back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Jetë e coptuar pa të drejtë… – nga Ndoc Selimi

Gazeta

Eugjen Merlika dhe Ndoc Selimi
Eugjen Merlika dhe Ndoc Selimi

Jetë e coptuar pa të drejtë…

(Me historianin dhe shkrimtarin Eugjen Merlika – Kruja)

nga Ndoc Selimi

Ai flet ngadalë e më zë të ulët. Ndoshta një kulturë e trashëguar si një pinjoll i familjes reale të Merlikajve, apo ndoshta nga përvoja e përndjekjes politike në diktaturën më të egër që ka njoftë shqiptari kundër shqiptarit deri sot në 40 vitet e tij në internim dhe në burg.
Kishte kohë që me ngacmonte ideja e takimit me këtë njeri të jashtëzakonshëm, i cili mban mbi shpinë krejt peshën diktatoriale të shekullit kaluar…
Me një trup të drejtë e të imtë thua se vitet e pamëshirëshme nuk kishin lënë shumë gjurmë në shtat. I kërkova diçka nga jeta e tij. M’u duk se ndjente pak zor dhe me një rrëshqitje të kuptueshme kaloi te jeta e gjyshit, pastaj edhe te e nënës e në fund shumë pak për vete. Përveç asaj që njohim për Mustafa Merlikën, Eugjeni më tregoi një fragment prej burri e trimi të gjyshit tij, sa për shumë vite është mbajtë mend në Shqipërinë e Mesme e më andej. Mustafa ishte bërë kundërshtar i betuar me Esat Toptanin kur e kritikoi rëndë në Vlorë për çeshtjen e dorëzimit të Shkodrës dhe për kët ai kishte dhënë urdhër te arrestohej. Esat Toptani si hilexhi dhe cinik që ishte në mungesë të Mustafës kishte arrestuar me burg dhjetë burra të fisit tij dhe kishte kërcënuar për heqjen e jetës nëse nuk dorëzohej Mustafa. “Atëhere gjyshi im – vazhdon Eugjeni – vendosi të pyeste njerëzit më me peshë e më të zgjuar duke u drejtuar sëpari në Shkodër. Nga dhjetë burra të nderuar shkodranë, nëntë i thanë mos u dorzo, se ato dhjetë burra të burgosur nuk vlejnë sa ti, por vetëm një i tha “Dorzohu!” (Sali Gjuka) dhe Mustafa u drejtua direkt në Krujë te Esati dhe në sy i tha se ti do të më vrasësh, por jeta ime nuk vlen ma shumë se Shqipëria që ti ke punu kundër saj… E ka mbajtë tre muaj në një barrakë dhe pastaj ua dorzoi italianëve, pasi kishte një marrveshje me ta dhe e internuan në Siçili në një burg për tre vjet. Aty takoi edhe kapiten Mark Rakën, i cili u vra për hakmarrje nga Zogu si pjesëmarrës në kryengritjen e Dukagjinit 1926. Kur Esati u lidh me serbët e francezët, italianët e braktisën dhe me këtë rast liruan të gjithë të burgosurit në kufinjtë italianë, por përsëri nuk mund të kthehej në Shqipëri, pasi hakmarrja esatiste ishte gati dhe ai filloi punë në një gazetë shqiptare që botohej në Romë e quajtur “Kuvendi”. Si kryeredaktor me ndërhyrjen e Sotir Gjikës, krushkut të ardhëshëm. Sotiri ishte martuar me një italiane dhe e bija e Sotirit, Elena bëhet nusja e të birit dhe njëkohësisht nëna ime – vazhdon Eugjeni”.
.
Autori Eugjen Merlika 2008
Autori Eugjen Merlika 2008
Babai i Eugjenit, Petrit Merlika kishte mbaruar për inxhinier në Itali me nota shkëlqyshëm. Për një vit e mbajtën në punë pas luftës, se u duhej për shumë gjëra dhe pastaj e arrestuan, ndërsa familjen e internuan dhe sekustruan shtëpinë me gjithë ç’kishte brenda, “shtëpinë tonë dykatëshe të rruga ” Vllaznit Huta”. Po ashtu arrestuan xhaxhallarët e mi; Fatosin e Bashkimin. Fatosi ishte martuar me Florën, të mbesën e Kol Bibë Mirakës dhe familja jonë që konvertuar e gjitha në katolikë. Një shtesë ma shumë për të qenë kontigjent numër një për burgime e internime. “Pas disa kampeve si ne Shijak e Kruje, u hap Tepelena, ku sëbashku me ne ishte edhe familja e Abaz Kupit, Havaja bashkë me tre vajzat – vazhdon Eugjeni. Nëna ime Elena Gjika kishte mbaruar për profesoreshë në Itali dhe tani po i nënshtrohej “Udhës së Kryqit”. O Zot! kur kujtoj këtë nënë intelektuale të ngarkuar me rrasa guri me nga mbi 60 kg duke ecur tre orë nëpër mal deri te kampi Tepelenës!! Pas pak ai nxjerr nga xhepi një kartolinë që kishte mbajtë gjithë jetën në portofol. Ishte një relike e gjallë që babai Petriti ia kishte dërguar Elenës kur ishte në burg dhe me një shkrim prej intelektuali lexojmë: “Lenës, gruas s’ime të paçmueshme me urime të përzemerta dhe premtim për ditë ma të mira. Petriti. Burg, dhetuer, 1946”.
Eugjeni ngre kokën lart drejt qiellit dhe bën kryq dhe diçka foli në heshtje. Në një të imtë m’u duk vetja jashtë realitetit sikur po udhëtoja atje te Gryka e thellë e lumit Bënçës duke vrojtuar gra e burra ngarkuar me dru e gurë si në balladat e Mujit e Halilit dhe lumin e zi të Bënçës, që sa herë rritej nga shirat nxirrte nga toka vetëm eshtra, eshtra fëmijësh më shumë, të cilët vdiqnin gati çdo ditë dhe gra e pleq të mjerë e të pafuqishëm të ndarë nga familjarët tjerë, që vuanin nga uria, kërcnimet e keqtrajtimet. Në këto tregime rrënqethëse bën pjesë edhe mesha e Krishtlindjeve ’47, e udhëhequr nga At Giacomo Gardini, meshë, të cilën prifti italian i arrestuar në Shqipëri e përshkruan me nota të trishta në kujtimet e tij te libri “Dhjetë vjet burg në Shqipëri”.

.

Mustafa Kruja - Merlika: Botim
Mustafa Kruja – Merlika: Botim
“Kampi i Tepelenës – vazhdon Eugjeni – ishte kampi i çfarosjes dhe në vitin 1953, mbyllet për të vazhduar jetën nëpër kampet e punës në Lushnje, që gati nuk kishin asnjë ndryshim me atë të vuajtjes së Tepelenës. Na dhanë një barakë në mes të kënetës e mushkonjave, pa dritë, pa ujë, pa banjo dhe në kushte mizerabël. Pas 15 vjet burg, lirojnë babanë dhe aty në barakën e vogël ishte e vështirë të jetonim tre veta dhe unë shkova te gazerma e beqarëve, ku gjeta miqtë e mi Lek e Valentin Përvizin si dhe Shuaip Kaloshin. Në 1974, u martova me një tjetër bashkvuajtëse të kampeve të përqëndrimit e të punës tashma ime shoqe Teuta. U detyruam të bëjmë një barakë me dërrasa sa një aneks dhe filluam jetën bashkëshortore…” dhe pikërisht në këtë pikë ndalon bisedën dhe përsëri humb në mendime:
-U bëra me dy vajza – thotë pas pak Eugjeni – dhe ku ma gjetën or burrë, më dënuan me burg për agjitacion e propagandë 8 vjet. Nuk ishte kjo e gjitha dhe nuk kishte të bënte as me agjitacion, as me propogandë, por hetuesi më kërkonte çdo ditë të bëhesha spiun, kontigjent i tyre dhe këtë në mënyrë kategorike e refuzova. “Atëhere të pret burgu!” – më tha. Më kërkoi të shkruaja se ç’kisha bërë në jetën time dhe unë i thashë se nuk mbaj mend se kam 20 vjet në internim dhe nuk i kam regjistru, por edhe po t’i kisha, nuk ti jap. Kështu u ndez keq debati dhe ai deklaroi: “Jo vetëm ti, por do ta la testament që edhe fëmijët e tu do të kalben në burg gjithë jetën!” – M’u rrotullua bota – tha pas pak. Kujtova dy vajzat: njëra katër vjeçe e tjetra një vjeçe. Po ka një Zot! – tha pas pak Eugjeni.
Testamenti i tij nuk u realizua pasi si kunat i Kadri Hazbiut që u dënua, i erdhi radha edhe atij. Kishte bërë kërdinë në njerëz duke i arrestuar e rrahur, njeri i pashpirt e pa karakter e sidomos në Durres si kryetar dege. Në burg kishte gjetë të gjithë ato që vetë i kishte futur brenda dhe kuptohet ç’i kanë bërë. Dhe kështu profecia e tij nuk doli për mua, pas dy vjet e gjysëm me doli amnistia dhe më liruan nga burgu, por jo nga internimi, të cilin e përjetova deri në vitin ’90, kur ra sistemi.
Kur u soll biseda te shtëpia në Tiranë, me tregoi një gjë shumë interesante. Kur patën ardhë për ta sekustruar shtëpinë, ishte edhe Hysni Kapo si kandidat për ta marrë këtë shtëpi, por ia kaluan Alfred Mojsiut pastaj. Hysni Kapo i kishte thënë Elenës, nënës time se këtu te biblioteka ka qënë një perde kadife e kuqe. Nëna ishte habitë me këtë thënie se nga e dinte ai dhe pastaj kishte shpjeguar po vetë se kishte ardhë dy herë në këtë shtëpi me Qazim Kaculin kur Mustafai ishte kryeminister dhe na ka strehuar.

.

Kartolinë nga burgjet komuniste
Kartolinë nga burgjet komuniste
Pastaj bën një buzëqeshje si të hidhur duke lënë të kuptojë se si shpërblehet bamirësia.
Megjithatë jeta vazhdon. Tashma i vendosur në dhe të huaj, Eugjen Merlika vazhdon të punojë në mbledhjen e dokumentacionit të gjyshit tij Mustafa Merlika -Kruja, ku ka botuar deri tani tre volume plot dokumenta, letra, telegrame, aktivitet si “Mustafa Kruja në historinë e Shqipërisë”, “Gjysëm shekulli me penë në dorë” si dhe shumë artikuj e kumtesa kushtuar kësaj figure të madhe si kryeministri i fundit para luftës në Shqipëri. Në besim, më thotë se tani lus Zotin të me lënë edhe pak sa të përfundoj këtë detyrë që i kam vënë vetes për të nxjerrë në dritë të diellit gjithë historinë e gjyshit tim që krejt pa të drejtë është hedhur baltë mbi figurën e tij tash 70 vjet. Edhe unë e përshëndeta këtë njeri shumë të mirë, këtë intelektual të mirëfilltë së bashku me Teutën, dy vajzat dhe djalin, si dhe kunatën Klorën, mbesën e Kol Bibë Mirakës, e cila jeton me familjen Merlika.

nëntor 2017.

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.