back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Jo, s’janë të lirë ata që ngrejnë rrethime… Jozef Radi

Gazeta

Rrethim
Rrethim

Jo, s’janë të lirë ata që ngrejnë rrethime…

poezi nga Jozef Radi

(nga Libri “Fletorja e Vjeshtes”)

E gjej t’arsyeshme që kët poezi të shkëputun nga libri “Fletorja e Vjeshtës”...
dhe të vendosun në murin e fb të Ilir Secit,
së bashku me shënimet e mjaft prej lexuesve ta vendos në sit…
me gjykimin se kjo poezi me vlerësimet e lexuesve
meriton të jetë e pranishme edhe këtu…
Falenderoj edhe nji herë mikun tim Ilirin,
për bonsensin në përzgjedhje dhe vlersimin e kesaj poezie…
po edhe gjithë ata që lanë qoftë edhe nji shënim thjeshtë
mbi kët poezi që mbetet ndër më të dashurat e mia…

Jozef Radi

Kampi i Savres 1991
Kampi i Savres 1991

ne u deshëm n’nji kamp telash me gjemba

***

ne u deshëm n’nji kamp telash me gjemba
hedhun midis nji kënete që e bamë fushë
…ngulëm nga nji lulkuqe në çdo dhamb hekuri
e me fije bari qendisëm klithmat e fatit tonë…

jo, s’janë të lirë ata që ngrejnë rrethime
të lirë janë ata që rrethohen me mure,
prandaj rrethohen: të vritet liria e tyne!
po liria s’asht çeshtje hapsinash as qiejsh
asht çeshtje shpirtnash, çeshtje dashnie…

ata që ngrejnë rrethime, mure e karakolle
tan botën le ta shetisin kurrë t’lirë s’do t’ndjehen,
të lirë mbeten veç ata që botën e kqyrnin
përtej frangjive, përtej telave me gjemba
përtej konopit, përtej rrasave të ftohta t’gurve…

ne u deshëm n’nji kamp telash me gjemba…

Kampi i Çermes - 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Kampi i Çermes – 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi

Shënime të lexuesve marrë nga faqja e Fb

Eduard M. Dilo
“jo, s’janë të lirë ata që ngrejnë rrethime/ të lirë janë ata që rrethohen me mure,
prandaj rrethohen: të vritet liria e tyne!/ po liria s’asht çeshtje hapsinash as qiejsh
asht çeshtje shpirtnash, çeshtje dashnie…”

Indrit Vokshi
E përshpirtshme. Ai sistem ka shkatërrù familje.

Alfons Zeneli
Poezi emblematike…

Ndue Ukaj
Mjerisht, për shqiptarët, ajo liria e kërkuar dhe e projektuar përtej telave me gjemba (Jozef Radi), po mbetet një dëshirë, një kërkesë dhe një nevojë e përhershme e njeriut tonë!

Ilir Seci
Liria është premisë Ndue, realizimi ynë i plotë i vetvetes si qenie është sfidë tjetër edhe më e madhe, një sfidë që bota rreket përditë në të me stërmundimin e Sizifit, por ia del si ia ka dalë deri më sot… ma se pari duhet me qenë të lirë!

Xheni Tanini Hali
Them se është rrënqethse të mendosh se sa të lirë ishin, ishim. Kur jetoja me ankthin e asaj çka do të mund të ndodhte më pas, pasi i kisha parë ca banka, ca bazhure teneqeje të bardhë me fileto blu të rrjepur dhe fytyra të njohura nën to, pasi pashë dhe ndjeva shumë, më shumë nga sa gjithkush që s’e ka provuar e harron thjeshtë, di se i kam thënë sime meje “më mirë të na kishin internuar”. E di që ajo edhe atë natë nuk fjeti, sa për vete kam qenë rreth 9 ose 10 vjeç, po me sa lexoj këtë poezi, për mua antologjike, si shumë të tjera që kam lexuar të asaj kohe dhe të atyre njerëzve, mendova se në të vërtetë ata nuk kishin ç’humbisnin më për trupin e tyre, mendjen askush nuk ua lexonte dot, dhe ndaj ishin të lirë, edhe unë paskam dashur të jem e lirë…!
Po nuk e di, e kam uruar të jenë pas këtyre telave, ca njerëz, ata që sot llapin e lehin për gjoja liritë e “turmës idiote shqiptare” që i vjen pas, thua t’ju dua lirinë e mendjes, atë që mua ma hëngrën me gjithë mendje dhe trup?! E ngatërruar kjo botë e papërgjegjshme!

Vasel Malaj
Kurrë nuk e kuptojnë Diktatorët, se sa e Fuqishme është LIRIA. Në qoftë se do ta njihnin fuqinë e LIRISE dhe vlerat e sajë kurrë nuk do të ishin kundër Saj. Liria është vdekje e Diktatorëve dhe Diktaturave.

Kozeta Zylo
Jam ngujuar brenda botës së një poeti të internuar, mos e dhëntë Zoti që kritika të bjerë në “koma” për moslexim të këtyre librave, se ndryshe nuk do të shërohet kurrë e keqja kanceroze, harrimi i vuajtjeve të bashkatdhetarëve tanë, piklat e gjakut të djemve që u binin nënokeve në përparëset e punës, një punë dhe dhunë aq e rëndë dhe tronditëse gjatë sistemit që kaluam, jo pak, por 50 vjet. Faleminderit Ilir për tag. Faleminderit poetit te mirënjohur RADI. Të interesuarit mund të lexojnë një shkrimin tim rreth autorit në gazetën “ILLYRIA”.

Gezim Mani
Ehhhhh, shqiptaria! S’po dijmë me e vlersu KURRE atë Liri që po na mungon, e kështu bashkarisht me dijtë me i dhanë edhe një çmim asaj vlere. SEPSE tu ja dijtë çmimin Lirise sonë – që po na rrin e largume posi foshnja e shkëputun nga nana e vet- ATEHERE kena mujtë edhe me i mbledhë “forcat” tona e me e fitu atë Liri.

Dana Xhaj
Të pashpirtët nuk mund ta burgosin e vrasin kurrë shpirtin e lirë! Fizikisht po, por shpirtërisht kurre!!!!! flm. Ilir për këtë mrekulli të rradhës!

Gjon Bushgjokaj
Përshëndetje i nderuar Mik Z. Ilir Seci. Poezia e Jozef Radit një realitet i hidhur, jam një nga të mbijetuerit e Kampit famkeq të Tepelenës, më rrqethet mishi më bëhet kokërr kur kujtoj që vetëm në 5-ditë vdiqën 185 fëmijë të vegjël nga kequshqyerja dhe të ftohtit. Sigurisht se në kët gjenocit lindën edhe dashuri, të gjithë e donin njëri tjetrin si vllezër e motra edhe pse ishim nga krahina të ndryshme dhe të besimeve të ndryshme. Këtu bisha komuniste e Enver Hoxhës shfarosi me qindra familje dhe intelektualë të Kombit të cilve nuk u dihet as varri pasi i hidhnin në kënetë dhe aty qenët rrugaçë i shqyenin për t’u ushqyer. Nuk due të zgjatem por due të them se akoma janë telat me gjemba për këtë shtresë të dënuer padrejtsisht vetëm se donin Shqipëri Etnike Nacionaliste dhe Europjane, përsëri dëgjohet aroma e shpifur e Kënetes dhe urrejtja ndaj kësaj shtrese, dikur yndyra e Kombit Shqiptar. Rrespekte të gjithë atyre që u shkaktojnë dhembje nga këta rreshta të hidhur por të vërtetë…

Gezim Mani
Derisa drejtësia të jete vu në vend, lotët tanë s’kanë për të rreshtur kurrë sa herë të kujtohen këto ngjarje makabre antinjerzore dhe jashtë logjikes normale njerëzore.

Arbër Ahmetaj
E bukur, pikëlluese si mjegulla e mëngjesit pas telash me gjemba…

Nexhat Imeraj
Ah sa dhimje e realitet ka kjo poezi Lir.

Fahri Xharra
“Jo s’janë të lirë ata që ngrenë rrethime
të lirë janë ata që rrethohen me mure,… rrethuesit i kan pasë gjithmonë ditët e numruara.

Fran Ukcama
Një himën për vuajtjet e sakrificat, ata që burgosën zanin e lirë vetveten dënuan, se liria as nuk vritet as nuk mbyllet, as nuk blihet as nuk shitet, ajo asht frymë, ideal, ajër e dritë!!

Pjerin Ndreka
Kërkush ma mirë se poeti, nuk ia din kuptimin e vërtetë lirisë. “I rrethuemi, i burgosuni, i ngujuemi” fizikisht nuk janë të lirë, por andrrën kerkush nuk mundet me jau rrethue, burgosë apo ngujue. E kundërta ndodh me mohuesin e lirisë së tjetrit. Atij i kanë vdekë andrrat. E pa andrra je nji kufomë e lëvizshme.
Faleminderes Ilir për prumjen tande (Poezi e foto). Si gjithnji je nji artist sensibilizues.

Anila Hoxha Gjermeni
Un nuk gjej fjalë për këtë tragjedi, por mundet të them respekt për ata njerëz që vuajtën aq shumë nga torturat dhe e panë vdekjen me sy dhe respekt për familjarët e tyre që do ta vuajnë deri ne vdekje atë ngjarje të rëndë!!

Pëllumb Koro
M’u duk sikur ato tela gjëmbaçë lotojnë akoma dhe kanë të drejtë derisa liria e shpallur endet akoma brenda atyre telave gjembaçë e pa gjetur, e plagosur. E lire pa liri. Ne poezinë e mësipërme shoh kënetën e Maliqit dhe njerëzit që e thanë e u vranë aty. Mjerisht nuk mund të gëzohem akoma për lirinë e ëndërruar, por le të shpresojmë… pëlqime 5

Bukurosh Curre
Këto tela me gjëmba tregojnë skarën e mbetur të plagevë të lirisë nga diktatura gjaksore dhe njëkohësisht plagët e reja që po shndërrohen në gangrenë nga diktatorët e rinj që po shndërrohen në vampira të vërtetë… pëlqime 2

Viktor Martini
Z.Vasel Malaj, diktatorët e njifshin shumë mirë Lirinë, e cila ishte vdekja e diktatorve, prandej dhe eleminonin çdo shqiptar që e donte lirinë…

Ilir Biba
Them se i shkon kjo muzike atyre vargjeve…
https://www.facebook.com/photo.php?v=442671728691

Pali Vlashi
Në mënyrë figurative, është e vërtetë ajo çfarë përshkruan poeti bashkëvuajtes; Liria është tmerri i diktatorëve, prandaj dhe e luftojnë atë me çdo armë që kanë në dispozicion! Por Absurditeti i vendit tonë i kalon kufinjtë poetike. Ata që dje tundnin kamzhikun e diktatorit, mbi kokat tona dhe të vllezërve dhe baballarve tanë, sot ngrejnë lart gishtat në shenjë fitoreje…

Valbona Nagafci
Këto lot alpine i kam fshirë shumë herë te prindët, motrat dhe vetja ku genocidi laboratorik i Enver Hoxhës na hodhi ne kënetat e Lushnjes për t’i ba atij ” fusha te industrializueme pambuku”… Poezia dhe fotoja përkundin atdhetarizmin dhe dinjitetin e përkryer të ajkës shqiptare para dhe post komuniste… Dhembje, revoltë për gjakun e shprishur, Ilir. Flm!

Merita Smaja
“po liria s’asht çeshtje hapsinash të ndryme/asht çeshtje shpirtnash, çeshtje dashnie”…
pikërisht këtu ndahen konceptet e lirisë… se liria ka një kuptim të gjerë… e shumëdimensional. Një poezi që tregon një realitet, një foto që të fut brenda një realiteti… të dhimbshme të dyja, por pikërisht jeta e tillë është… dhimbje.

Jozef Radi
I dashtun Ilir, befasitë e tua bahen gjithnji e ma të shpeshta, aq sa na shtyjnë në habi, e na bajnë me thanë “si asht e mundun!?” e na ban të ndjehemi me fat që jemi miqtë e tu. Përgëzimet ma të sinqerta për kët bashkim të fjalëve të shkuluna prej shpirtit tim, me at peisazh Shqipnie të tretun në mjegull, ku majat e pishave e zgjasin kryet me dalë drejt dritës dhe rrethimet me gjemba i mbajnë pikat e vesës si lot që askush nuk mundet me ia shkulë kujtesës sonë… të afërt e të largët…
Të falenderoj miku im, që tash na fton herë mbas here “në Kafen e Madhe” tanden, e bashkë me ty të gjithë ata që e kanë marrë prej teje, kët emocion timin dhe e kanë ba të vetin…

Prend Buzhala
Liria shpërthen gjëmbat! Prangat nuk mund t’i vihen lirisë së brendshme as ndjesisë së bukur të dashurisë… Prandaj, po ky pasion e gjakim shpirtëror për lirinë, përmbysi të keqen, diktaturat, si triumf i dashurisë dhe i këtij gjakimi…
Ideja e Lirisë (si shprehet filzofofi O. Patterson), është ide e civilizimit europian (që mungon në disa civilizime tjera, edhe si FJALE), lindi tek skllavi për të qënë i lirë… si Tjetri! Kjo IDE u poq dhe erdhi deri në Epokën Tonë… në vend të MALLKIMIT për të TASHMEN, poeti zgjedh atë dritë që çan në errësirën e të kaluarës. E po, sot liria me dritën e saj zbulon karaktere, nxjerr të palara, veprime të mira e të keqija… frymëzon njerëz për ta shqiptuar MENDIMIN E LIRE, FJALEN E LIRE… Kjo është MREKULLIA E LIRISE…
Përgëzime!

