back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

“Karl Gega – Midis legjendës dhe realitetit”.

Gazeta

Karl Gega (1802-1860)
Karl Gega (1802-1860)

“Karl Gega – Midis legjendës dhe realitetit”.

Karl Gega jeta dhe vepra e tij

si inxhinier i Arkitekturës dhe Gjeodezisë

Hekurudha e Semmeringut
një kryevepër e mendjes njerezore,
që për të gjitha kohët do të mbetet e lidhur
me jetën e Gegës…
Franz Jonas, President i Republikës së Austrisë (1969-1978).

Inxhinjeri Karl Gega është bërë miti i historisë së ndërtimit të hekurudhave austriake, simbol i futjes së një dimensioni të ri të mobilitetit dhe komunikimit. Hekurudha e Semmeringut, hekurudha më e famshme malore në bote, e projektuar dhe e zbatuar prej Karl Gegës, hodhi poshtë një nga dogmat e shkences inxhinierike angleze mbi pamundësinë e ndërtimit të hekurudhave malore dhe bëri të mundur kalimin e një lartësie të paarritur më parë, rreth 1000 metra mbi nivelin e detit, duke e futur atë në librin e artë të ndërtuesve më të shquar botërorë.
Figura e këtij kollosi të artit të ndërtimit të hekurudhave, që radhitet ndër 100 “Austriakët më të mëdhenj” të të gjithë historisë së kombit austriak, krahas Mozartit, Froidit, Maria Terezes, Franz Jozefit, Kafkës etj. ka qenë mbuluar nga shumë enigma, që lidhen me lindjen, vdekjen e prejardhjen e tij, por edhe me shumë elemente të tjerë të panjohur më parë të jetës së këtij gjeniu të hekurudhës-perlë të Semmeringut: “një kryevepër e mendjes njerëzore, që për të gjithë kohët do të mbetet e lidhur me jetën e Gegës”, sikurse e ka vleresuar ish-Presidenti i Austrise Franz Jonas.
Të gjithë biografët e Karl Gegës (botimet për të janë me dhjetra në Austri, Itali e Gjermani), nëse kanë arritur të japin një përshkrim të detajuar te te gjithe veprimtarise se Geges si arkitekt e inxhinjer, e kanë patur të pamundur të hyjnë në jetën e tij personale. Biografi më i fundit i Gegës, austriaku Wolfgang Straub, në librin e tij të ri botuar me 2004 “Karl Ritter von Gega” nënvizon se “Per njeriun – Gega ne nuk kemi trashëguar pothuajse asgjë…!”
Jeta e tij private në të gjitha botimet letrare e shkencore është trajtuar në përgjithësi në mënyrë të mjegullt apo hipotetike. Sigurisht që edhe prejardhja e tij është trajtuar në mënyrë hipotetike, duke e konsideruar si austriak italian. Edhe në ato raste kur thuhej se prejardhja e tij mund të ishte nga Shqipëria, referuar formalisht mbiemrit të tij, ajo konsiderohej me shumë si një hipoteze, por jo si një realitet i argumentuar dhe i provuar.

Karl Gega ne moshen e rinise
Karl Gega ne moshen e rinise

Fëminia dhe rinia

Pikërisht si sot, 204 vjet me pare, me 10 janar 1802 familja e Kapitenit të Marinës Venedikase Anton Gega kishte një gëzim të veçante: lindjen e djalit të vogël Karlit. Familja Gega banonte në lindje të qytetit ne “Sestiere di Castello”, lagje e oficerëve dhe nëpunësve të Marinës Veneciane, pranë rrugës Via Garibaldi dhe Rio di S. Anna-s. Pas lindjes së Karlit, pagëzimi i tij nuk u bë në S.Anna, por ne ishullin e Olivolo-s në kishën e San Pietro-s në Castello, ku ishte rezidenca e Peshkopit të Venedikut, e cila vetëm më 1807, u vendos në Katedralen e San Marko-s. Regjistri i pagëzimit të kishës së San Pietro-s në Venedik, dokumenti më i rëndësishëm për prejardhjen e Karl Gegës shënon:
“Me 10 janar te vitit 1802 lajmërohet lindja e Karlit, birit te zotit Anton Gega, biri i Gasparit, oficer marine, dhe i zonjës Anna, me mbiemër vajzërie Pribich, bija e Georgit, e shoqja e tij ligjore, banues në Fondamenta di San Gioacchino. Nuni: Zoti Andreas Contuzzi, biri i Nikolaus-it, oficer marine, nga kisha e S.Giuliano-s; Mamia: Aleksandra Longo, Spigarol di contrada. Prifti: Peter Lanza.”
Në disa botime ditëlindja e Gegës figuron me 13 qershor 1802, dhe si referencë është regjistri i punës, i plotësuar nga vetë Gega. Në këtë regjistër Gega ka shënuar si datë të lindjes datën e dhënies se emrit (pagëzimit), prandaj në disa botime figuron gabim si datëlindje 13 qershori 1802. Kjo për arsye të rëndësisë më të madhe, që i jepej ditës së emrit në krahasim me datëlindjen.
Arsimin fillor Karl Gega e mori pranë familjes në Venedik. Studiuesit e shumtë të Gegës thonë që shpresat e të jatit, Antonit, ishin përqëndruar të djali i vetëm, i cili do të vazhdonte traditen e familjes në karrierën ushtarake detare. Por pa mbushur mirë 13 vjeç karriera e ardhshme e Karlit mori drejtim tjetër. Në vitin 1814, Austria rimori edhe një herë në zotërim Venedikun, dhe pikërisht në këtë kohë Anton Gega, duke parë mungesën e perspektivës në marinën veneciane, por edhe duke vlerësuar dhuntitë e Karlit, vendosi t’i japë të birit një tjetër drejtim në jetë. Ai kaloi nga Kolegji Real i Marinës (Reale Collegio di Marina) në kolegjin ushtarak të Shën-Anës.
Pavarësisht nga fakti se Karli ishte i regjistruar në “Collegio Militare di Sant’Anna”, lëndët, që zhvilloheshin aty si aritmetika, gjeometria, trigonometria, algjebra, fizika, arti i ujit, teoria e lëkundjes dhe mekanika e trupave të ngurtë, i dhanë atij një formim të plotë e solid në shkencat ekzakte. Pas përfundimit të kolegjit Karli ndoqi për disa muaj një institut privat marine, me qëllim që të thellonte njohuritë e tij në matematikë. Me dëshmitë e të dy shkollave, Karli regjistrohet në janar 1818 në vitin e dytë të studimeve në kursin trevjeçar në Fakultetin e Shkencave të Filozofisë dhe Matematikës të Universitetit të Padovës, në të cilin punonin pedagogët dhe shkencëtarët më të mirë të kohës. Kalimi direkt në vitin e dytë të Universitetit mundësohej nga fakti që ky student i talentuar e zotëronte lendën e vitit të parë. Por edhe viti i dytë nuk zgjati shumë, pasi në gusht të vitit 1818, Karli dha provimet përkatëse.
Por ajo që të tërheq vëmendjen është se Karli krahas me ndjekjen e shkollës private, që në tetor 1817, kishte filluar punë në Inspektoriatin Qendror të Ujrave dhe Rrugëve të Qeverisë së Krahinës së Venetos, pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze. Ai ka udhëtuar shumë nga Padova për në Venedik, midis studimit dhe formimit praktik. Në Inspektoriatin Qendror të Ujrave dhe Rrugëve ai u caktua fillimisht si inxhinjer “praktikant”. Por ky dypunësim nuk i mjaftonte këtij gjashtëmbëdhjetëvjeçari, i cili ndiqte edhe kurse në “Accademia delle Belle Arti” në qytetin e Venedikut, që i jepnin një formim të plotë në fushën e arkitekturës.
Në vitin 1818, ai dha provimet përfundimtare dhe u emërtua “Inxhinjer arkitekt”, kurse me 11 qershor 1819, Gega u diplomua “Doktor në matematikë” me vlerësimin unanim “shkëlqyeshëm” (a pieni vote e con laude) të Komisionit të Universitetit të Padovës.
Piketat e ardhshme të jetës së këtij 17-vjeçar ishin vendosur tashmë, ai ishte një talent të jashtëzakonshëm në fushën e shkencave natyrore e teknike, që u nxitën në mënyrë intensive gjatë gjithë veprimtarisë së tij dhe karrierës si nëpunës, që ai e filloi dhe e vazhdoi deri në fund të jetës pa ndërprerje për më shumë se 40 vjet në shërbin të Perandorisë Austro-Hungareze, nga të cilat 17 vite në Venedik.

Hekurudha e Semmering - Veper e Karl Geges
Hekurudha e Semmering – Veper e Karl Geges

Vepra e Gegës

Kur shikon fushat, në të cilat ka kontribuar Gega, mendon që sot për të patur formimin adekuat të tij, një inxhinjeri i duhet të studjojë në disa fusha si ndërtimi i rrugëve dhe hekurudhave, pyjtaria, ujrat, gjeodezia, arkitektura, inxhinjeria mekanike etj.
Gega ishte një gjeneralist, i cili e tha fjalën e vet me kompetencë të plotë profesionale, pavarësisht se shkenca e asaj kohe në ndërtimin e hekururdhave ishte akoma në hapat e para dhe nuk ishte konsoliduar akoma si një degë e dijes. Për të arritur në kryeveprën e tij, hekurudhën e Semmeringut, që e bëri atë të pavdekshëm, Karl Gega punoi dhe krijoi në shumë sektorë të tjerë, nga ku ai grumbulloi atë përvojë, që e futi në panteonin e njerëzve më të shquar të kohës.
Me dhjetra rrugë, vepra e hekurudha në Perandorinë Austro-Hungareze të asaj kohe (në Austri, Gjermani, Çeki, Hungari, Sllovaki, Slloveni e Itali) kanë vulën e mendjes gjeniale të Karl Gegës: rruga Ampezzane (Strada d’Alemagna), që lidhi Venedikun me Tirolin (1820); projektet për ndërtimin e rrugëve në Vittorio Veneto dhe Conegliano; ndërtimi i godinës së gjykatës në Treviso në Piazza del Duomo (1824); projekti për disiplinimin e ujrave të lumit midis Piave-s dhe Tagliamento-s (1827); projekti për rregullimin e ujrave të lumit Po në zonën e Rovigos (1830); drejtimi i punimeve për ndërtimin e segmentit hekurudhor Vjenë- Ravensburg-Brno (Çeki) 140 kilometra e gjatë (1839); drejtimi i segmentit hekurudhor Tirol-Voralberg (1840), drejtimi i punimeve për lidhjen e Trento-s me Pergine-n e përmirësimi i rrugës së vjetër romake “Via Claudia Augusta”; drejtimi i punimeve për segmentin hekurudhor Mürzzushlag-Grac (1844) dhe Grac-Çelje (Sloveni); projektimi i linjave hekurudhore për në Ljubljanë dhe Trieste (1845).  
Në prill 1842, Gega dërgohet nga qeveria austriake për në Shtetet e Bashkuara për të përfituar nga përvoja amerikane në ndërtimin e projektimin e hekurudhave. Këtij udhëtimi ai i kushtoi dy botime me rreth 264 faqe, në të cilat përshkruan teknikat e ndërtimit si dhe problematikën në lidhje me zbatimin e tyre. Në vitin 1845, ai botoi për auditorin e ndërtuesve librin “Mbi ndërtimin e urave në Amerikën e Veriut si dhe mbi llogaritjet për aftësinë mbajtesë të urës se Hoëe’shen-it”.

Hekurudha e Semmeringut

Padyshim kryevepra e Karl Gegës konsiderohet Hekurudha e Semmeringut, punimet për ndërtimin e së cilës filluan më 1848 dhe përfunduan më 1854. Hekurudha e Semmeringut nuk ishte vetëm një risi në fushën e ndërtimit të trasesë për konstruksionin e lokomotivave malore apo teknikën e sigurisë, por ajo shënonte dhe një hap përpara në drejtim të ndërtimeve malore, duke shënuar një arritje në studimin e teknikës së ndërtimit me shina. Në një zonë tepër malore, rreth 1000 metra mbi nivelin e detit, u ndërtuan 41 km hekurudhë, shumë vepra arti, 15 tunele me një gjatësi të përgjithshme prej 4520 metra, nga të cilet ai i Semmeringut 1430 metra, 16 viadukte me gjatësi 1502 metra (disa prej tyre me dy kate), si dhe disa dhjetra ura. Në ndërtimin e trasesë së Semmeringut punuan rreth 20.000 vetë. Vështirësitë ishin shumë të mëdha: terreni tepër i thyer, dimri i egër, epidemitë vdekjeprurëse, por edhe kushtet e punës, pasi dinamiti akoma nuk ishte shpikur, mungonte mekanizimi dhe veglat e mjetët e punës kishin një efektivitet të ulët. Të tilla vështirësi e punë kolosale Karl Gega i përballoi me aftësi, pasion, besim e guxim të rrallë dhe arriti një fitore historike në shkencën e ndërtimit të hekurudhave.
Me 12 prill 1854, Perandori Franz Jozefi udhëtoi nëpër hekurudhën e re të Semmeringut i shoqëruar nga Gega. Një muaj më vonë Perandori Franz Josef së bashku me perandoreshën Elisabeth (Sissi) pas martesës së tyre bënë një tjetër udhëtim nëpër këtë hekurudhë me 16 maj 1854, të shoqëruar nga Gega. Ata i shprehen Gegës kënaqësinë e tyre të jashtëzakonshme për këtë ndërtim të mahnitshëm në një nga zonat më të bukura të Austrisë, që siguronte përfundimisht lidhjen pa probleme midis Vjenës dhe Gracit.
Në mirënjohje të shërbimeve të shkëlqyera shumëvjeçare të Karl Gegës Perandori Franz Josef, e dekoroi dhe e bëri Gegën mbajtës të disa urdhërave dhe titujve të fisnikërise. Që me 22 qershor 1851, Karl Gega kishte marrë titullin fisnik “Ritter” (Kalorës).
Në 1852, në kohën e punimeve në Hekurudhën e Semmeringut, Karl Gega caktohet Drejtori i Përgjithëm për ndërtimin e hekurudhave në rangun e një këshilltari perandorak. Me këtë emërim të ri ai arriti postin më të lartë të një nëpunësi të hekurudhave të Perandorisë Austro-Hungareze. Megjithëse kishte arritur këtë post kaq të lartë, Gega vazhdonte të projektonte, ndërtonte dhe drejtonte.
Korriku i vitit 1857, do të shënonte një tjetër kulm të inxhinjerit e projektuesit Gega, përfundimin me sukses të “Hekurudhës së Jugut” -Vjenë-Trieste, që ishte triumfi më i madh i artit të ndërtimit, dhe që kurorëzonte atë punë gjigante për të lidhur me linjë hekurudhore Detin e Veriut me Detin Adriatik, që nëpërmjet kalimit të Semmmeringut, shkroi një sukses të madh në historinë e teknikës së rë të ndërtimit të hekurudhave.

Karl Gega - monedha austriake 20 Shilinga
Karl Gega – monedha austriake 20 Shilinga

Fund tragjik?

Jo vetëm për shumicën e shqiptarëve, por edhe për shumë austriake Karl Gega ka përfunduar në vetvrasje dhe arsyeja ishte se aksi i hyrjes dhe i daljes së tunelit të Malit të Semeringut, të projektuar nga Gega, nuk u bashkua. Në të vërtetë më tragjik do të konsideronim përfundimin e karrierës së tij në shërbim të hekurudhave, se sa vetë vdekjen e vërtetë të Gegës, të shkaktuar nga një sëmundje e rëndë.
Me 1 korrik të vitit 1859, Karl Gegës, si Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave, i duhej të firmoste dekretin për mbylljen e Drejtorisë së Përgjithshme për Ndërtimin e Hekurudhave, pasi në kuadrin e reformave për privatizimin edhe linja e fundit hekurudhore shtetërore ishte shitur në fund të vitit 1858. Pas këtij dekreti Gega u emërua si këshilltar në Ministrinë e Financave, që drejtohej nga baroni Karl Ludovig von Brucks. Brucks konsiderohej si mik i Gegës dhe që nga viti 1848, kur ishte Ministër i Punëve Publike (1848-1851), ai kishte qenë edhe eprori direkt i Gegës gjatë ndërtimit të hekurudhës së Semmeringut. Brucks-i, u akuzua nga kundershtarët e tij me të padrejtë për abuzime financiare në vitin 1859. Kur Perandori Franz Jozef e shkarkoi me një dekret nga të gjitha detyrat dhe ofiqet me 22 prill 1860, Karl Ludovig von Brucks kreu vetvrasje, që binte 5 javë pas vdekjes së Gegës. Afërsia, që kishte Gega me Brucks-in është edhe arsyeja e fjalëve që dolën më vonë mbi vetvrasjen e projektuesit gjenial të Hekurudhës së Semmeringut.
Në fakt gjendja shëndetsore e Karl Gegës kishte filluar të rëndohej vitet e fundit. Ndoshta ai e kuptonte se shëndeti i tij nuk do ta lejonte të vazhdonte të punonte më, prandaj edhe nuk u angazhua muajt e fundit të jetës në fushën e projektimit të hekurudhave.
Nuk përjashtohet mundësia që sëmundja të jetë rënduar dhe nga largimi që i bënë Gegës nga drejtimi i hekurudhave, duke e ngarkuar me një detyrë që nuk përkonte me talentin e tij. Sidoqoftë ky element mbetet akoma i errët.
Me 14 mars 1860, Karl Gega vdiq në apartamentin e tij në “am Lugeck”, që ndodhet në qendër të Vjenës. Ceremonia fetare mortore u zhvillua ne Katedralen kryesore të Vjenës, Shën-Stefan në prani të motrave të tij, kurse trupi u përcoll për në varrezat e ëähringer-it në Vjenë.
Më 1887, kur këto varreza u shpërngulën, sargofagu me eshtrat e Gegës u vendos në panteonin e njerëzve më të shquar të Austrisë pranë Mozartit, Bethovenit, Shubertit, Shtrausit, Brahmsit dhe Alois Negrellit (projektuesit te kanalit te Suezit) në Varrezat Qendrore të Vjenës.

Varri Monumental i Karl Ritter von Gega
Varri Monumental i Karl Ritter von Gega

Legjenda Gega:

Vetëm pak vite pas vdekjes së Gegës filloi të krijohej dhe te rritej legjenda mbi figurën e tij. Ishte Shoqata e Inxhinjerëve dhe Arkitektëve (Austriakë), që me rastin e 25 vjetorit të Hekurudhës së Semmeringut kishte inaguruar me 22 qershor 1869, monumentin madhëshor në Stacionin e Semmeringut në kujtim të veprës të ish anëtarit të shoqatës së tyre, projektuesit të hekurudhës së Semmeringut Karl Gega. Ishte pikërisht kjo shoqatë, që e kundërshoi ndërtimin e hekurudhës, duke e konsideruar kalimin e Semmeringut si një marrëzi dhe të pamundur për kohën, por që diti të vlerësojë gjeninë e Gegës dhe t’i bejë një vlerësim që nuk ia kishte bërë askujt deri në atë kohë.
22 qershori 1869, e përjetësoi këtë personalitet shumëdimesional duke iu bërë e ditur të gjithëve se Karl Gega është Gega i Semmeringut, se personin nuk mund ta ndanin më nga vepra e tij.
Kjo hekurudhë u krahasua me kryevepra të tjera të mendjes njerëzore dhe shumë vetë hiqnin edhe paralele me mrekullinë botërore të Piramidave të Gizeh-ut në Egjipt.
Gega dhe Semmeringu, kanë frymëzuar me dhjetra shkrimtarë e poetë, kur kanë udhëtuar nëpër këtë hekurudhë magjepse. Shkrimtarët e famshëm austriakë e gjermanë Schnitzler, Zweig, Altenberg, Heinrich von Littrow e Doderer shkruan për këtë arkitekt faqet më të përkushtuara. Gega u bë burim frymëzimi edhe për shumë autorë të tjerë, të cilët botuan romane e tregime mbi jetën dhe veprën e tij.
Mitin e Gegës e rriti më tej edhe botimi i librit “Austriakët më të Mëdhenj”, ku Gega hynte të 100 figurat më të shquara të kombit austriak gjatë gjithë historisë së ekzistencës së tij.
Sheshe, rruge e institucione të shumta mbajnë edhe sot emrin e tij.
Por pa dyshim një rritje të shkallës së njohjes së Gegës pati dhe emetimi i kartmonedhës 20 shilingshe (1968-1988), që mbarte fytyrën e Gegës, si dhe emetimi i dy pullave nga seria e “Zbuluesve të famshëm Austriakë”, njëra ne vitet 1936 dhe e dyta me rastin e 150 vjetorit të lindjes ne vitin 1952 në rreth 1 milion copë.

