back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Kosova dhe fati i saj (1956) – nga Rexhep Mitrovica

Gazeta

Rexhep Mitrovica (1888-1967)
Rexhep Mitrovica (1888-1967)

Kosova dhe fati i saj (1956)

nga Rexhep Mitrovica

Problemi që duem ta cekim sot, asht një nga problemet e mbëdha, nemos ma i madhi i Shqypnisë. Asht një proces që ka të bajë me jetën gjallnore të Shtetit shqyptar, sepse, simbas statistikave shqyptare e të hueja dhe mbas atyne zyrtare të Jugosllavisë, Kosova, jo vetëm “ethnografikisht asht toke shqyptare dhe historikisht ka qenë si e tillë”, por asht i vetmi vend që jep mundësitë ekonomike Shqypnisë për që kjo të muj të mbahet si Shtet independent.
Kur krijohet një shtet, i parashifen dhe i ipen mundësitë për t’ia mbajtun frymën, për ndryshe ay Shtet asht i dënuem o të shduket ose të mbetet një element i dobët, një mashë për t’u përdorun nga ma të fortët.
Ta paraqesim çeshtjen:
Kosova ka marrë famë më do ngjarje të mbëdhaja.
a)Me fitoren e madhe që pati, në kët vend, në datën 791-1374, Murati i parë kundër Serbve, fitore kjo që i pat dhanë fund mbretnisë sërbe.
b)Me prishjen keqas, nga Murati i Dytë, në datën 852-1435 e ushtrive të koalisionit të komandueme nga krajli i Maxharisë Hunjadi.
c)N’Historinë e Afërme, me qindrimin shqyptar tue marrë pjesë në përpjekjet e revelusionarve tyrk për të fituem lirinë e tyne të përbashkët (1908).
d)Në fund, me një serie lëvizjesh politike të popullsisë saj për një Shqypni independente (1876-1912).
Kur mendojmë e shiqojmë Kosovën nga prizma thjesht’ e rrafshinës ’saj, na ngjallet në kujtime një fushë e gjanë me kodrina pak a shum të nalta, një fushë e bukur, e pasun, prodhuese, me një klimë të kandëshme, sidomos të shëndoshtë. E naltë nga deti, mesatarisht, 500-600 metre, e cila lejon të derdhen ujnat e saj, lirisht, nëpër (Drin) në Detin Adriatik, nëpër (Vardar) në Detin Egjee, dhe nëpër (Iber) – që asht një rem i lumit (Moravë) – Tunë. d.m.th. në Detin e Zi. Gjindet në mesin e pjesës perëndimore të Gadishullit Ballkan, e rrethueme nga Kaçaniku. Prishtina, Pazar’ i Ri, Peja, Gjakova dhe Prizreni.
Por na Shqyptarët, kur përmendim Kosovën në kuptimin e saj politik, nuk synojmë vetëm fushën; marrim parasysh krejt Vilajetin që mban kët emën. Poene shum prej nesh, fusin nën kët emën tana pjesët e mbetuna jashta Shqypnisë politike. d.m.th. edhe do pjesët e vilajetevet Manastir, Janinë, dhe Shkodër, të shkputuna padrejtësisht, nga gjini i Shqypnisë – Katër vilajetshe mbas luftës Tyrko-Ruse (1875) dhe mbas luftës Ballkane (1912).
Kufitë e Vilajetit të Kosovës: Ka qënë një vilajet n’anën veriore e vilajetevet të Rumelisë. Përshinte bashkë me pjesën Veri-Lindore të Shqypnisë, krahinën e Pazarit të Ri dhe pjesën veriore të Maqedonisë, d.m.th. krahinën që dikur quhej: Dardanie.
Ndahej në 6 Prefektura 3, 27 Nën-prefektura, e në 16 Komune. Përfshinte gjithsejt: 3.120 fshatra, aty mbrenda, qytetet dhe shehret e Prefekturave dhe nënprefekturavet.
I kufizuem nga Veri me Serbi e Bosnjën, nga Veri-Perëndimi me Malin e Zi, nga Perëndimi me Shkodër, nga Jug-Perëndimi me Manastir, nga Jugu-Linduer me vilajetin e Selanikut dhe nga Lindja me Bullgari.
Kosova ka qënë tregu dhe hambari i Shqypnisë si për drithna, pemishte, ashtu për bylmet bagtie e land ndërtimi. Minieret e vilajetit të Kosovës, si ajo e Trepçës ne Mitrovicë kanë qenë të bollshme, gjithashtu Indystria e Likurës, e argjenterisë, e qilimeve, e pëlhurës mëndafshi deri fabrikimi i armëvet i përgjigjeshin nevojve të Shqypnisë, poene teproshin për eksportim.
Shqyptarët kuer kërkoshin independencën e shtetit tyne, kishin llogaritun t’ardhunat me te cilat do te permbahej Shteti pa pasun nevoje ndihmes materiale te huejit.
Mjerisht, Shtetit shqyptar, i shpallun nga Shqyptaret ne Vlonë (1912) dhe pëlqyem nga Konferencë e Ambasadorvet në Londër (1913), iu dha një Statut, një Mbret dhe përkrahje morale por iu mohue zemra.
Shtetnit e mbëdhenj, q’ishin të shtrënguem t’i kënaqshin fituesat e luftës të Ballkanit në kurriz të Shqyptarit, jo vetëm nuk lanë që ky shtet i ri të ngrifej mbi themele, e katër-vilajetevet, por, pa kurrfar bazë as kriteri serioz cunguen secilin nga këto vilajete. E kështu Shqypnia që lindte si Shtet më vete humbiste kësaj here:
a).Tuzin, Hot-e-Gruden, Gusinën, Pejën, Jakovën që i faleshin Malit-të-Zi.
b).Ato që muer Serbia janë: Peshteri, Rozhaja, Pazar-i-Ri, Tutina, Mitrovica, Podieva, Vuçiterni, Prishtina, Drenica, Prizreni, Ferizaj, Giliani, Kaçaniku, Presheva, Shkupi, Tetova, Gostivari, Rostusha, Kerçova, Dibra-e-Madhe, Struga, Ohri, Resna, Manastiri.
c).Greqise iu dhuruene: Florina, Kosturi, Grebeneja, Pindi, Çamuria, Janina dhe Preveza.

Nga e djathta: Eqrem bej Vlora, Rexhep Agopashiq Mitrovica, Dervish bej Biçaku, Hafiz Sherif Langu, Elefter Nosi, Rauf Fico, Ali Asllani, Ferit Vokopola, Dhimitër Beratti.
Nga e djathta: Eqrem bej Vlora, Rexhep Agopashiq Mitrovica, Dervish bej Biçaku, Hafiz Sherif Langu, Elefter Nosi, Rauf Fico, Ali Asllani, Ferit Vokopola, Dhimitër Beratti.

Sikurse duket, Shqypia u-keth e u-perketh u-la si një sorr pa krih e pupla, pa zemër, dhe na u-tha: Urdhënoni Shqypninë… Me i humbë këto, ishte më i humbë krejt burimet ekonomike që i duhen njëj Shteti.
Ky akt që njifet nën-emën “një njollë pa-drejtësie dhe pa-njerzie, ne diplomacinë ndërkombëtare n’Historinë e Afërme” ndau Shqypninë dyzash. Kosova me popullsinë e vetë prej ma se një milioni, pa mujtë edhe kësaj herë të bashkohet me nanën Shqypni ndroi zotni, mbeti në një skllavëri me të vërtetë të tmerrshme.
Se si u-tratue, shka psoi kjo krahinë shqyptare, q’ish djepi i nasionalizmës shqyptare, gjatë kësaj robnie, asht një artikull i veçantë i botuem po në kët numër, tue na mësue me do argumenta magjistrale e të pa-gënjështrueshme.
Në kët shkrim ma tepër se të miremi me politikën e huej që na solli në kët hall dishrojmë të tregojmë rolin e madh që luen kosovari në fatin e Kosovës dhe me këtë rasë interesimin absolut që ka Shqipnia për qindresën e kosovarve n’at vend.
Problemi i ynë, përgjithësisht, i lidhun deri diku me politikën ndërkombëtare besojmë të zgjidhet në kohën e vete. Bindjen e kemi të plotë për kosovarët kishte me komprometue keqas fatin e atij vendi arbënuer dhe kishte ndoshta për të dhanë rasë për vendosjen, një herë e mirë, të Sllavëve në Kosovë.
Popujt zmadhohen dhe naltësohen me fitoret, qindresat e përpjekjet e tyne; bijnë poshtë me pa-kujdesitë, me abuzimet e mos-qindresat e tyne në kohna të vështirë. Populli serb mbas fitores së Tyrkut n’at vend, kish mbetun një popull i vogël prej: 2.500.000. për t’u zmadhuem parapëlqei qindresën kundër çdo mjerimi. Nuk mendoi as pak t’emigrojë në Rusi q’e kish mbrojtëse dhe bashkëfetare, e me kët durim bani prej Serbisë së vogël Jugosllavinë e madhe. Faqe kësaj politike nëse udha e jonë do të vazhdojë të jetë me lshue tokën, pasunitë ma të vlershme të trashgueme nga të parët t’onë dhe me emigrue, gjithnjë me emigrue si dikuer prej një vilajeti në tjetrin, prej Tyrqisë ose Shqypnisë në dhena të hueja e të vendosemi n’ato, fati i Kosovës bashkë me atë të Kosovarit se në ç’farë përfundimi do të përfundojë na duket s’ka nevojë ta