back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Kasnecët e vdekjes së kombit… nga Fahri Xharra

Gazeta

Herodoti - Relief ne Louvre
Herodoti – Relief ne Louvre

Kasnecët e vdekjes së kombit…

(ose Pse Serbia po tallet me ne?) nga Fahri Xharra

Herodoti nuk e dinte se emrat e heronjve Homerikë dilnin qartë në Pellazgjisht, ashtu si dhe studiuesit tanë Amerikanë, që ende nuk janë të ndërgjegjshëm se ato ruhen pastër në shqipen e sotme”. Libri “The Shkypetars”, faqa 13 (George Fred Williams, US President)

Mit'hat Frasheri i ri (1880-1949)
Mit’hat Frasheri i ri (1880-1949)

“E urrejtur qoftë për jetë ajo administratë, e mallkuarë qoftë ajo orë që solli këmbën e Asiatikut në Shqipëri, që na bëri të rrimë pesë shekuj më pas nga shokët. Pesë shekuj shkuan mbi neve si një hije e zezë, një gur i rëndë mbi mëndjen dhe vetëdijën tonë, një kohë errësire që ment ndryshoi në ç’do ndjenjë njerëzije, ç’do cilësi njeriu të ndershëm.” – thoshte dikur Mit-hat Frashëri.

Faik Konica (1875-1942)
Faik Konica (1875-1942)

“Rreziku më i madh i Turqisë, – thoshte parlamenti i xhonturqëve – nga gjitha kombet që jetojnë në perandorinë tonë janë shqiptarët; është frikë e madhe nga ky të mos zgjohet nga gjumi i rëndë, të mos mëkëmbët, të mos marrë diturinë në gjuhën e vet sepse atëherë e mori lumi Turqinë’’. Rreziku më i madh i trekëndëshit antishqipëtar (Beograd-Athinë-Ankara) vazhdon ende të jetë arsimimi i shqiptarëve.
Mendja e robëruar është pasojë e shpirtit dhe e trupit të robëruar. Robëria i njef njëmijë mënyra me të cilat e skllavëron mendjen e të robëruarit; dhe mendja si e tillë përkundër lirimit të saj fizik mbetet prap në kthetrat e lartmadhërisë së saj – ish robërisë. Vetëm të verbrit nuk mund t’i shohin pasojat e lirimit nga robëria dhe marrja në duar të veta të fatit të tyre nga njerëzit e robëruar dhe formimin e një shoqërie të dalë rishtas nga robëria.
Sot, ndër shqiptarë Perëndimi dhe jeta Perëndimore është çështja e arratisjes përfundimtare nga Lindja dhe çeshtje e ngjitjes në varganin e botës së përparuar në atë botë që quhet Perëndim.
Kush jemi dhe çka duam? A flasim atë që e mendojmë, apo e mendojmë atë që po na turpëron? Turpi në kuptimin, që unë po mendoj nuk është i turpshëm për “jazexhitë” tonë, se ata po na e sigurojnë vendin në parajsë. Neve si shqiptarë që jemi, na duhet vetë të jemi të devotshëm dhe se biletat e botës së amshuar i kemi të siguruara. Por, kjo që po ndodhë me ne, a është turp ndaj miqve tanë? A është turp ndaj ardhmërisë sonë të pa sigurt?
Çka duhet të veprojë mbi ne që të na bënë të qartë, se nuk jemi në udhë të drejtë? Çka duhet të ndizet mbi ne që të na kthjellon, që të na jep pak dritë për të kuptuar se jemi në rrugën e mashtrimit? Humnerës gjithëkombëtare të përgatitur nga “miqtë” tanë shekullorë, veç që nuk iu është prerë shiriti.
Po kush do t’a presë shiritin?
Enterococcus faecalis është një bakterje gram-pozitive, e pa lëvizëshme dhe e rrumbullakët . Kërkoj falje nga mjekët që po iu ndërhyj në shkencën e tyre, por kjo m’u duk mënyra më e mirë të spjegoj dhe të godas një infektim shoqëror, nga një bakterje e njohur. Enterococcus faecalis, shkurt “koki”, mund të gjendet i vetëm apo në çift që më së shpeshti haset në zorrën e trashë të njeriut. “Koki” mund të krijojë infektime të cilat mund të jenë kërcënuese edhe për jetën.
Si mund ta përshkruash qëndrimin mohues, nihilist i disa individëve nga disa rangje të shoqërisë shqiptare përpos se një infektim nga një Koki, nga një “jazegji”?
“Simptomat e Enterococcusve, janë ethet, infektimet e kanaleve të urinës, gjer të infektimet me plagë të hapura… Simptomat e tjera janë edhe ulja e shtypjes së gjakut, rritja e rruzave të bardhe në gjak, frymëmarrja e shpeshtuar dhe konfuzioni mendor” Çfarë bashkërastësie me gjendjen e shoqërisë sonë mbarëkombëtare!?
Nëse dikush e kërkon ndërrimin e historisë, a nuk shkatkohet konfuzion në mendjet tona? Nëse dikush e mohon prejardhjen shqiptare të Skënderbeut dhe Nënës Tereze, a nuk të shkakton, ky mohim, një shpeshtim të frymëmarrjes? Shpeshtim i cili nuk të lë ngihesh frymë? Kur Kadareja, Fishta, Pjetër Bogdani mohohen si të tillë, dashtë e padashtë të rritet numri rruzave të bardha të gjakut, shenjë kjo që një infektim i rëndë është futur në trup. Kjo është leucemia e kombit.

Nanë Tereza (1910-1997)
Nanë Tereza (1910-1997)

Kur ulet shtypja (presioni) e gjakut, njeriu rrezikon të mbetet pa jetë, dhe mohimi i vetvetes nga “jazexhitë” tonë, e që nuk janë të pakët në numër, po na ndjellin kob; po na e rrezikojnë jetën e kombit dhe njohjes ndërkombëtare të tij.
 Të gjithë po i shofim fantazmat fetare të nxitura nga jashtë që në çdo moment e presin “kohën e tyre”, të gjithë jemi të vetëdijshëm se një cunami është duke u përgatitur. Cunami nuk kalon lehtë e pa pasoja. Cunami është një dridhje toke e përzier me valë të mëdha e të larta deti, të cilat shkatërrojnë çdo gjë që hasin para vetit. S’di se po i flas disa gjëra të cilat të gjithë i dijmë? Por Konica thoshte se pendimi i vonuar është i kotë. Pendimi i vonuar të jepë vetëm mundësi të pendohesh, asgjë më tepër.
“Jazexhitë” e përdorin logjikën e kundërshtimit dhe e mohimit të së vërtetës pa prova, pa fakte, pa realitet, e përdorin alibinë e paracaktuar e qëndrimeve nihiliste të skajshme të veta për të çuar mendjen e të gjithëve në anarki.
Kurse, për të realizuar qëllimet e tyre të errëta, të pabindshme dhe të paarsyeshme, me shkrimet e tyre “jazexhitë krijojnë kushte për krijimin e anarkisë morale dhe që është mjeti i vetëm që e kanë njerëzit të cilëve u mungon logjika në kohë të caktuar.
Sipas koncepteve të njohura gjithmonë, në themel të bashkëveprimeve të shumëfishta në shoqëri qëndrojnë interesat. Interesat mund të jenë politike, të fuqisë në pushtet, ekonomike, morale e shpirtërore e, në rastin konkret tonin, më shumë se kurrë interesat gjithëkombëtare. Në rastin e ”jazexhive”, normat morale përjashtohen nga rregullat e përgjithshme, duke vepruar me metodologjinë nihiliste të të menduarit dhe me metodologjinë absurdiste të të vepruarit..
Të nihilosh margaritarët e kombit, Kadarenë, Nënën Tereze, Gjergj Fishtën, Skënderbeun, Pjetër Bogdanin, të nihilosh çdo gjë të mbarë të këtij populli, nuk mund të quhet ndryshe vetëm se një idiotizëm i paramenduar me qëllime afatgjate antikombëtare të “jazexhive” dhe tutorëve të tyre me plane afatgjata.
“Perandoritë e mëdha gjatë qëndrimit të tyre e plogështojnë dhe e shkatërrojnë fuqinë e vendasve që ata i kanë pushtuar… dhe kur ata dështojnë gjithçka shkon në shkatërrim dhe vendësit kthehen në pre të vetvetes” (Bacon). Dhe me këtë pak a shumë spjegohet qendrueshmeria e skajshme në “dokrrat” e “jazexhive”.

Nyjet historike shqiptare (Pashtriku)
Nyjet historike shqiptare (Pashtriku)

