back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Kontributi i shqiptarëve për çështjen muslimane Lazër Radi

Gazeta

Dr. Lazër Radi - Tiranë 1995
Dr. Lazër Radi – Tiranë 1995

Kontributi i shqiptarëve për çështjen muslimane

Shërbimi Social Musliman në Itali

nga Dr. Lazër Radi

Roma asht qytet i madh… qytet kozmopolit, prandej me të drejtë asht thanë se “të gjitha rrugët të çojnë në Romë…!” Kjo ka ba që në qytetin e amshuem, krahas shumicës vendase katolike, të jetojnë edhe mija muslimanë nga vendet e Mesdheut, ato të Lindjes së Afërme po edhe nga Ballkani. Në kët metropol të qytetnimit, kulturës, tregtisë dhe fesë kanë ardhë e jetojnë prej dhjetra vitesh qindra studentë, diplomatë, tregtarë, kursantë, refugjatë politikë dhe ekonomikë, të sëmunë prej visesh të ndryshme islamike. Ndodh shpesh që ata bahen edhe qytetarë të përhershëm të këtij metropoli, të këtij qyteti që asht nji pikpjekje të botës së fesë dhe kulturës.
Çeshtja e organizimit të jetës dhe jetesës të këtyne muslimanëve (numri i të cilëve vazhdimisht rritej) nisi me krijue probleme, jo vetëm lidhun me besimin, po edhe organizimin.
Vështirsitë që dolën për varrosjen e Mehdi Frashërit dhe gjithë peripecitë derisa u arrit me u varrosë në varrezat engleze, dhanë sinjalin e alarmit për domosdoshmëninë e organizimit.

Taf Pervizi 1951
Taf Pervizi 1951

Nji grup shqiptarësh me Eqerem Telhajn, Taf Përvizin dhe Mentor Çokun do t’i vihej me shpirt kësaj pune. Mbas përpjekjesh të shumta, nën drejtimin e Taf Përvizit, nga Hasi i Prizrenit, njeri i ndershëm dhe patriot i vërtetë, u arrit të krijohet “Shërbimi Social Musliman”- Seksioni i Italisë me qendër në Romë. Me gëzim të ligjshëm do ai t’u komunikonte gjithë muslimanëve banues në Romë dhe Itali:
“…, me plot gëzim në zemër ju njoftojmë se me 21 Prill 1946, u themelue në Romë “Shërbimi Social Musliman”. Asht e para herë në historinë e këtij vendi të mirë, mbi truellin e të cilit u krijue humanizmi i njeriut të qytetnuem, që nji organizatë e tillë muslimane sheh dritën e diellit. Kjo asht shprehje e vullnetit të mirë dhe e zellit të muslimanëve që banojnë në Itali… “Shërbimi Social Musliman” nuk asht organizatë misionare dhe as komunitet fetar, por asht bashkim muslimanësh, të gatshëm me punue për nji të arthme ma të mirë për vllaznit e tyne, për me u ardhë në ndihmë dhe për t’i edukue që ta mbajnë lart flakën e tyre, për t’ua ndezë vullnetin, për ta forcue bashkimin dhe për t’i ngritë si nga pikpamja shoqnore ashtu edhe kulturore. Ne e kemi pranue emblemën islamike, sepse ajo ban pjesë në karakterin tonë. Ai që nuk respekton veten, nuk ka se si me i respektue të tjerët… “Shërbimi Social Musliman” asht nji organizatë krejt apolitike, mbinacionale dhe nuk asht e frymëzueme nga interesa materiale…”
Mbas krijimit të kësaj organizate, u ba dhe njohja e saj prej ambasadorëve të Iranit, të Ambasadës Saudite dhe nga shumë autoritete të tjera islamike. Mbas këtij suksesi të dukshëm, ishte e natyrshme që z. Taf Përvizi dhe shokët e tij të kërkonin realizimin e pjesës së dytë të kërkesave të tyne: legalizimin e nji parcele për hapjen e nji varreze për gjithë muslimanët që banonin në Itali. Me ia arritë këtij qëllimi “Shërbimi Social Musliman” i drejtohet me letër delegacionit të Kombeve të Bashkueme në Itali z.Raymond Terrilon me dt. 28.8.68, ku ndër të tjera thuhet: “Përpjekjet tona për me krijue në Itali nji qendër aktiviteti dhe solidariteti islamik për Evropën, kanë krijue nji klimë kurioziteti të gjallë edhe pranë qarqeve kulturore italiane, si dhe në mjediset zyrtare të Republikës Italiane ashtu dhe ndër prelatët e shquem të Vatikanit. “Sh.S.M.”, qysh në ditët e para të krijimit i asht drejtue autoriteteve komunale e shtetnore italiane me përpjekje për të arritë me marrë nji parcelë për qytetarët e besimit musliman pranë Varrezave të Reja në Flaminio, Porta e Parë në Romë.”

Mehdi Frashëri - Kujtime (1913-1933)
Mehdi Frashëri – Kujtime (1913-1933)

Gazeta “Il Tempo” Nr. 274, e 11 tetorit 1964, në nji intervistë me z.Taf Përvizi dhe z. Eqerem Telhaj ndër të tjera shkruen: “…Nuk duhet besue se ne muslimanët po përpiqemi me krijue prozolite (ndjeksa). Feja jonë nuk ka misionarë, ajo përhapet vetiu, natyrshëm… Marrveshja midis atyne që besojnë asht e domosdoshme, për t’iu kundërvu atyne që duen t’i detyrojnë të tjerët të mos besojnë. Atje ku ateizmi asht i përkrahun dhe i propaganduem nga shteti, besimtari përfundon në burg a në kamp të përqëndrimit, por Zoti nuk mund të shkulet nga shpirti i njeriut. Tre milion njerëz (muslimanë) janë internue dhe vra në B.S”. Duke përfundue gazeta thotë: “Organizata jonë ka qëllim me përkrahë moralisht dhe shpirtnisht të gjithë ata që besojnë sepse: “Sa ma shumë që njeriu të shkojë drejt materies, aq ma tepër harron me ekzistue si shpirt.”– thoshte Muhamed Aledoni, filozof egjiptian, që ishte dhe mik i Spinozës. Pastaj z.Telhaj përfundon me nji imazh poetik të frymëzuem, duke pa nji cigare që digjej mbi tyrezë tha: “hini nuk mund ta gjykojë bimën nga e cila del”. Kjo asht largësia midis nesh dhe Perendisë.

Xhamia e Romës
Xhamia e Romës

Me shkresën 0435/65 dt.28 korrik 1964, njoftohet “Sh.S.M.” se asht akordue nji parcelë e destinueme për varrezat muslimane, kurse sa i përket kërkesës për nji sipërfaqe për “Rrethin Kulturor Argëtues”, për fat të keq refuzohet, sepse administrata nuk disponon terrene të përshtatshme për nji veprimtari të tillë…!
Në korrik të vitit 1991, isha në Flaminio, tek Prima Porta, ku bana homazh tek varri i Prof. Koliqit. Jo fort larg, rreth njiqind metra ma tej, ishin varret muslimane. Kishte shumë varre shqiptarësh, sepse ishin pikërisht këta shqiptarë të thjeshtë, si Taf Përvizi, Eqerem Telhai e të tjerë që kishin luftue të realizonin jo vetëm të drejtat e tyne, por dhe për lirinë e besimit dhe të organizimit fetar, të ndaluem me kushtetutë në atdheun e tyne. Dhe unë s’mund të largohesha prej atyne pa i nderue dhe pa i falenderue për gjithë kët punë të tyne.
(Drita Islame, Nr. 6, Maj 1993)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.