back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Parathania e librit “Kujtesa e Mjegullës” – Jozef Radi

Gazeta

Kujtesa e Mjegullës 2000
Kujtesa e Mjegullës 2000

Parathania e librit “Kujtesa e Mjegullës” –

nga Jozef Radi

“…Jozef Radi, i përket gjeneratës së atyne djemve e vajzave,
të lindun nën fatin e keq të prindërve të tyne,
po që falë kulturës, traditave, krenarisë dhe stocizmit të tyne,
arrin të asimilojë krejt ato vlera të domosdoshme,
që i shtynë të shpresonin dhe te besonin se ajo tragjedi gjysëm shekullore
që po rrënonte edhe jetën e tyne, nji ditë do merrte fund…” (kopertina e pasme)

Ky libër poezish ka nisë me u shkrue qysh herët…
Veçse trajtat e tij ndër kohna ndryshonin, herë prej pamundësisë së botimit, herë prej nji autocensure të autorit, po ma shumë prej faktit se ato vargje t’pamunduna për botim, me luejtë me to ishte i vetmi argëtim…
Erdhi nji kohë që ky libër jetonte në trajtën e vet përfundimtare…
Po si duket heshtja si mallkim vazhdonte me e ndjekë dhe vetëm tash së fundmi, autori e bindi veten se e vetmja mënyrë me shpëtue prej kësaj marrie të kahershme, ishte botimi i tij… Po a ia vlente ta botoje? Ndërdyshja s’i kthente përgjigje!!!
Ndoshta ai dëshironte sërish me u marrë me të, si me nji lodër të mbetun nga kujtimet e fëminisë, ndoshta dëshironte me e përsosë edhe ma tej, kët krijesë të tijën fatkeqe… (shpesh duke e shkatrrue atë)… o ndoshta trauma e mosbesimit në vetvete… (ngulitë prej kohnash shtrigane) vazhdonte me e vërtitë sirtaresh e skutash kët ankth pafund të shpirtit të tij…
Tashma krejt këtyne hamendsinave u kish ardhë fundi, dhe ndërsa e mbyllja faqen e fundit, mendova se kësaj përpëlitje të gjatë shpirtnore, kësaj metamorfozë poetike.. të pagëzueme “Kujtesë mjegulle”, m ‘duhej me e hedhë në dritë…
Siç e theksova edhe ma nalt, nji pjesë e këtij libri vjen prej kohnash të vështira për fjalën, kohna që për habi kanë nisë të harrohen, pa mbrritë me e artikulue sa dhe si duhet të vërtetat e hidhta të asaj epoke që ende i rri si sfond së sotmes po edhe së nesërmes!!!
Përmes këtij libri, autori s’merr përsipri me shpjegue kohën prej së cilës vjen, sepse gjaja ma banale do të ishte me e shpjegue atë, me e ba sa ma të kuptueshme terrorin për të gjithë ata që s’e kanë përjetue si të tillë, për ata që e ushtruen atë, (pa e ditë!!!), apo për ata që e pësuen deri në eshtna thikën e nji lufte të ashtuquejtun klasash… po që në t’vërtetë ishte ma shumë se civile! Për autorin, si edhe për shumë pësues të tjerë, diktatura mbetet nji enigmë e pashpjegueshme! Çdo tendencë me kuptue thelbin e saj mbetet nji marrëzi… (absurdi asht i pashpjegueshëm) dhe përmbledhtas mund të thotë se diktatura asht nji sfinks që u përket gjitha kohnave, nji kafshë e gurtë e shtrimë në t’gjitha kohnat, në t’gjithë popujt, mbi të gjitha jetët, dashnitë, andrrat për me dëshmue sa të domosdoshme janë vdekjet tona…
Pikërisht ky fakt, e ban të domosdoshme praninë e saj qoftë edhe si sfond i këtyne vargjeve, duke qenë njiherësh edhe thelb i tyne…

Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000

Ndokush mund të mbetet shijeprishun nga zhytja në detin e trazuem të këtij libri, që ka vuejtë mjaft me u ndje libër, qoftë prej heshtjes së detyrueme, qoftë prej lodhjes nga vetvetja, qoftë edhe drojes me u shfaqë… Ju kërkoj ndjesë paradhanie, përmes kësaj parathanie, sepse s’paska gja ma të vështirë se të jeshë ti vetë lexuesi i vetëm vetes tande!!! Prandaj po kambngul me mbrritë te lexuesi, prandaj po e mendoj leximin e tij si kryefjalë, pse asgja s’më shqetëson ma tepër se leximi i nji kohe përmes nji vetje, që guxoj jo veç me mendue… po edhe me shkrue…
Qysh kur m’u ngjiz ma së pari dëshira me rradhitë vargjet, isha i bindun se pa ndryshue stina që na kishte ra për hise, të shkruemit ishte nji rrezik i garantuem dhe krejt lehtsisht mundje me rà nën kthetrat e dy pesave të agjitacion e propagandës… Kështu, që këtyne vargjeve jo vetëm u mungoi lexuesi për nji kohë të gjatë, po në vend të tij mund të vinte hetuesi… e të gjente nji thesar për karrierën e brilante në Piramidën e së Keqes…
Shtoj me kët rast edhe kët shpjegim… Mbasi e lexoi dorshkrimin e hershëm të nji libri, mësuesi im i letërsisë, njiherësh edhe sekretar i partisë i gjimnazit, Murat N., me nji entusiazëm të frenuem, m’u shpreh: “Po, të shkruash, ti duhet të vazhdosh të shkruash, pse jo… ka plot shkrimtarë që janë bërë të famshëm edhe mbas vdekjes!!” Dhe ky asht inkurajimi ma fantastik që kam përjetue prej mesuesit tim… Me duhej të shkrueja, për famën që mund të më vinte mbas vdekjes, ndërkohë që s’kisha asnji ditë ma shumë se 21 vjeç… Prandaj me pëlqen me e theksue se ky libër ka nisë i humbun qysh në nisje… dhe ma shumë se kaq s’mund t’i ndodhte këtij fëmije “të paligjshëm…”
Po si duket edhe koha s’kish qenë aq e përjetshme sa e kishin mendue bijtë e Kronosit të Kuq, sepse nji ditë Koha e Tyne ju doli nga duert, dhe u ba Koha e të Gjithëve dhe meqë latini i lashtë e kishte thanëse: “verbus volant, scripta manent…!” edhe këto shkrime të mbetuna prej asaj kohe i dhanë shpirt dhe frymë këtij libri…
Çdo poezi ka në fund edhe vitin kur asht shkrue dhe libri në tanësi u konceptue dhe u sistemue mbi rrjedhën e viteve të shkrimeve. Mund të ishte konceptue në njimijë mënyra… kronologjikja u gjet ma e arsyeshmja… Edhe titulli pati mjaft përpëlitje, po deri sa kohë s’asht lexue dhe perceptue qartë mbrenda nesh… “Kujtesa e Mjegullës” u gjet ma i përshtatshmi…
Si të mos i mjaftonin humbjet qysh në lindje, nji mbasdite të trishtë maji me shi, në nji ikje të çoroditun, krejt valixhja me dorshkrimet na humbet në nji port të Italisë… falë mirësisë së gjetësve, po edhe vlerave krejt të pakta që kishte mbrenda, (shumica letra dhe libra…) mbijetoi… dhe prej asaj dite, luftova që ato letra të bàheshin libër…
Ndoshta humbja e fundit u ba edhe fillimi i jetës së tij!
Lexim të mbarë, O ju që guxoni me e shfletosë kët libër…
Verë, 2000

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.