Jetoj nën nji strehë me vrasësit e poetëve… Jozef Radi

Libri Fletorja e Vjeshtes 2011

Libri “Fletorja e Vjeshtës” 2011

Dy poezi kushtue Havzi Neles

nga Jozef Radi (Fletorja e Vjeshtes – 2011)

Jetoj nën nji strehë me vrasësit e poetëve…

Jetoj nën nji strehë me vrasësit e poetëve
ndrrojmë cigare në ditët e përzishme
e flasim për njerëz t’ikun me lavd
prej kësaj bote t’mërzitshme…
 
Kujtojmë poetin e sharruem me sharrë
poetin e përzanun përtej oqeanesh
me misterin pezull të vrasjes,
flasim për poetët që i pushkatuen natën
me mendjen se i zhdukën n’jetë të jetëve,
habitemi me poetin që u ngjit në litar
e n’duer mbante poezinë. Amanet nanës…
Qajmë për poetin që edhe pse gjallë
jetoi n’konop të heshtjes së përjetshme…
 
Përditë kujtojmë e flasim histori poetësh…
pse jetoj n’nji strehë me vrasësit e poetëve,
krijesa të zakonshme – karakatina t’mbathuna mirë
ditën flasin nënzà lokaleve, natën shkruejnë libra dashnie
e çojnë lehtë potere për padrejtsitë e papësueme kurrë
po asnjiherë s’shpjegojnë pse vdekja e poetëve
pak si të madhe e lëshoi hisen e “lavdisë” mbi ta…
 
Jetoj nën nji strehë me vrasësit e poetëve
që flenë mbasdrekave me shpirt të patrazuem
që shkruejnë pa prà libra për poetët, që vetë i vranë
e aspak heshtja jonë… e as firmat e tyne!
 
Jetoj nën nji strehë me vrasësit e dritës!
Zoti i pshtoftë shpirtnat e tyne prej Ferri…
.

Havzi Nela - ndër fotografitë e fundit

Havzi Nela – ndër fotografitë e fundit

Ma t’parët i vranë poetët

N’fëmininë teme, jetue e tana n’nji kamp interrnimi,
ku s’kishte qosh i Shqipnisë mos t’kishte përfaqsues e së quejtunës
elitë e vendit apo pari e krahinës, ne talleshim me nji shokun tonë,
i afërm i poetit Havzi Nela, tue ia përmendë me humor,
vendlindjen e tij, fshatin Kollovoz të Kukësit,
deri njat ditë kur e ama e tij, nji grua e moshueme na u vërvit me fjalët:
“Or budalla, po ju s’e dini se kur bijnë lodrat e Kollovozit
çohen edhe të dekunit prej vorri!”
Prej asaj dite askush s’guxoi m’e përmendë me tallje Kollovozin!
 
***
Ma t’parët i vranë poetët
edhe ma t’fundmin n’litar bash poetin e shkuen,
litari që s’e mbyti dot zanin e tij
tash ndër grykat tona rri shtrëngue
 
N’kambë bre Havzi Nela
se janë tue ra Lodrat e Kollovozit,
edhe malet e ulin kryet si kuej t’hidhnuem,
n’kambë bre Havzi Nela,
n’kambë bre Havzi djali…
 
Oh, për njat zot që na jep dritën
n’kambë e çova jetë e përtejetë,
e  Lodrat e Kollovozit s’kanë me rreshtë kurr’
se prej shpirtit tem, janë kah gjimojnë…

.

(Nga vëllimi poetik “Fletorja e Vjeshtës”, 2011)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Arkivi Jozef Radi, Kafe letrare, Poezia  Etiketat: , , , , ,
Një përgjigje
  1. Gjithmonë në pushtet… vrasësit e poetëve!

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook