45 vite të shkuara (1975) kur ende s’i kisha mbushur të 19 vitet,
i kam kushtuar tim eti, në të gjashtëdhjetin vit të jetës,
këto vargje të kurajshme, kur ai do të delte në pension pleqërie.
Ishte e vetmja dhuratë që mund t’i bëja tim eti n’atë shkretëtirë emocionesh.
Ai u ndje mjaft i emocionuar kur ia lexova këto vargje dhe sytë i ndritën nga përlotja.
Sot nga largësia e një gjysëm shekulli, them se tim eti i kam dhuruar besim,
shumë besim… po edhe ai më paska dhuruar guxim, shumë guxim…
Këto vargje të rinisë së hershme, janë ende ndër fletoret e mia katërlekëshe,
si një dëshmi e e heshtur e përfjetur dhe pa shumë pretendime…
j. radi
.
-60 vjetorit të lindjes së tim eti
Dimri i pleqërisë tashmë ka zënë
e flokët e tu si borë u zbardhën,
larg prej maleve prej tokës nënë
gjymtyrë e trup t’u mpakën, t’u mardhën!
Pse e tillë erdh jeta për ty o Njerì
herë me ledhe si një nënë e dashur
herë të zhyti pa dritë në vetmi
herë të rrahu si njerkë e ashpër
Dhe ditët, dhe muajt, dhe vitet kalonin
si pika shiut mbi tokën e etur
kohë e më t’zymta gjithnji të qafonin
n’vetminë tënde mes heshtjes i heshtur
Mes netëve të gjata e të acarta
ca dritë borxh diellit ia kërkove
po s’qe e thanë, ato andrra të arta
ndër net të përbindëshme i shkove…
Gjashtëdhjet’ diej të kuq ta ndritën
at ballë rrudhosur mendimesh
gjashtëdhjet’ vjeshta n’shpirt t’u shprishën
e mbi ty u derdhën me dallgë mundimesh
Gjashtëdhjetë vite të arta skalitën
në shpirt një vullkan besimi
gjashtëdhjetë vite të errta ta veniten
edhe ma të fundmen pikëz gëzimi…
Tash vitet rrëshqasin si ngjalat n’llucë
e të vyshkura shfaqen lulet e rinisë
Balta – ky mish i huaj n’trup e këpucë
po t’i shkel ndjenjat te porta e pleqnisë
Vazhdo përpara të shkosh ati im
Çaje kët’ baltë, kapërceje këtë ditë
mjaft gjashtë dekada, natës flijim
nxito ta shohësh e ta prekësh atë dritë…
.
dhjetor 1975
Lini një Përgjigje
Për të postuar një koment, duhet të jeni i futur.