Jo e gjithë jeta qenka burim poezie nga Martin Camaj

Palimpsest - Martin Camaj

Palimpsest – Martin Camaj

Jo e gjithë jeta qenka burim poezie

nga Martin Camaj

Ka rrethana në jetën e njeriut që ky don me i harrue. Posa qet krye një këso ngjarjesh në kujtesën e tij, ai e ndrydh, për shpirt, për shpirt kishte me nxjerrë me gjithë rranjë prej fundit të zemrës, por s’ban! Papritmas kujtime te pakanshme mbijnë dikund ku as ndërmend nuk të shkon, shpesh si shfaqje negative, për shembull në marrëdhanje me të tjerët. Nëse kjo vetje do me harrue diçka ashtë krijues, këto ngjarje të pakandëshme i shfaqen pavetdishëm në krijime te tij në letërsi, për shembull, ose në pikturë apo në tingull. Ky lloj arti del tepër i kapërthyem, por nëse asht art del në trajtën e vet të harmonishëm. Me zbërthimin e këtyne krijimeve artistike merren gjurmuesit, kritikët e bile tash së fundit edhe psikologët e aty këtu ndoj gjuhëtar.
Unë nuk i përkas kësaj rigate njerëzish, as si krijues as si gjurmues. Poezia ime rrjedh nga ato rrethana jete që unë due t’i kujtoj!
Kam lindë në nji vis të egër “ku s’ka shkelë kurrë kamba e kalit”, kaq i thyeshëm ashtë ai vend. Prej përjetimeve atje, mbas të shtatit vjet deri në të dhjetin me kujtohet prekja e gjarpnit të fshehun në fier, saktas ndija e të ftoftit të nji lëkurë të lëmuet. Mandaj më cuen në shkollë mbasi me kish hy në palcë kjo ndije. Në qytet ua kam tregue me qindra herësh moshatarëve të mi këtë rrethanë në varianta te ndryshme.
Ma vonë mora vesh se paska tekste të shkrueme edhe mbi lëkurën e gjarpnit. Unë s’do ta kisha prekë me dorë kurrë nji pergamenë të tillë.
Mbas 13 vjetësh u ktheva në vendlindje. Të dytën ditë mbas kthimit, njerëzit e mij më thanë me shku në Rrëmaj, ndër vorre, të vizitoj ata që kishin vdekë gjatë kohës kur unë isha larg. Më përcolli nji plak që nuk më kujtohet se e kisha njohur ma parë. Mbasi në asnji gur vorri tek na ndër male nuk gjen emën të shkruem, me duhej një përcjelles. Ky, kur mbërritëm atje, në vend me më thanë: Ky asht vorri i tyt et ose ky apo kjo, thirrte para çdo guri vorri: Ooo! (Filan Fisteku) me emën e mbiemën.

Palimpsest - Martin Camaj

Palimpsest – Martin Camaj

Tue dalë prej Rrëmajve, tu fala nderës malsorit plak që m’i tregoi vorret e njerzve të mi. Tejet i ngacmuem iu çue delli në ballë:
“Si tha, po më falesh nderës për kaqe gja: vetëm nji za u lshova bre burrë… e kurrgja tjetër! Dashtë Zoti e më kanë ndie!”
Prej kësaj rrethane më ka mbetë në kujtesë fjala zani, që përshkon prej një jetë në tjetrën për botën nga vij unë, zani ishte gjithshka sinonim me përjetsinë, me kujtesën, e kangën… Thuhet për me mbetë në za: mos me u harrue: del në za bahem i përmendun, me famë… e së fundi urimi: Ta ndiefsha zanin e mirë! “Ndigjofsha mirë për ty”
Përçuesi i zanit të mirë, i kangës epike ishte rapsodi, nji njeri i paemën, nji za i pashoq e i papërsëritshëm… Nëse ky shuhej delnin 100 të tjerë, por asnji za si ai, sepse në botën e mitit askush nuk asht i pavdekshëm, vetëm i trashëgueshëm në nji trajtë të re. Bota e mitit ngjan të jetë nji model se si duhet të jetë jeta e vërtetë ku flitet haptas për të drejtën e padrejtësinë. Atje del fituese në shumicën e rasteve e vërteta, ndonese edhe në zemrën e botës së mitit gjindet fundi i ferrit. Edhe un përshembull e kam fitue tepër vonë, vetëdijen e një fshehtësie të tillë, papajtimin e zanit me shenjat apo çka janë shenjat e nji libri të lashtë që në të vërtetë e përjetsojnë zanin e shuem para sa e sa shekujsh.
Në këtë vetdije lidhen edhe shtjellimet në vargjet e lira të këtij libri. Ai qe nji moment si gjetja e një filli peni që zhdërvillohet tanë lamshi dhe lamshi asht ngjarja që u ngul në kujtesë si nyell i fortë në kohë. Kjo mund të jetë edhe nji andërr, ndërsa çka po tregoj asht e vërtetë
Ishte mes vjetëve 1956 e 1961. Në Romë pata mundësinë me pasë për duersh librin ma të vjetër të njoftun deri më sot në gjuhën shqipe. Ky dihet se ku asht unikal, e vetmja kopje në botë. Mbasi ende nuk kish ribotime të këtij libri, m’u donte me shkue përditë në biblotekë për të lexue në të. Rregulla lypte me nënshkrue çdo ditë se e mora tekstin në lexim e së në fund e dorëzova shëndoshë, pavenuem. E njejta rregull vlente për të gjithë ata që studjonin tekste të lashta në biblotekë. Kjo sjellje në kohë me kthehej në ritual, disesi bahej pjesë e pandame e rrjedhjes gjurmuese. Rituali përkonte edhe me përmbajtjen e ktyne teksteve që shpesh ishin Shkrim i Shejtë. Sikur gjatë studimit në kësi librash do të ishte pezullue kjo sjellje, libri i lashtë do të kish humbë diçka nga limbi mistik, nga kjo magji tret diçka edhe kur restaurohen tekstet e lashta dhe letrës ose pergamenës si vjen ma erë shekujsh.
Shumica e gjurmuesve në sallën e posaçme të librave të lashtë ishin murgj të vjetër, pos disave fytyrimët, hije bujare hebrejsh të stërholluem shpirtnisht prej dijes. Ata vishin nga lindja e perëndimi dhe ishin ndeshë rastësisht në këtë biblotekë, ku vetvetiu ishin trajtue taraf më vete dhe nuk përziheshin me askënd.
Fqinji im aty pranë me një inkunabull të shekullit të tetë hapë mbi tryezë, ishte nji benediktin plak, liturgjist në za. Edhe teksti im shqip kishte përmbajtje të tillë e shestoja ndër mend si t’ja gjej shtegun ta pyes për ndoj këshillë. Ia zuna shtegun gjatë pauzës në tarrazën mbi pullazin e biblotekës kah shihej mbarë Roma. Ia solla fjalën e ai u rrudh tue fshehë të dy duert në mangët e zhgunit deri në brryla. Qartë.. s’kish kohë me humbë me mue!
Mbas tri orësh erdh vetë tek unë e me pyeti për vështërsitë që kisha. Kështu e kështu i thashë, gjithshka do të zgjidhej sikur të kisha tekste në gjuhën time mbi të cilën u mbështet autori i librit në fjalë.
-Ti mbron tezën se ka pasë një traditë shkrimi në shqipe para tekstit që hulumton?
-Jam i bindun! – iu përgjigja
-Po të ekzistonin tekste të tilla, do te ishin zbulue dikund deri më sot. Ty të mbetet vetëm nji rrugëdalje: venu në kërkim palimpsestesh. U kujtue, se kjo fjalë më hutoi.
-Cka don me thanë palimpsest?
-Kompozita vjen nga greqishtja: palin – përsëri, e psestos – i shlyem, i gërvishtun… Kështu quhen ato pergamena me shtresa dorëshkrimi njena mbi tjetrën.

Vepra te Martin Camajt

Vepra te Martin Camajt

Ma vonë, mora vesh se pergamena, lëkura në lashtësi ishte landë e kushtueshme e murgjit e kuvendeve të vorfna shlyenin me langje të tharta bimesh shkrimet e vjetra që nuk u hynin në punë dhe shkruenin mbi to traktatet e tyne. Për fat në shekullin e tetë ose ma vonë nuk ka pasë langje të forta dhe shkrimet kinse të shlyeme mundën me i përtri lehtë e të lexohen ultraviolet. Herën e fundit që e takova, murgu për të më dhanë zemër, më tha që të mos lodhem tue kërkue. Diçka ke për të gjetë me siguri. Mos harro, kjo lloj pergamene e shkrueme dhe shlyeme disa herë në katalogë biblotekash të lashta shënohet, ngjit mbas signaturës në kllapa me emërtimin codex subscritus, a more vesh?!
Kur dola prej biblotekës ishte mbramje. Më doli përpara nji bote e re dhe Roma arkeologjike fare e zbulueme në ngjyrën e saj tipike. Ngjyra e tullës së pjekun e kuqlemët e korpit njerëzor të rrezitun në diell.
Në ditt që ndoqën në Biblotekë nuk m’u dha me lypë librin ma të vjetër të shqipes, me doli qefit me mend në palimpseste të lashta.
Tue rrëmue e tue rrëmue nëpër këtë tempull të librit të lashtë, hasa edhe botime të lashta të lirikës greke, asosh autentike të kohës së Hesoidit. Këto tekste i njihte mirë edhe murgu i zi pse kish lexue tanë jetën pa u ngi kurrë në to. Ky mes kuvendit përmbi mitin e lashtë, me pyeste me nji za cinizmi të lehtë: E po palimpsesti yt? Ndoshta për me qitë ndërmend se kisha edhe profesion tjetër…
Dhe këndej zu fill ravgimi mbas palimpsestesh nëpër qytete të mëdha kudo mbërrita, në një anë, dhe në tjetrën, kërkimi mbas mitit poetik ose qetësisë së humbun.
Martin Camaj – Palimpset (faqja 106-111)
Marrë nga Faqja e FB e Vitore Maria Mëhillit

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook