Klithma e lavjerrësit… tek Portat e Drejtësisë nga Leon Lekaj Letër e hapur zotit Edi Rama

Leon Lekaj

Leon Lekaj

Klithma e lavjerrësit… tek Portat e Drejtësisë

nga Leon Lekaj

Letër e hapur zotit Edi Rama

Zoti Kryeministër!
Është e çuditshme se si sot m’u shfaqe krejt befas. Po mendoja se, nëse makina juaj me flamurin shqiptar do të më kalonte diku pranë në kryeqytetin helen, ku banoj si emigrant prej kaq vitesh, sigurisht që unë do të ndalesha. Çeshtje edukate kjo. Dhe në atë çast, me fuqinë që më jep të qenurit atdhetar, do t’i afrohesha makinës suaj, për të ndjerë nga afër rrezatimin e një politikani që di t’i bëjë të gjitha. Dhe sinqerisht do të këmbëngulja që askush të mos thoshte ndonjë fjalë të keqe për Ju. As që bëhej fjalë për vezë. Do të isha bërë bodyguardi yt, mbrojtësi yt. Sepse duke qenë se si funksionari më i lartë i qeverisë, ju udhëtoni me flamurin tim, jeni njëkohësisht edhe kryeministri im.
Ka kohë që në mendjen time, sillet lavjerrësi, duke më sjellë ndërmend atë çka nuk dua. Lëvizjet e tija të mërzitshme; djathtas dhe majtas. Kur ti fitove 1 milion “shuplakat” e tua, fantazisë sime iu rrit adrenalina. Ajo rritje e befasishme shkaktoi fenomenin dhe unë pata kurajën të imagjinoja atë lavjerrës tek bënte lëvizjet e tija për të shkuar diku afër zeros. Pa e ditur se pse, e besoja atë: Mrekullinë e ndaljes së tij.
Por tani që më duhet të pohoj të kundërtën ndjehem sinqerisht i zhgënjyer.
Lëvizjet e asaj makinerie politike, të cilin vullneti i popullit (nuk dua të merrem me gojët e liga që thonë se mënyra me të cilin ti fitove ishte tepër e dyshimtë) e la në duart e tua, e për të cilin shumëkush ashtu si edhe unë, besonin se goditjet e tija të vrullshme do të ndaleshin prej forcës së një kryeministri “modern”, tashmë kanë prekur ekstremin. Dhe ai kulm mban disa emra. Disa emra të cilët u dekoruan këto ditë dhe që tronditi mbarë njerëzit si unë. Lavjerrësi i komanduar prej Jush hyri deri thellë, u vërvit pamëshirshëm atje, ku nuk kishte shkuar gjatë gjithë këtyre viteve të trazuara të tranzicionit. Trazoi plagët e atyre që u endën burgjeve më të dhimbshëm që historia njeh në ndëshkimin të shqiptarit për shqiptarin. Dhe ishte krejt normal tërmeti që shkaktoi në botën e të gjallëve po aq sa në atë të të vdekurve.
Zoti Kryeministër!
Me mirësjellje do të doja t’iu kujtoja se nuk jemi në vitin 2001, kur partia jote, e dalë prej territ ideologjik vendosi në majat e kupolës shtetërore emra kriminelësh, që kishin ende duart me gjak. Nuk jemi më në 2001, kur në krye të një dikasteri si ministria e Punëve të brendshme, aq e përfolura në vendin tonë, postin e zëvendës ministrit ia besoi hetuesit Bujar Himçi, atij satrapi intelektualësh, mbi të cilin rëndon akuza e përdorimit të metodave psikologjike çnjerëzore ndaj një prej regjisorëve të parë shqiptar, regjisorit të filmit “Skëndërbeu” Viktor Stratoberdha. E vetëm pak muaj më vonë në kthetrat e hetues Himçit do të binte një tjetër intelektual, im atë: Zef Lekaj.
Jo!

Kompozitori Zef Lekaj

Kompozitori Zef Lekaj

Jemi në fundvitin e 2015, të cilin unë do ta quaja një vit fatkeq, tek pashë se dëshira Juaj ishte që atë lavjerrës ta çoje në skajin më të mundshëm të tij.
E si të mos mjaftonin ata kriminelë të veshur me pushtet, të cilët Ju dhe kasta juaj i ri ngriti sërish në majat e piramidës shtetërore, afrove pranë vetes njerëz që kishin lidhje me krimin ordiner. Ky gjest ishte për t’i treguar shqiptarëve, se tashma ishe i mbrojtur dyfish, se ishe i pathyeshëm dhe se pendulin e lavjerrësit mund ta çoje aty ku doje ti.
Njerëzit e rrënuar të atij regjimi, ata kokulurit dhe të fyerit deri në palcë, ata të zh-gërryerit për mbijetesë nuk e patën kurrë në dorë atë. Gjithsekush prej tyre, komandoi të vetin, por në asnjë rast, lëkundjet e tyre nuk mbërritën deri tek pika e urrejtjes. Klithma e lavjerrësit të tyre shkoi deri tek portat e drejtësisë, të asaj drejtësie që për ta kurrë nuk u bë e drejtë.
Nderimi që iu bë njerëzve si: Anastas Koroveshi, Rakip Beqaj, Llambi Gegeni, Fahri Kraja, etj. është një fyerje për dinjitetin e atyre njerëzve që partia jote i masakroi ndërsa, dekorimi i Shyqyri Çokut, persekutorit të “Nderit të Kombit” At Zef Pllumbi, i bindi shqiptarët e ndershëm se kryeministri ynë vazhdon të mbetet peng i klaneve gjakësore të përbindëshave të territ.
Që shoqëria shqiptare të shkojë atje ku ajo meriton duhet që ai lavjerrës të ndalet përgjithmonë.

Kryeministri Rama dhe veteranet Nentor 2015

Kryeministri Rama dhe veteranet Nentor 2015

Ju, e treguat me vepra që jo vetëm nuk dini ta bëni, por dini ta çoni në skajin më ekstrem atë.
Hapeni rrugën, zoti Kryeministër!
Vendi im ka aq fuqi intelektuale sa të dijë të ndalë atë: Lavjerrësin e Hakmarrjes.

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook