back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Ju s’kishit, Ju keni, Ju s’keni… – poezi nga Jozef Radi

Gazeta

Diktatura Njishit
Diktatura Njishit

Ju s’kishit, Ju keni, Ju s’keni

poezi nga Jozef Radi

Ju zbritët prej kuajve t’asgjasë
e kambkryq ratë me dyfek mbas shpine
ndër sheshe që i quejtët tuejat.
Prej asaj dite krejt ajo bot’e vogël
sillet e përsillet në t’kundërt të Botës së Madhe

Dhe morët gjithçka deshët e çka u rroku syni
dhe tjerve s’u latë asgja mbas shpirti, as vedin,
me përdhunë u batë Gjithkushi e Gjithçkaja
e pamëshirë zhytët cilindo n’Askush e n’Asgja,
e megjithatë fitimtarë kurrë…

Në të kundërt të rrjedhës së kësaj bote
ju përdorët prangat, burgjet, gjyqet, vrasjet
ne pranuem veç qelitë, dënimet, vorret dhe përvujtninë,
Ju u zgjanuet me ushtrinë, armët, plotonet
ne mbetëm t’pushkatuem pa varre e ushtarë n’armë druni,
Ju grabitët ndërtesat, zhgrryet muret me bajoneta t’përgjakuna
ne ndër stanet tueja futëm frymë foshnjash e dhimbë njeriu,
Ju morët nën zotnim fushat, malet, qiejt e detet,
ne ruejtëm ndër shpirtna andrrën e fluturimit,
Ju vratë tempujt e Zotit dhe u rrekët me u ngjitë maje tyne
ne besimin n’Zot e mbrojtëm nën grykat e zjarrta të pushkëve tueja,
Ju sunduet me shkolla, mësues, libra e kërcënime
ne i shkundnim librat prej plumbash, e shkollë bamë njaq sa ju deshët,
Ju folët për popullin që e batë vegël, e vratë gjithkend n’emën të tij
ne dëshmuem edhe pa varr, se Njeriu jeton përtej lavdive t’rreme,
Ju mobilizuet shkrimtarë, poetë, kangtarë, piktorë
ne ju dëshmuem n’heshtje se ishit pa libra, pa art, pa poezi, pa kangë,
atëherë n’tërbim ju naltuet monumentin e Vdekjes
pse s’e ndjenit se vdekja ishit ju vetë!
Dhe u kapët ma fort mbas bustesh, mbas krimesh n’përjetsim tiranie
po kurrë s’e kuptuet se as prona, as liria, as Zoti,
kurrnji lidhje s’kishin me frymën tuej t’kalbun,
E kur nji natë e patë se gjithçka mbaroi
shkelët si hije në teh të territ e të frikës suej
i kurdisët orët e kohës, me e ringjallë humbjen tuej fitimtare
dhe gjithçkaje t’keqe kishit mbjellë,
i ndejtët në pritë si ujku stinës së viktimave…

Dhe ja ku jena sot përballë,
ja ku i keni tokat dhe ndërtesat e grabituna
ja ku i keni shkollat dhe ngrehinat e trushplamjes
ja ku i keni ligjet, gjykatat dhe krimin tue fjetë bashkë
ja ku i keni tuejat ujnat, detin, erën, malet
ja ku e keni palë mykun e krejt nji kohe të vdekun
që e bojatisni pa prà netëve të dimnave që sollët.
Ja ku e keni edhe at talljen e madhe me kët popull
që e bani përditë e ma të vogël… përditë e ma turmë,
trumhasun n’harenë tuej mashtruese…
Ja ku jeni edhe ju vetë, mbramjeve pa hanë tek vidhni yjtë
e i rrasni n’shportat e karavidheve,
ja ku e keni begati – gjithçka zhgrryet… Veç mos harroni,
se n’fund të fundit gjithçkaja jueja s’asht pos asgjaja
ajo ka me e brejtë përditë boshllëkun tuej,
e nji ditë ka m’u kthye në gur katapulte
e ka me ju përplasë ndër do mure t’lashta e t’lëmakshta
ku asnji zezonë s’ka me pranue me iu mblue,
e asnji Djall s’ka me mujtë me ju pshtue…

.
26 janar 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.