Një rilindje e mitit të Gegës?

Romanet janë vetëm një pjesë e mekanizmit të përhapjes së mitit Gega. Me dhjetra janë botimet e tjera shkencore, broshurat, referatet e artikujt, të cilat e kanë rritur më tej mitin e tij si projektuesi dhe realizuesi i njerës nga hekurudhat më të bukura malore në botë.
25, 50, 75, 100, 125 dhe 150 vjetori i Hekurudhës shënojnë 6 kulme në rritjen e famës së Gegës dhe hekurudhës se Semmeringut. Pjesëmarrja në to e zyrtarëve më të lartë të vendit, duke përfshirë edhe Presidentët e Republikës së Austrisë, i dhanë vlera më të mëdha figurës së Gegës. Shoqata për Turizmin e Landit të Austrisë së Poshtme ka organizuar rregullisht në të gjithë përvjetorët e lindjes dhe vdekjes së Gegës ekspozita jubilare, ka botuar broshura e materiale të shumta informative e publicistike.
Një rilindje përjetoi Semmeringu dhe Gega me ekspozitën “Pushtimi i peisazhit”, që u hap me 1992, në kështjellën e Gloggnitz-it, pranë Vjenës, por që arriti pikën më të lartë në vitin 1998, kur Hekurudha e Semmeringut u shpall nga UNESCO si objekt i trashëgimnisë kulturore botërore dhe hyri në listën e veprave të mbrojtura prej saj, duke qenë hekurudha e parë në botë, që hynte në listën e UNESCO-s.
Një rilindje të figurës së Gegës kemi edhe në Itali. “Edhe atje kanë filluar të rizbulojnë Gegën e tyre” – thotë studjuesi austriak Straub. Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Gegës në vitin 1954, Venediku organizoi në Pallatin e Dozhëve një ceremoni festive dhe pranë shtëpisë së lindjes së Gegës vuri një pllakë përkujtimore.
Të shumta janë studimet dhe botimet e viteve të fundit për Gegën, por në mënyrë të veçantë do të përmendim botimin e studjuesit italian Aldo Rampati: “Kaloresi i alpeve” (il Cavaliere delle Alpi), botuar ne Trieste me 2002, libër që u sjell më afër lexuesve italianë figurën dhe gjenialitetin e “venecianit” Karl Gega.

Karl Gega - Filatelia Shqiptare
Karl Gega – Filatelia Shqiptare

Prejardhja e Karl Gegës

Ceshtja e prejardhjes së tij ka qenë një nga çështjet më të diskutuara në të gjithë botimet qoftë të natyrës shkencore, qoftë të natyrës publicistike.
Nga literatura e studjuar deri tani, ai që e pohon prejardhjen shqiptare të Gegës, dhe që nga pikpamja kohore përbën një nga dokumentat referues më të vjetër, është studjuesi i historisë së hekurudhave austriake, Enderer, i cili në Konferencën me rastin e 75 vjetorit të Hekurudhës së Semeringut me 1929 theksonte: “Këtu lind pyetja nëse italianët mund të konsiderojnë Gegën si bashkëatdhetarin e tyre. Nga gjaku dhe prejardhja si zor. Të parët e Gegës i kanë shërbyer si oficerë marine Republikës së Venedikut, dhe del që e kanë prejardhjen nga Shqipëria, kështu që nga rraca ai do të mund të mbahej si shqiptar”.
Por në botimet e mëvonshme, sidomos në ato, që lidhen me 100 vjetorin e Hekurudhës sillen argumente dhe prova që hedhin dyshim mbi origjinën dhe prejardhjen e tij shqiptare, duke sjellë si argumente faktorë gjuhësore e fonetike.
Një nga studjuesit më seriozë të Gegës, Paul Mechler, (drejtor i Muzeut të hekurudhave në Vjenë) në vitin 1960 shkruan: “…po vihet përsëri në dyshim nga pala veneciane prejardhja shqiptare, e pranuar nga të gjithë, e familjes Gega, që i ka dhënë Republikës së San Markos oficerë marine të zotë për shumë gjenerata”.
Në tri nga botimet bibliografike më të plota për Gegën të autoreve Alfred Niel (1977),  Aldo Rampati (2002) dhe Wolfgang Straub (2004) argumentat mbi prejardhjen e familjes Gega kanë pothuajse të njejtat shpjegime, që për mendimin tonë i referohen citimeve të njeri tjetrit ose i referohen pohimeve gojore të personave të intervistuar, duke vënë në dyshim prejardhjen e tij shqiptare. Asnjëherë në të gjitha botimet nuk është pohuar se janë kryer kërkime e studime në arkivat veneciane për të argumentuar dhe provuar prejardhjen e familjes Gega, e cila prej shumë gjeneratash shërbente në flotën detare të Venedikut.
Sigurisht si piknisje për një argumentim të saktë dhe shkencor të origjinës shqiptare të Karl Gegës, bazuar në dokumenta autentik duhet të ishte Venediku. Eshtë e çuditshme që asnjë nga studjuesit seriozë të Gegës nuk i është drejtuar arkivave të tij, që konsiderohen si më të plotat dhe të saktat nga të gjitha arkivat europiane. Aty është e dokumentuar gjithçka, që nga viti 889 (vit që daton fillimin e arkivave të këtij shteti) deri ne vitin 1797, kur u pushtua nga Napoleon Bonaparti.
Në të gjitha studimet mbi Gegën nuk është përmendur asnjëherë fakti i pranisë në Venedik prej më se gjashtë shekujsh i kolonisë shqiptare, nga gjiri i së cilës kanë dalë shkencëtarë, publicistë, artistë, ushtarakë e veprimtarë të shquar. Duhet nënvizuar fakti që Venediku u bë qendra kryesore, ku u vendosën shumica e dijetarëve e mendimtarëve shqiptarë pas vdekjes së Skënderbeut, ku ndër më kryesoret do të përmendnim Gjon Buzukun, Marin Barletin, Marin Beçikemin, Leonik Tomeon etj.
Ne Panegjirikun e Marin Beçikemit (1468-1526, shkrimtar dhe dijetar shkodran, profesor i retorikës në Univesitetin e Padovës, larguar për në Venedik me 1478, pas rënies së Shkodrës), drejtuar me 1503, Dozhës së Republikës së Venedikut dhe Senatit thuhej:
“Ne shkodranët si mbetëm të mërguar, erdhëm në Venedik shtatëqind burra, një mijë e treqind fëmijë dhe po aq gra” (Bëhet fjalë për emigrimin e madh pas rënies së Krujës dhe Rrethimit të Shkodrës më 1478).
Prania e shqiptarëve në Venedik nënvizohet edhe në punimin e studjueses Evangelia Skoufari “I forestieri a Venezia tra Medioevo e prima Etá Moderna“ (Të huajt në Venedik nga mesjeta deri në kohët e para moderne), botuar nga Universiteti i Padoves më 2003, e cila thekson: “kemi një vendosje të tregëtarëve shqiptarë në Venedik në gjysmën e dytë të shekullit të XIV. Pastabiliteti i brendshëm politik dhe rreziku në rritje i invazionit turk është një nga shkaqet e emigrimit të shqiptarëve në këtë periudhë për në Venedik. Nga ana tjetër nevoja gjithnjë e më urgjente e Venedikut për të rekrutuar mercenarë stradiotë shqiptarë si dhe marinarë e detyroi Venedikun të favorizonte emigrimin e shqiptarëve (të cilët preferoheshin edhe për arsye të besimit të tyre të krishterë) dhe të lejonte në vitin 1388 kalimin e Adriatikut me anijet veneciane ose raguziane“.
Po në këtë punim theksohet se shqiptarët katolikë janë vendosur kryesisht në “Sestiere di Castello”, në famullinë Di Santa Maria Formosa, midis brigjeve te Shiavonit dhe sheshit te “Santi Filipo e Giacomo“, (lagje, ku ka banuar dhe familja Gega).
Shqiptarët janë emigrantët e parë, që themelojnë dhe një shoqëri (vllazëri) të tyre “La Scuola di San Severo e San Gallo” më 1442, që njihet me emrin “Scuola dei Albanesi” dhe që synonte t’iu vinte në ndihmë të gjithë shqiptarëve që vinin në Venedik, si dhe të ruante traditat dhe gjuhën amëtare. Në vitet e mëvonshme, pas pushtimit të Shqipërisë nga Turqia, kjo qendër kulturore shqiptare punoi në favor të çlirimit të vendit, si dhe për ruajtjen e traditave më të mira kulturore shqiptare.
Një nga perfaqësuesit më të shquar të kësaj shkollë shqiptare është edhe piktori dhe skulptori i famshem i rilindjes italinae Vittorio Carpaccio (1455-1526) me origjinë nga Korça, që në vitin 1502, kur u ndërtua edhe qendra e “Scuola dei Albanesi”, realizoi me gdhendje në faqen ballore të godines bazorelievin me temë shqiptare “Rrethimi i Shkodrës”, një kujtim shumë domethënës për atdheun.
Por prania e shqiptarëve në jetën ekonomike e kulturore të Venedikut provon të këtë qenë e pranishme gjatë gjithë shekujve deri në prag të shekullit XX. Faktet e pranisë së shqiptarëve konfirmohen edhe nga letërkëmbimi, që veprimtarja e madhe me origjinë shqiptare Eleni Gjika (Dora D’Istria) ka pasur me shkrimtarin e madh arbëresh De Rada. Në dy nga letrat e saj ajo shkruan për këtë koloni shqiptare dhe praninë e shqiptarëve kudo në Venedik.
Ajo që thekson Dora D’istria mbi “praninë e Shqiperisë kudo në Venecia” vërtëtohet edhe sot pas me shumë se 140 vitesh. Jane 9 rrugë dhe sheshe që sot e kësaj dite mbajnë akoma emrat shqiptarësh:

1.Calle dei Albanesi (Canarregio)
2.Ramo dei Albanesi (Canarregio)
3.Campiello dei Albanesi (Canarregio)
4.Calle dei Albanesi (Santa Croce)
5.Campiello dei Albanesi (Santa Croce)
6.Calle dei Albanesi (nahe Rio Terá)
7.Calle dei Albanesi (San Marco)
8.Calle dei Albanesi (Castello)
9.Ruga Apolonia (Castello)

Wolfgang Straub - 2004 “Karl Ritter von Gega”
Wolfgang Straub – 2004 “Karl Ritter von Gega”

Kjo është prova më e mirë e pranisë dhe vazhdimësisë së shqiptarëve në Venedik nga mesjeta deri në ditët tona.
Të gjitha faktet e mësipërme konfimonin bindjen tonë mbi origjinën shqiptare të Karl Gegës, pavaresisht nga mosgjetja deri vitin e kaluar të dokumenteve autentike mbi familjen Gega dhe zhvendosjen e saj për në Venedik.
Pikërisht kjo bindje na shtyu të kërkonim më tej në arkivat e Vjenës dhe Venedikut për të zbuluar dhe enigmën e fundit mbi Karl Gegën – prejardhjen e tij. Simpoziumi i 24 qershor 2005 me temë “Karl Gega – midis legjendës dhe realitetit” organizuar me inisiativën e Ambasadës sonë në Vjenë në bashkëpunim me shoqatën “Rinia” arriti të hedhë dritë mbi këtë enigmë të fundit dhe të provojë me dokumenta autentike origjinën shqiptare të Karl Gegës.
Familja Gega mendohet të jetë vendosur në Venedik, në gjysmën e parë të shekullit të 18-të. Të parët e Karl Gegës, pasi u larguan nga Shqipëria, e cila ra plotësisht nën sundimin turk me mposhtjen edhe të Shkodrës më 1479, u vendosën në Perast prane Kotorrit në Mal të Zi, zonë nën kontrollin venedikas. Prej më shumë se tri shekujsh ata shërbyen si oficerë marine dhe zyrtarë të lartë të Republikës së Venedikut. Një dokument i 3 tetorit 1739, mund të konsiderohet si dokumenti i parë, i gjetur deri tani, që provon linjën e Gegëve, që fillon me Gjergj Gegën, kapiten dhe gjykatës në Perast dhe vazhdon me të birin e tij Kristoforin, oficer marine në Venedik, dhe pjesëmarrës në Luftën Veneciane të Thesalisë kundër Turqve, ku mbeti i plagosur dhe humbi një krah. Kristofor Gega pati një djalë me emrin Gaspër, i cili në vazhdën e traditës familjare u bë oficer marine duke arritur gradën e kolonelit. Gaspër Gega u martua me Laura Javellin, familja e së cilës prej dekadash kishte drejtuar “Scuola dei Albanesi”(shkollën Shqiptare) të Venedikut. Me të ai pati tre fëmijë: Antonin, Xhovaniantonin dhe Angelën. Anton Gega është babai i Karl Gegës. Ai vazhdoi traditën e të parëve si oficer marine.
Me 1823, Kapiteni Anton Gega gjen vdekjen pranë Smirnes (Izmiri i sotëm) gjatë Luftës për çlirimin Greqisë nga turqit. Sigurisht që kërkime të metëjshme në arkivat veneciane e malazeze do të hedhin më shumë dritë mbi periudhën para vitit 1739 të familjes Gega.
Figura e Gegës dhe vepra e tij ka qenë objekt studimi i ekspertëve dhe studjuesve shqiptarë, ku ndër me kryesoret duhet të përmendim studimet e Gjovalin Gjadrit, Ramadan Sokolit, Jovan Adamit e Shinasi Dragotit. Nuk mund të lemë pa përmendur edhe faktin që me vendim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë më 1983, u krijua një komision me ekspertët më të mirë nga fusha e studimeve historike e inxhinjerike, të cilët përgatitën edhe monografinë me titull “Prejardhja dhe vepra e Karl Gegës“. Por mungesa e të dhënave të plota historike mbi prejardhjen e tij shqiptare, të argumentuara dhe bazuara edhe në burime arkivore, si dhe pamundësia e sigurimit të tyre, diktuar edhe nga faktorë të natyrës politike të asaj kohe, bënë që kjo figurë të mos jetë studjuar plotësisht.
Emërtimi në Tiranë vetëm i një shkolle dhe një rruge me emrin e Karl Gegës është një vlerësim i pamjaftueshëm për veprën e tij. Do të ishte ndër për njerin nga universitetet tona teknike të mbante emrin e të madhit Karl Gega. Kjo do të ishte edhe mënyra më e mirë për ta përjetësuar emrin e tij. Dhënia e një çmimi me emrin “Karl Gega” për zbulimet ose shpikjet në fushën e shkencës apo teknikës do të ishte një tjetër vlerësim, që do t’i bëhej atij nga vendi i të parëve të tij.

Karl Gega - Foto e fundit e tij
Karl Gega – Foto e fundit e tij

“Pronësia” mbi Gegën

Padyshim argumentat mbi Gegën italian, Gegën austriak, Gegën gjerman, Gegën “e tyre” e Gegën “tonë” janë të lidhura me faktorë të shumtë historikë, kulturorë, psikologjikë, etikë e moralë. Çdo komb kërkon gjithmonë të verë në pah identitetin e tij dhe ky identitet në një farë mase mishërohet të personalitetet dhe figurat e mëdha. Një figure e tillë është edhe Karl Gega.
Të gjithë kombet menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore kishin nevojë për figura të dimensioneve mitike, që të mobilizonin masat e dala nga kjo luftë shkatërrimtare, të kishin një model të cilit t’i drejtoheshin dhe të frymëzoheshin. Dhe një i tillë ishte Karl Gega.
Detyra e studjuesve dhe historianëve është që të vënë në pah të gjithë elementët dhe faktorët, që ndikojnë në formimin dhe lindjen e personaliteteve të tillë historike, të cilët nuk lindin si të tillë rastesisht, por janë produkt i faktorëve tepër të rëndësishëm si familja, tradita, edukata, formimi, rrethi shoqëror, në të cilin janë rritur dhe brumosur, që në një masë të madhe ndikojnë në lindjen e gjeniut.
Dokumentimi dhe vënia në pah e prejardhjes dhe origjinës së Gegës, nuk duhet të konsiderohet si një përpjekje folklorike apo mendësi romantike nacionaliste, por si një detyrim moral dhe shkencor, që do ta bejë më të plotë portretin e gjeniut Karl Gega.
Çeshtja e prejardhjeve ka kohë që është bërë një nga çeshtjet më të ndjeshme jo vetëm në skenën ballkanike por edhe më gjerë.
Rasti i Nënë Terezës, mohimi i prejardhjes së saj shqiptare dhe hedhja në tregun e mediave e tezave nga më absurde për origjinën e saj, sikurse shprehet shkrimtari ynë i shquar Kadare:
“…janë terthorazi një përpjekje për të shpallur, se populli shqiptar s’mund të ketë modele pozitive, e aq më pak modele sublime si Nënë Tereza…
Fati ka dashur, që shqiptarët, që punojnë dhe jetojnë në Vjenë e Austri, të kenë një privilegj të madh, të krenohen me figura të tilla mitike, të cilat do t’i kishte zili çdo komb.
Skënderbeu, Nënë Tereza, Gega, Moisiu – janë figura të cilat ne shqiptarët duhet t’i kemi si emblema në flamurin tonë për të hyrë në Europë. Janë figura që tregojnë se si ne shqiptarët jemi ndjerë europianë nëpër shekuj dhe asnjëherë nuk e kemi braktisur ëndrrën për të qenë në Europë. Shumë popuj do të dëshironin t’i kishin këto figura. Ne që i kemi, duhet të dimë t’i vlerësojme sa më mirë. Këto modele duhet të jenë mbështetja dhe frymezimi në punën tonë për të rritur imazhin e vendit, për të bërë më të pranishme dhe më të njohur, më të afërt dhe më të dashur Shqipërinë dhe shqiptarët në botë.
Me gjeninë e tij Karl Gega arriti të krijojë që përpara 150 vjetësh atë, që më në fund pas shumë përpjekjesh e sakrificash, u realizua politikisht me 1 maj 2004: Europën e Bashkuar. Këtë Europë ai e realizoi duke projektuar e ndërtuar rrugë e hekurudha, që kapërcenin nacionalizma e kufij, jo vetëm ata tokësorë, por edhe ata në mendjet e njerëzve. Sot mund të udhëtosh pa ndalim me hekurudhat, që i projektoi Gega ynë i madh nga Grac-i për në Trieste, nga Budapesti për në Venedik, nga Vjena për në Prage, Berno e Bratislavë.
Besoj se do të jetë tepër e afërt dita kur edhe treni i Shqipërisë do të udhëtojë shpejt e pa pengesa në hapësirën e madhe të kësaj Europe të Bashkuar, nëper linjat që projektoi dhe ndërtoi gjeniu shqiptar Karl Gega.
Marrë nga http://www.proletari.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.