back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Kënga labe e manipuluar prej kuqove – nga Sadik Bejko

Gazeta

Geraldinè Appony (1915-2002)
Geraldinè Appony (1915-2002)

Kënga labe e manipuluar prej kuqove

nga Sadik Bejko

Manxhuré leshura tëndë,/ Ke ikur ke lënë vëndë,
Kaluar apo në këmbë?/ Kaluar se s’dija vëndë.
Fajin ta pati jot ëmë,/ Të dha në oxhak të rëndë,
Ç’u trete qiri në këmbë/ Kafe miqe tuke dhënë…
.
Në disa variante vargu i dytë është: “Qysh e gjete vëndin tënë”. Në disa krahina Manxhuré bëhet Manxharé. Kjo këngë që këndohet edhe sot, sipas disa të dhënave, i kushtohet mbretëreshës Geraldinë. Është kënduar në dasmën e mbretit Zog. Të moçmit ishin të bindur për një fakt të tillë. Mbreti Zog, për të respektuar të ftuarit në dasmën e tij, bëri zakonin e vendit. Në fund të ceremonisë zyrtare të dasmës nxori mbretëreshën Geraldinë, nusen e re, që t’iu japë kafenë e lamtumirës mysafirëve të tij. Ndërsa pihej kafja, një dasmor nga fshati Dukat, i prekur, ngaqë një mbretëreshë, një e huaj, jep kafe si nuset e qyteteve dhe të fshatrave të tjera të Shqipërisë dhe në një dasmë ku të ftuarit ishin të panumërt, (Oxhak i rëndë, u tret qiri në këmbë) e improvizoi dhe e këndoi po aty këngën për Maxharen.
.

Si mbeti kjo këngë pa u ndaluar në kohën e komunizmit

Në Shqipëri ka pasur emra Manxhar (hungarez) për meshkuj, por rrallë ose mbase nuk është dëgjuar kurrë të ketë pasur femra me emrin Manxhare. Pas luftës, rrallë përdorej mbiemri maxhar, për hungarez. Në të kundërt, fjala “maxhar” para Luftës së Dytë ka qenë shumë popullore. E gjen në këngët folklorike. Përmendet edhe Ali pashë Maxhari, pashai turk, që u vra nga kryengritësit në Gjakovë. Fjala hungarez është e stilit libror. Ajo nga shkollimi, nga shtypi hyri dhe në të folurin e përditshëm, duke zëvendësuar termin maxhar a manxhar. Emri maxharja, për Geraldinën, në këngë ka ardhur në formën Manxharé, Manxhuré, me theksin në fund. Kënga është kënduar në të gjitha krahinat e Vlorës, Labërisë, Tepelenës dhe në malësinë e Beratit. Nga asnjeri nuk përmendej, madje disave as që u shkonte mendja, se kënga ishte për mbretëreshën Geraldinë. Me kohë kjo u harrua. Në dasma këndohet për nusen, për fatin dramatik të lënies së vendlindjes dhe të familjes, për kalimin te një jetë e re, te burri, te një vend i huaj dhe te zakone të tjera (kaluar se s’dija vëndë). Manxhareja është simboli i nuses, i shkëputjes nga një mjedis në një tjetër. Nusja mund të jetë nga fshati fqinj, por të martohesh është si të shkosh nga një botë në tjetrën. Kështu që askush nuk shtyhej më tej për të pyetur se kush ishte kjo Manxharé. Mjegullimi i largësisë e bën më të bukur këngën. Në këngët e dasmës nusja nuk ka emër konkret. Në këngët e dashurisë femra mund të ketë emër si: Bajame, Selvi, Katina, Dafina etj. Këndohet për to dhe nuk kërkohet shpjegim se pse dhe si këto vajza a gra kanë hyrë në këngë. Për Manxharen, për një emër të huaj në një këngë dasme, ishte ndryshe. Por për këtë u hesht. Edhe nga shteti, edhe nga ata që e dinin. Dhe nuk u ndalua asnjëherë. E këndonin dhe heshtnin. Mbase se kënga kishte “ngjitur” për përmbajtjen e saj, jo për emrin Manxharé.
.

Kur këndohej kënga?

Kënga këndohej nga gratë dhe nga burrat. Gratë e këndonin në çastin kur nusja kishte zbritur nga kali dhe ishte vënë të nusëronte në dhomën e grave. Dhëndri vinte i hiqte duvakun. Gratë fillonin këngën:
Manxhure leshuratëndë/ qysh e gjete vëndin tënë…
Kënga këndohej edhe kur nusja jep kafe për herë të parë. Pas natës së dasmës, zakoni e kërkon që nusja t’u japë kafenë e përcjelljes mysafirëve të ngritur nga gjumi që mblidhen të takohen me të zotët e shtëpisë se do të largohen. Kafja e nuses është veprimi i saj i parë në shtëpinë e dhëndrit. Është më tepër se një kafe. Është rit. Me këtë kafe dasma mbyllet përfundimisht. Pihet kafja, darovitet nusja. Dajua dhe krushqit kryesorë e tundin qesen mirë për të fundit herë. Pas kësaj, miqtë dhe të ftuarit ndahen dhe përcillen nga të zotët e shtëpisë. Zakonisht gjatë kësaj kafeje nuk ka këngë. Është një të kënduar i lodhur, të kënduar pas dasme. Por ndonjë nga krushqit për të shprehur kënaqësinë që i ka dhënë kjo dasmë, apo kënaqësinë që i jep bukuria e pashoqe e nuses, ia merr këngës.
Ç’u trete qiri në këmbë/ kafe miqe tuke dhënë…
Por më shumë se sa këto, ka pasur dhe një arsye tjetër për të kënduar. Arsyeja që ishte bërë një krushqi e goditur apo me leverdi. Martesa tradicionale ishte çështje më e rëndësishme se sa bashkimi dashuror i dy të rinjve, të cilët mundet dhe nuk e kishin parë njëri-tjetrin para dasme. Martesa ishte pajtim interesash, ekonomish, fisesh, forcim i pozitës dhe i peshës që zinin në shoqëri dy familjet që lidhnin krushqi.
.
Dasma e Ahmet Zogu me Geraldina Apogny 1938
Dasma e Ahmet Zogu me Geraldina Apogny 1938

Valle e kënduar

Në Vlorë kënga është kënduar gjatë dhe pa ndërprerje. Ishte valle e kënduar nga burrat dhe nga të rinjtë. Kërcehej dhe këndohej, kur nata e dasmës ishte në të shtyrë. Nusja dhe dhëndri futeshin në gjerdek (dhoma e natës së parë). Dasmorët i kishin lëshuar të gjitha frerët e haresë. Pija e kishte bërë punën e saj. Të rinjtë ngriheshin në valle me këngën e Manxhuresë dhe shtëpia dridhej, dyshemeja gati rrëzohej. Këndonin e kërcenin për gruan që lë shtëpinë e saj, shkon dhe në fund të botës për një burrë. Fshatare qoftë ajo apo mbretëreshë. Vallja shprehte triumf dhe shpoti bashkë: në ato çaste Manxhureja ishte “kaluar”. Gratë e reja që linin mendjen për të parë burrat e fortë dhe të pashëm tek kërcenin të çliruar e gjithë pasion këngën për një grua, shqyenin sytë mbas dyerve dhe mbas dritareve. Kënga ishte dhe një lavdërim për të zotin e dasmës, “të dha në oxhak të rëndë”. Shqiptarët në ditën e dasmës e quanin dhëndrin bej, i vishnin vetes tituj fisnikërie, bëheshin kalorësorë dhe mbretërorë. Pra, kënga i kënaqte të gjitha nivelet e të ftuarve.

Grupi i lebërve në dasmën e Mbretit 25 prill 1938
Grupi i lebërve në dasmën e Mbretit 25 prill 1938*

Një bindje që duhet provuar

Dëshminë që kjo këngë ishte për mbretëreshën Geraldinë, e kam dëgjuar herët. Ma kanë pëshpëritur më të moshuarit. Këtë ma kanë thënë dhe shumë miq nga Vlora. Në fshatin Dukat të Vlorës të japin të dhëna të hollësishme për njeriun që e krijoi. Mbetet detyrë e studiuesve që këto të dhëna të mos jenë pandehma, por të vërtetohen shkencërisht. Regjistrimin e këngës në variantin që e dhashë në krye, e kam nga Elham Sharra, ekonomist, kryetar i Bashkisë së Vlorës më 1993-1996, dhe Ibrahim Vasjari nga Tepelena, mësues letërsie, deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga 1992-1996. Ata i përmbahen mendimit që kjo është një këngë për mbretëreshën Geraldinë.
Edhe nëse nuk vërtetohet me saktësi, prapë në popull ka ekzistuar bindja se kjo këngë është për mbretëreshën Geraldinë. Sado me rrezik, edhe gjatë komunizmit nën zë është thënë dhe është pëshpëritur se asaj i kushtohej kënga.
.
*Foto e dasmorëve në dasmën e mbretit, mes të cilëve janë tre burra dukatas, njëri është Balil Nezha, e që është shumë pranë realitetit analiza e mësipërme e Sadik Bejko. Foto është sjellë nga Lirim Nezha, tipi i Balilit!
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.