back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Kompozitori i madh Prenk Jakova

Gazeta

Kompozitori Prenkë Jakova
Kompozitori Prenkë Jakova

Kompozitori i madh Prenk Jakova

Nisur nga këto strese që iu paraqitën, më 16 shtator të vitit 1969,
kompozitori i famshëm Prenk Jakova, i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike,
duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Profesioni: Kompozitor
Prenk Jakova lindi më 27 qershor të vitit 1917
dhe vdiq tragjikisht më 16 shtator të vitit 1969,
ai ishte një kompozitor shqiptar.
Prenk Jakova (1917-1969)
Prenk Jakova (1917-1969)

Kompozitor i shquar dhe themeluesi i gjinisë së operas kombëtare shqiptare, me dy veprat e tij “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe “Mrika” . Kjo e fundit ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, dhe që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.
Opera e dytë e Prenk Jakovës “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft kompozitorin, i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë. Gjithsesi vepra “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ishte shumë më solide se “Mrika”, e cila vuante fatkeqësinë e subjektit dhe tematikës së artit skematik, ku duhet të frynte patjetër era revolucionare e kohës së absurditetit.
Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë. Këngët e tij “Syrin tek qershia” dhe “Margjelo” janë shumë të njohura dhe për shkak të popullaritetit që gëzojnë shumë kush i identifikon si këngë popullore shkodrane.
Prenk Jakova u lind në vitin 1917, në familjen e patriotit të njohur shkodran Kole Ded Jakova, i cili ka qenë ndër organizatorët e mbrojtjes së kufijve kombëtarë nga agresioni jugosllav në Luftën e Koplikut, në vitin 1920.
Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës, por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë.
Ndërkohë i vëllai i Prenkës që ishte në moshë të re, gjatë Luftës së Dytë Botërore, mori pjesë në lëvizjen shqiptare nacionaliste, dhe me ardhjen në pushtet të komunistëve u detyrua të merrte malet. Për shkak të vëllait, i cili kërkohej, komunistët arrestojnë Prenk Jakovën dhe e mbajnë disa kohë burgjeve. Ndërsa Prenka, që nuk kishte ushtruar kurrfarë veprimtarie veç detyrës së tij si mësues, lirohet shpejt nga burgu, fati i të vëllait do të ishte tepër tragjik. Kapet nga komunistët dhe pushkatohet pa mëshirë.
Prenk Jakova ishte një artist i madh, që megjithë tragjedinë, dhe dhembjen që kishte, arriti të mbijetonte dhe të shkruante duke iu imponuar regjimit monist me forcën e gjenisë së tij.
Megjithë karrierën e tij të suksesshme artistike, për të cilën fitoi respekt e admirim nga artdashësit shkodranë, fundi i Prenkës do të ishte disi i ngjashëm me atë të vëllait të ekzekutuar, sepse duke mos e duruar dot mjedisin përreth tij, duke e parë vehten në një gjendje pesimizmi të pashpresë, ai zgjodhi rrugën e vetvrasjes, pikërisht në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, pikërisht në atë institucion ku ai kishte punuar e shkruar një jetë të tërë.
Prenk Jakova kishte dhe një vëlla tjetër Dedën, i cili ishte fotograf i respektuar në qytetin e Shkodrës.
Edhe pse kanë kaluar dekada nga koha kur kompozitori Prenk Jakova shkroi veprat e tij, ato vazhdojnë të admirohen, ndërsa autori i tyre konsiderohet në mënyrë të padyshimtë nga shtypi dhe kritika e artit, si kompozitori gjenial shqiptar. Kjo natyrisht përbën një sadisfaksion të madh për qytetarët shkodranë në mes të cilëve, u lind, jetoi dhe shkroi mjeshtri i madh Prenk Jakova.

Prenkë Jakova dhe nxënësit e tij - Shkolla Françeskane - Shkodër 1944 (foto Shpend Bengu)
Prenkë Jakova dhe nxënësit e tij – Shkolla Françeskane – Shkodër 1944 (foto Shpend Bengu)
Vdekja tragjike e Jakovës
Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare “Mrika”, gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun. Një nga funksionarët e lartë të qytetit të Shkodrës, i cili ka qenë prezentë në atë bisedë të Prenkës me Enver Hoxhën, dëshmon: Pas atyre fjalëve të Enver Hoxhës, Prenka iu përgjigj: “Po mor shoku Enver, por puna e operas nuk është si bukët që i fut kur të duesh në furrë!”. Pas përgjigjes së Prenkës, Enver Hoxha filloi të qeshte dhe dha porosi që t’i plotësoheshin të gjitha kushtet Prenkës, me qëllim që ai të vinte në skenë operën “Skënderbeu”, kujton ish funksionari i lartë lidhur me bisedën e Enver Hoxhës me Prenkë Jakovën. Pas atij takimi, Prenka iu vu punës duke punuar nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, për të realizuar atë që i kishte vënë si detyrë Enver Hoxha.
Ai e shkroi të gjithë muzikën e operas “Skënderbeu” dhe për disa muaj me radhë u mor vetëm me ndarjen e muzikës turke nga ajo arabe, gjë e cila deri në atë kohë konfondohej nga shumë kompozitorë. Kur e përfundoi muzikën e saj dhe e solli për miratim në Tiranë, Prenkës i nxorën shumë pengesa dhe ata që ishin ngarkuar për shikimin e saj, i kërkonin të shkurtonte disa pjesë që sipas tyre stononin. Prenka refuzonte në mënyrë kategorike për ta bërë atë gjë dhe i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Fadil Paçrami, i cili në atë kohë kishte dalë hapur kundër metodave të vjetra e konservatorizmit.
Ndonëse opera “Skënderbeu” u shfaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës. Kjo gjë ndodhte në një kohë, kur Prenka kishte nënën e tij të paralizuar në shtëpi, gjë e cila ia rëndoi së tepërmi gjendjen e tij nervore. Nisur nga këto strese që iu paraqitën, më 16 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Në varrimin e tij mori pjesë i gjithë populli i Shkodrës, kurse nga Tirana u dërgua vetëm Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.
I vetmi favor që iu bë atij nga shteti komunist ditën e varrimit, ishte dhënia e lejes që ai të varrosej nën tingujt e bandës muzikore të qytetit, të cilën ai e kishte shkruar vetë katër dekada më parë. Veprimtaria muzikore që la Prenk Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat. Nisur nga virtuoziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat.
Prenk Jakova & Dr. Frederik Shiroka, Moskë 1959
Prenk Jakova & Dr. Frederik Shiroka, Moskë 1959
 
 
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.