back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Jeta… sa hap e mbyll sytë tregim nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi
Jozef Radi

Jeta… sa hap e mbyll sytë

tregim nga Jozef Radi

Bep Kanina e shtyu ngadalë karrigen dhe u ngrit sëbashku me pjatat e boshatisme t’asaj darke dhe eci drejt lavamanit. Mblodhi me kujdes në pecetë dromcat e bukës, dhe largoi paksa qirinin e vetëm të Jubileut të vet dhe vetëm kur gjithçka iu duk në rregull dhe e paqme i dha at të frymën e fundit si shenjë se diçka ma së fundi qe krye në jetën e tij, dhe ashtu në terr të plotë u përpoq me i hjedhë nji sy teposhtës së jetës së vet. Mandej ndrroi mendje dhe e gjykoi se mos me mendua asgja ishte ma e mira e punë e asaj nate dimni të thellë që i përsëritesh për të gjashtëdhjetën herë të jetës. Përmes grilave ndjeu t’i futesh nji fishek drite që i binte diku midis buzëve, hundës dhe syve gja që fillimisht i shkaktoi bezdi dhe veç duke i mbyllë sytë, ju duk sikur shpëtoi prej së keqes së njasaj drite që i futesh përdhunshëm aty në terrin e tij, si duket veç me luejtë me të dhe për asgja tjetër.
Njashtu në terr zgjati dorën dhe ju duk sikur preku diçka të butë si pjeshkë a si dorë gruaje, dhe me droje e tërhoqi lehtë nga vetja, po edhe ajo iu afrue ambël thuej si ai terr ishte nji ndihmë dhe ai dalloi veç dy sy që ndrisnin me dritë. Nëpër terr iu ba sikur ai e tërhoqi fort dhe ata katër sy që ndrisnin dolën e vrapuen nëpër nji tjetër stinë, diçka si stinë fiqsh a kumbullash dhe pa u ndalë kërkund tretën nëpër at natë duke e braktisë at botë që bashkë me andrrat e tyne i kishte ndrydhë edhe ata dy njerëz andrrash.
Bep Kanina me pizhama të holla mëndafshi ndjeu nji të drithme të lehtë nëpër trup… por gjithsesi s’guxoi me i hapë sytë, bile i shtrëngoi edhe ma fort veç mos me e e lejue t’i shkëputej ajo dorë që përdore me të tijën fluturonte nëpër natë. Gjithnji nëpër terr, njashtu dorë përdorë… ma shumë të frikun se të dashuruem ata mbërritën në nji qytet që s’kishin qenë kurrë ma pare, njashtu bashkë dhe ai shtrëngim duersh nëpër natë kishte qenë ma i bukur se krejt puthjet dhe ma premtues se krejt ledhet e asaj nate që në terr kishin pasë nji tjetër kuptim prej atyne që ndodhnin në dritë të diellit.
Krijesa me sy të ndritshëm e kishte nji emën, po ai kurrë s’i thirri me at emën, sepse simbas tij ç’kuptim kishte me pasë me e thirrë në emën si ndodhte me tanë të tjerat… ndoshta nji emën luleje…o ma shumë nji lule nate që çilte bashkë me terrin dhe vdiste me të, kishte me qenë gjaja ma e veçantë e atij shtrëngimi duersh që fluturonte prej territ deri në mugun e atij mëngjesi që vinte me aq pritesë…
Prej krejt atij terri dhe asaj ikje të çmendun atij ju shfaq ai gërsheti i madh që at natë u dergj i premë në sytë e tij si nji trishtim i pakthim, si diçka e nji jete që nuk përsëritet ma. Si duket aty ishin të vdekuna krejt vitet e nji rinie të mbledhuna bashkë ditë mbas dite e që tashma ishin këputë dhe rrëzue në at natë si prej nji spate të përgjakun dhe heshtin njaty midis territ… para atyne katër syve që tashma ndrisnin prej nji lakuriqësie të bukur bishash të etuna me e hangur njena tjetrën deri në grimcën me të skajme të mishit të tyne.
Edhe pse erdhën ditë mbas asaj natë… edhe net mbas atyne ditëve, terri s’u largua kurrë nji çast prej atyne syve që ndrisnin aq bukur e që s’lejuen për shumë kohë me dallue ku mbaronte nata dhe ku dita niste…
Bep Kanina vazhdonte me i mbajtë sytë e shtrënguem fort sikur kërkonte mos me e lejue at fishek drite nga jashtë me ja prishë njat udhtimin e atyne mendimeve të çuditshme në jubilë të vet.
Dikur ju shfaq nji tjetër mbramjem, nën drita të nji feste të frikshme ku ata të kapun njashtu përdore… dy krijesa me katër sy të ndritshëm në terr ndjenë se koha e andrrës së tyne kishte mbarue dhe ata s’kishin tjetër përpos të ktheheshin me dhimbje atje prej kah ishin nisë. Gjithnji nëpër terr, gjithnji me duert të kapuna fort mbas njena tjetras, gjithnji me sytë të ndritshëm bishash të ambla u nisën nëpër natë… Para se me ja mbrritë derës së oborrit të shtëpisë së tyne, ndërsa rrugës me kalldram të shtruem keq, ata panë se e vetmja dritë e katundit të tyne ishte ajo e mekuna e Dan Imzotit, mikut të shtrenjtë të shtëpisë së Bepit, që befas e ndjenë si e vetmja shpresë jete e atij terri pafund. Dan Imzoti ishte nji mrekulli e thinjun fisnikrie e braktisun prej gjithë të vetve, e megjithatë ata që jetonin rreth tij e donin aq fort, sa ajo jeta e tija s’mund të quhej kurrsesi vetmi. Me gishta të butë terri dhe duer të lidhuna fort, ata i gërsitën ambël derës së Imzotit. Ai veç u kollit nga mbrenda, si shenjë që ata mund të hynin lirshëm… dhe kur ai i pa dorë përdore dy të njoftun të panjoftun, ashtu të ardhun nëpër at terr nate të spërkatun me pak dritë… ai e bekoi mirseardhjen e tyne… e lëshoj shumë fjolla tymi që u banë mjegull, po ama nuk mundën me i mshehë ata gjashtë sy që tashma ndrisnin së bashku. Buzëqeshja Dan Imzotit shfaqi at çast krejt mirsinë e botës, po edhe nji fill të lehtë ndërdyshje që dukej si nji herioglife disi e papërcaktueme o si enigmë e mbetun pezull. Përgëzimi i tij qe solemn si nji patriarku të matun, të qeshun dhe vërtet hyjnor. Ishin bashkë gjashtë sy që ndrisnin njiherit dhe gjashtë duer të lidhuna ku binin në kërcinjtë e tij të rreshkun moshe dhe ajo fytyrë mirsie e brazdueme dhimbjesh që tashma qenë shëndrrue në diçka të vetme. Mbas do kohe katër sytë që ndrisnin edhe ma fort dolën në terrin e rrugës… po shpejt u ndje nga pas nji e thirrun paksa urdhnuese dhe e preme.

