Jozef Radi pyet Mit’hat Aranitin… eskluzive (1992)

Mit'hat Araniti 1992

Mit’hat Araniti 1992

Si mbeta mik me Mit’hat Aranitin

nga Jozef Radi

Jozef Radi pyet Mit’hat Aranitin (1992)

Mit’hat Araniti dhe Lazër Radi, kanë ndarë bashkë  jetë dhe fate të përbashkëta…! Edhe Para Lufte, edhe Gjatë Lufte, edhe Mbas Lufte, po edhe gjatë kohës së diktaturës, (pra Luftës pa mbarim të Klasave), nëpër burgje, nëpër kampe interrnimi, e nën vëzhgim të rreptë gjithnji në luftë për të mbijetuar, po edhe në luftë për t’i mbrojtur ato vlerat intelektuale dhe humane që ai brez idealistësh jo vetëm i kish ëndërruar po edhe kish luftuar për: Nji Shqipëri Ndryshe…!! Të dy patën burgje të përbashkëta, kampe të përbashkëta, të dy i patën gratë në burg të përbashkët, lindën fëmijë me vonesë pse ishin burgjeve dhe kampeve të përbashkëta. Punuan bashkë, dhe nuk u dëshpëruan kurrë, iu bën krah njëri tjetrit në sakrifica të shumta, edhe kur regjimi i ndante mjaftonte qoftë një fjalë, një buzëqeshje, apo edhe ndonji batutë e thnë edhe ashtu kalimthi për ta kuptuar thellë njëri tjetri… Vetëm mbas ’90-ës, ma së fundi ata (Mit’hati dhe Lazri) patëm mundësi të takoheshin si dikur në rininë e hershme: ashtu të lirë… dhe të flisnin haptas me njëri tjetrin… dhe të vazhdonin ndër biseda, mendime e kujtime që kishin nisur prej kur s’mbahej mend… po tash kishin mbrenda me dhimbjen e madhe, se mosha s’i premtonte shumë asnjënit…!!
Mit’hati ishte nji njeri i rrallë… Me nji buzqeshje pothuej të skalitun nën mustaqet legjendare, me nji humor elegant batute, dhe me nji kulturë të pakufi… Mjaftonte veç nji argument krejt i thjeshtë dhe me të mund të flisje me orë e orë… duke t’i ba ato minuta… Edhe pse në kufijtë e 80 viteve, shpirti i tij mbetesh djaloshar, plot dritë, plot dëshirë edhe pse sëmundja, vuajtjet, hallet dhe mosha e kishin tejlodhë… Kët intervistë të shkurtë, që mbetet nga të rrallat, arrita t’ia marr me shumë mundim. Jo, pse s’donte, po se shëndeti tij shumë shpejt mori teposhtë. Mbas shumë bisedash, ajo u krye, dhe i premtova ta fusja në botimet e “Arbërisë”, por s’munda… sepse mbas tre numrash ajo s’mundi të vazhdonte më tej… Po i botova vetëm 5 poezitë e tij, duke ia shtue paksa at buzqeshjen e tij eterne, fisnike… Vetëm në vitin 1996, u gjet nji mundësi dhe u trupzua, në përbledhjen e shkrimeve të tij, të botuara në shtypin e paraçlirimit me titullin “Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle…” Phoenix. Kjo intervistë eskluzive, botohet për së pari… dhe cilido që e lexon e kupton se është thjesht dëshmi e nji fisniku… nga ata që i vijnë rrallë këtij vendi mosmirnjohës… dhe ikin të pashpërblyer: Mit’hat Aranitit…!

13 korrik, 2013

Mit'hat Araniti 1936

Mit’hat Araniti 1936

“…Kam qenë nji ushtar i thjeshtë i Nacionalizmit,

për lirinë e Shqipërisë…!”

Kush është Mit’hat Araniti, nga kjo lartësi e moshës ku ndodheni?
Mit’hat Araniti: Siç e theksova edhe më sipër, kam qenë nji pjestar i thjeshtë i lëvizjes Nacionaliste, për lirinë e Shqipërisë. Mosha 80-të vjeçare më bën të konstatoj me kënaqësi, se pas kaq vitesh kjo lëvizje po vjen duke marrë gjithnji e më shumë ngjyrë…
Një pjesë e madhe e personazheve që kanë qenë në vorbullat e ngjarjeve historike, kanë vdekur dhe i kanë marrë me vete të vërtetat e tyre; nji pjesë tjetër edhe pse janë gjallë e kanë shkruar historinë sipas kutit të tyre, pra atyre s’u takon që ta rishkruajnë historinë… A mendoni ju se në jetën tuaj ka diçka për të cilën ka nevojë jo vetëm historia, por edhe ne, ai brez që e njohim aq pak historinë e vërtetë të Shqipërisë…?
Mit’hat Araniti: Historia është tërësia e ngjarjeve dhe bëmave të së kaluarës së nji vendi pak a shumë të gjerë. Të gjithë pjestarët e një bashkësie, bëjnë pjesë në formimin e historisë, ku me veprime, ku me fjalë e ku me shprehje, por asnjëri prej tyre veç e veç, nuk e determinon vetë historinë si tërësi… Nuk shtrohet pyetja nëse dikush e ka shkruar apo jo nji të vërtetë historike. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë me shkrime në formimin e historisë, kanë shkruar duke qenë edhe vetë në vorbullën e zhvillimit të ngjarjeve, kështu që i kanë shikuar dhe vlerësuar ato ngjarje me frymën e nji subjektivizmi të pashmangshëm… Pyetjes që ju më bëni unë mund t’i përgjigje se: Kam qenë veçse nji ushtar i thjeshtë i këtij zhvillimi! Vetëm pas kalimit të një kohe relativisht të gjatë, pasi të jenë zhdukur dhe fashitur pikpamjet dhe ndjenjat subjektiviste, mund të arrihet një cilësim objektiv, dhe zhvillimi i ngjarjeve të vlerësohet si histori…

Gjatë viteve ’30, ju keni qenë nismëtar i letërsisë dialektale, kryesisht nën pseudonimin Rrem Vogli, po edhe të tjerë… Ç’mund të na thoni për këtë frymë dhe cilët ishin ndjeksit e saj?

Mit’hat Araniti: Nëse kam qenë a jo nismëtar i letërsisë dialektale, është një vlerësim që s’më takon mua ta bëj. I shtytur nga nevoja e evitimit të një censure nga autoritetet, aty në fillimi i vitit 1932, nisa të shkruaja disa skeçe satirike në dialektin tiranas, duke goditur me sa mundja anë të ndryshme negative të shoqërisë së asaj kohe. Për kët qëllim përdora në revistat “Illyria” dhe “Bota e Re”, pseudonimin Rrem Vogli, dhe më vonë në rubrikën “Shkel e shko” pseudonimet, Jago Blini, Hë De, Ja që hë, Sufi Asmon Sufes etje. Në dialektin tiranas shkruanin edhe Ibrahim Hasnaj (Cen Qytyku), Mustafa Greblleshi (Liu Cakut), Xhemal Farka (Sula i Fajes), si dhe dialektin gjirokastrit Musine Kokalari (Muza). Efekti i këtyre shkrimeve ka qenë i ndjeshëm në at kohë. Në pjesën më të madhe ato u vlerësuan në mënyrë pozitive, sidomos prej elementin përparimtar dhe demokrat, si fshikulluese të injorancës së shoqërisë së asaj kohe, ndërsa qarqet e mehmurëve, u vlerësuan thjesht si shfaqje humoristike. Për të theksuar anën pozitive të këtyre shkrimeve, dua të përmend nji episod të vogël të ndodhur me intelektualin Rauf Fico: Në revistën “Illyria” ishte botuar shkrimi im “M’bonjat m’Nurrës”, në të cilin fshatarja Merjeme, e veshur me kostum banje, dhe me emrin e ri “Meri”, mundohet t’ia hedhë fshatarit Rrem Vogli, duke iu shitë si zonjë e rëndë. Rrema nuk bën tjetër veçse: “ush i thashë gomarit ne hika…” “Ush” ishte fjala që i kish bërë më shumë përshtypje zotit Rauf, dhe që ishte shprehja më e përshtatshme për t’i dhën cilësinë gjithë shkrimi tim…
“Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle... Phoenix

“Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle… Phoenix

Ç’përfaqësonte për Ju lëvizja nacionaliste e intelektualëve në kohën e pushtimit dhe çfarë përfaqëson sot… A mund të gjej nacionalizmi një shtrat të natyrshëm në luftën për demokraci?
Mit’hat Araniti: Lëvizja Nacionaliste e intelektualëve, ka qenë për mua gjatë gjithë kohës së pushtimit, baza, trualli, mbi të cilin duhej të punohej për çlirimin e Atdheut… Ajo përfaqson edhe sot nji shtrat të natyrshëm të luftës për demokraci në kushtet e Europës së sotme…
Duke pasur parasysh se në “Ballin Kombëtar” aderonte ajka e intelektualëve, a mendoni se mund të vij një brez i ri që ta përfaqësonjë denjësisht at idealin tuaj kombëtar?
Mit’hat Araniti: Tashmë dihet që në të kaluarën në “Ballin Kombëtar” ka aderuar ajka e intelektualëve, por ky aderim ka qenë i kushtëuar nga rrethanat e faktit të një pushtimi tërësor, ndërsa sot brezi i ri me ndjenja nacionaliste, gjendet i përfshirë në një sistem pluralist të demokarcisë, me synime të diferencuara…
Pjesmarrja Juaj në Mukje, mbetet gjthnji një kapitull i hapur për të vërtetën… A nuk mendoni se përçarja e nisur në Mukje vazhdon edhe sot e kësaj dite?
Mit’hat Araniti: Pjesmarrja ime në Mukje ka qenë e motivuar nga synimi i një bashkimi mbarëkomëtar. Përçarja e nisur në Mukje, sot nuk ekziston, por vazhdojnë vetëm disa fijëza trashëgimie të vetëdijshme ose të heshtura…
Cili qe pozicioni Juaj kur lufta kundër okupatorit devijoi në luftë civile?
Mit’hat Araniti: Duke qenë në radhët nacionaliste gjatë luftës çlirimtare, jemi munduar të formojmë një urë kalimi midis nacionalistëve dhe komunistëve… Kur lufta çlirimtare u kthye ne luftë civile, konseguent me mendimet e mia, unë mbeta dhe jam kundër vëllavrasjes…
A mendoni se komunistët ditën të përfitojnë jo vetëm nga “akademizmi” i Ballit Kombëtar, po edhe nga ajo frymë mospajtimi që ju kishit me Legalitetin zogist?
Mit’hat Araniti: Komunistët ditën, por edhe patën fatin të përfitojnë pikërisht nga ndjenjat atdhedashëse të nacionalistëve, lidhur edhe me evitimin e çdo dëmtimi të mundshëm të popullit shqiptar…
Pas lufte a e mendonit dënimin… dhe a e ndjenit veten fajtor kur ju dënuan?
Mit’hat Araniti: Nuk e kam menduar kurrë veten se mund të dënohesha pas lufte, sepse nuk mendoja se njeriu mund të dënohet dhe të quhet fajtor, pikërisht se vepron në të mirë të atdheut të vet…!!
Në ç’raporte u vendos diktatura me intelektualët? Në ç’raporte u gjendët ju me diktaturën duke pasur parasysh se ju jo vetëm ishit intelektual dhe shkrimtar, po edhe nji njohës mjaft i mirë i shumë gjuhëve të huaja?
Mit’hat Araniti: Fillimisht komunistët i përdorën intelektualët sipas nevojës dhe interesave të tyre utilitare… Më vonë tehu i diktaturës (lufta e klasave) u drejtua kryesisht kundra dhjetra e qindra intelektualëve të mirfilltë. Për të qenë të mbyllura të gjitha dyert e çdo manifestimi të ndjenjave dhe aftësive të tyre. Edhe njohja e disa gjuhëve të huaja, për ata nuk përbënte ndonjë rëndësi të veçantë, as diploma ime e juristit, as aftësia ime për të kontribuar në fushën e letrave. Diktatura kishte si qëllim kryesor: shfrytëzimin dhe shkatërrimin e personalitetit të njeriut…!
Nga njerëzit me të cilët keni jetuar dhe keni njohur, cili do të qe sipas Jush personifikimi i shqiptarit dhe i patriotit të vërtetë?
Mit’hat Araniti: Nga njerzit me të cilët kam jetuar dhe kam pasur nji respekt shumë të lartë, dhe që unë i konsideroja si personifikim i shqiptarit dhe i patriotit të vërtetë janë të shumtë… Ka ndër ta edhe ata që s’mundët të realizoheshin në diktaturë, por edhe që u shkatërruan prej saj… S’mundem të harroj në veçanti Mirash Ivanajn, Kol Tromarën, Selman Rizën, Suat Asllanin, po edhe plot të tjerë…
Për cilën gjë të jetës suaj keni vuajtur më shumë?
Mit’hat Araniti: Gjëja për të cilën më ka ardhur më keq në krejt jetën time është prishja e Marrveshjes së Mukjes. Nëqoftëse ajo Marrveshje do të që realizuar, Shqipëria sot do të kishte një pamje krejt tjetër.

 

 

Kampi i Çermes - 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi

Kampi i Çermës – 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi

Duke patur gruan prej familjeve më të njohura intelektuale, a mendon se keni ndarë një fat të përbashkët, në një fatkeqsi të përbashkët?
Mit’hat Araniti: Fakti që kam patur si shoqe jete: Agime Pipën, grua e pajisur me cilësi të spikatura, s’ka dyshim që ka qenë për mua një mbështetje e madhe… në përballimin gjithë vështërsive të asaj jete plot vuajtje dhe në mposhtjen me dinjitet të tyre…
Si avokat a do gjenit ndonji motiv ta mbronit komunizmin nëse të kërkohesh një gjë e tillë??
Mit’hat Araniti: Sa i përket komunizmit, atij s’i ka mbetur asgjë për t’u mbrojtur, sepse ai është i dënuar nga historia me zhdukje, deri edhe prej idhtarëve të vet të dikurshëm…
Në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, u vendos përfundimisht dhe arbitrarisht, dialekti i Jugut… bashkë me dhunimet njerëzore u bë edhe dhunimi i gjuhës shqipe… Si mendoni Ju, a mund të gjendej nji e mesme e artë?
Mit’hat Araniti: Kam qenë gjithnji i mendimit se nji gjuhë nuk formohet me vendime, por me anën e nji evoluimi natyral, d.m.th. është përdorimi i saj nga shkrimtarë të ndryshëm që e përligjin në mënyrë të natyrshme atë, duke imponuar një trajtë ose një tjetër gramatikore, pranimin e një fjale ose një tjetre, pavarsisht prej dialektit që ato i përkasin…
Sot lufta për pushtet është shumë më e madhe se lufta për Shqipëri, dhe koha po e provon se intelektualët janë sërish viktimat e para edhe të demokracisë… A mendoni se nji shfaqje e tillë tregon se jemi në postkomunizëm?
Mit’hat Araniti: Është e vetvetishme! Kur luftohet për pushtet, edhe mbas përmbysjes së një diktature, viktimat e para do të jenë përsëri intelektualët, sepse janë pikërisht ata që shfaqin në mënyrë më të qartë mendimet për mbrojtjen e demokracisë, por kjo s’do të thotë aspak, se po futemi në postkomunizëm…
A mendoni se një kuvend mbarëkombëtar, ku të merrnin pjesë të gjitha forcat intelektuale, brenda dhe jashtë Shqipërisë do të ishte nji shans historik për shpëtimin e saj?
Mit’hat Araniti: Jam plotësisht i bindur se një kuvend mbarëkombëtar ku të marrin pjesë të gjitha forcat intelektuale, brenda dhe jashtë vendit, mund të jetë një shans për shpëtimin e shpejtë të saj: por praktikisht një gjë e tillë do të ishte shumë e vështirë…
Vazhdimisht e keni përmendur aktin e Bedri Spahiut, ndjesën dhe transformimin e tij. A mendoni me të vërtetë se tek ai ka ndodhur diçka e tillë? A mendoni se një ndjesë e formale e njerzve të krimit, përbën nji akt fisnik?
Mit’hat Araniti: Të them të vërtetën akti i Bedri Spahiut, me të cilin ai kërkon falje publike për të gjitha ato që ka bërë, më ka lënë një përshtypje të madhe. Me gjithë peshën e rëndë të krimeve të pranuara prej tij dhe me gjithë dyshimin se akti në fjalë mund të ketë qenë veçse formal, unë personalisht jam i mendimit se atij i ka mbetur një grimë burrërie dhe mbetet gjithmonë vend për të formuluar hipotezën, se një gjest të tillë sikur ta kishin bërë ose ta bënin të gjitha ata “pezzi grossi” me gjokset e mbushura me medalje dhe me pozita të larta, do t’i sillnin një shërbim mjaft pozitiv Atdheut.
Nëse do ta fillonit jetën edhe një herë nga e para, kujt do t’i përkushtoheshit me gjithë shpirt?
Mit’hat Araniti: Sikur ta filloja jetën dhe një herë nga e para, padyshim që do t’i kushtohesha me gjithe shpirt Shqipërisë… dhe rruga e ndjekur prej meje do të ishte shumë më e qartë dhe më e sigurt, sepse do të kisha mësuar mjaft prej disfatave të pësuara…

(Marrë nga libri “Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle… Phoenix)

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook