back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

“Katër familje në një dhomë, kur flenë s’shtrijnë dot as këmbët…” Një dokument… dhe një e vërtetë…!

Gazeta

Baraka sot... ku dikur përkthehej "Orlando i çmendun"
Barakat e Savres sot (foto e Jozef Radit)

Një dokument… dhe një e vërtetë…!

Historia e Evgjen Merlikës me Lazër Radin në Gradishtë

Ndërsa po e lexoja një dokument të Ministrisë së Brendëshme të vitit 1959, ajo çka më bëri të ndalem ishte fakti që u brenda asaj shkresë 60 vjeçare… u ndjeva edhe unë… Pjesë e ndonjë numri, pjesë e ndonjë dhune që mbetej nëpër shkresa, pjesë e akteve të shumta çnjerëzore që shteti i krimit i lëshonte me lehtësinë e krehjes së flokëve…
Sigurisht kam qenë i mitur dhe asgjë s’mbaj mend, ndajkjo që shkruaj s’është kujtesë e imja po kujtesë e të tjerëve…
Historia që rrëfej është një bisedë që kam bërë vite më parë ndërsa bisedoja me Evgjen Mërlikën… Ai m’i rrëfeu me shumë humor të vërtetën e asaj kohe, që janë rreth 60 vite të shkuara…
Ishte fundi i viti 1958, ose fillim i vitit 1959. (kohë kur unë kam qenë në kufijtë e të qenit më pak se dy vjeç) Mbyllja fillimisht e Kampit të tmerrit në Tepelenë, atij të Porto Palermos e më pas edhe Kampit të 100 intelektualëve në Kuç të Kurveshit, bëri që i gjithë kontingjenti i të internuarve nga i gjithë vendi, të shpërndahesh në kampet e shumta të punës të krijuar enkas në gjithë Myzeqenë për shfrytëzimin dhe kontrollimin e tyre. Vetëm në rrethin e Lushnjes ishin ngritur rreth 12 të tillë.
“Na kishin caktuar në një dhomë tri familje! – e nisi rrëfimin e tij Eugjen Mërlika, i cili n’atë kohë ishte rreth 18 vjeçar” – Ishte familja ime, me mamën Elenë dhe axhën Fatos, ishte familja e Lazrit me të shoqen Vitkën dhe ty të vogël, ashtu i dobët e me kaçurrela, dhe familja e Kristo Buzit nga Saranda me gruan Vasilikën dhe një fëmijë më të vogël se ti, që s’më kujtohet emri… Na duhej të jetonim tri familje në 15 metra katrorë!! E ndamë dhomën me perde çarçafesh e batanijesh dhe shtynim ditët duke punuar në bujqësi…
Një mbramje ndërsa ti po qaje, mama ime Elena, si për ta ngushëlluar Lazrin mbasi ishte 44 vjeç dhe të kishte fëmijën e parë i thotë: “Eh mor Lazër, sa mirë që ju ka ardhë ky fëmijë, se në pleqni ka më ju mbajtë…
Lazri qeshi dhe me atë humorin e tij gati ia ktheu!Po zonja Elenë, n’at krah rri, se kanë më na mbajtë… Thuej ishalla, s’po na e hanë edhe pensionin…!”
Qeshëm të tria familjet që fati i keq na kishte mbledhë nji dhomë katër me katër, të ndamë me perde ku luhej drama jonë…
Ashtu si në rreshtat e kësaj shkrese ogurzezë…
jozef radi, shtator 2019
.
Lazer, Vitore dhe Jozef Radi - Kampi i çermes 1959
Lazer, Vitore dhe Jozef Radi – Kampi i çermes 1959

“Katër familje n’një dhomë, kur flenë s’shtrijnë dot as këmbët”