Sa herë na duhet koha – ajo na mungon. Sa herë na duhet guximi – ai nuk shfaqet. Sa herë i duhemi kombit – ne flejmë. Pse na përsëriten kohrat? A kemi nevojë për këtë përsëritje, apo është provokim i natyrës që na bëhet çdo 100 vjet? A po, mos e zbërthejmë vetveten deri në atë masë sa të tjerët e kanë lehtë të ndukin copat tona? Shikoni, në vend se fjalët e Konicës e shkrimet e tij të na mbesin një kujtim i bukur për zgjuarsinë shqiptare, ne duhet përsëri të përsërisim vetveten duke i përsëritur të njejtat gabime.
Duhej, ndjekur pra nga afër realiteti konkret, me këmbë në tokë, hap pas hapi, i duhej bërë thirrje nga zemra Shqiptarëve përpara rreziqeve që po na kanosen nga fanatizmat fetare të nxitur egërsisht nga jashtë për qëllime të mbrapshta, deri në zhdukje të identitet kombëtar.
“E thëna e së vërtetës nuk sjell ndonjë fitim; po ka një ëmbëlsi më vete, sepse të qetohet vetëdija kur fole ç’duhej të flisje. Unë e di fort mirë, ma kanë thënë edhe miq qindra herë që do t’ju pëlqeja shumë më tepër sikur të ju veja pas “qejfit”, sikur të flisja ashtu si jini të mësuar të dëgjoni prej të tjerësh. Po natyra ime është ndryshe. Dhe, i shtyrë prej kësaj natyre, dëshiroj sot t’ju shkund nga gjumi, t’ju them ca të vërteta t’ashpra, por të ftohta dhe të matura, dhe t’ju bëj armiqt’e mi, sa-do-që nuk më njihni: po të tillë armiq, që në ca vjet, në pak vjet, të thoni: “Ah, ç’na këshillonte mirë! Ah sa të dreqtë[drejtë] kish! Ah sikur t’ia kishim vënë veshin! “Po pendimi i vonuar nuk sjellë dobi!” – thoshte atëherë Konica.
E njejta gjë na duhet edhe sot. Të rrish urtë, të mos flasësh, të mos kritikosh, dhe t’i numërosh ditët deri në varësinë e plotë të dreqit të mallkuar, kur nuk do njihemi më ndërveti, nuk do të flasim më për atë që e duam.
“Shikoni Vranjën dhe Leskovacin – thoshte Konica, – kur i mori Serbia këto vise, i përmblodhi të gjithë muhamedanët dhe i dëboj, duke ua mbajtur tëra ç’kishin. A protestoj Evropa? Jo! A mos e pengoi Turqia këtë bartje? Jo. A o mos Turqia i ndihmoi Serbisë? Po. Ishte gjallë atëherë shqiptaria kur u zbrazën tokat që nga Molla e Kuqe?
 Një shkronjëtor politik i njohur më thosh një ditë (Faik Konica): “Evropa nuk do ta kish dhënë Vranjën te Serbia dhe Ulqinin te Mali i Zi, sikur të kish kuptuar që ka një komb shqipëtar të ndryshmë nga të Turkut. Po u lajthit puna e besës (ndërhyri puna e fesë)”.
“Kombi shqiptar, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, i përket qytetërimit perëndimor, me një kulturë të lashtë dhe të thadruar nëpër shekuj brenda kësaj përkatësie. Dhe këtë askush s’e ka vu në dilemë, deri ne këto dekadat e fundit, kur kemi fituar lirinë dhe për pasojë na janë shfaqur prirjet proturke e proorientale.” (N.Ukaj)
- Ishim në gjumë të gjatë shekullor. Flinim e flinim. E edhe nëse e donim zgjimin, fillonte terapia e re me sedativë edhe më të fortë se herëve të kaluara që ta na e kthenin përsëri gjumin, që kurr të mos zgjohemi. Na e kishin frikën?!
Nga ai gjumë shekullor, kurrsesi të zgjohemi ngase interferencat magnetike të antenave të huaja po i pengojnë valët tona, ato të ndritjes së mendjes sonë.
“Jazexhitë” janë shumë të “varfër” dhe të “rreckosur”dhe kobtarë kur e shkapërderdhin në mënyrë tragjike mendjen e popullit. Ngrehalucët e pandershëm, krejtësisht të pandjeshëm ndaj përgatitjeve nga kuzhinat antishqiptare vazhdojnë të jenë si të “dehur” apo të “droguar” në “ jazitë “ e tyre (tur. jazmak- me shkrue). Duhet ditur se trëndafilat, zambakët, karafilat, të gjitha thahen, edhe çeliku e hekuri thyhet, por kombi i ynë as thahet e as thyhet. Por “jazexhitë” këte po e dëshirojnë,dhe po ndjellin kob. Derisa Ajnshtajni thoshte se e “ardhmja e një kombi është e lidhur ngusht nga edukimi që e merr rinia!”, ne po e fatkeqësojmë ardhmërinë tonë duke nxjerrë në dritë fëmijë të parapërcaktuar për të qenë skllevër të kafazit të tyre mendor.
Rrjedhat e dëshirave sa do që të meshefura dukeshin, tani kanë filluar të dalin haptas nga “jazegjitë” shqiptarë, vajtimi i “jazexhive” për të kaluarën e “ndritur” dhe ndjellja e kobit shihet edhe nga lotët e tyre që “të thajnë zemrën dhe shpirtin”. Dhimbshuria për të kaluarën e “ndritur” nuk ka fund, ndjellja e kobit nuk përfundon me kaq, por është duke vazhduar deri sa vorbulla e paparashikushme prej nesh por e përgatitur qëmoti nga ata që e mendojnë zhbërjen tonë, do të na përpijë përfundimisht.
“Jazexhit” janë kasnecët e kobit tonë kombëtar dhe zhurmshëm po na lajmërojnë. Po, na? Prapë kasnecët po bërtasin; prapë kasnecët po çirren!
Per ata që e mohojnë vetveten s’i duhen kombit! Ç’menduri e skajshme e Unit të sëmurë dhe të tjetërsuar deri në pabesueshmëri!!!

(marrë nga http://everteta.al)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.