back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Katër Poezi dhe shumë humor nga Meti Fidani

Gazeta

Meti Fidani
Meti Fidani

Katër Poezi dhe shumë humor

nga Meti Fidani

Qepa Bozhgradare

Dikur dë Miras zbrita
që ngaj Nikolica
mbledhur qepët arash
kapica-kapica

Të gjeta dë bashtët
qep’ thurnje kurorë
të kish hipur nuri…
qëndisur me dorë

Selvi kishe shtatin
dhe belin e hollë
qepk’e Bozhigradit
që hahesh si mollë

Shkarazi më puthe
me buzën e vakët
nuk na pan’ Zeranët
s’na pan’ Kollçinakët

Nuk na pa, as goçja
s’na pa, as nëneja
dielli u turpërua
u fsheh, e zu reja

U përkund Devolli
u drodh dë shelgjishtat
në gërshetën tënde
kur m’u pleksën gishtat

Kordhelka e kuqkë
dë dorët me mbeti
leshkat t’u shpalosnë
t’u zhdërdhit gërsheti

Vargje me qepe
Vargje me qepe

çupkë bozhgradare
mos më rri mërzitur
t’i lidh un’ gërshetë
flokt’e shkalafitur

Qepk’e Bozhigradit
balli i mezesë
ta thur un’ gërshetin
më mir’ pe nënesë

Nëpër tufa flokësh
xheç më humbi dora
shih, moj devolleshkë
se ç’gërshet të nxora

Mban mend ç’moshë kishmë
rrotull, të njëzetat
qepët, lam’ pa thurrur
dhe thurmë gërshetat…

Meti majë qershisë
Meti majë qershisë

E gjeç nga baxhanaku

Fermer kam baxhanakun, i thënçin fermer
kur vilen qershitë, argat mua më merr
të dy mosh’e tretë, ai ca m’i vjetër
por unë nëpër pemë, hip e zbres si ketër

Mbushim arka, shporta, oh sa ka lezet
unë ja marr këngës, baxhua ma pret
por, “krak” krisi dega, s’di se ku u mbajta
u vara kokposhtë, për pak rash’e vajta

Shyqyr që shpëtova, se më ngriu gjaku
por në ditë të ligë, njihet baxhanaku
s’pyeti mos u vrava, shpejt e ndezi sherrin
çuditmë Dvoranin, si Tomi me Xherrin

Zë e vjen vërdallë, çapitet si foka
-Pse ma theve degën, mor’ tu theftë koka!
I del shkumb’ pe goje, e i dridhet dora
-E kam fajin unë, që argat të mora

Gjysmat e qershive, në tok’ po m’i hedh
ke që në mëngjes, më shum’ ha se mbledh
dhe degën ma theve, mblodhe fare pak
s’gjeta një të ri, merrem me ty plak

-Kujt i thua plak, turi tullumbace
në maj të qershisë, shih ngjitem si mace
t’i mbusha tri arka, mor’ katran me bojë
dhe m’u tha dermani, s’futa një në gojë

Ja q’u thye dega, s’desha un’ qyqari
po ty mendja gur, kokë kamenicari
ç’ke që po mallkon, turp si nuk të vjen
një argat si Metin, në Dvoran s’e gjen

Shih si kacavirem, kot ma plase xhanin
për një deg’ qershije, çudite Dvoranin
N’do argat më t’mirë, se Meti Fidanin..
nisu për në xhungël, shko e gjej Tarzanin…

Made in... Meti
Made in… Meti

De Shpella Ormanit

Që dë kohë të Zamanit
i thoshnë, “Shpell’e Ormanit
ne fëmijët, kishmë fat
shpella, më e mir’ dë fshat

Kishim gjetur plazh po plazh
fare çveshur, gollogash
për majo, as bëhej fjalë…
ndaj të dalë ku të dalë

Lakuriq, të tërë djemka
nxjerr’ bilbilkat, si kalemka
Po ç’të bënim, ish behar
e na digjte dielli zjarr

dhe kërcenim drejt dë shpellë
kush ndë anët, kush më thellë
zhytu njëri, zhytu tjetri
kush si peshku, kush si ketri

Llokoçitnim këmb’e duar
e këlthitnim të gëzuar
u lëshonim, merrnim dhenë
të shullërçim, lart mbi stenë
s’deshmë çadra, s’deshmë rërë
ishte tona, sten’e tërë

Kur u rritmë u bëmë pleq
u përhapmë, mos më keq
në gjith botën u shpërndamë
pamë dete, plazhe pamë
por, ç’do themi, n’sahat t’xhanit…
“S’ka si Shpella e Ormanit”

Avioni i Divjakës
Avioni i Divjakës

Në Divjakë, ra një mushkonjë

N’Rinas, një mushkonj’ u ngrit
bëëzzz e bëzzz, si një shejtan
lart u enjt, u fry, u rrit
dhe na doli aeroplan…

Një mushkonjë u ngjall lugat
bëzz e bëzzz, e bisss e bisss
ju lodh krahu, s’kish takat
dhe dë rërët u qorrollis

Ju thyen brinjët nga pesha
ra të çlodhej në Divjakë
rendni, rendni, bre sylesha
po rënkon mushkonja plakë

rënkonte mushkonj’e vjetër
ngarkoj shum’, mbeti sakat
kishte frik’ se herën tjetër
s’gjente mall, në Lazarat

U bë film, u bë përrallë
veç një zot di të vërtetën
mushkonjën, e zunë të gjallë
pse jo… mish të ngordhur, gjetën

Kaq e pat, dhe kjo mushkonja
mburren, mburren me potere:
Qeveria jonë e zonja
e zë lepurin me qerre

Jo mor jo, sa të jet’ bota
nuk e kapnit, kurrën e kurrës
fat i keq ju shqye rrota
se do zinit lesht’e Currës

Lum si ne, lumi na marrtë
lum për shtet, për qeveri
do na ndrrojn’ emrin në hartë
në Europë, një Kolumbi…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.