back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Komunizmi ju mori jetën… – nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Mehmet Shehu miraton dënimin me vdekje...
Mehmet Shehu miraton dënimin me vdekje…

Komunizmi u mori jetën…*

nga Kastriot Dervishi

Më 3 tetor 1949, desantuan në zonën e Vlorës dy grupe, i pari në Tragjas dhe i dyti në Kurvelesh. Ishin stërvitur në Maltë. Grupi i parë përbëhej nga: Sami Ngucaj (Lepenica), Hysen Sinani (Lepenica), Zagoll Shenaj dhe Safet Abazi. Tre të parët u vranë tradhtisht në kohë të ndryshme, ndërsa i fundit mundi të arratisej dhe ta tregonte atë që ndodhi. Kjo ngjarje e hidhur që veç të tjerash cënoi një ndër tiparet e hershme të shqiptarit, besnikërinë, nuk u prit mirë nga vëllai dhe motra e Hysen Sinanit (Hodoja dhe Sirma), sepse në të ishin përzier njerëz të afërt të tyre. Familjet shqiptare përjetonin një traumë të vërtetë. Komunizmi u mori nderin dhe u shkatërroi traditat.
Vëlla e motër u gjykuan për vrasje. Hodoja e kishte viktimën burrin e motrës. Ndërsa Sirma e kishte bashkëshort. Vëlla e motër, pra Hodoja dhe Sirma vepruan për të marrë hakun e vëllait desant Hysen Sinanit (Lepenica) te Shefqet Sejati.
Sipas vendimit të gjykatës, Sirma nga shtëpia e viktimës (njëkohësisht bashkëshorti i saj) dhe merr një granatë, të cilën ia jep vëllait Hodo Sinani. Më 10.2.1950 ky i fundit ia hedh viktimës Shefqet Sehati, kur ai po shkonte për në Vlorë dhe e vret në vend. Ngjarja ngeli për shumë muaj e pazbardhur, deri sa të dyshuarit u arrestuan më 1.11.1952.
Vëlla e motër u gjykuan për vrasje, në bazë të nenit nr. 4, të ligjit nr. 372, datë 12.12.1946. Me vendimin nr. 242, datë 19.6.1953 Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë, la në fuqi vendimin nr. 61, datë 20.5.1953 të Gjykatës Ushtarake Durrës. Shkalla e parë i deklaroi fajtorë të dy vëlla e motër dhe i dënoi përkatësisht me vdekje (Hodo Sinani – vëllanë) dhe me 15 vjet burgim. (Sirmë Sinani – Sehati – motra)
Më 27.6.1953, ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu i kërkonte sekretarit të përgjithshëm të PPSH-së, Enver Hoxha që të lihej në fuqi dënimi me vdekje për Hodo Sinanin, si vrasës të Shefqet Sehati, i cili së bashku me të birin ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Në kërkesë ai shpjegon arsyet pse duhej bërë kjo. Vendimi u ekzekutua.
 .
Pikturë nga Agim Sulaj
Pikturë nga Agim Sulaj

Ministrija e P. Mbrendshme

Drejtorija e Sig. Shtetit
Nr.______
Tiranë me 27.06.1953
 
Sekretarit të Përgjithshëm të P. P. Shqipërisë
Shokut Enver Hoxha – Tiranë
 
Ju njoftojmë se Gjykata e Naltë Ushtarake me vendim Nr. 242 data 19.06.1953, ligjëroj vendimin që dënon me vdekje të pandehurin Hodo Sinanin për arsye se:
Hodo Sinani i datëlindjes 1890, nga katundi Lepenicë të Rrethit Vlorë, me origjinë shoqërore fshatar i mesëm, me profesion bari, autodidakt, i paparti, i arrestuar me datën 01.11.1952, i akuzuar:
Se në bashkëpunim me motrën e vet Sirma Sinani, vendosën të vrasin Shefqet Sejatin, bashkëshortin e kësaj të fundit, për arsye se Shefqeti s’bashku me djalin e tij Zoton, ishin bashkëpunëtorë t’Organeve të Sigurimit Shtetit dhe se kishin marrë pjesë në vrasjen e diversantit Hysen Sinani, ish vëllai i të gjykuarve Hodo dhe Sirma Sinani.
Simbas vendimit të marrun, Sirma merr një bombë nga shtëpija e viktimës dhe ja jep Hodo Sinanit për ta përdorur në vrasjen e viktimës. Nji ditë para vrasjes, Sirma e informon Hodon se viktima në orët e vona të natës do të kalonte në qytetin e Vlorës. Hodua simbas informatës së marrun, i zë pritë viktimës në nji largësi 250 m larg shtëpisë dhe në kohën që viktima kaloj andej, ky e qëllon me bombë dhe e len të vrarë në vend.
Në mbështetje mbi sa më sipër, jemi plotësisht dakord me vendimin që ka marë Gjykata.
Ministri Punëve të Mbrendëshme
Gjeneral-Leitnant – (Mehmet Shehu – firma) aa
01.07.1953
.
Marre nga http://www.55news.al/dossier/item/

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.