back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Jusuf Gërvalla i shkruan letrën e shpirtit nënës Ajshe nga Gjermania

Gazeta

Jusuf Gervalla dhe nana e tij
Jusuf Gervalla dhe nana e tij Ajsha

Jusuf Gërvalla

i shkruan letrën e shpirtit nënës Ajshe nga Gjermania

Në shtator të vitit 1980, Jusuf Gërvalla ishte larg nënës së tij.
Dashuria e pastër e saj megjithatë e ka shoqëruar Jusufin
në udhëtimet dhe tragjeditë e të mirat e jetës së tij.
Poeti, muzikanti dhe atdhetari shqiptar i shkruan kësisoj nënës së tij, nënës Ajshe,
një letër e cila duket se përmban emocione të tejpërtejme, fisnike,
të cilat i shkruan veç një shpirt i mbushur si ai i Jusufit.
Po e sjellim të plotë letrën e Jusufit për nënën e tij, nga Gjermania e largët, sot…
Jusuf Gervalla (1943-1982)
Jusuf Gervalla (1943-1982)
“Nanë e dashtun!
Rruga e jetës na pruni deri këtu. Zor sa të duesh. Po kollaj, s’ka qysh bahet ma kollaj. Ti vetë sa e sa herë, në prag të gjumit, kur ishim fëmijë e kur kishim dalë prej lojnave të fëminisë, na ke kallxue përralla që kanë të njëjtin përfundim: rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njerin. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!
Sot, në vjeshtën e kësaj rruge, kur s’po kemi qysh me i dhanë gjevap bereqetit kaq të pasun, farën e të cilit e kemi mbjellë vetë, kush lodhet i pari mundet me thonë: a vyen me luftue për nder, tuj i ngarkue vetit kaq të liga në shpindë?!
Unë, besoj, nanë, se ti nuk je ajo që thotë kështu. Ti gjithmonë u ke përballue burrnisht rrebesheve të mëdha. Unë besoj se ti nuk je lodhë. Rruga jonë, mendja e shpirti ynë kanë pasur strofull fjalën tande, dashuninë e kujdesin tand të pashoq. Kur i kujtoj këto, më del se ti, në vend se të mërzitesh, duhet të gëzohesh e të përtërihesh. Ma në fund, veç tuj mos u dorëzue në këtë kohë të vështirë, ti nanë, do ta qitësh edhe hapin tand të fundit burrnor, që të bon si të gjitha ato nana trimnesha e fisnike shqiptare, të cilat, kur e ka lypë puna e vatanit, s’e kanë kursye e s’e kanë kajtë me lot jetën e djemve të tyne dhe kanë këndue kur kanë kukatë qyqet.
Jam shumë i lumtun që për këtë pikë, pra, për mërzinë tande, shpirtin e kam të fjetun. Ti je nji lis, që nuk don me ditë për fërfllazat e forta. Bile, nji lis, madhështia e të cilit del në pah bash kur merr mot me fërfllazë. As bora as ngricat e mëdha nuk të kanë ba kurrë shejë.
Pse, pra, dridhesh aq fort prej lagshte e prej bryme?
Në përfytyrimet e mia të gjalla, këtu në tretdhé, të shoh tuj ecë me atë krejninë tande të pashoqe, sa herë që nisesh me e pa djalin tand në burg, e rrugës të bjen me u shpërndrrue me anmiq të mëdhenj e të vegjël të pjellës sate. Le të pëlcasë anmiku, gjithë ai që e ka ba synin qorr e veshin shurdh kur e do puna me lufte për nderën, për ato që ti jau ke kushtue jetën e shëndetën. Dhe dije se krejnia jote përballë fërfllazës së sotme, asht helmi ma i fortë për anmikun” .
.
Marrë nga KultPlus.com 2 Tetor 2017
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.