përmendim. Puna vetë e thotë: në një kohë kur fati i Kosovës do t’i qeshte Serbisë, neve, s’kish për të na mbetun veçse, të mbetemi të shpërndame kah do, po si gabela, të bastardhuem, të humbun gjuhë, zakon e doke, të arsye se, u asht mbushun mendia deri edhe shumve nga pushtuesat e këtyne viseve shqyptare që, gabimi trashanik i djeshëm i Konferencavet ka mbjellë farën e grindjes dhe nuk ka korrë për veç ç’harmonizimit ndër popuj, e se, po s’u ndreq ky gabim simbas natyrës dhe së drejtës së popullsivet, paqa dhe qetësia në Ballkan do të mbeten gjithnjë të komprometueme.
Gjaja që na merzit e na shqëtson në kët mes, asht gjendia e vështirë e kosovarve që po i shtynë keta t’emigrojnë tuba-tuba, në këto kohë të fundit, nëpër dhëna të hueja pa treguem durimin e nevojshëm me pritë zbërthimin e fundit që do t’ish sigurisht me favorin e Shqyptarit. Gabim i idhet… sepse nëse fati i Kosovës 20% mvaret nga politika e huej 80% mvaret nga Kosovarët vetë. E argumenti ma i gjallë që do të dishmote dhe arma ma e fortë që do të mbronte shqyptarsinë e atij vendi asht egzistenca e shumicës dërmuese e Shqyptarvet n’atë vend. Asnjë argument, asnjë pretendim politik, historik ose ekonomik i huej s’kishte per te pasun fuqi te rrexoje ket te drejte shqyptare, përveç largimit të Shqyptarit me dashje ose zori nga Kosova, për ta realizuem kët largim, s’janë të pakët ndërmarrjet e qeverrive të ndryshme jugosllave, sepse zbrazia e kësaj nga humbim njësinë kombëtare, e kështu në vend të zmadhojmë shtet[in], tue u-shtrimun andej kah i kemi vllaznit t’onë, të zvoglohemi edhe ma, sa një ditë për t’u ba kafshata e fqinjve.
Me kthye shpind vendit ku kemi le, ku jemi burrnue, ku kemi jetue e ba të jetojnë asht me kthye shpind historisë s’onë plot famë e ndere, asht me rrezikue sidomos avenirin e Shtetit t’onë, me mohue të drejtat t’onë të pa-kontestueme, asht me mbete pa Vatan, pa plang e pa shtëpi.
E randë lypset të peshoj një ditë, ky mëkat në ndërgjegjen e brezit të sotëm kuer breznat e nesërme do t’shohin të shkelun truellin arbenuer nga kamba e huej.
Kosovare, asht rendi t’i mbledhim mendt, mos t’apim kët provë dobsie që do t’u-vinte randë shpirtënve të Heronjve t’onë që lanë trupin nën ato dhëna për të na shtrue një Atdhe të begatshëm që të mund të jetojmë si një komb i ndershëm pa pasun nevojë të zgjasim dorë kujt.
19.07.1955 – R. M.
(Përgatiti, Agim Morina, marrë nga Muri i FB, 7 shkurt 2023)

.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.