Katër Poezi nga poetja braziliane Hilda Hilst (1930-2004)

Poetja Hilda Hilst (1930-2004)

Poetja Hilda Hilst (1930-2004)

Katër Poezi

nga poetja braziliane Hilda Hilst (1930-2004)

sjellë në shqip nga Jozef Radi

Për çka mund t’ju shërbejë

Për çka mund t’ju shërbejë shpirti im
në shtratin tand?
I thashë do fjalë t’langshme, t’përzgjedhuna, t’ashpra
t’pahijëshme, pse njashtu i meritonte.
Po s’u shti aspak se i pëlqente kënaqsia e epshit
As mendjen e vrau se shpirti diku tjetër asht n’kërkim
të Tjetrit shpirt. Dhe ja përsëritame t’madhe: Pse duhet
me e dëshirue shpirtin tim në shtratin tand?
Gëzoju ndër kujtime njasaj që ndodhi dhe queje sukses.
Përndryshe synomë apet. Detyromë!

Sa herë m’shkon mendja për ty

Sa herë m’shkon mendja n’ty m’vjen nji zhgënjim.
Po i njejti zhgënjim
si i njasaj pelës që n’ujna e mendon se gjerb hanë.
E prej mendimit kridhet ndër ato ujna
E beson se njashtu e lidhun shkëlqen
me shkëlqimin njiqind hanave n’shpinë t’nji kalë të zi.
Prej andrrave, s’më vjen asgja.
Por n’vetvedi mendoj arin dhe botën.
prej dashnisë, jam përplot me t’përpjeta dhe humnera
besoj se kam mish të mjaftë me u vërdallë
përreth mungesës tande. Prej të qenit e paprekun
te prekja që lshoj ndër tjerë
besoj se kam duer, besoj se kam buzë
kur kam veç thundra dhe turinj
Prej dëshirës s’madhe për naltësi e përjetësi
më shfaqet fantazia se Ekzistoj dhe Jam
Kur në t’vërtet s’jam asgja, veç nji pelë fantazmagorike
që gjerb hanën ndër ujna.

Hilda Hilst

Hilda Hilst

Kjo dashni as më verbon, e as mbas më ndjek

Kjo dashni as më verbon, e as mbas më ndjek
e as për vetvedin s’i shkon mendja hiç.
As më përjashton prej të qenit e ndjekun
mundimesh
o veç me dijtë për të n’se asht n’jetë a jo.
Që vështrimi t’mos i tretet ndër tulipanë
pse janë forma tejet t’përsosuna bukurie
t’ardhun nga madhështi e errësinës
ndaj Zoti im banon n’përndezjen e zymtisë
si nji mbështetse shermasheku ndër mure t’nalta

Kjo dashni më ban veç të pakënaqun
e të lodhun mundimesh. E prej brishtësive të shumta
unë ndjehem voglushe. Carroke dhe e ambël
njashtu si veç merimangat e milingonat janë.
Kjo dashni qe m’kqyr veç n’se jam nisë…

***

Asht krejt i natyrshëm, zani i venitun, ndër të dashunuem.
E kur ti zgjoheni, n’veshin tand ndejn veç nji mërmërimë
Duamë fort. Dikush mbrenda meje ka me thanë: Jo s’asht koha, zonjë,
Mblidhi lulkuqet dhe narcizat tij. A s’e sheh
se mbi mure të vdekunish fyti i botës
vërtitet n’errësinë?
Jo, s’asht koha, zonjë. Zog, mulli dhe erë
në nji vorbull hijesh. A mundet kush me i këndue dashnisë
kur gjithçka bahet natë? E para ankohet
kjo pëlhurë e mëndafshtë e endun prej fytit.
Duamë fort. Zhdukem dhe lutem. Të dashunuemit
kanë kërkesa e marramendje t’ligjshme. Ndaj uria ime asht aq e madhe,
aq e dendun kanga ime e aq e përflakun pëlhura ime
sa mbarë bota, e dashtun, ka me këndue s’bashku me mua.

*
Cila gojë duhet me e mbllaçitë kohën? Cila fytyrë
ka me mbrritë mbas times? Sa herë
tylit të frymës sime i duhet me u ndalë
mbi bardhësinë drithnuese të shpinës?
Kem me i kalue së bashku spërdredhset e mëdha
Arteriet e heshtjes së shtrime, dhe boshllëku
ka me marrë t’përpjetën e kohës?
Sa herë ke me m’thanë: o jetë, o Venus, o magmë-detare
sa herë kam me t’thanë, je i imi. Edhe vetë mbasditet,
hanat mëdha, netët që japin shpirt
pa mujtë as me i prekë. Sa herë, i dashtun
Nji shpat i ri mali ka me u dashtë me lindë në ty
e sa herë mbrenda meje ka me iu dashtë me vdekë.

Vyshket. Balli. Krahu. Shpatulla.
Magjia ma e thellë e shpatullës.
gja krejt e pavlerë balli juaj dhe unë
pjekuni, e mungueme në veshjet e tua
të zbardhuna…
Eh, e ndërsa ti ecje
N’kreni të ndritshme, unë tashma jam e shkuemja
Kjo përballje që jam unë vetë, përplot
me dasma dhe shtigje
Kaq e ndryshme prej përballjes tande të braktisun.
Vyshket. Edhe n’nji çast të vetëm gjallnie
e mandej shkoj i vdekun. Midis tokës dhe ujnave
ekzistenca ime amfibe. Ti shëtit
mbi mua, e dashtun, dhe mblidh çka mbetet prej meje.
Luledielle muzgu. Gjethe sekretesh.

