back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Kasem Trebeshina: Dosja 1338 “Artisti është vetë filozof, s’ka pse t’u shërbejë të tjerëve, qofshin këta kapitalistë apo proletarë!”

Gazeta

Kasem Trebeshina (1926-2017) - punim grafik A. Vataj
Kasem Trebeshina (1926-2017) – punim grafik A. Vataj

Kasem Trebeshina: Dosja 1338

“Artisti është vetë filozof, s’ka pse t’u shërbejë të tjerëve,

qofshin këta kapitalistë apo proletarë!”

Prej kohësh po merrem me leximin dhe studimin e Dosjen 1338,
në ngarkim të objektit Kasem Trebeshina, shkrimtar dhe intelektual disident.
Me rastin përvjetorit të lindjes, e gjeta të arsyeshme të veçoj këtë deklaratë
të bërë me shkrim me 12 qershor të vitit 1979… Deklaratë në fjalë nuk është e bërë
nga një bashkëpunëtor me pseudonim, por nga një qytetar me emër dhe mbiemër
(sigurisht Autoriteti i Dosjeve e ka shlyer emrin dhe mbiemrin në fjalë, dhe ka lënë vetëm inicialet).
Ai ka dëshmuar me hollesi një pafundësi bisedash të bëra mes tyre,
ku bie në sy fryma qytetare, guximi intelektual, largpamesia politike dhe shpërfillja ndaj diktatures,
e Kasem Trebeshines, i cili pak kohë do të arrestohej dhe do të dënohej me 10 vite burg.
Ajo çka mundem të them në pak rreshta nga leximi dhe studimi i kësaj dosje është se:
figura e Trebeshinës, mbetet një figurë e rrallë qëndrese e kundërshtues i hapët ndaj ideollogjisë,
ai ishte jo vetëm shkrimtar po edhe disident vepra e të cilit u shkrua nën diktaturë,
dhe e tejkaloi atë…
jozef radi, gusht 2019
Kasem Trebeshina - Dosja formulare (Sigurimi i Shtetit) Nr. 1338 -
Kasem Trebeshina – Dosja formulare (Sigurimi i Shtetit) Nr. 1338 –

Deklaratë*

Unë i nënshkruari J…(e shlyer) B…(e shlyer) deklaroj nën përgjegjsinë time për sa vijon:
Ditët e fundit jam takuar disa herë me Kasem Trebeshinën dhe kemi zhvilluar së bashku një sërë bisedash, edhe të karakterit politik.
Unë e kam pyetur Kasemin se ç’mendime ka lidhur me situatën e sotme ndërkombëtare? Ai më është përgjigjur kështu: “Përpara shumë vjetësh kapitalizmi kishte si strategji kryesore luftën kundër rendit socialist, sot ai e ka fituar këtë luftë, sepse rendin socialist e përçau jo vetëm më dysh, por edhe më katërsh apo më tetsh. Vendet e Europës Lindore, nuk i binden më Rusit; Kina është në armiqësi me të; kurse Shqipëria kundër të gjithëve. Edhe lëvizja komuniste në Perëndim është e përçarë. Vetëm në Itali psh, ka rreth dhjetë lloje partish komuniste. Në rrethana të tilla, Kapitalizmi nuk ka më frikë nga Komunizmi. Sipas Kasemit, situata e sotme ndërkombëtare karakterizohet vetëm nga përpjekjet e disa fuqive kryesore për të zënë tregje. Amerikanët, meqë kanë mallin më të perfeksionuar, nuk kanë nevojë që të përdorin forcën e armëve, si në Çeki, Angolë e gjetkë. Situata e sotme karakterizohet gjithashtu, – thotë Kasemi, – nga diskreditimi dhe dobësimi i vazhdueshëm i rusëve, të cilët kanë ngrënë dacka, jo vetëm nga jashtë por edhe nga brenda, Faktori i Brendëshëm, – më ka thënë ai, – që po e bren seriozisht regjimin socialist (sepse Kasemi i vendos në një plan si Rusët edhe Kinezët… si çekët, rumunët edhe jugosllavët, apo edhe ne) është disidenca.
I kam kërkuar të më shpjegojë se ç’është disidenca, dhe ai më është përgjigjur kështu: “Historia është karakterizuar gjithmonë nga lufta midis klasave antagoniste. Kështu psh, në epokën e feudalizmit, klasat antagoniste ishin feudalët dhe bujkrobërit, por midis tyre u shfaq edhe një shtresë e tretë, e cila më vonë u shëndrrua në klasë: dhe kjo ishte borgjezia. Edhe në epokën e Kapitalizmit, dy klasat antagoniste janë proletariati dhe borgjezia kapitaliste, por midis tyre del dhe shfaqet një shtresë e cila, në mos është shëndrruar krejtësisht, do të shëndrrohet patjetër në klasë, dhe kjo është inteligjenca. Qoftë në sistemin kapitalist, qoftë në atë socialist, kjo shtresë, kjo klasë shtypet. Kapitalizmi, duke e paguar më shumë këtë shtresë apo klasë, e bën këtë të fundit më pak aktive, kurse socializmi e egërson më shumë… dhe kështu lind disidenca! Që është shfaqje e luftës së klasave, të inteligjencës kundra diktaturës së proletariatit…”
.

Kasem Trebeshina - Dosja 1338
Kasem Trebeshina – Dosja 1338
E kam pyetur se përse zhvillohet kjo luftë klasash, midis këtyre dy forcave dhe ai më është përgjigjur: “Sa herë që njëra klasë bëhet pengesë për zhvillimin e forcave të një klase tjetër, kjo e fundit bën luftë kundra së parës. Që të afirmojë veten. Kështu, diktatura e proletariatit kërkon që inteligjenca t’i shërbejë vetëm asaj (dmth shkrimtarët të krijojnë vetëm vepra që i shërbejnë interesave të saj, piktorët, skulptorët, muzikantët deri edhe inteligjenca teknike) duke u përpjekur t’i heqë asaj personalitetin.” Kasemi e konsideron fyerje dërgimin e intelektualit në punë krahu, dërgimin në punë periodike fizike.
Ai thotë se: “Shteti ynë e kupton rrezikun intelektual dhe i del përpara së keqes, duke mos e lënë atë të shëndrrohet në klasë. Këtë e bën duke mos i lënë të vazhdojnë shkolla të larta të gjithë fëmijët e intelektualëve, e duke i kthyer ata në punëtorë, në një kohë kur duke pasur parasysh ligjin e trashëgimisë së prirjeve, fëmijët e intelektualit do ta shpinin më tej më tej prirjen apo talentin e prindit…
Së fundi intelektuali persekutohet edhe materialisht, sepse kur krijon një vepër me vlerë të madhe materiale, si një vepër letrare, një makinë të re, etje… fitimet nuk i merr ai, por shteti. Në rendin socialist, fitimet i merr shteti socialist (proletarët) këto fitime, në rendi kapitalist i marrin kapitalistët dhe proletarët (kapitali i shton fitimet më shumë, por edhe proletariat i rritet paga!)
Disa herë gjatë këtyre kohëve të fundit, Kasemi më ka thënë se “…forca më përparimtare dhe që është vazhdimisht në rritje quantitative (sasiore) sot në botë është klasa e inteligjencës. Kur ajo të arrijë edhe rritjen kualitative (cilësore), do të bëhet forca sunduese mbi të gjitha klasat.”
E kap pyetur Kasemin: Pse ve shenjën e barazimit midis të gjitha shteteve të ish kampit socialist, apo të Eurokomunizmit, etje… Ai më është përgjigjur: “Strategjia është e njejtë, vetëm taktikat ndryshojnë. Kështu psh, Berlingueri është duke bërë çmos që të marrë pushtetin politik në Itali, duke bërë lëshime pas lëshimesh, si: njohjen e Papës; njohjen e Nato-s; njohjen e Tregut të Përbashkët; por në e marrtë pushtetin në dorë i ndërron të gjitha… Në Luftën tonë Na-çl, në Konferencën e Pezës, Partia hodhi parullën: Të bashkohemi në luftë kundër fashizmit pa dallim feje, krahine apo ideje… por sapo u arrit qëllimi i fitores mbi Fashizmin, kjo parullë u zhduk, u vu diktatura e e një klase mbi shtresat e tjera të popullsisë dhe njerëz si unë u persekutuan për hir të ideve të tyre, e që s’përputheshin me ato të kësaj diktature. Kjo gjë, – thotë Kasemi, – duhej të na ishte thënë qysh në Konferencën e Pezës, më 1942. Ahere ne, ndoshta nuk do të bashkoheheshim me Frontin e nuk do të derdhnim gjak. Unë i kam pranuar Partisë, – vazhdon ai, – vetëm programin deri te Konferenca e Pezës.
.
Buzuku - dhe Vepra e Trbeshines
Buzuku – dhe Vepra e Trbeshines
Kemi zhvilluar përsëri edhe biseda për zhvillimin e letërsisë sonë. Mbrëmë pikërisht e kemi trajtuar këtë problem. Ai më tha se: “Triptiku i Ismail Kadaresë “Ura me tri harqe”, ishte një dështim. Më tha se kishte ardhur këtu një libër i kritikut kosovar Rexhep Qosja, dhe se ai e hidhte poshte triptikun në fjalë, si vepër pa vlerë. Letërsia në Kosovë – më tha ai – është kualitativisht më e lartë se letërsia e jonë e sotme. Kështu psh te ne nuk ka asnjë poet që të barazohet me poetin kosovar Ali Podrimja, veprat e të cilit njihen tashmë edhe në shumë vende të Europës. Ne duhej të ishim më lart se Kosova në këtë drejtim, që kosovarët ta ndjenin çdo çast shpirtërisht praninë e atdheut, që ata të dëgjojnë vetëm radion tonë, të shohin vetëm televizionin tonë, të lexojnë vetëm veprat tona letrare. Por duke qenë këto të fundit, në një nivel më të ulët se ato të Kosovës, kosovari nuk e ndjen këtë nevojë. Këtu duhet të kihet parasysh edhe fakti që jugosllavët ushtrojnë një presion të rreptë propagandistik kundër kosovarëve dhe kjo e bën të domosdoshëm rritjen e nivelit cilësor të gjithë kulturës sonë. Por kjo nuk është arritur…”
Nuk mbaj mend, por njëherë Kasemi më ka thënë se Rexhep Qosja u ka thënë këto fjalë disa drejtuesve të Lidhjes së Shkrimtarëve: “Na e kaloni vetëm për punën e gjuhës, por duke e njejtësuar dialektin tonë me atë të krejt shqipes, pra duke futur edhe në Kosovë gjuhën letrare (të vendosur në Kongresin e Drejtëshkrimit), këtë dallim nuk e kemi më, kurse në drejtim të realizimeve të tjera në letërsi, ju kemi lënë mbrapa…”
Na ka rënë shpesh biseda edhe për partishmërinë në art. Kasemi as e pranon fare partishmërinë. “Artisti është vetë filozof, dhe s’ka pse t’u shërbejë të tjerëve, qofshin këta kapitalistë apo proletarë; përkundrazi, në këtë mes, ata duhet t’i shërbejnë atij. Vepra letrare apo artistike, – thotë Kasemi, – nuk është vetëm vlerë shpirtërore. Kur botohet çdo vepër është vlerë materiale, që shitet. Fitimet duhet t’i përkasin atij që e krijon (artistit) e jo kapitalistit apo proletariat, kurse ndodh e kundërta, artisti merr një pjesë fare të vogël…”
Kasem Trebeshina - Skice
Kasem Trebeshina – Skice
Lidhur me taktikën dhe strategjinë e revolucionit proletar, Kasemi më ka thënë se: “Ekziston një e metë në vetë Manifestin Komunist të Marksit dhe Engelsit. Në Manifest thuhet se: “Proletariati duhet të hyjë në aleancë me të gjitha klasat dhe shtresat që janë në opozitë me Kapitalizmin (kjo në periudhën e parë), pastaj si të përmbysë kapitalizmin të vendosë diktaturën e vet… Dmth thotë Kasemi, për të derdhur gjakun për proletariatin, këto klasa apo shtresa nevojiten, pastaj t’i nënshtrohen diktaturës së tij.
Kjo, – thotë ai – është shumë kontradiktore!
Kontradiktat midis nesh dhe vendeve revizioniste, Kasemi i konsideron si: “Kontradikta midis grupeve udhëheqëse. Rusët nuk i duan udhëheqësit tanë, se këta, duke ndjekur një politikë nacionale, pengojnë planet e tyre për ekspansion, sepse kjo e fundit kërkon likuidimin e saj…”
Kështu rusët nuk duan tani as Causheskun, sepse edhe ky filloi të ndjekë një politikë nacionale dhe ka filluar të mos u bindet atyre e kështu me rradhë. Por strategjia nuk ndryshon; përmbajtja e rendit është e njëjtë kudo, në të gjitha vendet “socialiste”, diku më e shtrënguar e diku më e liruar… Pra, – thotë Kasemi, – janë kontradikta në planin taktik e jo strategjik.
Shpesh herë Kasemi më ka thënë se ka qënë vazhdimisht nën presionin e njerëzve të tij të afërm, për t’u treguar i bindur dhe jo kokëfortë, për të hyrë në punë, për të paraqitur vepra për botim, etje… por ai është grindur me ta dhe puna ka arritur deri aty, sa të mos ketë, me shumicën e tyre, as hyrje e as dalje, e bile as flasin me njeri tjetrin…
Tiranë, 12.06.1979
Deklaruesi (J… B…)
.
*Materiali është marrë nga Dosja 1338 (1555-2931 – numra të shlyer të dosjes) Faqe të shlyera 158, 159, 160, 161 e 162 dhe faqe të ruajtura 160, 161,162, 163 e 164

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.