Duar te lidhura ne terr....
Duar te lidhura ne terr….

“Beep!” – ai lëshoi dorën prej dorës që shtrëngonte dhe me tri hapa të fuqishëm u ndodh përpara Dan Imzotit, fytyra e tij edhe ma e zgavërt ju shfaq në mjegullën e tymit të duhanit e mbështetun mbi jastëk të shumtë… Pamja e tij qe po aq serioze sa ai kurrë s’e kishte njoftë ma pare… – Bep, vazhdoi ai tash me nji za ma të butë, – Janë do bukuri që ta mbushin jetën me shumë dritë, veç mos harro se ato e kane krejt afër edhe terrin ma të thellë! Bepi shtangu pa dijtë çka me thanë, veç i buzëqeshi ashtu pak idiotsisht dhe e falenderoi duke ja shtrëngue fort dorën e rreshkun dhe vrapue drejt asaj dore që kish mbetë e shtrime në terr.
-Cfarë ndodhi?! – ishte habia që doli prej atyne syve të ndezun të mbetun në terr. -Asgja – murmëriti si nëpër dhambë Bepi, – duhet mos me e harrue neës me ia sjellë gazetën Danit! – rrejti ai…
Terri i mbas atyne fjalëve u ba edhe ma i thellë se terri i maparshëm, po katër sytë që ndrisnin si xhixha, nxituen me u gjetë ngutshem te ajo lakuriqsia e bukur e trupave në terr që e shterr krejt mendjen e botës…
Bep Kanina u mbështet edhe ma fort në jastekët e atij terri të fortë dhe me kujdes i hapi sytë si t’i frikesh diçkaje të largët por pa se ai fishek drite që e kish bezdis aq fort në fillim sa e kish detyrue me mbyllë sytë tash s’ishte ma.
Sa hap e mbyll sytë… Bep Kanina u kujtue se kishin shkue tridhjetë vjet.
Korrik 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.