back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Kolonel Sylejman Vuçitėrna – nga Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Gazeta

Kolonel Sulejman Vuçiterna (1898-1948)
Kolonel Sulejman Vuçiterna (1898-1948)

Kolonel Sylejman Vuçitėrna

nga Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Në mesin e të dënuarve, me 1 mars 1945, procesi më i madh gjyqësor në Shqipëri, i quajtur “Gjyqi Special”, për të cilin më kishte rënë edhe më herët të lexoja e dëgjoja për kolonelin e devotshëm nga Kosova, Sylejman Vuçitërnën, dhe sa e sa herë kisha menduar se për këtë figurë të ndritur kombëtare duhet shkruar që mos ta mbulojë pluhuri i harresës. Bindjen time e sforcoi edhe më shumë një takim i rastësishëm që pata në vitin që e lëmë pas (2005), me një grup kosovarësh në Tiranë. Ata, me rrëfimet e tyre lidhur me sakrificën dhe vetëmohimin e Sylejman Vuçitërnës, dhe duke u kthyer edhe një herë në të kaluarën, me një farë mënyre më inspiruan që të kërkoja të dhënat e nevojshme për të, dhe të bëja së paku një shkrim, që opinionit të gjerë të iu bëjë më të njohur dhe më të afërt këtë personalitet të shquar e të lavdishëm të kombit. Dhe derisa bisedonim për vuajtjet dhe mundimet që kishte përjetuar koloneli, në fytyrat e bashkëvendësve tanë vëreja dhembjen dhe pikëllimin për humbjen e madhe që kishte pasur populli i ynë. Me të drejtë, m’u kujtua një e thënë nga poeti disident Visar Zhiti se “ka një çast që dhembja e tjetrit bëhet njëlloj si e jotja”39] e kjo m’u duk se ngjante edhe me ata por edhe me mua kur flisnin për torturat që kishte përjetuar koloneli vet.
Në kohën kur Partia Komuniste në tokat shqiptare po lëshonte shtat, ishin djemtë e saj, që kryesisht ishin shkolluar në shtetet e perëndimit, që u munduan të bënin rezistencë dhe t’i ndalnin hovin asaj për të mos depërtuar në tokat shqiptare. Edhe ata, komunistët që vepronin në Shqipëri, e ndjenin se komunizmi për shqiptarët ishte “trup i huaj“ për ndërgjegjen e mentalitetin shqiptar dhe e dinin se urrehej nga shumë prej tyre. Nën petkun e një humanizmi dhe solidariteti universal më 1945,40] erdhi në pushtet duke eliminuar nga rruga atdhetarët më të devotshëm.
Po, me këtë shkas, u organizua dhe u mbajt me 1 mars 1945, procesi më i madh gjyqësor në Shqipëri, i quajtur “Gjyqi special”, ku para trupit gjykues dolën hiç më pakë se gjashtëdhjetë (60) veta, (që të gjithë shqiptarë nga vende të ndryshme të Shqipërisë etnike). Ata, pjesa më e zgjedhur, më e arsimuar e më e përgatitur, u pushkatuan, vuajti në mundime të papara e të padëgjuara, në tortura të papërshkrueshme në burgjet e kampet e shfarosjes, shumë prej tyre humbën jetën ndër torturat më barbare e, edhe më shumë, u vranë dhe u pushkatuan pa u zbuluar kurrë as vendi i eshtrave të shenjta.
Procesi gjyqësor i quajtur “Gjyqi Special” u mbajt në Tiranë, në sallën e ish-Kinema “Kosova”, dhe si çdokund në vendet ish- komuniste, ato u organizonin nën diktatin e partisë. Për të marrë pjesë në gjykatore, u ftonin njerëzit e caktuar, dhe të gjithëve iu caktonin rolet për gjykatore. Dikush e kishte për detyrë për të thirrur parulla siç ishin të njohura “Tradhtarët duhet vrarë”, “Banda të mallkuara të popullit”, “Të gjithë në litarë”, e shumë të tjera. Bile në këtë proces gjyqësor, sipas disa të dhënave thuhej se, në sallën e kinemasë kishte nxënë vend edhe vetë Enver Hoxha.
.
Familja e Sulejman Vuçiternes
Familja e Sulejman Vuçiternes

Të dhëna biografike të Sylejman Vuçitërnës

Në mesin e të dënuarve me nga tridhjetë vjet burg, ishte edhe kolonel Sylejman Vuçitërna, nga fshati Verbovc, komuna e Vushtrrisë. Atdhetari i devotshëm u lind me 11 shtator 1898, në një familje, ku për traditë kishin atdhetarinë dhe luftërat e pandërprera për liri të vendit. Edhe pse vinte nga familja e Kastratëve, ai gjatë tërë jetës mbajti mbiemrin e qytezës- Vuçitërna (tani Vushtrri). Sylejman Vuçitërna shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, në gjuhën turke, pasi në atë kohë shkolla shqipe ende nuk kishte në atë pjesë të Kosovës, por në shkollimin e tij ndikim të dukshëm pati babai i tij i cili ishte imam i fshatit, dhe vëllai i tij më i madh – Rexhepi, dhe po ashtu edhe vëllai i tij më i vogël- Isufi, (që të dy ishin hoxhallarë të diplomuar).
Forcat serbe duke e vërejtur angazhimin e tij, vëllait të vogël- Isufin, marrin një fushatë ndaj tij, të cilin pas një kohe e nxënë dhe e groposin të gjallë, dhe në ndërkohë si shenjë hakmarrjeje për luftërat e tyre që bënin kundër Serbisë iu djegin tri herë kullën, por edhe pas saj dashurinë për atdheun dhe lirinë, nuk arrijnë ta shuajnë në këtë anë të Kosovës.
Vlen të thuhej se babai i Sylejmanit ishte një atdhetar i shquar, dhe merrte pjesë aktive në Lëvizjen Kaçake, gjë që ndikoi që në moshë të re, si gjashtëmbëdhjetë vjeçar, Sylejmani t’i ndërpresë mësimet dhe t’iu bashkohet çetave kaçake. Edhe pse në moshë të re, me të madhe angazhohet për nënshkrimin e një peticioni që kishte për shqyrtim rishikimin e kufijve të Shqipërisë, ku më parë nënshkrimet e tyre i kishin vu Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe shumë atdhetarë të tjerë. Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, bashkëluftëtarët e vejnë në ballë- komandant të Çetës së Vërbovcit, e cila në kuadrin e vet përfshinte mbi 400 burra- luftëtarë. Në këtë çetë merrnin pjesë luftëtarë të dalluar nga rrethi i Mitrovicës, Vushtrrisë, Drenicës dhe vende të tjera të Kosovës.
Aktiviteti dhe luftat kaçake në atë pjesë të Kosovës kishin marrë hov, dhe shovinizmi serbomadh e kishte vërejtur këtë, sidomos angazhimin, organizimin dhe vrullin e Sylejmanit të cilat binin në sy dhe i futnin frikën okupuesit, andaj hakmarrja dhe urrejtja ndaj tij ishin të paevitueshme. Në mungesë të luftëtarit (thoshin se ai ishte i pakapshëm nga bandat serbe), atë e dënuan me vdekje. Edhe pse ishte i dënuar me vdekje, patriotin ky dënim aspak s’e trembi, përkundrazi u mobilizua dhe u angazhua që edhe më tepër luftëtarë të çështjes kombëtare të ofrojë rreth vetes, por qëndrimi i tij dhe veprimtaria në rajonin e Vushtrrisë ishte me plotë pasoja, andaj u detyrua që të lëshojë Kosovën e tij të dashur dhe të kërkojë strehim në Shqipërinë- Nënë. Më 1922, në mes rafalëve të plumbave, kalon me not liqenin e Shkodrës, për të jetuar në Shqipëri deri më 1941.
Atdhetari Sylejman Vuçitërna, veç që luftonte për lirinë, ishte edhe dashamir i arsimit, andaj duke përfituar nga një bursë shtetërore prej kontingjentit të nxënësve kosovarë, që paguheshin nga Hasan Prishtina ai regjistrohet në Shkollën Normale të Elbasanit, të cilën e mbaron me sukses më 1929. Pas mbarimit të Normales, u vendos në Tiranë përkohësisht ku dhe u martua me Faika Spatharën42] (me të cilën pati katër djem e një vajzë), që ishte vajza e ushtarakut të njohur nga Skrapari, kolonel Mustafa Spathara, i cili ishte i diplomuar në Akademinë Turke “Erqani Hark”. Për të vijuar më vonë mësimet në Shkollën Ushtarake në Itali, në Akademinë Ushtarake të Torinos, të cilën e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1933, duke u diplomuar në armën e këmbësorisë. Më vonë kthehet në Shqipëri dhe emërohet në Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare. Një vit më vonë fitoi të drejtën e një specializimi njëvjeçar për në Graz të Austrisë për degën e prapavijës, të cilën e mbaroi në qershorin e vitit 1935. Mbas kthimit nga specializimi emërohet në prapavijat e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe më pas pedagog në Shkollën Mbretërore të oficerëve në Tiranë dhe komandant i saj deri në prillin e vitit 1939.
Pas viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar (XX), figura e Sylejman Vuçitërnës sa vije e bëhej më e afërt për bashkëkombësit e tij. Me hapjen e arkivave në Shqipëri, edhe një tis i hollë drite dukej në horizont për të njohur dhe mësuar për figurën emblematike të tij. Emri i Sylejman Vuçitërnës u përmend në shumë libra dhe nga shumë shkencëtarë. Dr. Elmas Leci, në librin e tij “Eliminimi i lidershipit ushtarak”, botuar me 2002 në Tiranë, në mes tjerash për figurën e atdhetarit shkruan apo citon Dashnor Kaloçin, publicist i njohur nga Tirana se “Në mesnatën e 14 nëntorit, skuadrat speciale të partizanëve arritën të arrestonin dhe kolonel Sylejman Vuçitërnën, që ndodhej në shtëpinë e tij (sot ambasada greke), diku afër lagjes periferike “Zogu i Zi”” duke e justifikuar marrjen e tij para familjes gjëja se po e marrin “Vetëm sa për t’u sqaruar në komandë!”. Dhe pas këtij “sqarimi”, atdhetari Sylejman Vuçitërna nuk i shpëtoi dot gjyqit ushtarak, torturave të vazhdueshme në hetuesi, më vonë burgut, internimit e pastaj vdekjes në kënetën e Vloçishtit.43]
.

Trupi Gjykues i “Gjyqit Special” 1945
Trupi Gjykues i “Gjyqit Special” 1945

Aktiviteti luftarak i kolonel Vuçitërnës

Koloneli Vuçitërna gjer në fund të jetës së vet, ngeli luftëtar i denjë për rezistencën dhe kauzën për bashkimin e tokave shqiptare në një shtet të përbashkët- Shqipërinë. Atdhetarizma e Vuçitërnës gjatë tërë jetës ishte e gjerë nga përmbajtja dhe shumë e thellë për nga forma. Duke filluar që nga çetat kaçake dhe pas mbarimit të akademisë ushtarake në Itali e Austri, (edhe pse i kishin ofruar vende pune aty ku kishte mbaruar shkollimin), ai përsëri kishte zgjedhur Shqipërinë. Rënkimi i atdheut e përcillte çdo kund. Kishte parandjenjë se do të lëndohet rëndë trungu i Shqipërisë.
Më 1935, inkuadrohet në prapavijë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe më pas emërohet pedagog në Shkollën Mbretërore të Oficerëve në Tiranë dhe komandant i saj deri në prillin e vitit 1939.
Më 1939, duke e parë situatën e tensionuar në Ballkan, dhe duke e ndjerë rrezikun që po i kanosej Kosovës, ai me 7 prill të të njëjtit vit e lëshon Shqipërinë dhe vendos që të kthehet në Kosovë. Më 1941, angazhohet me forcat tjera nacionaliste që kishin vendosur që t’i dalin zot Kosovës së robëruar. Krahas detyrës ushtarake që kryente, ai pa hezituar aspak i bashkohet Komitetit Mbrojtja e Kosovës. Duke e parë angazhimin e tij të madh, atë e emërojnë komandant të Komandës së Mbrojtjes së kufijve verilindorë të Shqipërisë, që fillonin nga Mali i Zi, Serbia e deri në krahinën e Llapit dhe përfundonin atje në kufirin me Bullgarinë. Këtë detyrë mjaft me përgjegjësi, të rëndësishme dhe shumë të rrezikshme, ai e kreu deri në vitin 1944, kur edhe mori titullin e kolonelit.44] Fill pas kësaj ngjarjeje të rëndësishme kolonel Sylejman Vuçitërna, përsëri kthehej në Tiranë, me besimin se nga atje, më tepër do të kontribuojë për çështjen e Kosovës, dhe asnjëherë nuk i kishte shkuar ndërmend se me 14 nëntor 1944, do të gdhihej në një qeli të ftohët të burgut të Tiranës.
Profesorin dhe drejtorin e Shkollës Ushtarake të Mbrojtjes në Tiranë, me 1 mars 1945, në procesin gjyqësor “Gjyqi Special”, Sylejman Vuçitërnën e dënojnë me 30 vjet burg edhe pse prokurori kishte kërkua që ai të dënohet me burg të përjetshëm.
Absurd mbi absurdet, në seancën e fundit gjyqësore (gjithsej kishte pasur 31 seanca gjyqësore), prokurori deklaronte se kosovari Sylejman Vuçitërna “Nuk ka përgjegjësi të madhe se s’ka vrarë e prerë njeri…!”, megjithatë ai u dënua me 30 vjet burg sikur të ishte kriminel e tradhtar i përbetuar i popullit të vet. Dhe s’kishte si të ishte ndryshe, njëherë i kishte shpëtuar vdekjes, që e kishin dënuar serbët në Serbi, tani gjyqi i Tiranës i shqiptonte dënimin pothuajse me vdekje, ngase rrallë ndodhte që një i dënuar me aq vite burg sa ishte Sylejman Vuçitërna të dalë i gjallë nga atje.
Koloneli, asnjëherë nuk e pati të vështirë dënimin që i shqiptuan, se vazhdimisht në zemrën e tij të madhe gjeti forcë që t’i arsyetonte ata. Por, kurrë nuk mundi të gjente arsye se pse ata që e njihnin biografinë e tij të bujshme patriotike, e quajtën “armik i popullit”
Pas torturave nga më çnjerëzoret në hetuesi dhe vuajtjeve nga më mizoret të punës së rëndë fizike në kampin çfarosës e famëkeq të Vloçishtit (ish-këneta e Maliqit), në Korçë, ai u detyrua të priste me bel gishtat e këmbës dhe të mbaronte tragjikisht nga hemorragjia në atë kamp-varr. Me 15 tetor 1948, duke e dërguar gjoja për ndihmë mjekësore, por në të njëjtën kohë duke e futur në listat e gjata të atyre që s’u dihet ende varri, madje, madje duke mos figuruar as edhe në listat e të vdekurve.
Pas likuidimit, familja e tij u internua dhe u torturua nga organet e sigurimit, u ndoq nga Tirana dhe shumë të afërt të tyre s’kishin guximin t’i futnin në shtëpitë e tyre, dhe kjo ishte e arsyeshme, ngase menjëherë pasonin ndëshkimet. Ky lloj terrori zgjati me vite deri sa u bë përmbysja e sistemit komuniste.
Edhe pse kanë kaluar dekada e dekada, emri i kolonel Sylejman Vuçitërnës, e sfidoi kohën, i rezistoi harresës historike dhe tani vjen si ushtimë e piskamë që tregon se çfarë idealesh madhështore, çfarë zemrash të dëlira, çfarë atdhetarë e patriotë të mëdhenj u dënuan dhe u vranë në bankat e ndyra të gjyqeve komuniste, pa hequr kurrë dorë nga qëllimet e tyre të shenjta, që një ditë ta shohin të lirë atdheun e tyre – Shqipërinë etnike!
E enjte 4 Shkurt 2010
 
Tharja e Kënetës së Maliqit
Tharja e Kënetës së Maliqit

Në Gjyqin Special, 30 vjet burg

Në Burgun e Vjetër të Tiranës, për katër muaj, kolonel Sulejman Vuçiterna iu nënshtrua torturave ç’njerzore deri sa doli në Gjyqin Special, i cili u hap në fillimin e muajit mars 1945. Senacës gjygjësore për Sulejmanin u zhvillua në datën 29 mars, ku pati disa replika të ndërsjellta në mes tij dhe Prokurorit Bedri Spahiu. Në atë gjygjë avokat i Sulejmanit u caktua Spiro Stringa, i cili me profesionalizëm të lartë bëri të pamundurën për ta lehtësuar klientin e tij, duke gjetur si dëshmitarë për ta mbrojtur atë, disa persona, si: Hajri Jegenin, Gjon Llambushin e Fehmi Poshin. Po kështu një mbrojtje të madhe i bëri Sulejmanit, Habibe Delli, (nëna e Xhezmi Dellit, komunist “Hero i Popullit”), e cila ishte fqinje me familjen Vuçiterna. Ajo shkoi vetë dhe deklaroi në sallën e gjygjit (pa e thërritur njeri), duke u shprehur: “Sulejmanin e njoh si njeri të ndershëm dhe shumë korrekt, pasi e kam komshi. Duke qenë oficer i lartë, në një rast e di që ai i ka shërbyer Lëvizjes. Kur Xhezmiut i ishte përgatitur pusia, ai i shpëtoi rrethimit, falë informacionit të zotit Sulejman, si dhe dërgimit të atij municioni qoftë dhe të vogël që ai kishte me vete. Ai ishte simpatizant i Lëvizjes Nacionalçlirimtare, por vetë nuk doli në mal të luftonte, se ishte me një veshkë. Përse ky njeri duhet të jetë në bankën e të akuzuarëve si kriminelë?” Pas kësaj, Gjygji Special, e dënoi Sulejmanin me 30 vite burg e punë të detyruar së bashku me Sokrat Dodbibën, Et`hem Carën, Anton Kozmaçin, Sami Kokën, Mihal Zallarin, Ndoc Naraçin e Lazër Radin. Sulejmani nuk “pati fatin” ta plotësonte dot dënimin e dhënë, sepse vdiq më 15 tetor të vitit 1945 në kampin e Vloçishtit, në kënetën e Maliqit ku vuante dënimin, duke prerë vetë gishtat e këmbës me bel. Sipas disa dëshmive nga bashkëvuajtës të tij në atë burg, Komandanti i Kampit, Tasi Marko, nuk pranoi kërkesën e mjekut Hysenbegasi, për ta dërguar Sulejmanin në spitalin e Korçës, por e varrosën ashtu gjysëm të gjallë, pa i dalë akoma shpirti në një gropë buzë kallamishteve të kënetës së Maliqit, për të mos u gjetur kurrë eshtrat e tija.
(Marrë nga Memorie.al)
.
marrë nga https://web.archive.org/web/20100207071157/http://www.mesazhi.com/artikuj/kolonel-sylejman-vuciterna

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.