back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Kol Bib Mirakaj – “Vetvrasja e Një Kombi”

Gazeta

Kol Bib Mirakaj - "Vetvrasja e Një Kombi"
Kol Bib Mirakaj – “Vetvrasja e Një Kombi”

Kol Bib Mirakaj

“Vetvrasja e Një Kombi”

“Me pranue me heshtjen t’onë
nji cilsim të tillë qi nuk i përgjigjet së vërtetës
mue m’asht dukë se bajmë krim kundra vetvetes,
kundra historisë e kundra fmijëve e njerzve tanë,
që do të mbeteshin me kryeultë
për breza të tanë para shoqnisë…
Me i lanë historishkruesit të së nesërmes
nji dokument që t’a kenë te gjithë
Shqiptarët për studim…”
Kol Bib Mirakaj

* * *

“Shikoni me kujdes kët foto!
Ju lutem shikojeni me kujdes!
Besoj se keni me vërejtë disa njolla…
Nuk janë njolla vjetërsije!
Jane plot 70 vjet që sipër Atij Portreti hidhet vetëm baltë, pra jo pak, por 70 vjetë.
Edhe pse përbaltja e Figurave Atdhetare ishte dhe vazhdon me kenë detyrë e atyne që janë mundue me shtremnue, fallsifikue, përbaltë e varrosë të vërtetën historike të Shqiptarve, bash të atyne burrave që pa iu tutë syni luftuan dhe janë vetflijue për Atdhe, koha ka provue se faktet historike nuk kalben, nuk i tret dheu ndër shekuj. Edhe pse Ata – Atdhetarë Shqiptarë, që në këto 70 vjete dhanë jetën e tyne, u vranë, u mbytën, u zhdukën dhe u shuen edhe me fise… Edhe pse, nën grumbuj ferrash e zallishta të humbun…
Gjaku i tyne vazhdon me vlue!
Asht gjaku i pastër i mbi 50.000 shqiptarëve të groposun anë e kand Atdheut, dhe prap Ata nuk kanë nji Shenj te kryet… e Atdheu sot nuk ka asnjë Monument në kujtimin e tyne…!”
(Nga parathanja e librit – Fritz Radovani)

Lekë Tasi
Lekë Tasi

Kujtimet e Kol Bib Mirakajt për Luftën 

dhe ardhjen e komunistëve në pushtet…

nga Lekë Tasi

Librat e autorëve të veçantë, qofshin kujtime apo monografi, janë burimet më të vlefshme  pranë dokumentave për të shkruar historinë e 70 viteve të fundit. Sidomos memuaret  kanë pulsin e jetës, dhe sa për subjektivizmin që  shumë shpesh  lehtëson përgjegjësitë  e veta dhe rrit ato të kundërshtarëve, i bie lexuesit të gjykojë për seriozitetin/ sinqeritetin e shkruesit, veçanërisht kur ka dijeni  të hollësishme të lëndës së trajtuar në to (regjimin komunist dhe personazheve  që luajtën rol pro dhe kundër tij).
Deri dje kjo ishte e pamundur nga mangësia dhe njëanshmëria e  dëshmive; (konkretisht tek  librat e veteranëve  ish partizanë: sado pak të vërteta jo-partiake  të  përmbanin  dorëshkrimet e tyre, e drejta e  botimit do tu  hiqej  në çast;  shëmbull kujtimet që nisi  Myslim Peza dhe u prenë  me një shenjë të kokës që bëri  Enveri… Për këto arsye e kam pritur me shumë dëshirë e kureshtje librin e Kol Bib Mirakajt, të shkruar në 1951, dhe të botuar më 2014.
Libri evidenton në mënyrë të paekuivokueshme pikësëpari vetitë e autorit: burrninë, atdhedashurinë dhe aftësinë e rrallë për të thënë fjalën e duhur aty për aty, cilitdo qoftë dhe, mbi të gjitha, largpamjen.
Është e habitshme, por jo e pakuptueshme që ndër politikanët nacionalistë, ata më të demonizuarit gjatë komunizmit, i pari Ernest Koliqi dhe pas tij Mustafa Kruja, prej kohësh  po dalin në media si njerëz të shquar dhe patriotë (këtë famë të merituar të tyre e lejonka gradualisht fryma e dekomunistizimit me pikatore, që mbizotëron tek akademikët.) Janë ata autoriteti shkencor që i rekomandon  autoritetit shtetnor “këtë po, atë jo”, dhe në këtë shkallëzim rehabilitues është lejuar të hyjë edhe Mit`hat Frashëri, sigurisht falë pacifizmit të tij që ua lehtësoi punën komunistëve, po edhe kuislingët Lef Nosi e Patër Anton Harapi, për personalitetin dhe  kontributet e tyre të shquara patriotiko-kulturore, kurse për Mirakajn dhe figurat e tjera, vendosmërisht antikomuniste, si Xhaferr Deva e Mark Gjonmarkaj asnjë lëshim!!