(shtator 2015)

Hilda Hilst (1930-2004)

Hilda Hilst (1930-2004)

Hilda Hilst – Markezi Dë Sadë i Brazilit

Përgatiti Suadela Balliu

Hilda de Almeida Prado Hilst (21 Prill 1930 – 4 Shkurt 2004), e njohur si Hilda Hilst, ishte një poete, skenariste dhe romanciere braziliane, trilli dhe poezia e së cilës shpesh ka tërhequr tema të intimitetit delikat, njëherazi duke adresuar çështjen e marrëzisë  e duke përfshirë ngjarje të mbinatyrshme. Disa nga veprat e saj të fundit përfshijnë elemente të realizmit magjik.
Hilda Hilst shkroi për mëse 50 vjet dhe koleksionoi  çmimet më të rëndësishme letrare të Brazilit. Puna e saj vijoi në faza të ndryshme: e nisi si poete, duke botuar “Parandjenja” (Presságio) më 1950-ën; më 1967-ën nisi të botojë dhe të vërë në skenë pjesë dramatike;  dhe kaloi në prozë më 1970-ën, me tekstin e saj eksperimental “Fluxo-Floema.” Gjatë karrierës, duke nisur nga  1958, me Adoniron Barbosa, muzikantët kanë përzgjedhur poezi të saj për t’i kthyer në këngë. Më 1962, ajo fitoi çmimin “Prêmio PEN Clube of São Paulo”, për “Shtatë këngët e Poetit për Engjëllin” (Sete Cantos do Poeta para o Anjo). Më 1969, drama “Xhelati” (O Verdugo) fitoi çmimin “Prêmio Anchieta”, një nga më të rëndësishmit në vend për kohën. Shoqata braziliane e kritikëve të artit e vlerësuan “Trillimet” (Ficções)  si librin më të mirë të vitit. Më 1981, Hilda Hilst fitoi Çmimin e Madh të Kritikës (Grande Prêmio da Crítica) për “Bashkësia e Veprës” (Conjunto da Obra), po nga Shoqata braziliane e Kritikëve të Artit. Më 1984, Dhoma Braziliane e Librit (Câmara Brasileira do Livro) i akordoi çmimin “Jabuti” për “Këngë të humbjes dhe parapëlqimit” (Cantares de Perda e Predileção) dhe në të njëjtin vit i njëjti libër pretendoi çmimin “Prêmio Cassiano Ricardo” nga klubi i Poezisë së Sao Paolos. “Rútilo Nada”, “Shkëlqim asgjëje” i botuar më 1993 , mori çmimin “Jabuti” për tregimin e shkurtër më të mirë dhe në fund, më 9 gusht 2002, ajo u vlerësua në edicionin e 47-të të Çmimit “Prêmio Moinho Santista” në kategorinë e poezisë.
Nga viti 1982 deri më 1995, Hilda mori pjesë në Programin e Artistit në Rezidencë në Universitetin Shtetëror të Campinas-UNICAMP. Prej vitit 1995, dosjet e saj personale gjenden në këtë universitet dhe janë të disponueshme për kërkim e studim  në të gjithë botën.
Në disa prej shkrimeve të saj, Hilst trajtoi çështje të debatueshme politike dhe sociale, si sjelljet e turpshme, homoseksualiteti dhe incesti. Tetralogjia që përfshin “Ditari rozë i Lori Lamby-t dhe Rrëfime qesëndisje”. Tekste groteske (1990), Letra nga një joshës (1991) dhe Bufólicas (1992), përfshin material haptazi pornografik, për të mos thënë pornografi në vetvete. Ajo ka eksploruar edhe çështje teologjike në veprën e saj.
Në vdekjen e saj më 2004, Shkrimtarja braziliane kishte marrë një numër të madh të çmimeve më të rëndësishme letrare të vendit të saj, Brazilit, dhe kishte botuar më shumë se 12 libra me poezi, dramë dhe fiction. Ajo çka brazilianët menduan menjëherë lidhur me emrin e saj, sidoqoftë ishte fama që buroi nga ajo çka kritikët e etiketuan tetralogjia pornografike e Hilst-it gjatë viteve 1990-1992 me romanin “Letra nga një joshës”, i cili u konsiderua si kryevepra nga  të katërta.
Megjithatë akuzat për pornografi, të cilat Hilst nuk i mohoi, pak i qasen talentit të saj të thellë dhe shpirtit artistik në tërheqjen e një mënyre  që mund të shfaqet armiqësore ndaj artit. Te “Letra nga një joshës” Hilst angazhon ligjërata të shumëfishta, stile, forma dhe regjistra, duke përfshirë ato të një tradite epistolare libertine, duke evokuar vepra nga  Pierre Choderlos de Laclos apo Merkezi Dë Sadë si edhe pararendës modernistë dhe modele të fundit të shekullit XX, për të krijuar një tekst polifonik postmodern që kapërcen kufijtë e romanit tradicional realist.

(Suadela Balliu – Poeteka 2015)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Kafe letrare, Përkthime  Etiketat: , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook