back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

“Kam punuar me dirigjentët më të mëdhenj të botës…” Intervistë me sopranon Donika Mataj – Ekskluzive nga Aleks Kapllaj

Gazeta

Donika Mataj gjatë interpretimit
Donika Mataj gjatë interpretimit

Kam punuar me dirigjentët më të mëdhenj të botës.

Intervistë me sopranon Donika Mataj – Ekskluzive nga Aleks Kapllaj

Sopranoja Donika Mataj, koriste e soliste e Akademisë Nacionale të Santa Cecilia-s, me përgatitjen e saj në operën lirike, simfonike e sakrale e me interpretimet e sajtë larta, ka marrë disa çmime të para dhe vlerësime nga kritika italiane dhe ndërkombëtare.
Zëri i saj i bukur e teknikisht i perfeksionuar, ka “pikturuar” afresket e teatrove të kryeqyteteve europiane dhe katedraleve të tokës dhe të qiellit ku arrin zëri i saj, kudo që ka kënduar, për të gjithë artdashësit e muzikës lirike, që kanë pasur fatin të dëgjojnë zërin e Sopranos, ndër më të mirët që janë sot në Europë, duke dhuruar vetëm emocione unike, që arrijnë në zemrën dhe mendjen e çdo dëgjuesi e të apasionuari të muzikës dhe kangës së saj, magjia e së cilës të shoqëron gjithë jetën në udhën e artit dhe bukurisë të krijimtarisë njerzore dhe hyjnore në këmbim simbiotik.
Në vitin 1998, fiton çmimin e parë, të jurisë dhe publikut, në konkursin “Rocca delle Macìe”, per interpretimin me zërin e saj të ngrohtë dhe akut si soprano. Në vitin 2009, është vlerësuar si: “zëri i parë mes të barabartëve, ashtu si Verdi donte” në Te Deum e Giuseppe Verdit, e dirigjuar nga M.stri Antonio Pappano. Sukses i përsëritur në Royal Albert Hall të Londrës, në 2013.
Në shkurt të 2015, përherë me dirigjencën e M. Pappano, në kastin ndërkombëtar të AIDA-s, ka marrë vlerësimin personal nga kritika: “Donika Mataj, është zëri më i gjerë dhe autoritar i mbrëmjes… i shkëlqyer, i kadifejtë dhe shumë i vendosur…” Përgatitja e saj në operën lirike, simfonike e sakrale e kanë prezantuar atë, me interpretime të larta në të gjitha skenat që ka marrë pjesë.
.
Sopranoja Donika Mataj
Sopranoja Donika Mataj
Çfarë do të thotë për një këngëtare lirike të jetë soprano e soliste e Akademisë “Santa Cecilia”? Akademia nacionale “Santa Cecilia”, bashkë me teatrin “La Scala” të Milanos, janë institucionet për ekselencë të Italisë dhe kështu njihen në gjithë botën për këngën lirike. Kori i jonë, është një ndër koret më të rëndësishëm në Europë. Ai ekziston që në 1500-n dhe ka marrë disa çmime ndërkombëtare shumë të rëndësishme.
Unë jam artiste e këtij kori, që nga viti 1999, kur fitova konkursin e për të bërë një konkurs të tillë, duhet të keshë një përgatitje jo vetëm si këngëtare, por edhe si muzikante.
Për 5 vende fikse që kërkoheshin, në konkurs, morën pjesë 500 soprano.
Unë hyra e dyta në listë. Për mua është një eksperiencë e jashtëzakonshme, sepse çdo gjë që kam studiuar në teori ne e bëjmë praktikë, që nga muzika polifonike, sakrale, sinfonike, lirike e bashkohore. Kemi punuar me dirigjentët më të mëdhenj të botës.
Aktualisht dirigjenti dhe drejtori artistik i Akademise është M.stro Antonio Pappano, që është një nga dirigjentët më të rëndësishëm të kësaj epoke.
Unë aty nuk jam vetem koriste, por tash 21 vjet mbuloj shpesh role solistike, të cilat më japin shumë kënaqësi dhe kam kënduar me dirigjentë shumë të rëndësishëm.
Edhe kritika më ka vleresuar disa herë….
.
Donika Mataj gjatë interpretimit
Donika Mataj gjatë interpretimit
Si arrihet një sukses i tillë? Unë kam filluar të studjoj muzikë në moshën 9 vjeçe, në shkollën 17 Tetori në Lezhë, ku kam studjuar 4 vjet kitarrë. Pastaj fitova konkursin për liceun artistik “Prenkë Jakova”, në Shkodër, ku kam fillu edhe studimin e kantos lirike 2 vjet me Prof. Ferid Balën, e 2 vjet me Violeta Kananin. Pas katër viteve, bëra konkursin për konservator dhe vitin e parë nuk e fitova. Atë vit, kam punuar si mësuese muzike në Ungrej të Kashnjetit.
Mbas një viti e bëra edhe një herë konkursin dhe e fitova.
Profesoresha që më ka dhanë kurajo për me vazhdu me këtë profesion, ka qënë Rozmari Jorganxhi (nëna e kompozitorit Gjergj Leka) e cila ka një muaj që nuk është më pranë nesh. Ajo zonjë, grua dhe artiste e madhe, më thoshte gjithmonë: “Donika, ti nga këtu duhet te ikësh sepse zëri i yt, është shumë i rëndësishëm e i cilësisë së parë dhe vetëm larg nga këtu, do të gjesh rrugën tënde, sepse Shqipëria ka vetëm një teatër…!”
Në vitin e tretë të konservatorit, kam njohur edhe Bassin e madh shqiptar Lukë Kaçaj, me të cilin kam studiuar gadi 1 vit.
Kur bëra “saxhon” në fund të vitit kanë mbetur “me gojë hapur” të gjithë profesorat, kaq mirë më përgatiti profesor Kaçaj.
Sapo mbarova konservatorin, m’u dha mundësia me shkue në Itali, në një festival të muzikës folkloristike të Ballkanit, në Agrigento, si antare e grupit artistik të Lezhës.
Edhe kjo ishte një eksperiencë e mirë për mua e pastaj shkova direkt në Romë, ku me priste vëllai im (i ndjeri pediatri dr. Llesh Mataj, shënimi im a.k). Në Romë kam studiuar në privat me disa profesorë e, në veçanti me një profesoreshë me origjinë shqiptare, Silvana Ferraro. Fillova të bëja konkurse internacionale për kanto lirike, sepse vetëm ato mund t’i bëja nga që nuk kisha dokumenta artistike, por si puntore e thjeshtë.
Konkursi i parë që mora pjesë ka qenë në Trapani të Siçilisë, që quhej “Giuseppe di Stefano” (në nder të tenorit me famë botërore) dhe fitova çmimin e tretë. Më vonë erdhën edhe çmimet e para: në Romë, konkursi i muzikës së shenjtë; në Siena, konkursi “Rocca delle Macie”, çmimi i parë absolut i jurisë dhe i publikut. Pastaj në Vjenë, konkursi ma i madh në botë “Belvedere”, ku mora çmim special. Konkuruam 3 mijë soprano nga e gjithë bota. Në finale arritëm vetëm 3 soprano.
Në vitin 1995, kam ba një kurs perfeksionimi me sopranon e famshme Katia Ricciarelli dhe në 1999, me sopranon e famshme Renata Scotto.
Në 98-n, jam njohur me tenorin italian Vincenzo De Angelis, i cilin më vonë u ba edhe bashkëshorti im. Ndërkohë, bashkë me burrin kemi kënduar operat “La Boheme” e Giacomo Puccini-t, “La Traviata” e Giuseppe Verdit, “Carmen” i Bizet, “Il Trovatore” e “Aida” të Verdit etj. Kemi kënduar në Itali, në Spanjë në Francë. Filluan edhe kontaktet nga agjentët për karrierë, por unë mora një vendim, që në fillim edhe im shoq nuk ishte fort dakort, që të hyja në korin e “Santa Cecilia” dhe siç fola më sipër, e fitova. Edhe sot jam shumë e kënaqur nga zgjedhja që kam ba, sepse të bësh karrierë të madhe, do të thotë të mos keshë kohë për familjen.
Unë kam vu gjithmonë në vend të parë familjen. Dhe me interpretimin si soprano e korit “Santa Cecilia”, kam sodisfaksione të mëdha artistike.
.
Donika Mataj & Giovanni Bellucci
Donika Mataj & Giovanni Bellucci
Si studjon Donika tani dhe me kë? Në këto 22 vite që jam e martuar, kam fatin e madh, që burri im është edhe një mjeshtër kantoje shumë i mirë, dhe me jep këshilla, që ta mbaj zërin gjithmonë në formë. Përgatitemi minimumi 4 herë në javë dhe çdo ditë të paktën 30 minuta vetëm vokalica.
 
Cilët janë tenorët dhe sopranot tuaj më të preferuar? Këngëtarja ime e preferuar sot është Anna Netrepko. Tenori im i preferuar sot është Rame Lahaj, shqiptar nga Kosova. Ndërsa, sopranoja ime e preferuar mbi të gjitha është Maria Callas. Pas saj vijnë Renata Tebaldi e Mirella Freni, ndërsa tenorët janë Franco Corelli, Giuseppe di Stefano, Nikollai Gedda e shumë të tjerë, që nuk mund t’i përmend të gjithë.
.
Donika Mataj në korin e Santa Cecilias
Donika Mataj në korin e Santa Cecilias
Cila është këshilla e juaj për çdo aspirues të këngës së lirikës për të arritur rezultate të larta në nivele kombëtare e ndërkombëtare? Këshilla ime për çdo aspirues të ri të kësaj gjinie muzikore është studim, durim këmbëngulje dhe të jeshë sa më i thjeshtë, sepse në këtë mjeshtri nuk ja arrin gjithmonë. Çdo koncert e çdo premiere, është gjithmonë si hera e parë.
.
30.11.2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.