back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

K. 101… nga Ilir Demalia

Gazeta

Ilir Demalia
Ilir Demalia

K. 101

nga Ilir Demalia

Heshtja bëhet dobësi
kur rasti e kërkon të flasësh të vërtetën,
duke vepruar në lidhje me rrethanat”
Mahtma Gandi

Pas publikimit të librit “Kadare i denoncuar në 101 dokumente të Pallatit të Ëndrrave” dhe publikimit të një faksmile të një “denoncimi” që paska bërë F. Lubonja në hetuesi në lidhje me Kadarenë dhe përgjigjeve të Lubonjës se me këtë dokument manipulohet dhe falsifikohet të cilat na i sjell me dokumente dhe prova Lubonja, hapet prap një temë që nuk duhet mbyllur dhe Lubonja nuk duhet lënë i vetëm, jo për t’i dale në krah Lubonjës apo ndëshkuar Kadarenë, por për të krijuar një raport me të vërtetën dhe moralin tonë si shoqëri ku nëpërmjet manipulimit, fallsifikimt dhe gënjeshtrës për ta pranuar si të vërtetë se kështu bëjnë të gjithë dhe kështu ecet dhe ngjitet shkallë në këtë katundin tonë, se kështu bën kariere dhe ke përfitime e privilegje duke u bërë pale me pushtetin, kemi arritur në këtë pike sa vendi sot është nën pushtetin e krimit dhe injorancës.
Kjo lloj kulture e konformizmit me të fortin, me të pushtetshmin, por jo me të drejtën, të vërtetën, interesin komunitar dhe publik është shumë më e thellë në jetën e historinë tonë.
Ka kaq kohë që me gjoja dokumente dhe materiale e proçes-verbale mbledhjesh, bisedash dhe kritikash të Lidhjes Shkrimtarëve, të hapura dhe publike, ashtu siç ka dhe shkrimtari Ismail Kadare për të tjerët pa llogaritur ato të Gent Arbanës, (pseudonimi I. Kadares në artikujt që shkruante në shtypin e kohës) me botimet e Sinanit dhe Kaloçit nën sponsorizimin e Henri (Naim) Çilit, duan të na i shesin këto materiale si ndjekje të Sigurimit Shtetit ndaj Kadaresë.
Çilit i duhet emri Kadaresë ne bordin e Universitetit që shet diploma, Kadaresë i duhet Çili për librat dosje për dosjen e “disidentit” dhe Krishtit nën diktaturë me “Peshën e Kryqit” për në Stokholm.
Materialet që serviren si “denoncime” nuk kanë të bëjnë me ndonjë aktivitet illegal shkrimesh apo veprimtarie me individin Ismail Kadare. Ato materiale janë të kufizuara vetëm në ato ç’ka ai ka shkruar, pra në botime publike që kontrolloheshin nga K.Q. si çdo artikull, librat ashtu si dhe filmat, dhe duhej aprovimi nga lart a ishin në rregull me përmbajtjen ideologjike të partisë para se të dilnin në publik ku kishte një zyrë shtypi në KQ që kontrollonte gjithçka para se të botohej e në veçanti “Zeri Popullit” si organ K.Q. të Partisë.

Kadare ne familjen Hoxha
Kadare ne familjen Hoxha

Denoncime të tilla jo vetëm mbledhjesh por edhe publike në artikuj gazetash të kohës ka plot shkrimtari Ismail Kadare për shkrimtarë të tjerë e sidomos për shkrimtarët e ndaluar dhe në veçanti për ato të klerit katolik.
Sigurisht, duke mos gjetur ndonjë denoncim në kuptimin e mirfilltë të fjalës, autorët venë shenjën e barazimit midis “denoncimit” dhe kritikës nga individë të ndryshëm në diskutimet për veprën letrare të shkrimtarit në këtë rast, pa përmendur raste kur kritikët kundër veprës Kadaresë janë ndëshkuar.
Ndjekja nga Sigurimi është gjë tjetër siç spjegon Lubonja, pra hapet në fillim dosja përpunimit pastaj dosja 2A që bëheshe gati për arrestim dhe në atë dosje janë agjentët bashkëpuntorët dhe deponimet kundër personit.
Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami ishin dërguar njëri në Lezhë dhe tjetri në Fush-Arrëz dhe Fatos Lubonja kishte që nga korriku i vitit 1973, që i ishte hapur dosja PP (proçesi përpunimit) kohë kur Todi dhe Fadili ishin përjashtuar nga K.Q. dhe partia dukej sikur e kishte zbehur valën e goditjes… Pikërisht në 13 Janar 1974, shkrimtari Ismail Kadare shkruan një artikul në gazetën “Zëri Popullit” Organi Komitetit Qëndror të Partisë dhe sh. Enver me titullin “Realizmi socialist – art i madhi revolucionit.” Në këtë shkrim Kadare dencon hapur Lubonjën dhe Paçramin si armiq të atdheut, të kulturës kombëtare. Ai shkruan, “…Nuk është e rastit që ai bashkë me Todi Lubonjën ishin kundërshtarë të tërbuar të karakterit kombëtar në artet tona. Në poezi F. Paçrami urrente figurën e baballarëve, në skulpture figurën e nënës, në prozë përbuzte plakat shamizeza. Ai tmerrohej nga figura Skëndërbeut më keq se një pasha turk. Pra, ai nuk duronte dot asgjë që kishte lidhje me themelet e popullit e kombit. Nga kjo pikpamje ai të kujton ato dijetarë të Ishullit të Laputëve për të cilët Suifti tregon kërkonin të shpiknin një metodë ndërtimin e shtëpive nga çatia. Djathtizmi i T. Lubonjës e F. Paçramit, kozmopolitizmi tyre treguan dhe njëherë se lufta e klasave në terrenin e letërsisë dhe arteve është e gjallë dhe do të jetë e tillë për një kohë shumë të gjatë”.
Ky artikull i Kadaresë ngjason më shumë me një pretencë prokurori se sa me një kritikë letrare.
Është koincidencë apo lidhet me këtë shkrim-nxitje (që sigurisht e ka lexuar E. Hoxha si artikull në faqe të pare të Z.P-së) ajo që ndodhi pikërisht një javë më vonë në 21 Janar 1974?! Sipas kartelës së Sigurimit Shtetit, dosja PP e F. Lubonjës kalon në 2A kontigjent për arrestim.
Në të gjitha librat Kadare i “denoncuar” nuk gjejmë një denoncim-pretencë kaq të hapur si ky që Kadare i bën dy miqve dhe përkrahësve të tij kur ato ishin në pushtet. Kadare ishte dhe është mjeshtri më i madh për t’ju ngjitur pushteteve dhe njerëzve me pushtet duke përdorur dhe u përdorur nga ata si konformizëm me të keqen për ngjitjen e tij dhe përfitimet me pushtetet si dje dhe sot, dhe po ashtu për t’i groposur kur i lypet nevoja siç ka bërë dhe me të tjerë.
Përse lodhen me librat “Kadare i Denoncuar”, “Kadare në 101 dokumente të Pallatit të Endërrave”, “Dosja Kadare” e plot shkrime e mund për t’i veshur shkrimtarit një “qyrk” që ai nuk e ka, atë të njeriut “kundër” regjimit diktatorial dhe ndjekjes që i është bërë këtij njeriu nga sigurimi për “rrezikshmërinë” që paraqiste ky ndaj regjimit? Në qoftë e vërtetë, le të nxjerrin dosjen e PP apo 2A siç ka nxjerrë Lubonja të tijën dhe mbyllet kjo histori. Unë i pari do t’i kërkoj Lubonjës t’i kërkoj falje publike Kadaresë për atë që s’e paskemi ditur se në çfare “rreziku” paska qenë shkrimtari në kohën e diktaturës.
Jeta e shkrimtarit me shkrimet e librat e tij, ofiqet dhe privilegjet na tregojnë krejt gjë tjetër në mardhëniet e Kadaresë me regjimin. Ai ishte njeriu me trajtimin më të veçantë nga të gjithë shkrimtarët dhe artistët, intelektualët dhe njerëzit e elitës së regjimit. Po rreshtoj këtu vetëm disa se po të radhisim të gjitha përfitimet, privilegjet, trajtimet, artikujt, shkrimet, poezitë, librat për regjimin do na dale një dosje gjigande dosja K në shërbim të regjimeve.

Ismail Kadare
Ismail Kadare

1.Që nëmoshën 28 vjeçare në krijimtari të lirë, i paguar nga shteti diktatorial “për të shkruar kundër diktaturës.”
2.Anëtar i P.P.SH në vitin 1970, ku dhe stazhin e partisë në Uzinën e Traktorëve, po na e shesin sot si dënim i Kadares me librin “Kadare i denoncuar”.
3.Njeriut që i jepeshin fonde nga shteti për botimin e veprave të tij jashtë vendit sipas dëshmisë se Javer Malos dhe fondit kulturës pranë K.Q.P.P.SH
4.Përkthyesi që përkthente veprat e Enver Hoxhës përkthente dhe ato të Kadarese me një punë të papaguar, dhe nuk vihej emri i tij si përkthyes se ky kishte qenë i burgosur nga regjimi, Isuf Vrioni.
5.Njeriu që ndiqej nga Sigurimi ngjiti shkallët deri në deputet i Kuvendit i Popullor.
6.Duke parë rrezikshmërinë e tij në rritje regjimi ia shtoi ndjekjen duke e bërë nënkryetar të Frontit Demokratik me kryetare Nexhmie Hoxhën, gruan e diktatorit. Nuk duhet harruar se Fronti Demokratik ka qenë organizata më e zezë e diktaturës, e cila propozonte interrnimet dhe dënimet nëpër lagje.
7.Ka fituar çmimet më të larta gjatë diktaturës si çmimin e Republikës për letërsi…
A mund të mendoj kush se një njeri i tillë ndiqej nga Sigurimi?
Edhe në regjimin autoritarist dhe të korruptuar, kriminal të pas 1990, Ismail Kadare bën të njejtën gjë si me regjimin diktatorial, mbyll gojën para së keqes, përdor dhe përdorohet nga e keqja e pushtetit, shfrytzon deri në maksimum heshtjen e tij për përfitime dhe vazhdim të manipulimit dhe fabrikimit të veprës dhe jetës tij me fuqinë financiare dhe politike të pushtetit.
Kadare duhet t’i përgjigjet për heshtjen e tij gjatë këtyre 25 vjetëve deri me kryeministrin e fundit në detyrë, Edi Rama, i cili tallej dhe ironizonte shkrimtarin si shërbëtor të regjimit diktatorial në revistën Përpjekja numri 7 Nëntor 1996, (por dhe më para dhe më pas) në shkrimin “Pinoku, mbreti i të varfërve”, ku si personazh kishte Gent Arbanën që ishte pseudonimi Kadaresë në shumë shkrime të shtypit shqiptar gjatë viteve ’70-’85.
Ramës i duhet sot Kadare me heshtjen e tij, bile Rama e propozon edhe për president! Të dy më kujtojnë vargjet e Nolit, “Se Feridi faqe ndërron/ Fryn bëçitë dhe gjëmon,/ Se katrani zbardhëllon!”.
A kanë lidhje heshtja e shkrimtarit në postdiktaturë me shërbimet e qeverive autoritariste dhe të korruptuar gjatë këtyre 25 vjetëve me nderet që i kanë bëre shkrimtarit Kadare?
Kadare duhet të pëgjigjet!

Ismail Kadare dhe pjese nga botimet e tij
Ismail Kadare dhe pjese nga botimet e tij

1.Në kohën që ministër i kulturës ka qënë Teodor Laço, a është dhënë një fond nga shteti Berishës prej 1 milion dollarësh për botimin e veprave të tij në shqip përmbledhja “Veprat e Ismail Kadares” me kapak blu nga Fayard që më pas ju shitën emigracionit dhe parat i mori Kadare?
2.Toka që ka marrë në Golem, ku ka ndërtuar shtëpinë e tij të verimit, a ja ka dhënë Ilir Meta falas duke dhënë i pari shëmbullin për prishjen e natyrës dhe rrëmbimin e pronës publike?
3.Si është marrë apartamenti tek Vodafoni a ka lidhje me shtesën e kateve dhënë ndërtuesit nga qeveria e Berishës për t’i dhënë apartamentin falas Kadares?
4.Emërimi i vajzës së tij si ambasadore sa në UNESCO, në Paris, sa në UN në New York pa asnjë meritë dhe karriere në shërbim diplomatik para emërimit, por vetëm se është vajza e Kadaresë? A ka lidhje me atë se e vetmja detyrë që ajo bën është se do të lobojë me ambasadorët për Stokolmin dhe Kadare do heshtë për Qeverinë e Canabisit?
Kadare e vetmja gjë që bën që pas 1990 rishkruan librat dhe i transformon në atë mënyre sa nuk njihet më botimi i pare më të fundit. Si jeta dhe historia nuk rishkruhet sa herë ndyshojnë regjimet, mund të ndryshosh mendje, mund të kesh të tjera bindje, por një njeri publik duhet të shpjegojë pse e ka bërë atëherë dhe jo të mundohet t’i fshehë.
Vetëm E. Hoxha dhe Kadare kanë pasur luksin që t’u botohen e ribotohen veprat si dhe të modifikojnë pjesë të së kaluarës në varësi të ndryshimeve politike.
Ja çfarë shkruan Kadare në artikullin e 13 Shkurtit 1974 për artin e realizmit socialist, “Si pjesë përbërëse e mekanizmit të revolucionit, realizmi socialist ka pasur, ka do të ketë po ato armiq që ka revolucioni. Tërbimi i tyre, rrufetë që ato lëshojnë mbi të, nuk tregojnë gjë tjetër veç rrezikshmërinë e fuqinë e tij për klasat sunduese. Akuzat për gjoja ngushtësinë e tij, për pamundësinë, për rregullat kufizuese që shkurtojnë jetën, koha i ka hedhur e do t’i hedhë njëra pas tjetrës. Realizmi socialist është arti së ardhmes. Asnjë art i gjeritanishëm nuk mund të jetë i krahasueshëm me të për nga mundësia e kapaciteti, thellësia, dramaciteti dhe niveli lartë artistik, këtë omnipotencë na e jep revolucioni komunist.”
Të gjithë e bisedojnë, të gjithë e pranojnë kur rufisin kafet dhe diskutojnë kur hapet kjo temë se Kadare manipulon dhe fabrikon të shkuarën e tij. Këtu nuk e kam fjalën për njerëz të thjeshtë, por shkrimtarë, kineastë, artistë, gazetarë, analistë, e them këtë nga një eksperiencë personale me këtë kategori jo vetëm sot, por edhe përpara 1990, ku çfaqnin qëndrime dhe kundërshti rreth vlersimit të veprës tij letrare dhe shpreheshin dhe të irrituar për trajtimin e veçantë që kishte Kadare nga regjimi me privilegjet që merrte nga regjimi në shërbim të regjimit.
As atëherë dhe as sot, kjo kategori kurrë nuk doli haptas si për veprën e tij letrare dhe si për manipulimin dhe fallsifikimin e jetës dhe veprës tij sipas situatave. Mirë atëherë se jetonim në një regjim diktatorial dhe Kadare mbrohej nga vetë diktatori, siç pohon dhe vetë ai sipas mënyrës së tij… dhe mund ta pësoje siç e pësoi Bilal Xhaferri dhe të tjerë, apo Renato, i dashuri vajzës së tij, ku Kadare me rrjetin dhe fuqinë e tij vinte në dispozicion një ministri të brendëshme, një komitet partie, një hetuesi, një gjykatë, për të eleminuar siç dhe ka bërë… pra mirë atëherë, po sot çfarë i pengon këta njerëz të thonë atë që mendojnë realisht dhe e thonë në biseda private por jo publikisht? Apo më keq akoma, dalin dhe himinizojnë në publik kur disa orë më parë e kanë bërë copë në kafe apo në diskutim me ty?!
Kjo dyftyrsi, kjo jetë e dyfishtë, ka të bëjë me nënshtrimin tonë dhe pajtimin si model “suksesi” me të keqen. Pra, nuk ka rëndësi çfarë është e drejtë dhe e moralshme, por çfarë bëjnë të gjithë me modelin që kemi ne si model “suksesi” të bëj dhe unë. E pse duhet të kemi kokçarje kur mund të ndjekë modelin e “suksesit” kur megjithëse e di që është jo e drejtë dhe e jo-moralshme është e “sukseshme” në shoqërinë tonë si kulturë fabrikimi dhe manipulim-simulimi të pranuar dhe ndjekur nga modeli “Gjeneralit të letrave” dhe zbret si kulturë e tillë në gjithë nivelet e shoqërisë tone? Kjo quhet konformizëm me të keqen. Teoritë dhe praktikat e moralit na mësojnë ndryshe: të bësh çfarë është e drejtë pa pasur parasysh çfarë bëjnë të gjithë.
Është sa absurde dhe qesharake që sot të shfaqësh një mendim të papëlqyeshëm për letërsinë e tij, apo të thuash disa të vërteta që i ka shkruar vetë Kadare, të mos biesh dakort me himinizimin dhe marrëzinë si njeriu më i madh i letrave në botë dhe padyshim në Shqipëri, të mos biesh dakort në marrëzinë kolektive se Kadare është identifikim me atdheun, se pa të nuk do të njihej Shqipëria, pra të mos biesh dakort me këtë lloj idolatrie që vjen nga injoranca, provincializmi, inferioriteti i provincave që të kujtojnë histerinë për Enver Hoxhën, sot e njëjta gjë me Kadarenë, të hedhin një lumë akuzash si “mohues i kulturës shqiptare” deri antikombëtar sa mendon se këto njerëz mendojnë se është në fuqi neni 55 i Kodit Penal, ai që dënonte për agjitacion dhe propagandë!!
Në të gjithë këtë histori nuk është çështja ke Kadare si person, por ke modeli Kadare që kemi krijuar ne nëpermjet manipulimit dhe fallsifikimit si model “suksesi” nëpërmjet fuqisë së pushtetit dhe lidhjeve dhe shërbimeve të së keqes ku po zhytemi për ditë në llumin e një imazhi të rremë si model suksesi.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.