back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Këta janë me të vërtetë njerëz të Hyjit! At Anton Luli

Gazeta

Dom Lek Sirdani (1891-1948)
Dom Lek Sirdani (1891-1948)

Këta janë me të vërtetë njerëz të Hyjit!

Fundi i Dom Lekës, sipas dëshmisë së At Anton Lulit

Mbasi ta lexoni kët histori të shkurtë të sjellë prej Gjergj Pashk Meta,

vetëm atëhere do të kuptoni se në ç’humnerë jetojnë ata njerëz
që duan ta rehabilitojnë Diktatorin Hoxha, komunizmin…, etj. etj.

Dom Lekë Sirdani (Gurëz, Milot, 01.03.1891-Koplik 26.12.1948), personalitet i shquar i Kishës katolike: prift, patriot, shkrimtar. U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.

“Dom Aleksandrin (Lek) e futën në burg dhe e dënuen në mënyrë barbare. S’patën pikë mëshire për të. E rrahën aq randshëm, sa që goditjet ndigjoheshin fort deri në qelinë time, pak ma larg qelisë së tij. Ai i duronte torturat pa bëzajtë. Por në orë të ndryshme të ditës, burgu tundej nga zani 
i tij: “Kam etje! Ujë, ujë, se po des!”. Britma dridhte mure e shpirtna. Na shkaktonte dhimbje, ma fort se varret, që edhe ne nuk na mungojshin. S’mbrrij me e përshkrue si duhet atë skenë. E as ju nuk mundeni me e përfytyrue, sepse ishte jashtë çdo arsyeje njerzore. Një ditë, mbasi më kishin torturue me korrent elektrik, isha aq i terrorizuem, sa iu luta rojes, që më shoqnonte në qeli: “Ali, në daç ti, mund të më lirosh prej kësaj jete, që s’durohet ma. S’të kushton tjetër, veçse një plumb ballit! Do të isha mirënjohës në atë jetë!”. Alia gjegji: “Të shpëtoj ty, po ç’t’i bëj vetes. Mos harro se jam me fëmijë! Do të mbeteshin pa baba!”
E dinte Aliu se do ta hante vetë plumbin, për një plumb të shkrehur pa urdhërin e atyre, që shkrehshin çdo ditë plumba në mish të gjallë. U riktheva në qeli e vijova të ndigjoj britmat e Dom Lekës. Nuk e di sa zgjati kalvari i tij. Sigurisht, disa muej. Kur e pashë një ditë në korridor, nuk e njoha. Para asaj figurë-fantazëm, ula sytë. Sa e tmerrshme me e pa ashtu e mos me mujtë me ba asgja për të. Një mbasdite, tue mos i ndigjue ma britmat e tij, pyeta rojen: “Ku asht Dom Leka, që nuk po ndigjohet?”.
 M’u përgjigj: “Ehhh, i shkreti, sapo e hodhën në nevojtoren e burgut!” Atëherë i thashë rojes se ndihesha keq e iu luta të më shoqnonte në banjo. M’u gjegj se nuk kishte ardhë ende orari. Po unë vijova t’i lutem ankthshëm, e ai më shoqnoi, pa fjalë. Çova sytë për ta falënderue e pashë se edhe sytë e tij ishin mbushë me lot. Edhe ai kjante për fundin e Dom Lekës. Kur iu afrova gropës së zezë, që shërbente si nevojtore për ne, të burgosunit, pashë se langu i zi, me pak dhé përsipër, vijonte me gurgullue. U ula, për të krijue përshtypjen se isha aty për nevojat e mia, nga frika se ndokush mund të më spiunonte e, mshehtas, me dorën që më dridhej nga tmerri, bana shpejt e shpejt një shenjë kryqi mbi trupin e atij Meshtari të shkretë, që sapo kishte dhanë shpirt, i hedhun në një vend kaq çnjerëzor. Nga tronditja, u ndjeva me të vërtetë keq. Aq, sa nuk munda të çohesha prej buzës së asaj grope, që u kthye në vorr për dy prej meshtarëve ma të mirë të Kishës. Roja më shtërngoi fort, tue më marrë ngrykë. Si Centurioni. E sytë e tij sikur thoshin: “Këta janë me të vërtetë njerëz të Hyjit!”. Kur mbrrijta, ma në fund, në qeli, bërtita sa mujta: “Deri kur, o Zoti em! Deri kur!”. Mandej u luta në heshtje për shpirtin e atij, që tashma, nga gropa e zezë, duhet të ishte naltue në horizontet e lirisë së amshueme!
Marrë nga libri i Regjina Lulashi, “Dy vëllezër dëshmorë”

Eshtrat e gjetura ne Koplik
Eshtra te gjetura ne Koplik

Në Koplik gjenden eshtrat e nji Martiri

Gjetja e disa eshtrave gjatë hapjes së themeleve në afërsi të qytetit të Koplikut ka bërë të mendohet se ato eshtra i përkasin priftit Don Aleksandër Sirdani i pushkatuar në vitin 1948, nga regjimi komunist. Eshtrat janë gjetur nga pronari i tokës teksa po gërmohej për të hapur themelet për ndërtimin e një objekti.
Don Aleksandër Sirdani u arrestua në vitin 1948, nga forcat e Sigurimit të Shtetit të asaj kohe, ndërsa u ekzekutua pa gjyq në vendin ku u gjetën eshtrat 3 ditë më parë…
Don Sirdani shërbente si prift në fshatin Bogë, ndërsa njihej dhe si shkrimtar, historian dhe gjuhëtar. Pas transportimit të eshtrave në Shkodër dhe ekzaminimit të tyre, pritet të ketë dhe një deklaratë zyrtare nga përfaqësues të Kishës Katolike të Shkodrës.
(marrë e.n/News24/Balkanweb) 14 qershor 2010

Vllezërit Martirë: Marin e Lekë Sirdani
Vllezërit Martirë: Marin e Lekë Sirdani

Për kët ngjarje kanë shkruar:
Vasel Malaj, Farmington-Hills Michigan USA
Gjeto Pllum Malaj, axha im ka qenë i burgosun në Burgun e Koplikut në atë kohë. Ai më tregonte se e kishte parë me sytë tij se xhelati sadist Xhemal Selimi, krytar i seksionit të Sigurimit kishte urdhnue kriminelët Asllan Licin dhe Pal Mëlyshin që të merrnin dy cfurqe në stallat e kuajve dhe t’i mbytnin në gropën e nevojtores në mënyrën më makabre Dom Aleksandrin edhe Dom Pjetrin. Veprimtaria e këtyre kriminelve dhe këlyshëve të tyre duhet të dënohet. Nder e lavdi veprës së pa vdekshme të Klerit katolik! Poshtë Bushtra e kuqe dhe këlyshtë e saj!

hooker, all around:
Dom Aleksandër (Lekë) Sirdani (vëlla i historianit françeskan Padër Marin Sirdani), 56 vjeçar, së bashku me Dom Pjetër Çunin, nuk u pushkatuan, por u mbytën në gropën e zezë të stacionit të policisë e Sigurimit në Koplik, nga oficerë të Sigurimit – aty ku u gjetën edhe eshtrat që mund t’u përkasin secilit prej këtyre dy martirëve.
News24/Balkanweb

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.