Kol Bib Mirakaj ne nji Galeri Arti (instit. Luce)
Kol Bib Mirakaj ne nji Galeri Arti (instit. Luce)

Kjo është plotësisht e kuptueshme për kushtet tona  të amullta. Kol Bib Mirakaj, meqë  për Xhaferr Devën folëm më parë, paraqitet vetëm si  politikan dhe më vonë si ushtarak, rastisi që në një farë momenti t’i ngarkohej  barra formale e partisë fashiste, e cila nuk pati jetë të gjatë, u shkri me rastin më të parë, nga vetë krerët e saj shqiptarë. Por “faji” kulmor i tij që i kushton mënjanimin sot për sot, është vendosmëria për të luftuar me armë ndërhyrjen e fqinjit tonë verior, me të cilin partizanët tanë  ishin në marrëdhënie vartësie të plotë.
Kur lexon librin e tij me titullin nga më të  gjeturit “Vetvrasja e një  Kombi”, kupton largpamësinë dhe energjinë e autorit, krahasuar me qullësinë skandaloze të shumicës së nacionalistëve, që deri vonë shpresonin në korrigjimin e N.Çl. të drejtuar nga PKJ(…) Vendosmëria  antijugosllave e veriorëve, ka shkaqe të njohura historike të  kësaj pjese, të lakmuar dhe të masakruar herë pas here prej ushtrive serbe, por nuk është kuptuar njësoj nga të gjithë nacionalistët jugorë dhe, ç’është më e keqja, u përballua  me një inkoshiencë politike që i detyrohej rivalitetit meskin të shumë krerëve, meskinitet që na karakterizon akoma sot.
Edhe sot shfrytëzohet një hollësi e parëndësishme siç është ajo e fashizmit dhe harrohet që mbështetja tek i huaji ka qënë një tipar i vazhdueshëm, i pandërprerë politik  shqiptar, siç ish katandisur ai nga pushtimi  shekullor (Lidhja e Prizrenit, orvatja për  autonomi nën Turqi më vonë, Esati në shërbim serb, grek, francez, italian, marrëveshja Pashiç-Zog, traktatet Zog-Itali, ai Mugosha-Popoviç-Hoxha, i këtij të fundit me BS, Kinën, Pakti  Neubacher-Mehdi Frashëri, R. Alia që i dorëzohet  tinëzi  paktit BS – SHBA për të shpëtuar klikën e tij, Misioni Pelikan si “kurorëzim” i mllefit për humbjen e pushtetit.)
Ky nënështrim vullnetit të huaj, kur nuk arrijmë të mposhtim me fund rivalin e brëndshëm, vazhdon sot e gjithë ditën, por pa vënë mend; e tregojnë konfliktet pa dinjitet, kur gjyqin e kërkojmë në Europë, dhe  vendimin e saj nuk ia  respektojmë, duke detyruar kështu diplomatët e saj të braktisin të neveritur llozhat e Parlamentit.

Ernest Koliqi dhe Kol Bib Mirakaj 1930
Ernest Koliqi dhe Kol Bib Mirakaj 1930

Çdo veprim dypalësh, nga këto që numuruam  më lart me faktorët e huaj, mund të gjykohet vetëm nga rezultatet praktike. E pra, asnjë prej periudhave respektive, duam s’duam, s’mund të barazohet me atë që quhet “Koha  e  Italisë” (bashkim me tokat shqiptare përtej kufirit të 1913-ës, arsim kombëtar në ato zona, Instituti i Studimeve Shqiptare, lulzim i tregut, i qytetërimit, i horizontit, i botimeve, rikonfigurim europian i qyteteve tona), dhe sa për të shumëpërfolurën “vënie të figurave politike në shërbim të okupatorit”, kjo është një gënjeshtër e madhe e historiografisë komuniste; fakti është e kundërta, që  pushtimi fashist u bë pabesisht e në padijeninë e tyre, kështu që politika filo-italiane e mëparshme e disave prej atyre  personaliteteve doli shpëtimtare, sepse  shmangu marrjen e karieristëve në shërbim nga fashizmi (të cilët E. Hoxha i vuri në krye të shtetit në 1946), dhe kështu patriotët që sot pranohen me zemër të thyer nga elita 45-vjeçare si personalitete, M. Kruja, E. Koliqi, e shumë të tjerë shfrytëzuan lidhjet dhe prestigjin e tyre për t’i prurë atdheut  shërbimet e jashtzakonshme që përmendëm,  ndër to rivendosjen shumë shpejt edhe të  dinjitetit të flamurit. Këto u bënë duke e shtrënguar Italinë, sepse ata ditën të  përfitonin edhe nga konjukturat e luftës. Kush tjetër e ka mundur të bëjë një gjë të tillë  në kushte analoge
Mosnjohja deri sot e shërbimeve të Kol B. Mirakajt si atdhetar dhe parashikuesi më i qartë për strategjinë antikomuniste, por edhe si mbrojtës i palodhur uniteti në vend dhe në emigracionin, e brejtur nga agjenturat dhe nga mediokriteti i krerëve me gjithë pasonjës, ka të bëjë sigurisht me dizinformimin themelor të deritashëm që do të mbajë edhe ca kohë. Historiografia zyrtare duhet më parë të ndërrojë shenjën algjebrike me të cilën vlerëson atdhedashurinë.
Opinioni publik që e ka vetëdijën çfarë fshihet realisht në këtë tranzicion, megjithse ende i pakët, i di mirë arsyet, dhe nuk mund të presi që mbetja komuniste në ndërgjegjen e historianëve të deklarojë se lufta gjer në ekstrem veçanërisht e Veriut (Mark Gjonmarkaj, Kol Bib Mirakaj, Jup Kazazi, Maliq Bushati, Abaz Kupi, Halil Alia, Muharrem Bajraktari, Vëllezërit  Kryeziu, Xhaferr Deva me shokë në Kosovë, dhe më tej desantët në gjithë territorin, qindra djem që shkuan drejt vdekjes me vetmohim) kanë qënë  patriotizmi i vërtetë  shqiptar, ai që na nderon në kontekst Europiano-lindor në  dhjetvjeçarin e parë të Luftës së Ftohtë.
Ata e kanë të sigurt rrugën drejt Panteonit tonë, por si duket ne duhet të presim akoma, që vendin e pesë djemve të Vigut dhe të shumë piedestaleve të tjera, ta zënë përmendoret e Postribës, e Malsis së Madhe, të Mark Gjonmarkajt, Preng Calit, Alush Lleshanakut e me rradhë, dhe nuk duhet të jetë e vështirë për ata që kanë në dorë dokumentat ta identifikojnë edhe rolin përherë aktiv të K. B. Mirakajt, në të vetmen luftë që duhej bërë, atë kundër rrezikut komunist brenda Vendit, dhe pak kohë më  parë atij çetnik në kufi (libri na sqaron për këtë).
Roli i tij kryesor u vështirësua, sepse ai kishte përballë si kundërshtarë kokëngjeshur ose tinzarë mjaft prej nacionalistëve, siç doli edhe hapur më vonë. Ai ka qënë ndër më të qartët, si për aspektin politik ashtu dhe për atë  ushtarak, përsa i përket përpjekjes së përbashkët që duhej n’atë moment, dmth për një front kompakt nacionalist, sepse kauza shqiptare, për shkaqe historike dhe aktuale,  nuk ishte ajo e koalicionit, por shpëtimi i  kombit prej krahut lindor të tij.

Kol Bib Mirakaj dhe e shoqja Xhina
Kol Bib Mirakaj dhe e shoqja Xhina

Akoma sot ekziston një lloj servilizmi psikologjik ndaj prioritetit të pjesëmarrjes pa tjetër me koalicionin. Jo! Nuk fitohej përkrahja e anglosaksonëve me shërbimet e përcipta që fshihnin synimet e bllokut lindor (shih dokumentat britanike që e thonë troç, dhe këto ditë edhe disa më të turpshme që zbulojnë edhe pazarin me gjermanët). Përparësi për fuqitë perëndimore në  vendosjen e kufijve, mbas luftës, do të kishte patur aftësia e një kombi të vogël të luftonte  për vete, dhe sa më kompakt aq më i meritueshëm është për pavarësi. Këtë  preferencë moralo-politike të tyre (që e kanë mbrojtur shumë filoshqiptarë të shquar  anglezë dhe francezë pranë qeverive të tyre), ne e humbëm plotësisht, megjithëse u quajtëm aleatë.
Ne as nuk u ftuam prej krejt Koalicionit, si shegertë të padenjë. Të shikohet në libër dialogu i Mirakajt me Kolonelin McNeal, i rrallë në kronikat tona për tonin e hapur e burrnor si dy të barabartë, reagimin e këtij të fundit, për të kuptuar shumë gjëra. Ndër to edhe mbrojtja tek autoritetet italiane prej anglo-amerikanëve nga çdo përndjekje që iu bë Mirakajt në Itali, kurse gjermanët në një farë momenti e ndiqnin për ta vrarë, megjithëse ai ishte me ta! (nënkupto nuk donte t’u lehtësonte punën të dërguarve të PKJ dhe të digjte Vendin). Kjo është shenja dalluese e personalitetit dhe, fatkeqësisht, janë të rrallë ata që e kanë.
Kol Bib Mirakaj ka qënë jo vetëm këmbëngulës dhe dinjitoz në atdhedashurinë e tij, por edhe i gatshëm për konçesione – duke ua lënë udhëheqjen të tjerëve, mjaft që rreziku të kuptohej dhe të përballohej menjëherë dhe sëbashku. Thelbësore, nëse duam pasqyrim të plotë të historisë, është të dalin njëkohësisht edhe provat se si ky  aksion u sabotua nga vetë krerët nacionalistë të Jugut dhe jo vetëm, dua të them edhe nga paqartësia e shumë krerëve të Veriut, të impresionuar nga prania e oficerëve aleatë…
Por  edhe  konflikti i shurdhët mes politikanëve që i kishin dalë zot Vendit në momentin më të rrezikshëm të historisë moderne të tij, flet shumë, dhe lexuesi mund të marrë vesh nga ky libër gjëra tepër interesante për shkaqet e dështimit, pikërisht për faj të këtij pasinqeriteti. Mbi këtë temë delikate, autori jep hollësi të panumurta rreth ndodhive dramatike të viteve të LDB dhe për amullinë dëshpëronjëse të pjesës më të madhe të antikomunistëve në vend dhe në emigracion.
Mbi të gjitha ai jep, sipas meje, çelsin si mund të lexohet kjo dizarmoni mes atyre që e quanin veten nacionalistë, e cila ka brënda shkaqe ende shumë të gjalla historike të një Vendi që mbetej i përçarë…
Është  kudo i pranishëm rivaliteti meskin që karakterizon edhe disa  krerë që i dinim ndryshe nga emri i madh që mbanin. Nëse lexuesit i çfaqet dyshimi se është  subjektivizmi dhe protagonizmi që inspirojnë penën e autorit, ai mund ta vërtetojë versionin e tij me anë dëshmish të tjera. Njera prej tyre është libri “Hasan Dosti, një jetë  për Çështjen Shqiptare”, ku kreu ballist nën presion aleat kërkonte unitet të emigracionit, dhe ndeshte në kundërshtime kokëngjeshura fshatarake, derisa Amerika e neveritur ua preu fondet.

Familja e Kol Bib Mirakes internim Gradishte 1964
Familja e Kol Bib Mirakes internim Gradishte 1964

Tepër interesante janë edhe episodet e eksodit nën bombardimet aleate nëpër Bosnjë-Kroaci-Austri, ku guximi i Kol B. Mirakajt  shpëton grupin e vet (Gjon Markagjonin, Irfan Ohrin, Tahir Kolgjinin, Pandeli Papalilon, Ndue Gjonmarkajn, Xhemal Bushatin, etj) nga një kurth që një prej krerëve tanë emërmadh (Mirakaj ia kursen emrin), u kishte ngritur pranë Kroatëve për ta eliminuar tërë grupin e tyre.
Si kurdoherë trimin e shpëton vendosmëria. Ai refuzon prerazi që grupi i të ikurve të lërë hotelin në Zagreb (ishte pregatitur plotoni i ekzekutimit) dhe fton kreun kroat Ljuburiç aty, dhe sqarohet me të për akuzat fallso të ngritura së largu prej tanëve sikur Kapidani i Mirditës dhe Mirakaj kishin komplotuar me çetnikët për sulm kundra Koracisë). Po të njëjtën vendosmëri  ai tregon  edhe në Vjenë, por me efekt të shumëzuar: duke shpëtuar me qindra të arratisur nga avancimi i shpejtë i  sovjetikëve.
Austriakët u ofrojnë leje-kalimi vetëm  krerëve  të lartpërmendur për në Insbruck, dhe ata nisen. Përveç Kol Bibës! Ai nuk i braktis emigrantët pa dokumenta në dorë të fatit. Ata i vijnë në hotel tërë ankth dhe ai i qetëson: mos u bëni merak, nuk iki pa ju. I sëmurë nga plaga e mahisur në gju, me këmbë të enjtura, shtrohet në makinë shkrimi, harton dhjetra leje-kalimi kolektive prej 10 vetësh me një kryetar secila dhe, me ndëmjetësimin e Neubacherit, i cili ia pranon këtë formë “pasaporte”, i firmos tek autorititetet. Po kjo gjë përsëritet edhe në Insbruck, kur erdhi puna për të kaluar në Itali sëbashku dyqind e ca të ikur, pa mjete e pa gjuhë.
Çështja e Fashizmit, ku përqëndrohen akuzat, e ka një shpjegim tek politika e kohës së Zogut, kur ky sistem shihej si ide relativisht efikase në një epokë krize, falë realizimeve sociale të saj të një kapitalizmi populist. Qe  katastrofa e luftës që e diskreditoi.
Për Mirakajn dhe tërë të ashtuquajturit fashistë ose filo-italianë, motivimi i tyre ishte ekskluzivisht mbështetja tek Italia me anën e një politike miqësie për ndihmë ekonomike dhe sigurisht anti-fqinjëve, kur Perëndimi s’garantonte as tërësinë territoriale; ata e kuptonin atë lidhje nëpërmjet vendosjes së një princi të Savojës si mbret, kurse Italia (me sugjerimin e Cianos që deshi të bënte posi Gjermania me Sudetët dhe Austrinë, por pa potencialin e saj njerëzor e ushtarak) e okupoi krejt në befasi dhe nxori variantin e bashkimit personal. Ka disa nuanca mes krerëve që u aktivizuan.
Disa më të rëndësishmit kanë shkruar mbi rrethanat dhe veprimeve/ pikpamjeve të tyre. Mirakaj qëndron më vete dhe për një arsye të fortë, e cila të bind plotësisht kur lexon librin. Kur përmenda largpamësinë e tij kisha parasysh pikërisht këtë fakt; që, befasia e pushtimit të armatosur italian e bëri të linte mënjanë divergjencat me Zogun dhe të  ofrohej ta luftonte zbarkimin në Shëngjin (ai pat qëndruar në emigracion nga 1926 deri në 1932, pra në këtë moment ai ndodhej brënda kufive), por me krijimin e gjendjes së re  mbas pushtimit, ai mori përsipër detyra sikur edhe të tjerët, për të kërkuar kthimin te fjala  që ishte dhënë për një princ mbi një shtet të pavarur. Të gjithë kërkuan energjikisht që  pavarësia brënda unionit personal të vihej në vend, pra e luftuan forcën madhore menjëherë.

Familja Mirakaj - ne interrnime
Familja Mirakaj – ne interrnime

Por Mirakaj veçanërisht, mendon të përfitojë  nga momenti për të përballuar rreziqet e reja në horizont, që shumë të tjerë nuk i shihnin, ose flirtonin me një koalicion antifashist që as i përfillte. Ai e pa të udhës të mos e linte pa shfrytëzuar këtë prani në Vend të makinës ushtarake Italiane që po humbte luftën duke i shkëputur armatime e fonde, së pari  përkundra rrezikut çetnik serb. Ishte momenti kur Drazha Mihajloviç luftonte dhe ai Gjermaninë, por kishte në program çfarosjen e popullsive shqiptare (një pukjan i Kol B. Mirakës kishte zbuluar dokumentin e këtij programi tek trupi i një Malezezi të vrarë). Më vonë, ky rrezik  çetnik i la vendin një tjetri madje, në një farë mënyre, u bë aleat i përkohëshëm, sepse doli fitues kërcënimi më i mbuluar, por shumë më ugjent, ai i PKJ që kishte depërtuar edhe në Shqipëri.
Gjëra të habitshme dalin nga libri i Mirakajt dhe nga shkrimet e asaj pjese politikanësh që ka heshtur me detyrim deri sot (për t’u lexuar edhe “Ad Memorandum” i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, me 10 dëshmi të rëndësishme). Kryesorja  është  kjo: Apelit të Veriut Shqiptar (më i rrezikuari siç ishte tradicionalisht dhe më i dëmtuari siç doli menjëherë mbas)  iu përgjigj me indiferencë pikërisht Balli Kombëtar, i cili në takime ia pranonte propozimet Mirakës për veprim urgjent, dhe i linte mënjanë posa ai kthente shpinën. Dhe kjo megjithse ai nuk pretendonte, por ofrohej si vetëm kontribues, mjaft që të pranohej plani i rezistencës.
Por për habi edhe vetë Xhaferr Deva, që duhej të ishte i interesuar në maksimum, u tregua i ftohtë me Mirakajn. Konkretisht, kur ai mori në dorëzim Ministrinë e P. Brëndshme nga Mirakaj, ky i fundit, i ofroi Devës listën e 12 mijë luftëtarëve të rekrutuar falë ndihmës italiane në javët e fundt të teposhtës së saj. Ai e refuzoi(!) duke thënë: “Nuk më duhen këshilla, do të ndërtoj shtet modern” (në gjashtë muaj do ta ndërtonte?…)
Shkurt ai refuzoi në esencë strategjinë e sulmit dhe adoptoi posi të tjerët atë  të  planifikimit(…) Kështu mbetën armiq efektivë të komunizmit tonë të frymëzuar e komanduar nga dyshja Dushan-Miladin, krahinat e veriut si Mirdita e GjonMarkajve, Kol Bib Mirakaj në Pukë dhe Muharrem Bajraktari e Kryezestë në Verilindje, Kaloshët dhe  krerët dibranë, dhe natyrisht Lidhja e Dytë e Prizrenit e Devës në Kosovë, kur Regjenca e Qeveria e Tiranës nuk ranë më dakord me Devën.
Por këto qendra nuk e kishin një komandë unike, dhe as ndërlidhje të rregullt mes tyre, gjë që shpjegon pse nuk u realizua një forcë unike dhe kompakte kaq e natyrshme për atë moment rreziku iminent, si mjet i vetëm shpëtimi, po edhe si një kryeurë perëndimore për luftën e ftohtë mbas pak muajsh. Krerët e Ballit kaluan në Veri veç për vetmbrojtje.
Pra, u duk sheshit pavendosmëria në planin e tyre të vonuar për rezistencë, të cilën për çudi  e kërkuan me këmbëmgulje të bëhej në Lurë(!), dhe jo në Shkodër ku kishte përqëndrime të mëdha forcash. (Rivaliteti i vogël me Veriun del i qartë gjatë tërë kohës si në ato momente kritike, ashtu dhe në emigracion). Plani pra nuk u realizua, ngaqë  ndërhynë shpejt partizanët që kishin kapur Dibrën.
Kur përmenda  aftësinë e Kol Bibës për përgjigje të duhur në çastin e duhur,do të  përmend vetëm edhe një rast tjetër nga të shumtit. Kur pushteti në Shtator të 1943, kaloi nga qeveria nën Italinë tek ajo nën Gjermanët, Kol Biba si ministër i brëndshëm mori vesh se po bëhej fshehtaz një mbledhje në Bashki  për të ngritur një asamble të re kushtetuese, por pa respektuar autoritetin ekzistues (shenjë mosrespekti qytetar përveçse shkelje kostitucionale).
Qeveria  u dizorientua, çoi zv.kryeministrin Iliaz Agushi (të vrarë më vonë në Tiranë) tek Komanda gjermane për të pyetur nëse kjo ish nisma e saj. Ajo e mohoi diplomatikisht. Atëhere Mirakaj, me solidarizimin e vetëm të ministrit të Drejtësisë, Anton Kosmaçi, shkoi në Bashki dhe u kumtoi: “Qeveria nuk don ta mbajë as një orë pushtetin, por don që kalimi i tij të bëhet kostitucionalisht, prandaj mbledhja duhet të shpërndahet tani menjëherë në praninë time”.

Xhina Mirakaj - e shoqja e Kol Bib Mirakajt - 45 vite e interrnuar
Xhina Mirakaj – e shoqja e Kol Bib Mirakajt – 45 vite e interrnuar

Pjesëmarrsit u bindën dhe madje  ata që  kuptonin, u shprehën dakord me qëndrimin ligjor të ministrit në fuqi. Përjashtimet e  pakta që autori i quan “luga në sahan” s’patën kurajën të hapnin gojën, kurse një ushtarak me origjinë të huaj që kundërshtoi, Mirakaj e vuri në vend në mënyrë të prerë. (Janë momente në libër që nuk mund të mos  admirosh qëndrimin dinjitoz dhe energjik të  tij.)
Ky ishte Kol Bib Mirakaj, dhe ky guximi e urtësia e një njeriu që i kishte barazi frymën e ligjshmërisë europiane, Kanunin e traditës, dhe karakterin burrnor për t’u dalë zot. Libri rekomandohet së fundi thjesht si shprehës të njerës prej pikpamjeve që duhet të ballafaqohen pa tjetër me dokumentat e thatë dhe me logjikën historike dhe rrethanore shumë më të vlefshme, para se të vihet pena mbi kartë për të shkruar historinë.
(Marrë nga http://shqiptarja.com/home)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.