë poezinë dhe dhimbjen njerëzore arrita t’i vë në gjumë. Atë ditë zemra dhe truri u bënë kapaku dhe tenxherja e njëri-tjetrit.
-Ah më fal. Harrova! Kostumi më ka hije dy herë në jetë!
-Muza ime, fytyrë lëkurëtrashë, truplidhur si peshngritëse, m’i nguli sytë e bukur ngjyrë vjeshte me kuriozitet, por edhe frikë.
-Kostumi më ka hije edhe kur të vdes. Sidomos kostumi i zi. Dhe të them të drejtën bota ime e brendshme, atëherë e vdekur, e nxirë nga tymi i zi i botës, do jetë po aq e zezë sa stofi i kostumit. Prandaj dhe them, se atëherë kostumi do më bëjë hije të rrallë. Si brenda, si jashtë njëlloj, e kupton?
-E di që po më tremb kohët e fundit? Ajo dreq letërsie… Kush e shpiku xhanëm? Është bërë burri si i lojtur. E sheh si të janë nxirë sytë? Ah sikur të mos ishe shkrimtar sa e lumtur do isha o Zot?
Shoh në sytë e muzës time dy pika loti. Muza ime me mendje të kthjellët ka pirë boll diell në arat e mbjella të fshatit ku lindi. Diellin ajo e ka vështruar pingul dhe jo pjerrët, prandaj edhe 2+2 për të bëjnë 4. Atë e drejton inteligjenca praktike në çdo hap.
-Mendo prag e përbrënda. Portofoli plot, zemra gjithashtu është plot – më qorton ajo rregullisht.
Në vend të përgjigjes këpus një gjethe tulipani të larë me vesë holandeze dhe i fshij lotin.

Vepra te Rezart Palluqit
Vepra te Rezart Palluqit

Atë çast, kalon përbri nesh një djalë me kufizime mendore, ose budalla në gjuhën popullore. Ai qesh pa pikë meraku, shtrembëron buzët pa arsye (jo si unë që i përvesh buzët nga mendimet që kërkojnë rrugëdalje), më shikon në sy pa ndrojtje. Shikimi i tij është po aq naiv dhe i sinqertë, sa drita e diellit. Drita e tij nuk mendon nëse depërton në shtëpinë e një krimineli apo artisti.
Djali e reflekton në fytyrë fuqishëm dhe realisht botën e tij të brëndshme. Buzëqeshja e tij e pastër, edhe pse vizatohet në fytyrën e tij të deformuar, rrezaton kaq bukur, çiltër. Ai i buzëqesh të gjithë njerëzve, pa u menduar nëse njerëzit janë të dëmshëm ose jo për të.
-Kostumi përputhet bukur edhe në trupin e këtij djalit.
-Këtij torrollakut ?
-Po.
-Zemër, po më shqetëson. Nuk je i lumtur me mua?
Përpiqem t’i sqaroj muzës time, se mendimet e këtij mëngjesi, tronditëse, siç i formulon ajo, nuk kanë të bëjnë me lumturinë, sjelljen dhe dashurinë e saj ndaj meje.
Këputa dy tulipanë dhe renda t’i jap një djalit me kufizime mendore dhe një muzës time.
-Do përpiqem të të dhuroj vazhdimisht lule, por mos më kërko të vishem në kostum. Ma premton këtë?
Djali me kufizime mendore, i gëzuar dhe emocionuar nga gjesti im romantik, m’u hodh në krahë. U ndjeva për pak sekonda po aq i lumtur sa ai. Ato pak çaste përfytyrova veten time të veshur në kostum…
Holandë, prill 2013

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.