back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Këmbëngulja për ta thënë të vërtetën Dine Dine

Gazeta

Dine Dine - Lushnje 2008
Dine Dine – Lushnje 2008

Këmbëngulja për ta thënë të vërtetën Dine Dine

Shënime për librin “Fabrikimi i Vdekjes” i Bedri Blloshmi

Së pari me autorin e librit “Fabrikimi i Vdekjes” u njohëm në Burgun e Spaçit, ku si ndërmjetës qe Muharrem Xhydollari. “Bedri Blloshmi” ma prezantoi shoku… po ngaqë kisha dëgjuar aq shumë për dramën e familjeve Blloshmi dhe Leka, pata një tronditje të madhe, dhe aty për aty, në kushtet e burgut s’pata guxim as t’i thoja dy fjalë ngushëlluese për vrasjet e Poetëve… Po burgu si burgu: ruajtëm njohjen, përshëndetjet, respektin, miqtë e përbashkët, dhe kur pas shumë vitesh, u takuam në Tiranë qe vërtet një kënaqsi e madhe, sepse të lirë s’e kishim njohur kurrë njëri tjetrin dhe as nji kafe të lirë s’e kishim pirë…
Aty Bedriu më foli me pasion për punën e tij këmbëngulëse që kish bërë, bile më dha ca kopje dosjesh që i rastisën me vete. Përsëri në qëndrimin tim ai pikasi një si ndjenjë dyshimi. Athere më futi krahun dhe më tha: Hajde në shtëpi, do t’i tregoj të gjitha: “Kohës për fshehtësi i ka ardhë fundi!” – ma tha me njëfarë sigurie, sikur desh t’ma davariste at mjegull që vërejti në sytë e mi…
Këto ditë duke lexuar librin, gjithë kohën meditoja për rrugët, mënyrat, përpjekjet dhe  sakrificat që i janë dashur të përshkoje këtij njeriu për të gjetur çelësin e hapjes së këtyre dosjeve, ku bëhet fjalë për dramën e dy familjeve dhe jo veç jetët e dy poetëve të pafajshme që iu mohua jeta me akuza fallso e mashtrime ordinere, dhe që e diskreditojnë atë sistem deri në atë masë sa s’i lenë rast për justifikime e mashtrime të mëtejme.
Dhe duke medituar rreth kësaj tragjedie të paprecedentë të krejt botës komuniste të Lindjes, përpiqesha të vlerësoja përpjekjet e pafundme të autorit për të zbuluar të vërtetën e mbyllur në “shtatë palë dryna”, dhe si papritur m’u kujtuan ca vargje (s’më kujtohet autori), por që i shkojnë aq për shtat Bedri Blloshmit dhe punës së tij vetmohuese për të mbrritur tek e vërteta:

Bedri Blloshmi në Burgun e Spaçit
Bedri Blloshmi

“Asgjë në botë s’mund te zëre vendin e këmbënguljes, talenti jo;
S’ka asgjë më të zakonshme se sa një njeri i pasuksesshëm me talent,
gjeniu jo;
“gjeni i pa vlerësuar” është pothuaj një proverb.
edhe edukata vetëm s’mundet.
bota është përplot me shkretanë të edukuar.
Vetëm këmbëngulja dhe vendosmëria janë të plotpushtetshme…”

Dine Dine, Bedri Blloshmi, Lirim Biçaku - Tiranë 2008
Dine Dine, Bedri Blloshmi, Lirim Biçaku – Tiranë 2008

Jo vetëm dhimbja, detyrimi moral, pengu për vëllanë dhe kushëririn që u zhdukën në lule të rinisë, pa e gëzuar as jetën, as familjen, duke lënë në mjerim nënat, gratë e fëmijët e parritur, duke u veshur me një tis të zi deri në frymën e fundit… Prandaj këmbëngulja për të zbuluar të vërtetën makabre, ishte akti i fundit që shpirtërat qiellorë të poetëve Blloshmi dhe Leka, ia kërkonin si obligim vëllait dhe njeriut të tyre.
Veç këmbëngulja edhe vendosmëria e bëri Bedri Blloshmin të plotfuqishëm, për t’ia arritur qëllimit final. Ndaj nuk gjej fjalë për të shprehur mirënjohjen ndaj autorit për guximin e treguar deri në fund, duke na e sjellë këtë vepër me fakte të pakontestueshme, gjë që askush deri sot s’ka arritur ta realizojë në kët mënyrë.
Libri edhe pse i shkruar thjesht, në të njejtën kohë është libër tronditës. Tronditëse janë përpjekjet e Sigurimit të Shtetit për ndrrimin e aktakuzës. Fakte s’ka… Veç për agjitacion e propagandë, nuk mund t’i dënojnë me vdekje. Me Gencin ka qenë diçka më e lehtë, me Vilson Blloshmin jo. Ndërsa Gencin, mbas torturash të tmerrshme arrijnë ta përkulin, duke përfituar nga njëfarë dobësie njerëzore që ka për nënën, gruan dhe  fëmijët; me Vilsonin u ka hasë sharra në gozhdë. Ai sillet tërë dinjitet dhe në të njejtën kohë është serioz, i prerë, i pamanipulueshëm.
Gencit, i premtojnë solemnisht se po ta pranojë akuzën “e rëndë” për sabotim ekonomik do të ketë shumë lehtësira, sepse: “Partia me një krah të hedh edhe me tjetrin të pret”. Vjen një çast kur lodhja psiqike, torturat fizike, njëfarë dobësie shpirtërore, apo shpresa e vakët se mund të shpëtohet jeta, e shtyjnë të bëjë lëshime, sigurisht pa qënë plotësisht i bindur, ka rënë në grackën e tyre të ndyrë. Me naivitet dhe pa asnji  keqdashje kërkon ta bindë edhe kushëririn e vet të bëjë të njejtën gjë… me besimin se është diçka pozitive, do t’ua bëjë dënimin ca më të lehtë, o së paku t’u shpëtohet jeta…
Jo! – thotë prerë Vilson Blloshmi, dhe i qëndron burrërisht deri në fund së vërtetës, duke refuzuar kategorikisht çdo kompromis me kopenë ujqërore të hetuesve…
Po Sigurimin e Shtetit s’e ndal  asgjë që t’u marrë jetën dy poetëve të pafajshëm… edhe pse fakte s’kanë asnjë. As vetë Bedriu, i akuzuar së bashku me ta, s’e pranon akuzën për sabotim ekonomik, po të paktën atij iu fal jeta, duke e dënuar me 25 vite burg, dhe duke e parë dritën e lirisë vetëm në fundmars të vitit 1991.

Ora e Vilson Blloshmit
Ora e Vilson Blloshmit

Ka mjaft personazhe të tjerë që lexuesi mund t’i takojë në libër, të cilët autori duke na paraqitur dështimin e tyre moral dhe intelektual, siç janë ata në interpretimet e tyre ndaj veprës së dy poetëve nga Bërzeshta. Aty jepet një pasqyrë e gjallë e anës të tyre më poshtëruese: roli i intelektualit “si armë e fuqishme e Partisë shtet”!! Diana Çuli, Koçi Petriti, Myzafer Xhaxhiu janë vetëm tre nga ajo armatë intelektualësh që me dëshmitë e tyre të ulta dhe interpretimet hipokrite e kriminale çuan në burgje dhe para togave të pushkatimit qindra intelektualë. Dhe paradoksi qëndron në faktin, se sot ata jo vetëm s’ndjejnë asnjë brejtje ndërgjegje, përkundrazi ndjehen krenarë se puna e tyre vlerësohet lart edhe prej demokracisë…
Ata sot i gjen ministra, deputetë, ambasadorë, shefa katedre… shpesh të rrethuar me elozhe e  dekorata paturpësie dhe cinizmi… gjë e cila s’ndodh me asnji demokraci tjetër të botës, veç asaj shqiptare. Prandaj, hapja e dosjeve mbetet një domosdoshmëri, prandaj zbulimi i të vërtetave kriminale të regjimit është diçka urgjente… sepse jo që s’do të sjellë pasoja, siç predikojnë ithtarët e Sigurimit, po e kundërta do të ndodhë, do ta çlirojë kombin nga një ngërç që s’po e lejon t’i bashkohet botës së qytetëruar… dhe së fundi do ta pastronte dhe do t’i qetsonte njëherë e përgjithmonë ndërgjegjen e tij të trazuar.
Këtij qëllimi kërkon t’i shërbejë edhe ky libër, që aq shumë i shëmbëllen një britme… ose një drite që shpërthen nga erresira. Ai ju drejtohet me fakte kokforta dhe me dokumente arkivash, si rrallë ndonjë libër tjetër… Prandaj ky libër tmerri u drejtohet gjithë njerëzve të ndershëm kudo që ndodhen ata, që të mos rreshtin së kërkuari të vërtetën.
Diku, në një shkrim të mëparshëm kam theksuar se: “Krimi duhet ndëshkuar, ndryshe brezat e rinj mund të marrin një mësim te gabuar dhe mund të mendojnë se veprimet e kriminale s’do të ndëshkohen kurrë… dhe krimet do të lëshojnë rrënjë si grëmi, apo si tumore malinj që metastazojnë krejt shoqërinë tonë.
Duket paradoksale, por në Gjermani, deri në vitin 1966, u dënuan 86.000 kriminelë, ndërsa tek ne, në vendin e tmerrit diktatorial numrohen me gishta… dhe dënohen për kafe… dhe me e keqja vazhdon deri sot… dhe për turpin tonë janë ata që na udhëheqin… duke na bërë moral për lirinë dhe demokracinë…

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Krimi duhet ndëshkuar, po duhet ndëshkuar nga ligji patjeter, po një gjë të tillë nuk mund ta bëjnë ata që janë të përlyer në të…
    Libri “Fabrikimi i Vdekjes”, një domsdoshmëri për të qënë në bibliotekë të gjithë atyre që janë vërtet shqiptarë.
    Dy vjet më parë për këtë libër është bërë një aktivitet shumë domethënës në Washington DC, ku asistonte dhe Autori, Aktivitet që mblodhi rreth vetes shumë pjesmarrës, ku asistonte dhe i përkushtuari i çështjes shqiptare ish Senatori Dioguardi. Ju përshëndes me respekt për publikim materialesh të tilla tejet të rëndësishme për vërtetsinë e kohës ferr që kaluam e që ende nuk po zhduket nga i mjeri, Atdheu ynë.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.