Livia Priami
Ata që ngritën këto tela me gjëmba janë përsëri të aftë të ngrenë përsëri… ne kujtojmë holokaustin gjerman e mirë bëjmë… po holokaustin tonë përse bëjmë sikur e harrojmë????

Shefqet Dibrani
Faleminderit Ilir, për poezinë e Jozefit dhe për ilustrimin e gjetur.
Kam pas fatin ta takoj autorin, dhe kjo më bën që ta përjetoj më mirë brendinë e tij shpirtërore. Çiltërsinë tënde dhe solidaritetin e kësaj armate krijuesish a dashamirësh të fjalës së shkruar artistike.
Ty Ilir faleminderit, po më shumë autorin për mjeshtrinë artistike, mendimin e peshuar, figuracionin e gjetur, gdhendjen a latimin e fjalës së bukur poetike!

Ibe Radogoshi
E vërtet ish sistemi ka shkatrrue familje, mirpo sot pas ramjes se sistemit të vjetër dhe ardhja e demokracisë, çka kemi fitue vallë, kemi shkollim mat fort jo, kemi demokraci jo, çka kemi fitue pra, kemi fitue pra kan fillue me të madhe nëpër mjet feve mena hek kombsin Shqptare, tu na quejt si musliman, katolik, romak dhe e fundit ma tragjikja edhe grek e mos te flasim per korrupcion, krim te organizuar, uzurpim te pronave, shkatrrim total te qyteteve etj.

Ilir Seci
Z.Radogoshi mesazhi i kesaj poezie shumë të bukur të poetit Jozef Radi ishte thjesht apelim për artëdashësit por meqë e keni bërë këtë koment me duhet te shkruaj dy rradhë… Nuk mund të bëhen krahasime mes dy kohëve sepse kemi fituar edhe shumë biles krahasuar me atë kohë… i pari z.Radi dhe mijra të tjerë që lindën dhe u rritën nëpër ato kampe me tela me gjemba! Ata që prej lindjes e kishin fatin e paracaktuar nga rregjimi komunist, do rriteshin në kushte të pabarabarta me tjerët, nuk do kishin shkollim dhe cikli i jetës së tyre do mbyllej nëpër kampet famëkeqe me tela me gjëmba të Savrës dhe çermes në Lushnje! Mos ua lëndo plagët atyre njerëzve… është kollaj me folë sot?! Eshtë dashtë të kishit lindë me damkën e armikut të klasës që të priste në jetë nga momenti kur të pritej kërthiza e deri në vdekje! Eshtë dashtë të kishit përjetuar ato tmerre të internimit që të flisnit për Shqipërinë dje dhe sot! Ka një ndryshim të madh mes mospasjes së asgjëje dhe mospasjes së asaj që të pëlqen! Sot ankohemi sepse na pëlqen të ishim më mirë! Epo kush nuk do ashtu?!… Po ama flasim, ankohemi edhe e kemi mundësinë e zgjedhjes… asgjë nuk vjen menjëherë! As në Shqipëri dhe as në Kosovë nuk mund të hiqen paralele me kohën e përparme… më vjen keq!

Hektor Lumezi
Z. Ilir Seci, me vjershen e J.Radit na dhate mundesine qe ta kujtojme me gezim dhembjen e kaluar me deshiren dhe shpresen qe, kohe te tilla te mos na kthehen kurre, por edhe qe te mos harrohen kurre sepse, harresa e ka perseritjen, qe eshte tmerri vet! Vjersha eshte shume shume e mire, pershkruan jeten shqiptare brenda telave me gjemba dhe, jeten pertej telave aq shume te deshirueme… Nga kjo vjershe e Poetit Radi e vlen te shenohen dhe te mbahen mend njehere e pergjithmone vargjet, testament, qe mendoj se, rrezimojne plotkuptimshem gjithe komenetet e dhena, sepse z Radi thote:
“… te lire mbeten veç ata qe e kqyrnin boten
pertej frangjive, pertej telave me gjemba
pertej konopit, pertej rrasave t’ftohta t’gurve…”
Ta shikojme pra boten pertej vetvetes dhe te bejme gjithçka qe, t’i sherbejme drites se lirise, duke iu rikthyer se vertetes e cila eshte pertej frengjive dhe telave me gjemba.

Ylli Toto
Këta tela me gjëmba me kujtojnë vitet e diktaturës komuniste enveriane, ramisiane, ruciane, dokleane, nexhmijeane dhe ca kulisha të bllokut, që për fat të keq fusin shkopinj nëpër rrotat e makinës demokracisë, nuk u ngopen për 40 vjet po duan akoma të sundojnë?!
Kur shikon këta tela, shikon diktaturën që kurrë mos ardht më dhe mos ja dëgjofshim emrin…

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.