back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Klubi i Turpeve të Përbashkëta – nga Frank Shkreli – vdekja e ish-prokurorit xhelat komunist, Arianit Çela

Gazeta

Frank Shkreli
Frank Shkreli

Klubi i Turpeve të Përbashkëta

nga Frank Shkreli

vdekja e ish-prokurorit xhelat komunist, Arianit Çela

Në një takim me kryetarët e bashkive të vendit të premten që kaloi,
Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, e ka cilësuar “turp të përbashkët”
çështjen e mbetjeve, anë e mbanë vendit. Ai u ka bërë thirrje kryetarëve
të bashkive që të mobilizohen për pastrimin e mbeturinave.
.
Aranit Cela - 650 procese politike, si hetues, prokuror dhe gjyqtar
Aranit Cela – 650 procese politike, si hetues, prokuror dhe gjyqtar
Fillimisht, nuk isha i sigurt se cilave mbeturina po i referohej z. Rama, duke marrë me mend se ndoshta e ka fjalën për “mbeturinat e komunizmit”, por jo, Kryeministri shqiptar po u fliste kryetarëve të bashkive për “çeshtjen e mbetjeve”, atyre mbetjeve që shihen grumbuj anës rrugëve dhe në hyrje të qyteteve, por edhe në zona të izoluara. Kryeministri Rama ka të drejtë se, “çeshtja e mbetjeve” është një problem serioz për vendin, por në mendimin tim jo aq serioz sa “mbetjet ose mbeturinat komuniste”, gjithë ato qelizat e atij ish-regjimi që gjallojnë ende në Shqipëri, si askund tjetër në Evropë, e që vazhdojnë të influencojnë jetën politike, shoqërore dhe akademike – por edhe drejtësinë – e sidomos drejtësinë, në atë vend.
Mediat njoftojnë se z. Rama u premtoi kryebashkiakëve se ai do ua zgjidhë atyre problemin e “mbetjeve”, duke filluar nga marsi që vjen, kur dy satelitët që do i hedhi ai në orbit (To the moon Alice, to the moon”), do të identifikojnë grumbujt e këtyre mbetjeve, sikur nuk i shohin tani se ku janë – edhe pa satelit.
Nejse, kur lexova javën që kaloi për vdekjen e njërit prej kryexhelatëve të komunizmit dhe pas njoftimit të z. Rama se Shqipëria do të vendosë satelitë në orbitë, thashë me vete ndoshta Tirana zyrtare e ka në mend të përdorë mjetet më të sofistikuara të teknologjisë moderne, përfshirë satelitët, për të zbuluar pas 30-vjetësh “post-komunizëm”, se ku janë hedhur eshtrat e mijëra viktimave, kundërshtarë të komunzimit të Enver Hoxhës. Mendova kështu, përballë kërkesave të fundit të disa organizatave ndërkombëtare ndërkombëtare, por edhe detyrimeve shtetërore ndërkombëtare të Shqipërisë se ai vend duhet të bëjë më shumë për të gjetur eshtrat e viktimave të komunizmit, të shpërndara anë e mbanë vendit.
Në raportin e fundit të Brukselit, dorëzuar, disa ditë më parë, në Tiranë – ndër të tjera i kërkohet, qeverisë dhe drejtësisë shqiptare, një angazhim serioz për të gjetur eshtrat e personave të zhdukur me forcë gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës. Në raportin e Komisionit Evropian 2021 për Shqipërinë thuhet se gjatë periudhës që mbulon raporti në fjalë, prokurorët shqiptarë nuk bënë asgjë: drejtësia e re ka dështuar të bëjë hetime për gjetjen eshtrave të personave të humbur gjatë periudhës së komunizmit. Raporti i Brukselit flet për mos vullnet politik, si nga pozita ashtu edhe nga opozita gjatë 30-viteve tranzicion në Shqipëri, për t’u marrë me çeshtjen e krimeve të komunizmit, përfshirë edhe dështimin e kësaj klase politike për të marrë masa konkrete për ndërgjegjësimin e publikut shqiptar në lidhje me këtë çeshtje, thuhet në raportin e Brukselit për Shqipërinë, 2021. Megjithëse vonë, të pakën Brukseli filloi të flasë për këtë çeshtje me rëndësi, sidomos për familjet e viktimave të komunizmit në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Krim dhe mosndëshkim Prokuri i Përgjithshëm dhe Sekretari i Parë
Krim dhe mosndëshkim Prokuri i Përgjithshëm dhe Sekretari i Parë
Partitë dhe politikanët shqiptarë – të ashtuquajturave qeveri të “majta e të djathta”, janë antarët origjinalë të këtij klubi të turpshëm që për 30-vjet nuk kanë bërë asgjë për të zbardhur fatin e keq të mijëra viktimave të komunizmit. Ata nuk kanë bashkëpunuar as me organizatat ndërkombëtare që kanë qenë dhe janë gati të ndihmojnë në këtë drejtim. Nuk kanë dënuar krimet e komunizmit dhe nuk janë distancuar nga e kaluara komuniste. Ashtu si edhe përfaqësitë diplomatike në Tiranë, gjatë dekadave e deri më sot, klasa politike shqiptare ka heshtur për krimet dhe viktimat e regjimit komunist të Enver Hoxhës, sikur viktimat e komunizmit në Shqipëri të ishin dërguar në ndonjë piknik. Klasa politike shqiptare e ka treguar, gjatë këtyre dekadave, arrogancën e saj duke mos treguar asnjë interesim për viktimat e komunizmit dhe nuk presim gjë prej tyre. Por ajo që më “djeg” mua dhe shumë shqiptaro-amerikanë është mosinteresimi i ndërkombëtarëve për këtë tragjedi të viktimave të komunizmit dhe të familjeve të tyre, brenda dhe jashtë vendit. Si përfundim, përfaqsuesit diplomatikë në Tiranë, me Heshtjen e tyre ndaj krimeve të Enver Hoxhës dhe viktimave të komunizmit në sytë e shumë njerëzve, duan a s’duan, tani janë bërë pjesë – e pafalshme dhe e papranueshme për rolin e tyre diplomatik – e këtij “turpi të përbashkët” me përfaqsuesit arrogantë të politikës aktuale shqiptare.
 
Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf. Viktimat e pafajshme të komunizmit në Shqipëri janë vrarë dhe ekzekutuar nga shteti shqiptar me urdhër të prokurorëve xhelatë si Arianit Çela, i cili vdiq javën e kaluar. Prandaj – kjo klasë politike sot, “të majtë e të djathtë”, për mirë a për keq, më së shumti për keq, – fatkeqsisht, ju jeni sot shteti shqiptar. Ju duhet të merrni përgjegjësi dhe të kërkoni drejtësi për viktimat e pafajshme të komunizmit, nqëoftse jo për ata vetë, atëherë për familjet e tyre. Kështu duhej të vepronte një shtet modern i shekullit XXI, i cili pretendon të dërgojë satelit në orbitë. Ndërsa ndërkombëtarët – qoftë përfaqsuesit e Brukselit qoftë të Washingtonit – duhej dhe duhet të kërkoni përgjegjësi prej përfaqësuesve të shtetit shqiptar në lidhje me këtë çeshtje me rëndësi tepër morale, por edhe politike e shoqërore.
Sa i përket kësaj çështjeje – viktimave të komunizmit dhe të kaluarës komuniste në atë vend – edhe ju që përfaqësoni Evropën dhe Amerikën në Tiranën “post-komuniste, me heshtjen tuaj, jeni po aq përgjegjës për këtë mohim të historisë dhe mos përballimit të Tiranës zyrtare me të kaluarën komuniste, sa edhe vetë Tirana zyrtare. Megjithë qëllimet e mira tuajat, në lidhje me këtë çeshtje të rëndësishme, ju jeni në rrugë të gabuar. Ju kini braktisur, për të mos thënë se po abuzoni me rolin tuaj sa i përket kësaj çeshtjeje me rëndësi morale. Siç e kam thënë disa herë në të kaluarën – duke thirrur si Shën Gjon Pagëzuesi në shkretëtirë: se për derisa nuk e adresoni të kaluarën komuniste në Shqipëri – me Heshtjen tuaj ndaj krimeve të komunizmit në Shqipëri – që na i kujton sot aq brutalisht vdekja e xhelatit të regjimit komunist Arianit Çela – ju jeni bërë palë me politikën aktuale shqiptare, që i mohon ato krime, gjithnjë. Me këtë qendrim – që është vështirë të justifikohet – ju nuk i bëni nder vetes as rolit tuaj si diplomatë perëndimorë. Me heshtjen tuaj ndaj krimeve të tilla, ju nuk përfaqësoni vlerat e demokracisë dhe lirisë të vendeve që ju përfaqësoni.
Të shtunën që kaloi, Departmenti i Shtetit, nepërmjet zedhënsit të vet, z. Ned Price me një deklaratë me rastin e 65-vjetorit të Revolucionit Hungarez, të vitit 1956, përshëndeti në emër të Shteteve të Bashkuara: “Ne kujtojmë burrat dhe gratë e guximshme (të Revolucionit Hungarez), të cilët luftuan nëpër rrugët e Budapeshtit në mbrojtje të lirisë së vendit të tyre dhe lirisë në botë. Pasioni i tyre për liri është realizuar në vitin 1989 kur Hungaria përqafoi demokracinë. Ne shënojmë këtë përvjetor solemn së bashku me Hungarinë, partnerin tonë dhe aleatin e NATO-s”, thuhet ndër të tjera në përshëndetjen e Depatmentit të Shtetit Amerikan, me rastin e 65-vjetorit të Revolucionit anti-komunist/anti-sovjetik të Hungarisë. Unë kam pas fatin e mirë të punoja me disa pjesëmarrës në atë revolucion anti-komunist – kolegë gazetarë hungarezë – me të cilët kam punuar tek Zëri i Amerikës për shumë vite. Nuk e kuptoj këtë standard të dyfishtë! Viktimat e komunizmit në Shqipëri nuk meritojnë asgjë më pak se viktimat e komunizmit kudo në Evropën lindore dhe qendrore, përfshirë ato të Revolucionit hungarez.
Nuk po mund të mos përmend, me këtë rast, fjalët e At Gjergj Fishtës në 150-vjetorin e lindjes, që ai i ka përdorë në Konferencën e Paqës në Paris më 1919 se, “Historinë e kemi aty, zotni të mij, që na flet kjartë, e asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare a se gjysëm-zyrtare…” Heshtja e perëndimorëve ndaj krimeve të komunizmit në Shqipëri, sidomos heshtja e diplomatëve amerikanë për këtë çeshtje, mua si shtetas amerikanë për pothuaj një gjysëm shekulli, por edhe si taksapagues amerikan, më shqetëson shumë. Më shqetëson heshtja e diplomatëve amerikanë ndaj krimeve komuniste, sepse një përqindje dërmuese e viktimave të komunizmit në Shqipëri, disa prej tyre edhe shtetas amerikanë, të cilët prokurori komunist Arianit Çela i dërgonte drejt ekzekutimit ose burgimit, vetëm e vetëm, për lidhjet e tyre ose për respektin që ata mund të shprehnin për demokracinë dhe lirinë amerikane. Dënoheshin se dëgjonin Zërin e Amerikës (ku kam punuar për 30-vjet), me akuzën e “famshëme” se kundërshtarët e regjimit komunist të Enverit – sipas prokurorëve të regjimit si Arianit Çela – vepronin, “në shërbim të imperializmit amerikan kundër republikës sonë popullore… me mision për ta këthyer vendin tonë në një koloni të imperializmit amerikan…”. Sipas prokurorëve dhe gjyqtarëve komunistë, si pro-amerikanë që ishin, kundërshtarët e komunizmit të Enver Hoxhës – si pro-amerikanë që ishin – meritonin dënimet maksimale, madje edhe vdekjen me ekzekutim. A nuk meritojnë këto viktima të komunizmit shqiptar, të pakën një kujtesë me një deklaratë!? Fatkeqësisht, duket sikur drejtësia e re për të kapur hajdutët e kotecave të pulave sot është shumë më e rëndësishme, më e moralshme dhe më njerëzore se sa dënimi i krimeve të komunizmit dhe përballimi zyrtar me të kaluarën e tmershme komuniste në Shqipëri.
Më mirë vonë se kurrë, në raportin e ditëve të fundit të Komisionit Evropian, cituar më lartë, u kërkohet prokurorëve shqiptarë që të hetojnë vrasjet dhe ekzekutimet me forcë gjatë regjimit barbar të Enver Hoxhës, “si ngjarje kriminale dhe me persona përgjegjës për ato krime”. Ndoshta ishte i rastit fakti – ndoshta ishte një kujtim nga Perëndia – që 2-3 ditë pas botimit të raportit të Komisionit Evropian, në Shqipëri u njoftua vdekja e njërit prej atyre të cilëve raporti u referohet si “përgjegjës të atyre krimeve”, gjatë regjimit kriminal të Enver Hoxhës.
Shkoi në rrethin e nëntë të ferrit të Dantës, Arianit Çela. Megjithëkëte, duke marrë parasysh faktin se si u trajtua ai nga “drejtësia” e Shqipërisë “demokratike” sa ishte gjallë, Arianit Çela dhe disa ish-kolegë të tij prokurorë e gjyqtarë – disa prej të cilëve mund të jenë edhe pjesë e sistemit të “drejtësisë së re” në Shqipëri – mund të konsiderohen si gurthemeli, si trashgimtarë të denjë të drejtësisë së Enver Hoxhës ndaj kundërshtarëve, mbi të cilin pushon dhe vepron sot drejtësia e re në Shqipëri. Thashë me vete, pasi Ariant Çelës nuk i kërkoi askush përgjegjësi për krimet e tija monstroze në këtë botë, tashti ai do të përballet me drejtësinë e vërtetë, para të Madhit Zot për dënimin e qindra e ndoshta edhe mijëra njerëz të pafajshëm, me burgosje, ekzekutime e deri me vdekje. Një zë mbrenda meje sikur më korigjoi duke më thënë mos se po të ndjenë ndokush dhe për inat tëndin vendosin t’i japin edhe Arianit Çelës ndonjë dekoratë si, “kampion drejtësie” për kontributet e tija në reformën e drejtësisë së re ose edhe “kampion i antikorrupsionit”. Post-mortem, kuptohet.
Në portalin “Kujto.al” jepet një biografi e shkurtër e këtij krimineli të “drejtësisë” së Enver Hoxhës. Aty thuhet se Arianit Çela, njëri prej xhelatëve më barbar të komunizmit enverist, ka mbi 650 procese politike mbi shpinë ndërsa gjithë jetën e tij në Shqipërinë “post-komuniste” e kaloi i patrazuar fare në shtëpinë e tij aty në Tiranë deri në orën që vdiq, sipas portalit “Kujto.al”, i pandëshkuar kurrë për asnjë nga krimet e kryera gjatë 45 viteve të regjimit komunist.
“Drejtësia post-komuniste” shqiptare në veprim: Sipas portalit Kujto, al, Arianit Çela – pasi ka shërbyer si deputet 1958-1991) dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës (pasardhëse e Partisë Komuniste dhe paraardhëse e Partisë aktuale Socialiste) – është arrestuar (“në kohën e demokracisë”) më 3 nëntor 1993 dhe është dënuar me akuzën, “Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të njeriut dhe në dëm të jetës së personit, të parashikuara nga nenet e Kodit Penal.” Pavarësisht kësaj, ai doli nga burgu në ngjarjet e vitit 1997, me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste”. Drejtësia shqiptare e kishte shpallur atë të pafajshëm dhe madje kishte urdhëruar dëmshpërblim për xhelatin, thuhet ndër të tjera për ish-prokurorin e vdekur komunist, Arianit Çelën. Deri më sot, jo vetëm që nuk u kërkohet përgjegjësi, harroje dënimin e ish-prokorurëve, si Arianit Çela dhe ish-gjyqtarëve barbarë komunistë për krimet e tyre ç’njerëzore ndaj bashkvëllëzërve/motrave të tyre, por disa nga ata po shpërblehen dhe po dekorohen nga ndërkombëtarët për shërbimet e tyre si “kampionë të drejtësisë” dhe të “anti-korrupsionit”.
Vajmedet!
.
Gjyqi i Sabotatorëve te Maliqit 6 -22 nëntor 1946)
Gjyqi i Sabotatorëve te Maliqit 6 -22 nëntor 1946)
Fatkeqësisht, shumë prej viktimave të komunizmit të Enver Hoxhës në Shqipëri, që me nënshkrimin e prokurorëve si xhelati Arianit Çela dënuan me vdekje mijëra kundërshtarë të regjimit – nuk u dihen varret. Por, ne ua dijmë vendin se ku janë. Janë atje lartë, në përjetësi – në jetën e pasosur – prej ku shikojnë poshtë dhe luten edhe për xhelatët – që brutalisht dhe arbitrarisht ua ndërprenë jetën në këtë tokë – duke thenë: “Fali i Zot se nuk dinin së ç’bënin”, ashtu siç bënin shumë prej tyre para se të ekzekutoheshin – ishte tesatmenti i tyre i fundit. Këte e kërkonte Enver Hoxha, donte të dinte se cilat ishin fjalët e fundit të viktimave të tija.
Viktimat e komunizmit luten edhe për pushtetarët e sotëm të Tiranës ndonëse 3 dekada pas shembjes së komunizmit zyrtar, refuzojnë të zbardhin atë histori të tmershme, me qëllim që të mos përsëritet më për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve. Viktimat e komunizmit shqiptar luten edhe për diplomatët perëndimorë në Tiranë që heshtin – e që siç duket me këtë heshtje, kanë braktisur vlerat e vendeve që ata përfaqësojnë, duke mbështetur në mënyrë arrogante dhe pa kushte, këtë klasë politike të papërgjegjëshme e cila ndryshe nga shumë vende të tjera ish-komuniste gjithnjë refuzon të përballet, zyrtarisht, me të kaluarën komuniste dhe të dënojë krimet e komunizmit. Nuk ka drejtësi të re as të reformuar pa drejtësi për viktimat e komunizmit në Shqipëri! Ju të nderuar diplomatë duhet të dini pak më mirë se kaq. Për hir të vendeve që përfaqësoni, mos u bëni pjesë e këtij klubi “turpesh të përbashkëta” të politikës së fëlliqtë shqiptare në lidhje me viktimat e komunizmit. Vdekja e Arianit Çelës, ish-prokurorit kriminel komunist, duhet të jetë një rast reflektimi edhe për ju, të nderuar diplomatë perëndimorë, sa i përket drejtësisë për viktimat e pafajshme të komunizmit, por edhe për çfarë drejtësie ka nevojë sot Shqipëria. Qoftë edhe në Shqipëri, ju duhet të mbroni vlerat perëndimore, përfshi të drejtën për të jetuar, lirinë dhe dinjitetin e çdo personi, pa dallim dhe në çdo kohë dhe jo të mbroni dhe të promovoni njerëz të caktuar të politikës dhe drejtësisë – të cilët janë indiferentë ndaj krimeve të një diktature komuniste, ndër më të tmershmet e Evropës dhe botës.
Këtë ia kini borxh qindra mijëra shqiptaro-amerikanëve, qytetarë të denjë dhe taksapagues amerikanë të cilët, në një mënyrë ose një tjetër, e kanë pësuar keq nga komunizmi, ndërkohë që gjatë sundimit komunist kanë humbur anëtarë të familjeve nga vendimet kriminale të nënshkruara nga ish-prokurorët komunist, si Arianit Çela. Eshtrat e këtyre viktimave të komunizmit, familjet e të cilëve nuk dinë as sot se ku i kanë hedhur xhelatët e atij regjimi. Është shembulli i këtyre viktimave të komunizmit dhe i qendresës së tyre kundër regjimit diktatorial – dhe jo nostalgjikët e preferuar të komunizmit të Enver Hoxhës – që frymëzojnë shqiptarët e Amerikës se edhe kombi shqiptar do të shoh ditë më të mira në të ardhmen. Është komuniteti shqiptaro-amerikan ai që gjatë dekadave ka ruajtur dhe fuqizuar lidhjet me Shtetet e Bashkuara. Është ky komunitet dhe familjet e shqiptaro-amerikanëve që – në emër të Amerikës dhe në mbrojtje të vlerave demokratike të saj – kanë vuajtur më së shumti nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Është një komunitet që ka kontribuar dhe vazhdon të kontribojë në zhvillimin e Shteteve të Bashkuara, por i cili, në emër të Amerikës, edhe ka vuajtur më shumë se të tjerët nga regjimi komunist. Si i tillë, ky komunitet që adhuron lirinë dhe demokracinë dhe që dashuron Amerikën dhe Shqipërinë, meriton të pakën, që përfaqsuesit diplomatikë amerikanë në Tiranë, të jenë disi më të ndjeshëm dhe më të kuptueshëm për shqetësimet e shqiptaro-amerikanëve për ato që po ndodhin në atdheun e tyre të origjinës, përfshi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara në lidhje me krimet e komunizmit dhe përballimin me të kaluarën komuniste të Shqipërisë. Refuzimi i qeverive shqiptare për t’u marrë me viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe për t’u përballur, zyrtarisht, me të kaluarën komuniste siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste – ka vazhduar të jetë një histori turpi për klasën politike shqiptare “post-komuniste”, siç është një histori turpi edhe heshtja e ndërkombëtarëve në lidhje me këtë çeshtje.
O Zot bekoje Amerikën dhe mbroje Shqipërinë në këtë kohë kritike!
Ish-Prokurori komunist Arianit Çela – Edhe ky si Nexhmije Hoxha dhe shumë komunistë të tjerë shqiptarë – nga fashist në komunist!
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.