back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Koha kur Gjon Buzuku e kreu “Mesharin”… nga Ilir Seci

Gazeta

Gjon Buzuku - portret ne vaj - Danish Jukniu
Gjon Buzuku – portret ne vaj – Danish Jukniu

Koha kur Gjon Buzuku e kreu “Mesharin”…

nga Ilir Seci

Me 5 Janar të vjetës 1555, prifti shqiptar Gjon Buzuku, përfundoi së përkthyemi në shqip atë që sod njihet si “Meshari” i Gjon Buzukut.
Nji ndërmarrje gjigande që filloi me 20 Mars 1554 e përfundoi me 5 Janar 1555, tue na lanë mbrapa të parën vepër në shqip për sa dimë na deri më sot…
I lindun ne Ljarë, bri Liqenit të Shkodrës, prifti shqiptar fitoi përjetësisht “Kunorën e Ljareve”, si u asht thanë moti Dafinave…
Me këtë vepër, Gjon Buzuku filloi nji traditë të paçmuar, traditën e lëvrimit të gjuhës shqipe, që për qindra vjet ma mbrapa u mbajt gjallë si traditë po nga ata, priftnat katolikë, përkundër përndjekjes nga pushtesit osmanë. Me kontributin e Bardhit, Budit, Bogdanit u arrit me u përcjellë vetëdija shqiptare, e cila rrezikonte me humbë nëpër mugujt e terrtë të eklipsit shumëshekullor osman. Nji traditë që ma vonë u fuqizua nga gjigandët Françeskanë dhe Jezuitë, bash njata që u banë pionierët e çdo lamie të gjuhës dhe letërsisë shqipe…
Çdo 5 janar, asht data kur na duhet ta kujtojmë me nderim Gjon Buzukun, priftin që ruejti dhe mbolli farën e shqiptarisë, tue e hedhun në nji tokë të zharitun nga zjermi shkatërrues i pushtuesve që u rrekën me fshi gjithshka shqiptare. 5 Janari asht dita me u përkulë me nderim para Gjon Buzukut, atij që na e ruejti farën. Kjo  asht dita që shqiptarët e vërtetë duhet me kujtue se sa shumë pse u detyrohemi të tanë klerikëve shqiptarë që sakrifikuen gjithshka për me përçue ndër brezni shpresën e shqiptarisë. Kontributet e tyne asnjiherë nuk janë vlerësue si meritojnë. Etnit Françeskanë ishin të parët që u masakruan nga komunistët kur Murtaja e Kuqe pllakosi viset shqiptare… Etën si Bernardin Palaj dhe Donat Kurti, bash njata mbledhësit e palodhun të Visareve të Kombit, edhe pse të plakun e në moshë, me shendet të drobitun – kruspull sa nji grusht eshtnash – pamëshirshëm u torturuen deri sa dhanë shpirt në duert e hetuesve shpirtkazmë të Enver Hoxhës, pikërisht njatyne hetuesve te cilët sot nderohen e dekorohen nga qeveritë “demokratike” të Shqipnisë së sodit…
Çdo shqiptar që kap në dorë një libër shqip, duhet me e kujtue 5 Janarin dhe Gjon Buzukun, priftin që Mesharin e përktheu me gërma latine, tue shenjue në shtegun e historise tonë shqiptare se kultura perëndimore asht modeli që duhet me u ftillue nga na shqiptarët… Shekuj kaluen e mbas tij, për qindra vjet, ishin vetëm ata, priftnit katolikë, që tanë besim e përkushtim e mbajtën ndezun flakën e qirit të shpresës, me moton “Për Atme e Fe…!”
Në njikyt traditë të shkëlqyeshme atdhetare u rrit At Gjergj Fishta, – Françeskani i pavdekshëm që me veprën e tij u ba Homeri Shqiptar, me njikyt traditë u rrit Dom Ndre Mjedja, – Jezuiti që na la perlat ma të përkryeme të poezise shqipe. Pa mundin e tyne titanik nuk do kishte mujtë kurrë me u ruejtë fara e shqiptarisë që rrezikoi me u zhdukë në honet e errëta  nëpër të cilat na qiti udha e mallkueme e historisë sonë…
Edhe pak vjet e na kena me përkujtue 500 vjetorin e Mesharit:

“Ndihmom’ Zot si m’ke ndihmue/
Pesëqind vjet kishin kalue…”

…por sikur edhe 5 mijë vjet me kalue shqiptarët e vërtetë kurrë nuk kanë me u dalë borxhi këtyne fatosave të qenësisë shqiptare që ruejtën ADN-në e Kombit, bash në kohnat e zvetënimeve historike! Nëse sot frymojmë shqip, nëse sot gjakojmë shqip, kjo asht ba e mujtun falë Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit… Ata që u përkujdesën me e mbushun me voj shpreset flakadanin e shqiptarizmës!
Sot asht 5 Janari 2017, gjethet e Ljarit, (Dafinës), në Ljarë buzë Liqenit te Shkodrës, vazhdojne me kenë të blerta rrotull vitit, asnjiherë nuk zverdhen, njashtu si nuk zverdhet kurrë shpresa se Shqipnia ka me u ba…
Nderim!

Meshari i Gjon Buzukut
Meshari i Gjon Buzukut

Pasthania e “Mesharit” shkrue nga Gjon Buzuku:

“U Donih Gjoni, biri hi Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonëh nukë kish gjaa të endigluom ensëh shkruomit shenjtë, ensëh dashunit sëh botësë sanëh, desha me u fëdigunëh për saa mujtah meh ditunëh, meh zdritunë pak mendetë e atyneh qi t’eh endiglonjinëh, për seh ata tëh mundëh mernëh saa hi naltë e hi mujtunë e hi përmishëriershim anshtë Zotynë atyneh qi tah duonë em gjithëh zemërë.
U lus enbas sodi maa shpesh të vinih em kishëh,përseh ju kini meh gjegjunë ordhëninë e Tinëzot. E atëh nëh enbaroshi, Zotynëh tëh ketëh mishërier enbii juu, e atah qi u munduonëh dierie tash maa mos u mondonjënëh.E ju t’ini tëh zgjiedhunitë e Tinëh Zot, e përherë Zotynë kaa meh klenëh me juu: ju tueh endiekunë tëh dërejtënë e tueh lanë tëh shtrenbënë; e këta ju tueh baam, Zotynë ka me shtuom endër juu, se tëh korëtë tajh tëh englatetëh dierie ensëh vjelash, e të vjelëtë dierie ensë enbiellash.
E u’ maa due tëh enbaronj vepërënë teme, Tinë Zot tueh përqyem.
Endëh vjetët MDLIV njëhzet dit endëh mars zuna enfiill e enbarova endëh vjetët MDLV, endëh kallënduor V dit. E seh për fat nëh keshë kun enbëh endonjë vend fëjyem, u duoh tuk të jetëh fajtëh, aih qi tëh jetë maa hi ditëshim seh u’, atah fajh e lus tah trajtonjëh endë e mirë. Përseh nukë çuditëm seh në paça fëjyem, këjo tueh klenëh maa e para vepërë e fort e fështirëh për tëh vepëruom enbëh gluhët tanëh. Përseh mund mund e qëllonjinë, se fajh të mos banjinë; përseh përherë ëndajh tah nukë mundëh jeshëh u’ tue enbajtunëh njëh klishëh enbëh të dyy anët mëh duhë meh shërbyem. E tash u jam enfalëh gjithëveh, e lutëni Tinëh Zonëh endeh për muoh…”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.