Ji dashnia jote e Parë! nga Ada Halilaj

Ada Halilaj - Ji dashnia jote e parë

Ada Halilaj – Ji dashnia jote e parë

Ji dashnia jote e Parë!

nga Ada Halilaj

Kundër tana profecive,
rregullave, parimeve të shenjta e laike, diktimeve me gojë e shkrim,
kërcënimeve e ndëshkimeve, propagandave e rrenave,
të bërtitunave e shkelmave, traditës e moralit,
turpit e turpnimit, thirrjes për sakrificë e sakrificës së nëpërkambun,
shtypjes e përkuljes, ndjenjës së fajit e frikës së ndjenjës,
çmimeve dhe premtimeve;
kundër tana pasqyrave, vetrinave, fotografive të ardhuna keq,
shigjetës së peshores, modelit “e hollë-e gjatë-e bukur”,
ekraneve dhe reklamave, kritikave, talljeve,
shpatës mbas shpinde e gishtave mbi plagë;
kundër krahasimeve, garave, vrapit për vendin e nderit,
uniformave, monomendimeve, turmës dhe shumicës,
zakoneve dhe imponimeve;
kundër njerëzve që s’ta deshtën lirinë;
kundër atyne që t’i mbyllën sy e gojë e që e plotë siç je
nuk iu mjaftove mjaftueshmërisht;
kundër gjithçkaje pa shpirt e pa dashni,
Mos i del kurrë kundër vedit!
 
Mos e zbut oreksin për dije, aventurë e udhëtim.
Lufto me paqe e talent.
Kujdesu për andrrat tuaja sikur të ishin fëmijë.
Ndigjoje deri në fund kangën e lëkurës që t’asht ba shtëpi.
Frymëzoju nga imperfeksionet e tua.
Priti pa frikë gabimet që po vijnë rrugës.
Njihe mirë hartën e trupit dhe shëndetit tand.
Mos e fsheh as guximin, as vetëbesimin e as skuqjen e faqeve.
 
Thuj ç’ka mendon me fjalët që beson ma fort.
Mendo gjatë, shkurt, me zemër a me arsye.
Mendo me mendim. Kujtoju për kujtimet.
Gjej kohë me e dashtë kohën.
Njerëzve përpiqu me ua prekë ndërgjegjen e jo me ua vra shpirtin.
Para se me fjetë mos numro as delet e as yjet…
po fytyrat e atyne që don.
Mos kërko gjithmonë veç diell e dritë.
Lype edhe shiun, stuhinë e dhembjen e natës uroje me tanden.
Puno! Prano çdo punë me kushtin e vetëm:
mos ta tradhtosh dinjitetin tand human.
 
Qesh nëse të qeshet.
Qaj nëse të qahet.
 
Të paktën një të diel në muaj,
mos harro të shkosh në bibliotekë, në teatër, kinema,
park, mal o det… vetëm o me të tjerë.
Beso në fe, beso në art, beso në një qytet,
beso në një gur a në një flutur.
Beso në ç’ka sheh, beso në imagjinatë, beso në dialog,
beso në jetën mbas vdekjes a në shumë vdekje njëherazi.
Beso pa marrë leje e pa dhanë shpjegime.
Beso te liria jote dhe te bolleku i saj!
 
Duaji tana kafshët. Respektoji tanë njerëzit,
sidomos ata që të ngjajnë ma pak.
Vetëstërvitu, vetëedukoju, vetëvlerësoju!
Merr e jep. Ndihmo e kërko ndihmë. Fal e falu!
 
Ji dashnia jote e parë…
mandej duj e lenu me të dashtë!
 

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Kafe letrare  Etiketat: , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook