back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Koliqi: Pishtar dritdhanës i arsimit në Kosovë – nga Lazër Radi

Gazeta

Ernest Koliqi
Ernest Koliqi

Pishtar dritdhanës i arsimit në Kosovë

nga Dr. Lazër Radi

90 vjetori i lindjes së Ernest Koliqit (1993)

Njerëzit që kanë për gjuhë amtare shqipen
– ku ma shumë e ku ma pak –
e frymzohen nga shpirti i zakoneve arbnore,
sot ndahen në tri pjesë: edhe bashkatdhetarët e diasporës.
N’idealin tonë qi kurr s’ka për tu shkimun,
këto tri degë përbajnë një tanësi gangullore
cilido të jetë zhvillimi shoqnuer i veçantë i tyre.
.

Ernest Koliqi, në kohën kur ishte në krye të Dikasterit të Arsimit në Shqipëri ka luejtë nji rol me randësi kombtare. Në fazën e parë të Luftës së Dytë Botërore në vitin 1941, mbas shkatërrimit të Jugosllavisë, siç dihet, u realizue bashkëjetesa e përkohshme e pjesës kryesore të popullatës shqiptare të atij krahu me shqiptarët e shtetit shqiptar. Gjatë sundimit 20-vjeçar jugosllav, qeveria e Beogradit, e cila sistematikisht dhe me qëllim kishte lanë mbas dore edukimin shkollor të shqiptarëve duke u mohue njiherësh edhe çdo të drejtë që kishte të bante me kombsinë shqiptare.
Pra, në vitet 1941-1944, ministri Koliqi, luejti nji rol shumë të randsishëm në arsimin mbarkombëtar. Në fakt, kjo periudhë e shkurtë, ishte tejet fatlume për vendin tonë, pse, ma së fundi, po e shihnim vedin të bashkuem në nji trup të vetëm, po e shihnim të realizueme andrrën tonë të madhe të Bashkimit e të bashkjetesës vllaznore të popullatës shqiptare jashtë kufijve me popullsinë e shtetit amë! Në kët fillim, Ministria e Arsimit, me ministër Ernest Koliqin në krye, u gjend para nji problemi shumë të vështirë dhe urgjent, sepse n’at kohë pothuej 90 përqind e popullsisë shqiptare ishte analfabete e për pasojë, ndër ato treva s’mund të gjindeshin njerëz të zott me dhanë mësim. Po mbrenda nji kohe të shkurtë, posa rrethanat u banë pak ma të favorshme, Ernest Koliqi personalisht, mori përsipër krejt organizimin e arsimit të njerëzve të atyne viseve të robnueme. Hapsina ku banonin dhe jetonin shqiptarët ishte e madhe. Qysh në ditët e para u organizue nji kurs i shpejtë e i përgjithshëm për me mësue elementet e para të mësimdhanies së gjuhës shqipe; mandej u organizue hapja e vitit shkollor 1941-1942. Me mundim dhe përpjekje të mëdha u gjendën 200 mësues e mësuese si dhe personeli tjetër arsimor dhe u nisën urgjentisht për në Kosovë ku u hap nji numër i madh shkollash fillore, nji Gjimnaz i plotë në Prishtinë, tri gjimnaze me katër klasë në Prizren, Gjakovë dhe Pejë, nji shkollë e specializueme qylymash në Prishtinë…
Koliqi ishte gjithkund i pranishëm në krejt ato veprimtari vërtet atdhetare… Shkollat vazhduen të funksionojnë me shumë sukses deri në vitin 1944, dhe kjo përpjekje arsimore në gjithë trevat tona të pushtueme nga Jugosllavia dha fryte të shkëlqyeshme dhe vuni baza të shëndosha për zhvillimin dhe lulzimin e matejmë të arsimit dhe kulturës shqipe n’ato vise ku ajo po bjerresh. Në kët periudhë, mund të themi se u vunë themelet e arsimit dhe kulturës shqipe në Kosovë. Ma vonë, herë lirisht e herë në klandestinitet, njerzit filluen ta ndiejnë nevojën e gjuhës shqipe si për bukën!

Prof. Koliqi, Dr. Camaj, Gradilione e të tjerë..
Prof. Koliqi, Dr. Camaj, Gradilione e të tjerë..

Prej kësaj nisme mori hov edhe kultura shqiptare n’ato krahina, duke nxjerrë kështu intelektualë, shkrimtarë, studiues e poetë me vlera dhe me za europian. Edhe në mërgim, Ernest Koliqi s’iu nda viseve shqiptare nën Jugosllavi e gjetkë. Përmes artikujve, me kontakte të shpeshta e sistematike me njerëzit e kulturës dhe të artiti, me prezencën e tij në Prishtinë dhe qytete të tjera, ai vazhdoi të bahet shtytës i kulturës dhe i arsimit shqiptar në ato vende.
Qeveritë komuniste banë çmos për ta vu në indeks ose për me i kalue në heshtje krejt veprën e Ernest Koliqit dhe shumë shkrimtarëve të tjerë, natyrisht, kjo për arsye të pastra ideologjike dhe politike. Mirëpo, zotnitë e diktaturës obskurantiste, s’e dinin se e bukura dhe arti i vërtetë as mund të prangosen dhe as mund të mbahen përjetësisht i burgosun. Rinia shkollore kosovare ka pasë fatin jo vetëm me shijue krejt krijimtarinë letrare të Koliqit, por edhe ta ndjente praninë e tij dhe t’i ndigjonte leksionet e tij të shkëlqyeme, ta ndigjonte at gjuhën e tij të ambël shqipe, që rridhte nga goja e profesorit si nji gurrë mjalti.
S’mund të merret me mend lumtunia dhe ngazëllimi i profesor Koliqit kur merrte letra prej studentve shqiptarë të Prishtinës…
Kushdo që ka rastisë të kalonte në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin “La Sapienza” të Romës, e shihte me ato letra në dorë. I lexonte, i rilexonte dhe ua kallzonte me kënaqësi vizitorëve… Ishte nji ndjenjë e veçantë, sepse aty shihej se ata nxanës jo vetëm e adhuronin, por në njifarë mënyre ishin edhe ndjeksa të artit të tij, ishin si me thanë dishepujt e tij!
Po paraqes këtu para lexuesve, dy prej këtyne letrave. Në njenën thuhet: “…le t’ju mërzis pak me nji bisedë që flet për mitin e artit koliqan që ka filluar të përhapet këtu ndër ne. Po i hyj nji pune që s’asht për mue, mbasi për me tregue ndikesën që ka ba tek dashamirët e fjalës së bukur: Zana e fundme, Prroni i Cepit, Kërcimtarja e Dukagjinit, Hanë gjaku, Prrallë romantike, Autoda-feja, Shën Gjergji, – s’asht punë aspak e lehtë. Por dishka po ju tham, dishka që asht e vërtetë dhe e thjeshtë e që s’lyp argumentime: Shkrimet e jueja janë tue frymzue deri në mrekullim zemrat e reja kosovare, e njerzit vrapojnë mbas fjalës s’uej pse aty ndeshin Perendeshën tonë – Shqipen, të pastër, të njomë e virgjine, porsi Primavera e Boticell-it”.
Në nji letër tjetër, midis të tjerash, thuhet: “Kemi pasë edhe shumë takime na të rijtë kosovarë e doemos tema dominuese e atyne bisedimeve vinte e bahej arti i juej që pranohej pa rezervë si ma i përsosuni në letrat shqipe. Intelektualët e rij të Kosovës Ju përshëndesin e Ju adhurojnë, mrekullohen me bukurinë e fjalës s’Uej dhe frymëzohen prej sajë…”.
Profesori kosovar Dr. Rexhep Krasniqi, shprehet kështu për Koliqin: “Puna e Ernest Koliqit, si Profesor i gjuhës shqipe dhe i letërsisë, si shkrimtar dhe poet, si gazetar dhe polemist politik, si konferencier dhe orator, si përfaqsues i përsosun i qytetnimit perendimor, si njeriu i shkueshëm i shoqënisë, i kanë fitue atij nji popullaritet dhe emën midis shqiptarvet dhe të huejvet si rrallë ndoj shqiptari në kohën tonë. Nga ana tjetër ai ka qenë vazhdimisht i luftuem nga qarqet e intelektualëve të së majtës, nga kundërshtarë dhe kritikë në sheshin letrar gjuhsuer, kryesisht për qendrimin e tij politik… Mirëpo ky asht fati i shumë personaliteteve të mëdhaja në vendin tonë dhe në botë, por randësia e jetës dhe e veprës së Ernest Koliqit do të vazhdojë me pas impaktin ma të thellë në zhvillimin e matejshëm të letërsisë dhe të kulturës së lirë arbnore!”.
(Rilindja, e shtunë, 22 maj 1993)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.