Jozef Radi, poezia si çlirim nga makthi ekzistencial dhe shpëtim nga hijet e ferrit esse nga Hyqmet Hasko

Lazer dhe Jozef Radi - “Muret e muzgut”

Lazer dhe Jozef Radi – “Muret e muzgut”

Jozef Radi,

poezia si çlirim nga makthi ekzistencial

dhe shpëtim nga hijet e ferrit

esse nga Hyqmet Hasko

“Atë e bir”, përgjatë një endjeje biblike, ku dhimbja, mungesa, trishtimi, kufizimi i lirisë, privimi ekzistencial nga ndjenjat dhe emocionet më të pastërta njerëzore, “iu ranë pashë më pashë, – siç thotë një poet tjetër, – rrugëve të ferrit”, dhe dolën që andej, nga galerat e dhimbjes kolektive të një populli të kalvarizuar, më fisnikë e më poetë se gjithë sivëllezërit e tyre jashtë telave me gjëmba.
Lazër e Jozef Lazri, “at e bir” poetë, do të endeshin nëpër tokën e tyre si midis Shillës dhe Karibdës, për të gjetur nyjet e këputura të kohës së tyre, nyjen gordiane të kohës sonë.
Në kohën kur disa poetë lëmonin rimat dhe futnin në vargje imazhet e betonarmesë së “socializmit ngadhënjimtar”, “at e bir”, Lazër e Jozef Radi, vuanin në kalvarin e burgjeve politike të Diktaturës dhe poezinë e shkruanin në lëkurën e tyre. Po, gjithçka që përjetuan, ata para se ta shkruanin në letër të bardhë, e shkruan në lëkurën e tyre, në atë ferr të të gjallëve ku u endën midis jetës dhe vdekjes për vite të tëra, në moshën më të bukur, kur kishin përpara shumë ëndrra e projekte për të realizuar.

Hyqmet Hasko

Hyqmet Hasko

I lindur në galerat e internimit, në kampet famëkëqinj ku kishin mbyllur në tela me gjëmba familjen e tij, Jozefi do të provonte të gjitha shijet e epërme të zhgënjimit, një fëmijëri pa fëmijëri, një rini pa rini, një kërkim rrugëve të botimit, ku të gjitha mundësitë dhe shtigjet i mbylleshin para hundëve, me tërësëllimën e dyerve të përplasura në trishtimin e një kohe makute.
Vetëm pas çlirimit të letrave nga jashtësitë dhe tabutë dhe të vetë shoqërisë nga hijet e natës së gjatë gjysëmshekullore, do të frynte një erë e re në jetën e Jozefit, për të cilin do të hapeshin dyert e shkollimit, të integrimit të plotë në raport me vlerat njerëzore e intelektuale në shoqëri e mbi të gjitha dyert e botimit, pasi letërsia për “at e bir” ishin dhe mbetën “Toka e Premtuar” e mbërritjes dhe destinacionit estetik.
Në vitin 1993, Jozefi boton librin e tij të parë me poezi së bashku me të atin, poetin brilant Lazër Radi; libri titullohet “Muret e Muzgut” dhe është një requiem poetik plot kurba ngritje e rënie në trishtim, malli, trilli, ankthi, vemie, proteste e kriticizmi, të gjitha këto dimensione të shpalosura me një lirizëm të ngrohtë, të thellë e mjaft spontan.
Poezia e “atit dhe birit”, Lazër e Jozef Radi është një poezi e iluzionit, dhembjes, vetmisë, shpresës, ëndrrës, zhgjëndrrës, ankthit, mugesës së dashurisë, poezi e strukturave moderniste, që iu përkojnë gjendje dehëse e trallisëse të shpirti gjithmonë në kërkim të përsosmërisë dhe harmonisë universale. Protagonist i aktit poetik të poetëve është uni i brendshëm, raportet e këtij uni me jashtësinë, me mungesat dhe shpresën e botës, me të mundurën dhe të pamundurën.
Duket se “at e bir” nuk e marrin penën në duar se duhet shkruar, por shkruajnë se nuk munden të bëjnë ndryshe, pasi shtytjet e poezisë nga brenda qenies së tyre janë të vrullshme, të papërballueshme, të pamundura për t’u bërë zap.
Ata nuk vijnë në poezi nga eldoradat romantike, por nga rrugët e ferrit, të cilëve iu ranë pash më pash, në një “kohë të keqe për lirikën”, siç mund të thoshte një tjetër poet në hapësirën e muzës poetike mbarëshqiptare.
Poetë të kujtimeve, mallit, dashurisë, të vetmisë klithëse që përftohet në epruvetën e vuajtjes së pacak njerëzore, autorët shpalosin në këtë vëllim poetik një fluks të gjërë ndjesish intime, duke na sjellë përjetime të forta inkadeshente dhe impresionuese. Kështu, fjalë kyçe në poezinë e tyre bëhen mungesa e lirisë dhe dashuria si kompensim dhe sfidë, etj.
Në vitin 1993, Jozef Radi nis botimin e revistës së përtremuajshme “Arbëria”, e cila doli në tre numra dhe lançoi botën letrare, estetike, kulturologjike të shqiptarisë pa mure e tabu, të shqiptarisë që synon të kapë e rrokë kohën e humbur si në të gjitha fushat e tjera edhe në atë të artit e të letrave kombëtare.

Revista Arbëria 10 -1993

Revista Arbëria 10 -1993

Në shtator 1998, Jozefi humb të atin, mikun e ngushtë, kolegun, bashkëvuajtësin, njeriun me të cilin kishin përpjestuar dhimbjen, mungesën e lirisë, shpresën për të ardhmen, magjinë e artit poetik.
Në vitin 2000, Jozefi boton përmbledhjen e dytë me me poezi të titulluar “Kujtesa e mjegullës”, ku shpalos një poezi që të tërheq me thellësinë dhe sinqeritetin e ndjenjës; natyrshëm poeti zbulon gjithë ato grimca të shpirtit njerëzor që na japin pastaj grimcimin kozmik të botës që arrin të shkojë deri tek rrafshi filozofik, duke i marrë idetë dhe këndvështrimet poetike për t’i ngritur në përgithësime dhe forcën detyruese që të thonë mesazhe për çdo njeri.
Poezia e Radit – të birit – vjen me një lirshmëri të habitshme të vargut të lirë, me theksa ritmikë të shkujdesur në intonacine të filozofisë së dhimbjes; here i ngjan një bisede intime nën strehën e një kujtimi e herë një përpjekje të rëndësishme për të artikuluar mësime nga jeta. Ajo është një poezi e detajeve të holla, e figurave të gjalla, e imazheve që lëvizin dhe përcjellin një botë të thyer emocionale; në të vërshon një sinqeritet prekës dhe autori në emër të tij i shmang modelet e të shprehurit që konformojnë sintagma të njohura,
Në këtë vëllim, si tipar kryesor të origjinalitetit poetik shfaqet nevoja e tij e brendshme për të kumtuar ndjesi, trajta figurative dhe mesazhe. Si poet që e merr lapsin për të shkruar, ai e ndjen të nevojshme këtë si thirrje të brendshme, si një mundësi për t’u çliruar përmes vargut. Kështu uni lirik i autorit ngarkohet me mjaft e mjaft kokëçarje, me mjaft dëshira që duhen shprehur dhe duhet kuptuar se autori këtë e ndjen si nevojë e vetëshkarkesë që vjen nga lindja e ndjeshmërisë dhe përjetimi e rrethanat jetësore.
Uni lirik i autorit ngarkohet kështu me intonime filozofike të brishta dhe portretizon një imperativ të ndjenjës subtile, të pastër e të bukur që ne e mbartim si frymë përmes trandeshencës. Kjo frymë e gjallë lirike dhe e pastër si zjarr i lotit vjen tek lexuesi për të dhënë dramën e jetës, dramën e izolimit dhe vetmisë, mallit dhe ikjes, të dashurisë dhe tradhtisë, të jetës si jetë të thyer nga këto largime, ku, gjithnjë rri varur e pamundura që nga çasti në çast mund të bëjë një barrierë, që ti duhet ta sfidosh…

Kujtesa e Mjegullës 2000

Kujtesa e Mjegullës 2000

Librin e tretë me poezi Jozef Radi, do ta botojë në vitin 2011 nën titullin “Fletorja e Vjeshtës”, ku vargu bëhet më enigmatik e triller, fiksioni më i thellë dhe gjendja më dehëse e trallisëse, mesazhet më të kamufluara dhe fuqia e vizionit më depërtuese; e veçanta e poezisë së Radit buron nga nga një vendosje metaforike dhe simbolike e unit të tij në raport me pjesët e tjera të fragmentizuara të vetvetes, me ata që e rrethojnë në përditshmërinë e tij, me historinë dhe çastin që përjeton aktualisht, si kujtesë dhe emocion njerëzor.
Udhëtimi në poetikën e Jozef Radit është një udhëtim metafizik në kohën shqiptare, në vorbullën e idealit, iluzionit, vetmisë, heroizmit, klithjes, shterpëzimit të ideve dhe kauzave, akthit sindromik, rënies kolektive në grackën e idhujatarisë politike, traumave dhe devijimeve të pa cak. Këto gjendje trallisëse e imazhe të beftë, bëhen ende më të beftë deri në klithje, nga strofa në strofë, nga faqja në faqe, nga gjendja në gjendje, teksa lexon librat e tij, ku nga libri në libri ka një ngjitje vertikale të poetit, për të kulmuar në vëllimin e tij poetik “Fletorja e vjeshtës”.
Metaforat e fuqishme, simbolikat e thyera, kontrapunti, ambivalencat janë pjesë e një karuseli gjigand ku vërtiten çaste idili e vetmie, pasioni e ëndërrimi, pasione të sëmura, sindroma, akte delirante, stresi, pamundësia për të shijuar frytet e pemës së lirisë. Në këtë shtjellë të rrëmbyer poeti vendos unin e tij, hapësirat e imazhit që përfshin në shqyrtimin e tij poetik.
Në poezitë e kësaj përmbledhje vihet re ritheksimi i prirjes së kahershme të poetit, thellimi i orvajtjes për të ndërtuar paralele në kohë dhe hapësirë, me anë të imazheve të gjalla, që vijnë nga “kohë premordiale”, siç mund të thoshte Karl Gustav Jung. Këto “imazhe të vrara”, ku zhytet fiksacioni i tij poetik, ruajnë si në një herbarium lulet e thara të stinëve të shkuara, ku ka vetëm pak diell e dritë, por aq mjafton sa për të kuptuar tisin e trashë e të rëndë të errësirës, stresit, vuajtjes, dhimbjes, të cilat rrethojnë poetin dhe janë pjesë e udhëtimit metafizik të Radit në poezinë e tij moderne.

Kopertina e Librit Fletorja e Vjeshtes

Kopertina e Librit Fletorja e Vjeshtes

Poezia e Jozef Radit është një poezi e gjendjeve impresioniste dhe moderniste, me një fantazi të paimagjinueshme, me një kompleks figurash dhe trajtash që e bëjnë atë të freskët dhe me mesazhe të forta universale.
Në thelb, ajo është një poezi e trazimeve dhe dyzimeve të befta, e mungesave dhe përjetimeve moderne, poezi malli e mungese, transparence e mjegulle, e ritmeve të hazdisura që sjellin një ambivalencë gjendjesh dhe emocionesh të denja për një poezi që buron nga shpirti i thellë njerëzor dhe shkon drejt këtij shpirti, për të ushqyer pemën e tharë të tij. Kjo poezi, gjallon aromë atdheu, mall dhe kujtesë, ëndërrim dhe klithje, trazim dhe etje, është një poezi që lexohet me një frymë dhe përjetohet po me një frymë si një zbulim, si një risi që sjell poezia e re shqipe, kudo që shkruhet dhe lexohet, në lumin e madh të poezisë së vërtetë mbarëshqiptare.

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Shkrime mbi Jozef Radin  Etiketat: , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook