Kohë teneqesh, punë teneqexhinjsh… refleksion nga Jozef Radi

Jozef Radi 2015

Jozef Radi 2015

Kohë teneqesh, punë teneqexhinjsh…

refleksion nga Jozef Radi

Nji nga problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare kanë qenë dhe kanë mbetur teneqet…
Ashtu si problemet e mëdha të origjinës së botës, edhe kjo puna e teneqeve ndër shqiptarë ka hasur dhe ka hapur gjithnji probleme se kush ka qenë e para teneqja apo teneqexhiu… Aq e rëndsishme u bë kjo çeshtje, sa dikur u gjet nji zgjidhje e artë, magjike, e papërsëritshme, unike, shqiptare… Dikush tha: “Varu teneqen!” dhe shprehja mori dhenë dhe sa herë kemi nji problem që nuk meriton interes shprehja “Vari teneqen!” është kapaku. Por problemi qëndron te ajo kategori teneqexhinjsh, (jo të pakët e hershme dhe e tashme) që nga teneqet e malit kaluan te teneqet e pushtetit, dhe nuk gjenin paqe derisa ta faktorizonin ëndrrën e tyre të madhe, veçse përmes teneqizimin e krejt shoqërisë shqiptare. Sistematikisht ndër kohra, teneqja u bë aq popullore dhe aq e dashur sa nji ditë iku nga zhargoni i zyrave dhe rrugës dhe mbrriti deri te këngët dhe vallet e festave. S’ka si harrohen këto vargje:  “Si m’je bo moj t’morrsha t’keqen, me je bo me t’var teneqen!”, dhe na është dukur si diçka që na sillte buzëqeshje kolektive!

Teneqexhiu i Madh, me çekan mbas qafe...

Teneqexhiu i Madh, me çekan mbas qafe…

Por, problemi i teneqes te kjo këngë është aq ambig, sa s’merresh vesh nëse ishte për mirë a për keq, (sepse teneqja në kohën e teneqexhijve, mori vlerën e arit, kurse arin teneqexhinjtë e mblodhën me nji dhunë të papame, jo për ta shëndrruar në teneqe, po për ta dhuruar “atje” ku mbahej pushteti!!) Kështuqë vargu “më je bo me t’var teneqen” ishte thikë me dy teha… teneqexhijve ua ndriste shpirtin, se kështu qe realizuar qëllimi i tyre, kurse njerzve antiteneqe, u qe shëndrruar në fatkeqsinë më të madhe, sepse menjiherë u shfaqeshin teneqet e ndryshkuna të barakave, po edhe ca qenë rrugaçë, me ca teneqe të varura mbas bishti që u jepnin nji zhurmë të papame, sidomos qyteteve me kalldrëme!
Kështu ndodhi që edhe pse bota eci në kahun e modernizimit të saj ne vazhduam te teneqja, dhe sot mbas mbas pesëdhjetë vitesh plus njëzetepesë të tjera teneqja jo vetëm ka hyrë me autoritet të plotë në fjalorë, po shfaqet si fjalë bazë e gjuhës shqipe, si duket është ngjeshur fort edhe në adn-në e transforuar të homos-albanicus, ose më mirë nuovo-homus-albanicus, aq sa mund të jetohet edhe pa bukë, pa ujë, pa dritë, pa ajër… pa teneqe Jo! Kurrën e kurrës!!
E për kët, meritën më të madhe e kanë gjithë teneqexhinjtë e pushtetit (të djeshmit dhe të sotmit), që ndërsa jepnin arin dhe djersën e kësaj toke dhe të këtij populli, merrnin teneqe, aq shumë teneqe, sa edhe të mbetura stok, befas nji ditë na u shfaqën nën dritat e lavdisë dhe të gjithë bashkë u mrekulluam si komb e si popull, si partira e si individër me sihariqin e madh të 1000 teneqeve…
O Zot, 1000 Teneqe të Përndritura, amaneti i Teneqexhiut të Madh të kombit shqiptar tashmë qe realizuar! E ça kërkon më tepër ky popull që mbasi i merret ari me dhunë dhe u brohoret zëmërshkulur teneqeve! Edhe sa ishin!? Po plot Njimijë teneqe pë teneqexhinj, ja ashtu si Garibaldi që me të “Njimijë Këmishkuqët! e tij iu nis Bashkimit të Italisë, edhe Rilindasi ynë i Gjatë me 1000 emrat, tashmë të teneqizuar, po “hap i prespektiva të ra” rrënimit të lavdishëm të atdheut…
A thua të jetë nji rastësi, kjo mbushje gjoksore (jo gjaksore) teneqesh e të Njëmijtëve të Piktorit?!?

Gjeneralë të dekoruar verikoreanë

Gjeneralë të dekoruar verikoreanë

Aspak! Ajo është e studjuar aq hollë dhe aq bukur, është e parë dhe e stërparë në të gjitha planet dhe rrafshet dhe e projektuar për atje ku vetëm naivët nuk mbrrijnë! Në një listë Njëmijë emrash, ku në mes janë edhe emra baballarësh po nganjëherë edhe pseudonime, emri nuk futet në asnji lloj kujtese; në nji listë me 1000, emra syri i zakonshëm lodhet aq shpejt sa nuk lexon dot asnjërin; në nji listë me 1000 emra mund të fusësh fjala vjen edhe emrin e nji banditi të kahershëm, si Mero Zabit Lamçes, dhe askush dhe askujt të mos i kujtohet asgjë… Pastaj kjo listë tashmë teneqesh dhe teneqexhinjsh, do të vendoset në gjithë institucionet e shtetit, si nji shpikje lejfeniste, dhe shpejt do të shohim që emra rrugësh, shkollash, stadiumesh, lagjesh, ndërmarrjesh, po edhe shtëpiash do të marrin jetë prej këtyre teneqeve, ato do të bëhen pak nga pak ari dhe nektari i këtij vendi që trushpëlahet kaq me dëshirë, sa do t’i habiste edhe Baballarët e Teneqes, për frutet që ka sjellë puna e tyre e devotshme dhe aq e përkushtuar në nderim të veprës së tyre teneqexhiste…
Dhe ajo kënga aq e omël e Shqipnisë së mesme “Si m’je bo moj t’morrsha t’keqen, më je bo me t’var teneqen!” do t’i mbushi shpirtrat e krejt nji populli me nji te qeshur aq të hidhet si ajo kafja turke pa nji thërrime sheqeri…
S’ka mbetur tjetër, veçse t’u shkojmë nga pas atyre që mbledhin kanoçe nëpër kazanët e plehrave, t’ua blejmë ato, dhe t’i shëndrrojmë në medalje meritash ndaj gjithë atyre që e rrënuan kët vend; e t’ua vendosim në portat e zyrave krejt atyre që vijnë si qiraxhinj në shërbim të këtij vendi, e më pas përpiqen ta na kthejnë te diktatura dhe neodiktatura duke na lëbyrur me drita të rreme festash të dalaboje e teneqesh xixëlluese… S’ka mbetur tjetër veçse të nisë në çdo skaj të këtij vendi komik e tragjik njiherësh, “Protesta e Teneqeve”, kundra krejt atyre që do të mbesin teneqexhinjtë e përjetshëm të shqiptarëve.
Ç’t’ju them më or miq, fati na ra të jetojmë kohë teneqesh, e të merremi me punë teneqexhinjsh! Zoti e bëftë mirë!
Dhjetor 2015

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Arkivi Jozef Radi, Artikuj, Gazeta, Jozef Radi  Etiketat: , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook