back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Jushka – tregim nga Andrej Platonov

Gazeta

Andrej Plotonov (1899-1951)
Andrej Plotonov (1899-1951)

Jushka

tregim nga Andrej Platonov

Nga kryeveprat e mjeshtrave të tregimit:

Qëmoti, qyshse s’mbahet mend, rronte në rrugicën tonë një njeri me çehre të mplakur. Ai punonte në një kovaçhanë ndanë rrugës së madhe të Moskës; punonte si ndihmës çirak i kryekovaçit, ngase dritën e syve e kish në të fikur dhe krahët të pafuqishëm. Ai bartte ujë në kovaçhanë, rërë dhe qymyr, i frynte shakullit në vatër, mbante me darë hekurin e skuqur që ta rrihte kryekovaçi, shtrëngonte kalin mos luante gjatë kohës së mbathjes dhe bënte gjithfarë punësh të tjera që duheshin bërë. Ata e quanin Efim, porse të gjithë e thërrisnin Jushka. Vinte i pakët e imcak; në fytyrën e tij të rrudhur, në vend të mustaqeve dhe mjekrrës, rritej me të rrallë e tek-tuk ndonjë qime e thinjur; kurse sytë i kish të lëbardhur, si të një të verbëri, me një lagështirë të përhershme brenda, si lotë të paterur.
Jushkën e kishin sajuar në kuzhinën e apartamentit të të zot, pronarit të kovaçhanës. Mëngjeseve ai nisej në kovaçhanë, kurse mbrëmjeve kthehej në bujtinën e vet. Për punën e bërë kryekovaçi e ushqente Jushkën me bukë, mish dhe çorbë, kurse çaj, sheqer e rroba, Jushka duhej t’i hiqte vetë; ai duhet t’i fitonte ato me të lypur – gjithqysh, shtatë rubla e gjashtëdhjetë kopekë në muaj. Por Jushka nuk pinte çaj dhe nuk blinte sheqer, ai pinte ujë dhe mbante të njëjtat rroba pa i ndërruar me vite të tëra; verës vishte një palë tuta e bluzë, të nxira e të lerosura nga puna, të djegura vrima-vrima nga shkëndijat, kështu që në shumë vende mund të dalloje mishin e tij të bardhemë e të zbathur, kurse dimrit, Jushka hidhte sipër bluzës edhe një gëzof të shkurtër, që kish mbetur nga vdekja e të atit, ndërsa këmbëve mbathte do farë çizmesh shajaku, të cilat i qepte vetë, dhe i mbathte të njëjtën palë, çdo dimër.
Kur me të zbardhur drita Jushka kalonte rrugës për kovaçhanë, pleqtë e plakat çoheshin e thonin, është koha për t’u ngritur dhe zgjonin të rinjtë, se ja, dhe Jushka u nis për në punë. Ndërsa në mbrëmje, kur Jushka kthehej në vendin e tij të bujtjes, njerëzit thonin, është koha të hamë darkë e të flemë, se ja, dhe Jushka po shkon të flejë.
Po fëmijët e vegjël, madje dhe ata që qenë bërë adoleshentë, me të parë Jushkën e plakur tek bridhte, ndalnin lojën në rrugë, i turreshin Jushkës pas, duke britur:
-Shihni, po kalon Jushka! Ja, Jushka!
Kalamajtë rrëmbenin ç’të mundnin nga toka; degë të thata, guralecë, grushte me mbeturina dhe ia vërvisnin Jushkës.
-Jushka! – bërtisnin fëmijët. -Vërtet ti je Jushkë?
Plaku nuk u përgjigjej fëmijëve dhe nuk nxehej me ta; ai kalonte si dhe më parë, po aq i heshtur dhe nuk e mbronte fytyrën e tij, mbi të cilën binin guralecë e plehëra toke.
Fëmijët çuditeshin me Jushkën, që edhe pse i gjallë, nuk zemërohej me ta. Dhe ata sërishmi i britnin plakut:
-Jushka, prej vërteti je ti apo jo?
Pastaj rishtaz, fëmijët e godisnin me sendet që gjenin përtokë, i suleshin, e preknin dhe e shkundnin, pa arritur të kuptonin, pse nuk po u bërtet, pse nuk rrëmben ndonjë purtekë t’u qepet pas, siç bëjnë në përgjithësi të mëdhenjtë. Ata nuk njihnin ndonjë njeri kësisoj, dhe mendonin të jetë vërtet i gjallë ky Jushka? Duke e prekur Jushkën me duar apo duke e goditur, ata e ndjenin që ai është i gjallë dhe kockor. Atëhere fëmijët, prapë e shtynin Jushkën dhe e gjuanin me toptha dherash. -Le të nxehet tek e fundit nëse vërtet rron në dritë të bardhë. Por Jushka kalonte dhe heshtte. Atëherë fëmijët tërboheshin me Jushkën. Atyre nuk u vinte për shtat dhe nuk u dukej tërheqëse po qe se Jushka hesht, nuk i tremb e nuk u qepet pas. Prandaj ata dhe më tepër e shtynin plakun dhe çirreshin rrotull tij, që ky t’ua kthente i xhindosur e t’i zbaviste kësisoj. Atëherë ata do t’ia ia thernin vrapit prej tij, dhe të frikësuar e çakërrqejf do ta tallnin nga larg, duke e ndjellur pas vetes, teksa pastaj, të rendnin e të strukeshin territ të mbrëmjes në tremetë e shtëpive, në kaçubet e kopshtijeve dhe perimoreve. Porse Jushka nuk i ngiste dhe nuk u përgjigjej.
Po kur kalamajtë e shkalafisnin Jushkën përfare apo i shkaktonin dhimbje tepër të madhe, ai u flsite:
-Çkeni more shpirtën, çkeni more vocërrakë… Ju në vend që të më doni! Përse më bini më qafë? …Avashë, mos ngiti, ju m’i mbushët sytë me dhé dhe nuk po shoh.
Fëmijët as që ia varnin dhe nuk e kuptonin. Ata e shtynin dhe e tallnin Jushkën si dhe më parë. Ata i gëzonte fakti që me të mund të bëje ç’të doje, si të të tekej, dhe ai nuk të kthente dorë.
Jushka gjithashtu gëzohej. Ai e dinte përse fëmijët e tallnin dhe e mundonin ashtu. Ai besonte se fëmijët e duan, se dhe ai u duhet atyre, veçse ata nuk dinë si ta duan njeriun, nuk dinë ç’duhet bërë për dashurinë, andaj dhe e torturojnë asisoj.
Nënat dhe baballarët i qortonin bijtë, kur ato nuk mësonin ose kur bëheshin të padëgjueshëm: “Ja, ti ke me ia këputë kryet Jushkës! – Do të rritesh, e verës do të ecësh zbathur, dimrit me çizme shajaku, dhe të gjithë do të tallen me ty, çaj e sheqer s’do vesh në gojë, po vetëm ujë shqeto!”
Njerëzit e rritur e të thyer në moshë, me ta ndeshur Jushkën në rrugë e fyenin sa t’u hante goja. Ndodhte që njeriu i rritur, ashtu i trullosur nga hidhërimi e me zemrën plot tërbim të pashpirt, me ta vënë re Jushkën, duke kaluar për në kovaçhanë a në oborr të bujtinës, i fliste:
-Ç’më shkon ashtu ti, i kënaqur, si të kesh kapur qiellin me dorë? Çfarë po na fsheh në atë rradaken tënde?
Jushka ndalon, dëgjon dhe si përgjigje, hesht: -T’u ka tha goja që s’flet o kafshë? Të rrosh thjesht e ndershëm siç rroj unë, atë bëj, kurse fshehtas mos bluaj gjë! Fol, do të jetosh siç duhet? Nuk do? Aha! …E mirë, pra!
Dhe pas kësaj bisede, njeriu i rritur bindej, teksa Jushka heshtte, se të gjitha fajet ai i ka, dhe aty për aty e zhdëpte në dru. Nga butësia e Jushkës njeriu i rritur kalonte në egërsi, ndaj e rrihte atë dhe më tepër, nga sa deshi në fillim, dhe në këtë valë inati harronte përkohësisht hidhërimin e vet.
Jushka pas kësaj u dergj në pluhurin e rrugës. Me të ardhur në vete, ai ngrihej vetë, por nganjëherë i binte prapa e bija e kryekovaçit. Ajo e ngrinte dhe e merrte me vete.
-Më mirë të kishe vdekur, ti, Jushka, – i tha Bija e kryekovaçit, Dasha. -Ç’të duhet ty jeta?
Jushka ia qepi sytë me habi. Ai nuk e kuptonte, përse të vdiste, kur kish lindur për të jetuar.
-Nënë e babë më kanë lindur, vullneti i tyre qe, – iu përgjigj Jushka, – nuk ka pse të vdesë, tekembramja i ndihmoj tyt eti në kovaçhanë.
-Një tjetër të ish gjetur në vendin tënd! Lëre se çfarë ndihmësi!
-Mua njerëzit më duan, Dasha! Dasha u gajas.
-Ty të shkon gjaku vijë për qafe, e po para një jave ta kishin bërë veshin hoshaf, pa le, na thua, më duan njerëzit!…
-Ata më duan pa e ditur as vetë, – tha Jushka. – Zemra e njerëzve ndodh të jetë e verbër.
-Zemrën mund ta kenë të verbër, por sytë, ama, u bëjnë dritë! – theksoi Dasha, – Hajde, luaj këmbët. Të duan pa e ditur me zemër, po dajakun ta japin për fajde.
-Për fajde… ata zemërohen me mua, kjo është e vërtetë, – pranoi Jushka. -Ata s’më lënë të bëj çap në rrugë dhe po ma sakatosin trupin.
-Eh, ti, Jushka, Jushka! – psherëtiu Dasha. – Ndërmjet të tjerash, babai tha se s’je dhe aq i vjetër.
-Ç’i vjetër-ziu! …që fëmijë për gjiri më piu sëmundja, e këtë çehre të plakur sëmundja ma ka lënë…
Për shkak të kësaj sëmundjeje Jushka largohej çdo verë nga i zoti për nja një muaj. Largohej me këmbë në një fshat të largët e të humbur, ku patën banuar, ndoshta të afërmit e tij. Askush prej tyre nuk e dinte se ç’bënin me Jushkën.
Bile dhe Jushka vetë harronte. Një verë, tha se po shkonte në fshat tek e motra e vet, një herë tjetër, – tek e mbesa. Herë thosh se do të shkonte në fshat, dhe një herë tjetër tha, se po shkonte brenda në Moskë. Kurse njerëzit mendonin, se në fshatin e largët jetonte bija e dashur e Jushkës, po ashtu e butë dhe e braktisur, sikurse i ati.
Në muajin korrik ose gusht, Jushka hidhte trastën e bukës supeve, dhe largohej nga qyteti ynë. Udhës ai thithte aromën e barërave e pyjeve, sodiste retë e bardha që lindnin në qiell, lundronin e vdisnin në vaktësinë e ajrit të ndritshëm, dëgjonte zërat e lumenjve, që llokoçiteshin nën rrokullima gurësh, dhe parzmi i sëmurë i Jushkës çlodhej, nuk e ndjente më lëngatën e veremit. Teksa ikte larg, ku gjithçka ishte e shkretë, Jushka nuk e përmbante më dashurinë e tij për krijesate gjalla. Ai përkulej në tokë dhe puthte lulet, duke rrahur të mos i cikte ato me frymëmarrjen e tij, që të mos dëmtonte; ai përkëdhete lëvoret e drunjve, ngrinte nga toka fluturat dhe brumbujt, të cilat binin si të vdekura dhe këqyrte gjatë mbi fytyrat e tyre, duke e ndjerë veten pa to veçse një jetim të shkretë. Por zogj të gjallë këndonin qiellit, pilivesat, brumbujt dhe gjinkallat punëtore nxirrnin ndër barëra tinguj të hareshëm, andaj dhe shpirti i Jushkës bëhej i lehtë, në krahëror i dalldiste ajri luleve që kundërmonte njomështi dhe dritë dielli.
Në rrugë e sipër Jushka pushonte. Ai ulej nën hijen e drurëve ndanë udhës dhe dremiste në qetësi e ngrohtësi. Me të pushuar në frymëmarrjen e fushës, nuk i binte më ndërmend për sëmundjen dhe ecte më tej, si njeri i shëndetshëm. Jushka ishte gjithsej dyzet vjeç, po sëmundja e pat grirë aq shumë, sa të gjithëve u dukej i vjetër.
Dhe kështu, çdo vit, Jushka largohej përmes fushash, pyjesh e lumenjsh në fshatin e largët apo në Moskë, ku e priste dikush apo askush.
Pas një muaji Jushka kthehej sërish në qytet dhe sërish rifillonte punën nga mëngjesi në darkë në kovaçhanë. Rishmëz, ai niste jetën e mëparshme dhe rishmëz fëmijë e të rritur, banorët e rrugës derdheshin mbi Jushkën, e qortonin për budallallëqet e hipotetike dhe torturonin.
Deri verën tjetër, Jushka rrojti fare i qetë, po aty nga mesi i verës, vari torbën supit, palosi në një bohçe të veçantë paratë e mbledhura e të fituara gjatë vitit, gjithqysh njëqind rubla, e futi bohçen nën sqetull dhe u largua pa ditur se ku, pa ditur te kush.
Po vit pas viti Jushka gjithnjë e më tepër rrëgjohej, se shkonin e s’ktheheshin vitet e jetës së tij, dhembja po ia shkallmonte kraharorin e trupi iu tret krejt. Një verë, kur Jushkës i erdh koha të vihej për udhë në fshatin e tij të largët, ai s’mundi më të lëvizte kund. Tek sorollatej, në mbrëmjen tashmë të errur nga kovaçhana për në vendin e bujtjes, një kalimtar çakërqejf, i cili e njihte Jushkën, qeshi me të.
-Ah, ç’po na e putop këtë tokë, more dordolec perëndie! Si nuk vdiqe mor, aman, se për besë, më e gëzueshme do na bëhej jeta pa ty, përndryshe, druaj se do na grijë mërzia.
Po kësaj here, ndoshta për herë të parë në jetë, Jushka u përgjigj i nevrikosur .
-Me çfarë, more njeri po të bie më qafë? Nga prindër dhe unë kam dalë në dritë, nuk jam kopil, pa dhe unë i duhem botës njëlloj si ti, pa mua gjithashtu, s’ia del dot! …
Kalimtari, pa e dëgjuar gjer në fund Jushkën iu gërmush, i bërë dyll në fytyrë:
-Jo more! Të erdhi goja, a? Si guxon mua, pikërisht mua të më barabitesh me veten, mor bastard i lig!
-Nuk po të barabis, – tha Jushka, – po në do ta dish, para Zotit të gjithë të barabartë jemi …
-Ti s’më jep dot mend! – klithi kalimtari – Për i mençur jam vetë! Dhe pa le, hyn e më llap, haj se po ta tregoj ty mendjen!
Kalimtari, iu hap me një të goditur përplot mllefe të errëta në parzëm dhe e plandosi Jushkën përdhe.
-Çlodhu! – i tha kalimtari dhe iku në shtëpi të pijë çaj.
I shtrirë siç qe, Jushka u kthye fytyrëpërmbys dhe as u ngrit e as lëvizi më. Kohë më vonë ndanë tij kaloi një nga marangozët e punishtes së mobiljeve. Ai i thirri fort Jushkës, pastaj e ktheu në shpinë dhe në të errët shqoi sytë e hapur, të bardhë e të palëvizshëm të Jushkës. Goja e tij qe nxirë; marangozi ia fshiu buzët me pëllëmbë dhe kuptoi që ish gjak i mpiksur. Ai provoi dhe njëherë vendin ku qe shtrirë kryet e Jushkës, dhe ndjeu se dheu aty qe i njomur: atë e kish zbutur gjaku i dalë nga gurmazi i Jushkës.
-Vdiq, – psherëtiu marangozi. -Lamtumirë, Jushka, dhe na ndje të gjithëve o i shkretë. Të skartuan dhe ty njerëzit, Zotin paç gjykatës!
I zoti i kovaçhanës e gatiti Jushkën për varr. E bija, Dasha, e lau kufomën, të cilën e shtrinë në dhomën e kryekovaçit. Mbi trupin e të vdekurit erdhën të faleshin gjithë njerëzia, të vjetër e të rinj, gjithë populli që e pati njohur Jushkën, që e torturoi dhe e përqeshi atë për së gjalli.
Pastaj Jushkën e varrosën dhe e harruan. Megjithatë, pa Jushkën jeta njerëzve nuk iu bë më e mirë. Tashmë gjithë ligësitë dhe talljet mbeten midis njerëzve dhe shpenzoheshin ndërmjet tyre, pse Jushka nuk ishte më: gojëkyçur dhe i durueshëm në çdo ligësi të tjetrit, egërsi, përqeshje dhe dashkeqësi.
Sërishmi u kujtuan për Jushkën vetëm në vjeshtën e vonë. Një ditë të ngrysur e të keqe, në kovaçhanë hyri një vajzë e re dhe pyeti të zotin e kovaçhanës, se ku mund ta gjente Efin Dimitrjeviçin?
-Cilin Efim Dimitrjeviç? – u habit kryekovaçi. -Te ne, se është kurdisur dynjaja s’ka patur njeri të tillë me këtë emër.
Edhe pse dëgjoi, vajza nuk u largua, por e heshtur seç priste diçka. Kryekovaçi i hodhi sytë, ç’lloj mysafiri i solli kjo kohë e keqe. Vajza në të parë dukej shëndetligë dhe shtatpakët, por fytyra e saj e pastër dhe butë, qe aq e brishtë dhe e ëmbël, kurse ca sy të mëdhenj e të hirtë vështronin aq trishtë, mu sikur të qenë gati hë-hë të mbusheshin me lotë, gjë që ia ngrohu zemrën kryekovaçit, dhe, teksa këqyrte mysafiren, befas ia qëlloi.
-A mos vallë është fjala për Jushkën? Kjo është me tamam! – Në pasaportë ia shkruanin emrin Dimitrjeviç …
-Jushka, – pëshpëriti vajza. – Ai është me dora vetë. Ai e quante veten Jushka.
Kryekovaçi heshti.
-Po ju, çfarë e keni, farefis?
-Unë s’e kam gjë. Unë kam qenë jetime, kurse Efim Dimitjeviçi më shpuri që të vogël në një familje në Moskë, pastaj më shtiu në një shkollë pa pagesë… Çdo vit ai vinte të më shihte si jetoja dhe më sillte para për gjithë vitin, që të jetoja e të mësoja. Tashti unë jam rritur, sapo mbarova universitetin, kurse Efim Dimitrjeviçi nuk erdhi të më shohë verës së shkuar. Më thoni pra, ku mund ta gjej, – ai thosh, që punonte te ju tash njëzet e pesë vjet…
Ai mbylli kovaçhanën dhe e shpuri mysafirin në varreza. Atje, vajza u platit përtokë, në vendin ku shtrihej Jushka i vdekur, njeriu, i cili e kish mbajtur me bukë që nga fëmijëria, vetë pa e vënë sheqerin në gojë, që atë ta hante ajo.
Ajo e dinte nga ç’sëmundje vuante Jushka, dhe tash me të mbaruar Universitetin e Mjekësisë erdhi këtej, të shërojë njeriun, i cili e kish dashur më shumë se gjithçka në këtë botë, dhe të cilin ajo e pati dashur me gjithë ngrohtësinë e dritës së zemrës…
Që atëherë ka kaluar shumë kohë. Vajza mjeke mbeti përgjithmonë në qytetin tonë. Ajo filloi të punojë në spital për tuberkularët, shkonte shtëpi më shtëpi ku kish të sëmurë të tillë, dhe askujt nuk i merrte para për punën e saj. Tashmë dhe ajo, është plakur, megjithatë, si dhe më parë shëron të sëmurët, i ngushëllon, pa u lodhur së qetësuari vuajtjet dhe së larguari vdekjen nga të rrëgjuarit. Në qytetin tonë atë e njohin të gjithë, e quajnë vajza e Jushkës së mirë, duke harruar vetë Jushkën, si dhe faktin, që ajo në të vërtetë nuk ishte vajza e tij.
.
Përktheu nga origjinali: Agron Tufa
.
Statuja e Andrej Platonov (1899-1951)
Statuja e Andrej Platonov (1899-1951)

Shënim për autorin:

Andrej Pllatonoviç Klimentov (Pseudonimi – Platonov) lindi më 1 shtator 1899, në Voronezh në familjen e një shoferi lokomotive dhe vdiq më 5 janar 1951, në Moskë.
Personazhi i përhershëm i prozës së Pllatonovit është njeriu i mbështjellë me zbrazëtinë dhe mërzinë e përjetshme të nji universi johyjnor, rrahja cfilitëse e tij për të gjetur zanafillën e dis’harmonisë njerëzore dhe për të ndërtuar purgatorin e vet mes ekzistencës dhe hiçit. Materia e të gjithë veprave të Platonovit, janë efemerizmi i lëndës, keqardhja botërore për pamundësinë e përkryerjes, ëndrra dhe malli kozmik për botëra të tjera, transhendenca, frika ndaj vdekjes, pakuptimësia, boshësia e ideve, përjetësia etj… Të gjitha këto, të mishëruara me një art të rrallë e virtuoz në vepra të shumta letrare, e ngjisin A. Platonovin për nga idetë në një rrang me klasikët e mëdhenj rusë, kurse për nga stili unikal i fjalës, ai tashmë, ka pa dyshim vendin më autoritar ndër klasikët e shek. XX.
Heroi i tregimit “Jushka”, i dhënë i tëri pas zanafillës së shenjtë të dashurisë, për njerëzit dhe krijesat e tjera të gjalla, të çon ndërmend Shën Franceskun e Azisit, që dinte të bisedonte me zogjtë dhe u predikonte dashurinë ujqërve. Ky tregim është dhe përkthimi i parë i Platonovit në shqip.
3 Qershor 2020

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.