Të internuarit në Lushnje nga dokumentat

Dokumenti i Ministrisë së Brendshme i vitit 1959, ku jepen detaje të hollësishme se si jetonin të internuarit e vendosur me dhunë në Lushnje, ku në një dhomë të vogël, detyroheshin të jetonin deri në katër familje…
Një relacion i Ministrisë së Brendshme i gushtit 1959, zbulon gjendjen e rëndë, ku detyroheshin të jetonin të internuarit pasi i vendosën nëpër fshatrat e Lushnjes. Relacioni i përgatitur për Këshillin e Ministrave, nënvizon se në atë kohë, ishin mbi 725 të internuar nga familjet e të arratisurve të famshëm, (cilësuar në dokument “Familjet e Peshkaqenëve”) si e Hasan Dostit, Preng Previzit, Gjon Markagjonit, Abaz Ermenjit, Muharrem Bajraktarit, Mehdi Frashërit, etj, të cilët bashkë me shumë familje të tjera të internuara, jetonin në kushte mizerje të strehuar nga 2, 3 apo 4 familje në një dhomë të vogël, saqë kur flinin, nuk shtrinin dot as këmbët. Ngaqë nuk kishin ku të strehoheshin të rinjtë 20-30 vjeç, të cilët kishin shkuar fëmijë në internim dhe ishin rritur kampeve, nuk guxonin të martoheshin e të krijonin familjet e tyre.
.
Savër - Baraka e Hane Sinës
Savër – Baraka e internimit (foto e Jozef Radit)
Ndër të tjera, në dokumentin e vitit 1959, shkruhet: “…në rrethin tonë, gjenden 478 persona të internuar që janë me vendime të rregullta, të ardhur më së shumti nga rrethet kufitare e tjera. Veç të tjerëve, ndodhen dhe Familjet e Peshkaqenve, si të Hasan Dostit, Preng Previzit, Gjon Marka Gjonit, Abaz Ermenjit, Muharrem Bajraktarit, Mehdi Frashërit e tjera. Pjesa e madhe e këtyre kanë dhe familje, si gra e fëmijë me vete që arrin një shumë më tepër se 725 vetë. Gjendja ekonomike e tyre në përgjithësi nuk paraqitet keq pse jo vetëm se punojnë si në Fermë, në ndërmarrjen ndërtim dhe në kantierin e Tërbufit, por ka familje nga të internuarit që u vijnë pako me plaçka të ndryshme dhe para dollar, të cilat jua dërgojnë të arratisurit që kanë jashtë. Shpërndarja e tyre është në qytetin e Lushnjes dhe Ferma “29 Nëndori” si në sektorin Plug-Savër-Gjazë, Rrapëz-Gradisht-Çermë dhe Thanë, pothuaj se të shpërndarë në gjithë rrethin tonë.
Konditat e strehimit të tyre nuk janë të mira, beqarët i kemi vënë në gazerma (depot), gratë dhe vajzat pa burra banojnë në gazerma(depo) të veçanta, familjarët i kemi vënë nëpër dhoma por kemi dhe familje që banojnë 2-3 dhe 4 familje në nji dhomë të vogël dhe janë kaq shtrënguar sa nuk kanë ku shtrijnë edhe këmbët kur shtrihen për të fjetur.
Në përgjithësi në kamp ku banojmë të internuarit, kemi vënë një regjim që të ketë pastërti me qëllim që të ruajmë shëndetin e tyre, por prapë kemi dyshime se nga vendi i ngushtë që janë dhe gra burra dhe çiliminjë në dhoma të vogla ka rrezik të hapen sëmundje dhe nonji epidemi… Nga nevoja e madhe për vendstrehim i kemi marrë fermës edhe çerdhen e fëmijëve, hangarët dhe depo, ku kemi future të internuar.
Ka disa familje që kur janë internuar djemtë dhe vajzat e tyre kanë qenë të vegjël 8 deri 10 vjeç, ndërsa sot ata janë rritur nga 20-30 vjeç dhe kanë nevojën e martesës, por për mungesë vendi (dhome) nuk janë martuar, ose ata që janë martuar banojnë në një dhomë me gjithë pjestarët e familjes së tij dhe me familjarë të tjerë. Ka shumë kërkesa që të internuar që janë vetë dhe familjet i kanë lënë në vendlindjen e tyre, ose që janë beqarw duan të sjellin familjet ose të martohen, porse për mungesë vendi nuk bajnë një veprim të tillë.
Sjellja e familjeve dhe martesa e beqarëve neve na intereson se stabilizohen me familjet e tyre dhe heqin tendencën për tu arratisur jashtë shtetit”.
Marre nga Kujto.al
.
Dokumenti i Ministrisë së Brendshme i vitit 1959,
Dokumenti i Ministrisë së Brendshme i vitit 1959,
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.