back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Këndes nuku kam… të të nap një kuçkë?! nga Meri Lalaj

Gazeta

Krijimi i urisë - Fitorja më e madhe e Komunizmit
Krijimi i urisë – Fitorja më e madhe e Komunizmit

Meri e dashur,
kur e mbarova së lexuari shkrimin tënd,
vetiu më feksi në tru një lutje-mall, drejtuar nuk e di kujt…
Por nuk munda të mos e pëshpëritja:
“Ta jap krem karamelin tim, ta fal edhe tiramisunë;
a më jep një bukë misri?!”
P.s. Nuk është aspak nostalgji
për vitet të cilëve u referohesh ti. Jo!!
“Buka e misrit” – simbol i vlerave të vërteta.
Atyre që u qëndrojnë e u mbijetojnë të gjitha “tiramisuve”.
Të përqafoj, mikja ime!
Anissa Markarian

Pazari i Vjetër në Tiranë 1957 - (foto Wilfried Fiedler)
Pazari i Vjetër në Tiranë 1957 – (foto Wilfried Fiedler)

Këndes nuku kam… të të nap një kuçkë?!

nga Meri Lalaj

Ne, një poet i dëgjuar, një mjek me disa grada shkencore dhe me shumë libra të botuar, një ish-profesor universiteti, përkthyes i sa e sa librave dhe unë, ishim ulur tek një tryezë dhe ndonëse nuk e kishim marrë ende shtesën e pensionit prej 1.6 përqind, po pinim kafenë e mëngjesit nën hijen e drurëve në Parkun e Liqenit.
Për çudi po bisedonim për kohën e dikurshme, kur rrinim nëpër radha që pasmesnate deri në të aguar për të blerë shishen me qumësht apo për të marrë racionet e djathit dhe të gjalpit përkatësisht 500 gram djathë dhe 100 gram gjalpë…
-Kishim fëmijë të vegjël dhe duhej t’i ushqenim! – tha profesori – Nuk mund ta harroj se një herë, në prag të Vitit të Ri kam ndenjur tetë orë në radhë vetëm për të blerë bukë. Përfytyroni, vigjilja e Vitit të Ri dhe ne në shtëpi nuk kishte bukë…!
-Po ju rrëfej diçka – thashë unë – Isha disa ditë në Selanik, tek një mikja ime, vëllai i saj, Arjani ka qenë futbollist në qytetin tonë.
Ditën e 10 janarit 1990, kur u ngjita në tribunë bashkë me disa të tjerë në mitingun ku kërkonim “Liri-Demokraci”, nja tre djem aty poshtë në shesh më kërcënuan me thika duke bërë me shenja: “Do të ta presim kokën!”. Arjani për të na mbrojtur na shoqëroi për në shtëpi mua dhe time bijë. Asaj nate njerëz të panjohur më hidhnin gurë të vegjël tek qelqet e dritares dhe telefoni binte pa pushim duke më kërcënuar me lloj-lloj fjalësh. Një ndër ato ditë, kur u ktheva në shtëpi tek dera e banesës time gjeta të ngjitur me marmalatë fotografinë e Enver Hoxhës, ndërsa ditët e tjera gjeja poshtë derës copa letrash me shkrim të keq dhe me gabime ku shkruheshin vargje përçmuese e kërcënuese kundër personave që po ndryshonin sistemin politik në Shqipëri.
Dhe pikërisht u ndodha te Arjani, që tashmë prej njëzet vitesh jetonte emigrant në Selanik. Ndërsa ishim ulur tek një lokal përballë detit duke ngrënë akullore, po sillnim në mendje atë kohë kur buka e zezë u jepej qytetarëve me listë dhe fshatarëve nuk u jepej bukë gruri e u duhej të hanin vetëm bukë misri.

Një lypës në Tiranë (Wilfried Fiedler 1957)
Një lypës në Tiranë (Wilfried Fiedler 1957)

-E sjell në kujtesë fare mirë, sepse asokohe i jepja gjysmën e racionit tim një burrit nga fshati, fare i sfilitur nga varfëria dhe pothuajse i verbër.
Arjani po na tregonte: E mbani mend Xajën, atë trupmadhin që shpërndante me makinë bukën nëpër qytet. Një ditë i vete tek makina një djalë i vogël fshatar nja dymbëdhjetë vjeç dhe po i lutej:
-Më nep një bukë… Më nep një bukë… (e Xaja as denjonte t’i kthente përgjigje).
E ai vazhdonte me të tijën: -Më nep një bukë! Xaja asnjë përgjigje. -O shoko, po më nep një bukë të lutem. -Heshtje e Xajës vazhdonte. -O shoko, ja ku i kam lekët gati. -Xajes as  i shkonte në mendje të përgjigjej. Djali vazhdonte në lutje të pafund. Më së fundi Xaja pak si me djallëzi i thotë djalit të vogël: -Më jep një këndes, që të të jap një bukë… Djali i vogël u mendua një grimë herë dhe iu përgjigj: -Këndes nuku kam… të të nap një kuçkë…?!
Nuk besoja se Xaja ishte aq zemërgur. Ai gjeti çastin dhe ia dha bukën djalit dhe ai ashtu i uritur siç qe ia nguli dhëmbët kores së trashë bukës së grurit…
Asokohe nuk gjeje as pulë as këndes, madje nuk gjeje as glasa pule… dhe djali me mençuri kish dashur t’i jepte kuçkën që dikush t’ia ushqente.
Kushedi ku do të jetë vallë sot ai djalë? Përfytyroj, të jetë emigrant diku! Sigurisht është martuar, ka vënë ca bark dhe kanë filluar t’i bien flokët, e ndërsa është duke ngrënë drekë, i thotë gruas së vet: “Prap tiramisu sot për ëmbëlsirë?! Unë do të desha një kremkaramel!!”
Prandaj nuk duhet harruar, se gjëja e parë që bëmë kur u ndërrua sistemi politik ishte: Mbushëm barkun me bukë.
Tiranë, 4 gusht 2016
(Marrë nga muri i Fb i Meri Lalaj, 16 nëntor 2016)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.