back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Jo, Mentor Quku! Burra si ti, nuk vdesin kurrë! nga Fritz Radovani

Gazeta

Prof. Mentor Quku (1939-2014)
Prof. Mentor Quku (1939-2014)

Jo, Mentor Quku! Burra si ti, nuk vdesin kurrë!

nga Fritz Radovani

Shkodra ka humbë nji qytetar dhe nji intelektual të mirfilltë… Shqipnia, ka humbë modelin e nji Atdhetari të Përsosun, pse shokët e Tij numroheshin me gishta…
Familja e vjetër shkodrane asht e vërtetë se ka pasë dhe uroj të kenë Pinjoj me të cilët ka me se krenohet, po, Mentor Quku, ishte i rrallë në mjedisin e gjithë Shkodrës.
I ri në shpirt, i pashëm, i qeshun gjithmonë, qyshse e njoha në vitin 1953, n’oborrin e shkollës Pedagogjike të Shkodrës, po, mbi të gjitha i dashtun, joshës dhe nder të veçantit shqiptarë që trashigoi Fisnikinë, Bujarinë, Burrninë pa asnji thërmijë fanatizmi, e këta janë nji visar i çmueshëm që Nana e Tij, i mëkoi me qumshtin e vet si biluri…
Kam njoftë në jetë Burra të vërtetë, por ndër moshatarët e mi në Shkodër, jo, për zakon se sot duhen thanë këto fjalë, po shokët e Mentor Qukut, i vijnë rrallë këtij qyteti dhe krejt Shqipnisë! Me plot gojë mundem me thanë se ajo Familje, 60 vjetë përpara kishte tri lule: Lalin, Mentorin e Lilin…
Nji nder’ i vërtetë i Trojeve tona.
Provoi persekutimin e “heshtun”, tue iu privue e drejta me shkue në shkollën e mesme të gjimnazit bashkë me motrat, po gjithmonë kryenaltë, se i përkiste asaj “klase” që s’pranonte privilegje me turp e faqe të zezë, gjà të cilën, Qukët e kanë pague mjaft shtrenjtë nga persekucioni i pashpirtë komunist 47 vjeçar.
Provuen burgjet, transferimet ndër skajet ma të vështira të vendit, trajtimin antinjerzor komunist, po gjithmonë, dhe pa ma të voglën frikë, krenarë dhe dashamirës ndaj shoqnisë së cilës, ua shpërblyen me Besë dhe dashamirsi vuejtjen deri në vetflijim, po kurrë, me i sjellë nji të keqe sado të vogël shokut dhe mikut ndër të gjitha rrethanat e vështira të jetës.
Ky ishte Mentori!

Prof. Quku në bibliotekën e tij
Prof. Quku në bibliotekën e tij

Në vitin 1996, e takova rastsisht në rrugë te Muzeu Popullor… Si gjithnji, më foli e më tregoi se ishte angazhue për me krijue “Të Djathtën e Bashkueme Shkodrane”… Atypëraty… nuk isha optimist! Po, mbas nji takimi me nji grup qytetarësh, te Shkolla Pyjore, ndryshova mendim dhe mora pjesë me qejf në at fushatë zgjedhjesh edhe pse asnjiherë nuk jam angazhue me parti politike, madje, ishte pikrisht Mentori dhe Nik Pavaci, që më propozuen si deputet përfaqsues i të Persekutuemëve Politikë të Shkodrës. Nuk u realizue kjo dëshirë e tyne, se Ministria e Mbrendshme ma dha tri ditë ma vonë, dokumentin e pastërtisë së figurës, atëherë, kur Prefekti i Shkodrës z. Iljaz Vrioni, më tha: “Je i vonuar, se dje avioni u nis…”, dhe, unë iu përgjegja po me fjalët e tij, në një artikull në gazetën “Shkodra”… Megjithatë, në saje të Mentor Qukut, Nikolin Pavacit, Nikolin Destanishtës, Ndrekë Bazhdarit, etj., fitorja e së Djathtës së Bashkueme u arrijtë.
Ajo Fitore e Popullit të Shkodres ishte meritë kryesisht e Mentor Qukut, prandej edhe pothuej “askush” nuk e bani zemrën gur me ba nji analizë objektive të saj, sepse Aty, ishte Ideali i Popullit të Shkodrës, i Bashkuem si asnjiherë rreth nji dashunisë Vllaznore, me të cilën, Ai do t’i tregonte mbarë Shqipnisë, se vetëm kështu ndërtohet Demokracia! Asnji prej atyne Burrave që e organizuen dhe e arrijtën Fitoren e së Djathtës së Bashkueme Shkodrane, nuk u angazhuen ndër poste shtetnore, dhe kjo ishte dëshmija e ndershmënisë së tyne, gja që vërtetonte nji nga cilësitë e tyne të Mëdha shpirtnore: “Shkodra Antikomuniste asht e Bashkueme!”
Po, a u mjaftue me kaq “Drejtori” i Muzeut Shkodrës Prof. Mentor Quku?
Nuk besoj se ka njeri që mund të mohojë vlerën e madhe të punës së palodhun të Mentorit, që në fillimet e para të luftës për Demokraci të Vertetë, e ajo fillon atëherë kur qendra e Muzeut u kthye në Vatër Pritje të Burrave të Nderuem Shqiptarë si: Profesorët e Pavdekshëm Arshi Pipa, Gjon Sinishta, Zonja Camaj, Abaz Ermenji e madje, edhe nga personalitete të mëdha të Besimeve Fetare apo të kulturës Europiane… Pa zanë me gojë botimet dhe kumtesat e organizueme per Krenarinë e Shkodrës Martire.
Këta Burra ishin frymzimi i Mentor Qukut…
Kjo veprimtari e Mentor Qukut e kishte domethanien e vet!
Brumosja shpirtnore dhe qytetare e Tij, në gjurmët e Kolosëve të Mëdhej si At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjedja apo Luigj Gurakuqi, e thërrisnin dhe, pikrisht ishte Mentor Quku, që u asht përgjegjë me jetën dhe veprat e veta, dhe me plot gojë sot, mund të mbishkruhen mbi aktivitetin e Tij atdhetar: “Idealist deri në vdekje për nji Shkodër Antikomuniste të Bashkueme!”
Nuk e dojshe sot nji lajm si ky për moshatarin tim Mentor Quku, edhe pse jam i sigurt se Ai asht pranë me Ata Burra! Jeta e njerzve të Nderuem si Mentor Quku nuk mbyllet asnjiherë, se Veprat e Tij janë të Pavdekshme, janë udhë e sigurt Vllaznimi dhe Bashkimi ashtu si, gjithmonë, Shkodra i ka lindë dy herë Ata: Si Kreatyra Njerzore dhe si Atdhetarë të Përkushtuem në rrugën Heroike të “Rozafës”…

Mjeda - Fishta - Gurakuqi 1908
Mjeda – Fishta – Gurakuqi 1908

***
Para pak kohe, pa dijtë se ishte tue u mjekue në Itali, i drejtova nji pyetje për nji nga personazhet e historisë sonë, fushë në të cilën kemi komunikue gjithnjë, dhe ashtu u përgjegj, tue e mbyllë: “Vllaznisht, Mentori.”
Nji ditë do ta publikoj mendimin Tuej, i dashtun shok i vjetër, mik dhe vlla, siç më ke konsiderue gjithmonë deri pak ditë përpara!
Jam shumë larg i dashtun Mentor, me dashtë me kenë këta çaste atje…
I therun thellë në zemër nga dhimbja për Ty, çova mendjen tek At Fishta, dhe m’u kujtuen vargjet e Tij:

“Dal në dritsore me kundrue shatorren,
Qi i Lumi t’kthielltë ia vuni rruzullimit,
E kqyri hyjt, qi thue, se njaq sy Zotit
Flakojn mbi dhé – e at botë mendoj për ty.
E, ku t’a shoh ma t’flakshëm tue xhixhillue
Nji hyll, aty selinë un tham me vedi,
Ti do t’a késh, e syt m’atë hyll pa dà
I nguli, e m’bahet si me t’pa. Me emën
Un t’thrras at botë n’për terr. Nji vaj bylbylit,
Qi përmallshëm ndër gemba rrin tue kja
Fatin e vet, a ndoshta, zogjt e dashtun,
Jehonë m’i bahet t’grishunit; e m’duket
Se bisedoj me ty!… Nuk dekka i miri, Jo kurr…”
“Nji lule vjeshtet” nga At Gjergj Fishta, Lirika.

Melbourne, 2 Qershor 2014.

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.