back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Ka apo jo shkrimtarë kishtarë dhe letërsi kishtare? – nga Isak Ahmeti

Gazeta

Prof. Isak Ahmeti
Prof. Isak Ahmeti

Ka apo jo shkrimtarë kishtarë dhe letërsi kishtare?

nga Isak Ahmeti

Me rastin e 1600 vjetorit të kalimit në amshim të Shën Jeronimit
 
1.Në vitet e 90-ta të shek. XX, në revistën: Rrezja, revistë fetare, kulturore dhe informative, nr.10-11/1995, Bishtazhin-Kosovë, fq.16-17, një klerik shqiptar, jo veç diletant por edhe tendencioz(!?), kishte shkruar, ndër të tjera, edhe këtë: “Në realitet nuk ka letërsi kishtare, e aq më pak shqipe. Kjo mund të jetë vetëm ide e autorit (Isak Ahmetit – vër. ime), e cila nuk ka baza shkencore as teorike, që të flitet për një letërsi kishtare…”
Që atëherë pata reaguar, por botuesi i revistës në fjalë (që dihet me emër dhe mbiemër?), për çudinë time e pat heshtur këtë!? Mirëpo unë nuk heshta: shkrova si përgjigje, me shumë përkushtim dhe pasion, studimin monografik me titull: Letërsia kishtare dhe filozofia e saj, Illyricum Sacrum, Prishtinë, 2000 (fq. 154), të cilin e ka sponzorizuar Ministria e Kulturës e Austrisë, ku me një akribi shkencore, të rrallë, dhe me shumë argumente, të padiskutueshme, kam dëshmuar se jo vetëm që ka shkrimtarë kishtarë dhe letërsi kishtare por edhe filozofi biblike… Me përfaqësuesit e vet kryesorë si: Ambrozi, Jeronimi, Augustini, Akuini etj.
Letërsia kishtare ka ekzistuar dhe ekziston, ndonëse ishte e mohuar dhe shkallmuar në kohën e diktaturës por, fatkeqësisht, edhe në vitet e ’90-ta nga ndoj klerik diletant si psh. Don R. K. Kjo letërsi edhe sot e kësaj dite pranohet, në botën shkencore dhe të civilizuar, si sistem vlerash botërore. Për këtë në vijim të këtij shkrimi dhe më gjerësisht te libri im: “Letërsia kishtare dhe filozofia e saj”.
.
Shën Jeronimi (347-420)
Shën Jeronimi (347-420)

2.Autorët që kanë shkruar për letërsinë kishtare – Letërsia kishtare dhe filozofia e saj ekziston dhe për këtë kanë shkruar autorë të njohur, që nga Shën Jeronimi (Sofronius Eusebius Hieronymus, De scriptoribus ecclesiasticis (mbi shkrimtarët kishtarë), 392. Shih edhe: Patrologiae cursus completus, Ed. J. Migna, Series Latina, 1-127, vol. Paris, 1862-1864, 23. col. 631-700; Corpus scripyorum ecclesiasticorum latinorum editum consilio… Wien 1866, e deri në ditët e sotme kur po e përkujtojmë edhe 1600 vjetorin e kalimit në amshim të Shën Jeronimit, figura e të cilit ishte edhe temë bosht në Akademinë Shkencore të Takimeve të sivjetme të “Dom Mikelit” kur edhe u promovuan dy monografi për Shën Jeronimin, njëra e autorit Prend Buzhala dhe tjetra e Dom Lush Gjergjit. Për Letërsinë kishtare ka shkruar edhe Imzot Zef Simoni. Kështu psh te libri i tij me titull: “Atdheu Ynë”, SHB “At Gjergj Fishta” Shkodër, 1994 fq. 44, ndër të tjera shkruan edhe këtë, citoj: “Kështu letërsia jonë kishtare (nënvizimi im), fillue me Luanin e Dalmacisë, është edhe fillesa e letërsisë sonë artistike…”

Për më tepër edhe Shën Augustini, refleksionet filozofike të të cilit do t’i hasim te Bogdani, Harapi, Meshkalla e te ndonjë tjetër, është shkrimtar kishtar dhe ati shpirtëror i Mesjetës, i përfaqësuar edhe në Historinë e Letërsisë Botërore. Ai, si sintezë e të menduarit filozofik antik, e shprehur në forma të reja dhe me qëllime apologjetike, e pohonte ekzistimin e shkrimtarëve kishtarë duke thënë shprehimisht: “Ta dinë disa njerëz të punës se shkrimtarët tanë (sc. kishtarë – I. Ahmeti), u shërbyen me të gjitha mënyrat e të folurit që gramaticienët i quajnë tropoi…”
Zatën edhe studiuesi dhe shkencëtari i njohur Oton Badenhewer veprën e vet, jo rastësisht, e ka titulluar: Historia e Letërsisë së Vjetër Kishtare (Oton Badenhewer, Geschichte der altkirschlichen Literatur, I-V vëllime, Freiburg, 1913-1932. Edhe Dr. Engjëll Sedaj në veprën e tij: Bibla dhe përkthimet e saj në gjuhën shqipe, Shtufi, Prishtinë 1999 (fq. 58, 71-73, 233-239, 250-252, 254, 267-8) do e përdorë një terminologji edhe më të gjërë si: shkrimtarë kishtarë, veprat e shkrimtarëve kishtarë, letërsia apokaliptike, letërsia homilike, letërsia liturgjike, etj.
Ç’është e vërteta, ekziston një literaturë e tërë, një varg i tërë argumentesh të pamohueshme që vërteton ekzistencën e letërsisë kishtare. Në dritën e këtij pohimi citojmë: “drama kishtare, drama liturgjike, himni kishtar, shkrimtarët kishtarë, etj. (Historia e Letërsisë Botërore, 2, përkthimi shqip, Rilindja, Prishtinë, 1985, fq. 392, 393, 402, 415, etj.). Në dritën e gjithë kësaj le të ritheksojmë se drama kishtare mesjetare ishte embrioni prej nga u zhvillua drama moderne evropiane… teatri modern… Poezia kishtare (nënvizimi im), qysh në shekujt e parë përmbante në vete bërthamën dramatike…
Kështu drama kishtare ose liturgjike (nënvizimi im), e frymëzuar nga Bibla, ka arritur kulmin e vet në shek. XII (HLB, 2, 392-393). Në kontekst me këtë përmendën edhe dramat kishtare të Pashkëve dhe të Kërshëndellave si “Ludus Dominicae Resurrectiones, Ludus Paschalis Sive De Passione Domini, etj. Edhe në Kroaci, për shembull, janë ruajtur dy të ashtuquajtura drama kishtare ose liturgjike (HLB, 2, 394). Edhe në letërsinë shqipe ekziston drama kishtare, ndonëse e vonshme. Psh. “Natë Kërshëndellash” e Leonardo De Martinos…
Një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë kishtare mesjetare (nënvizimi im) ishte Beda i Nerueshëm (Beda Venerabilis, 670-735), (HLB, 2, 362). Për shkrimtarët kishtarë, të krishterë, ka shkruar edhe sudiuesi i njohur kroat, Sagi Bunic (Povijest krscanske literature, I, Zagreb 1976. Mu pse ekziston letërsia kishtare, e përfaqësuar nga etërit kishtarë, ajo ka gjetur një vend shumë të merituar edhe në Historinë e Letërsisë Botërore (Shih: Povijest svjetske knjizevnosti, Knjiga 2, (Mladost, Zagreb), që është përkthyer dhe botuar edhe në shqip, Ril. Prishtinë, 1985.
3.Analogjikisht më gjithë çka u tha, sot mund të flasim jo vetëm për ndikimet biblike në letërsinë, por edhe për një letërsi të tërë kishtare (shqiptare), që nis me Shën Jeronimin dhe Shën Niketë Dardanin për të vazhduar me Buzukun, Pal Hasin, Pjetër Budin, Pjetër Bogdanin, Gjergj Fishtën, Shtjefën Gjeçovin, Ndre Zadenë, Dom Simon Filipaj, Imzot Zef Simoni etj. etj.
.
12 Tetor 2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.