back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Jeta e mundimshme e një antikomunisti – Veledin Bilbili dhe “Grupi Armiqësor” i Dukatit – nga Enver Lepenica

Gazeta

Veledin Bilbil Capaj
Veledin Bilbil Capaj (majtas)

Jeta e mundimshme e një antikomunisti

nga Enver Lepenica

Veledin Bilbili dhe “Grupi Armiqësor” i Dukatit

Veledin Bilbili e la me gisht në gojë Sigurimin e Shtetit në vitin 1948,
ndërsa kishte vajtur ta arrestonte në shtëpinë e tij në Dukat.
Ai doli nga një derë e fshehtë e shtëpisë dhe u arratis.
Në prill të vitit 1949, zbarkoi nga një nëndetëse në Karaburun dhe mori 9 shokë ideali antikomunist,
ndërmjet tyre edhe babanë e gjeneralit famëkeq Halim Xhelo,
që kishte vajtur në Dukat të arrestonte të atin. Kjo ikje e tërboi Sigurimin e Shtetit
dhe ushtroi raprezalje çnjerëzore mbi familjet dhe bazat e të arratisurve…
.

1.Organizat Antikomuniste “Rilindja Kombëtare”

Kur Shqipëria ra nën robërinë komuniste, asnjëherë nuk u shuan shpresat e Shqiptarëve për të këputur këta zinxhirë. Edhe në Vlorë ka pasur disa lëvizje e më e rëndësishmja është Organizata “Rilindja Kombëtare”. Nëse iu referohemi akteve, shkresave dhe historisë së Sigurimit të Shtetit në Vlorë nuk jepet një datë e saktë e formimit të kësaj organizate antikomuniste. Edhe në procesin gjyqësor nuk fiksohet një datë e tillë. Nga materiali që disponojmë del e qartë se lëvizja antikomuniste e përfaqësuar në Vlorë prej organizatës “Balli Kombëtar” nuk u shua edhe pasi erdhën në fuqi komunistët edhe pse krerët kryesorë të kësaj organizate u vranë, u burgosën ose u arratisën jashtë shtetit. Nacionalistët largpamës si Bego Gjonzeneli, Tahir Hoxha, Maliq Koshena e parashihnin një fund tragjik të diktaturës komuniste. Ata nuk e ndalën asnjëherë luftën dhe punën e tyre kundër diktaturës komuniste, prandaj lëvizja nacionaliste “Rilindja Kombëtare” mund të quhet e filluar që më 1945, megjithëse ajo mori formë organizative në fund të vitit 1947.
Ajo u formua në burgun e Vlorës nga Bego Gjonzeneli, Maliq Koshena, Hamdi Gjoni, Meçan Hoxha, Telha Shehu, Murat Demiri, Dilaver Rrapo, Riza Çize, Dushan Koçiu etj. Qëllimi kësaj organizate ishte lidhja me anglo-amerikanët dhe rrëzimi i sistemit diktatorial komunist. Kryetar i organizatës u zgjodh Bego Gjonzeneli. Ata rekrutuan edhe tre policë Loro Simonin, Orhan Bogdanin dhe Hajdar Dushkun me anën e të cilëve mbanin lidhje nga jashtë burgut.
Në vitin 1949, u amnistuan dhe u liruan Riza Çize, Telha Shehu, Murat Demiri, etj. Këta dhe të tjerë e shtrinë aktivitetin e organizatës në shumë fshatra të Vlorës, Kurvelesh, Mallakastër dhe në Gjirokastër. Sigurimi Shtetit ra shpejt në gjurmët e organizatës me anë të bashkëpunëtorit “Gishtëza” dhe e dominoi organizatën duke eleminuar pa mëshirë, me zjarr dhe me hekur kundërshtarët e tij politik.
Më 25 nëntor 1949, u arrestuan 81 anëtarë të organizatës. Në grupin e parë u gjykuan me bujë të madhe 25 vetë nga të cilët u dënuan:
11 vetë me vdekje,
4 vetë me 20 vjet,
5 vetë me 15 vjet,
4 vetë më 12 vjet dhe
1 me 7 vjet.
Vazhduan pastaj arrestime dhe dënime të shumta.
(Arkivi MPB D. 2475)
.

Pushkatime...
Pushkatime…

2.Arratisja e grupit dukatas.

Një ndër udhëheqësit më aktivw të kësaj organizate jashtë burgut ishte Veledin Bilbil Çapaj nga Dukati, që mundi t’i shpëtonte mizorisë komuniste, duke u arratisur në Greqi. Petref Agaj që u dënua me vdekje ka deklaruar në gjyq: “Në maj të 1948, jam takuar në Vlorë me Veledin Bilbilin. Ai më tha se kemi formuar një organzatë dhe duhet të punojmë…” dhe më poshtë:
“Kur jeshw në pazar më takoi Baftiar Feriku dhe më tha se të do Rushit Grabova. Bashkë me Baftiarin shkuam në zyrën e Piro Xhezos që e kishte në sheshin e Flamurit. Aty takuam: Rushit Grabovën. Veledin Bilbilin, Fejzo Lulon, Qemal Dalanin nga Trevëllazëri, Dervish Hodon, Piro Xhezon dhe Baftiar Ferikun”. Është fjala për një mbledhje të krerëve të organizatës jashtë burgu ku me propozim të Veledin Bilbilit e Rushit Grabovës u formua një komitet me emrin “Drita” dhe me sekretar Piro Xhezon. Aktiviteti organizatës jashtë burgut ka filluar me lirimin nga burgu të Veledin Bilbilit, Dervish Hodos, Riza Çizës etj. Këta ishin përgatitur në burg dhe jashtw u bënë udhëheqës dhe organizatorë të lëvizjes antikomuniste. Siç pamë më lart, ata formuan një komitet për drejtimin operativ të punës si dhe në disa fshatra formuan këshilla sekrete.
Veledini punoi me përkushtim për të krijuar një degë të fuqishme të organizatës në Dukat. Për këtë ai ka bërë disa mbledhje radhazi në të cilat kanë marrë pjesë: Xhelo Koçiu babai gjeneralit të Sigurimit Shtetit Halim Xhelo (Dukatit), Laze Thanasi, Gani Hamiti, Ahmet Blyshi, Laze Berdua, Cane Dervishi, Haxhi Hasko, Halim Hodo, Dervish Cane, Jazo Ademi etj. Në një nga këto mbledhje në Dukat u vendos:
1.Nga ish ballistët, familjet e të vrarëve dhe të pushkatuarve të formohej fshehtas një çetë e armatosur e cila të ishte e gatshme për veprime luftarake kur t’i kërkohej.
2.Veledin Bilbili të binte në kontakt me diversantët dhe të shkonte në Greqi për të raportuar situatën e dhunës që ishte në Shqipëri. Për këtë mbledhje Gani Hamiti ka deklaruar: “Duhet t’ja bëjmë “bamp” që Europa ta marrë vesh që nuk e durojmë skllavërinë e të na ndihmojë të përmbysim pushtetin e shtrigave”.
Në një mbledhje tjetër ku mori pjesë Veledin Bilbili si drejtues, Dervish Hodua, Piro Xhezua, etj. u ndanë detyra për secilin dhe u kërkua që të raportohej për zbatimin e tyre. Sigurimi Shtetit me anë të komunistëve, njerëzve të dobët dhe frikacakë që ishin bërë spiunë e bashkëpunëtorw të tij e ndiqte organizatën. Ata punonin që sa më shumë “armiq” të binin në rrjetën e tyre dhe shpresonin që t’i kapnin në flagrancë kur ata do të bënin takim me aleatët, siç mendohej. Mirëpo ky moment po vonohej, kështu që Sigurimi vendosi që krahas spiunëve të tjerë të rekrutonte edhe Laze Thanasin, shok besnik i Veledin Bilbilit. Në zyrat e Sigurimit, Laze Thanasi pranoi të bashkëpunojë me Sigurimin e Shtetit dhe e firmosi deklaratën. Porsa u kthye në Dukat Lazia u tregoi shokëve çfarë i kish ngjarë, duke u thënë se ditët i kishin të numëruara dhe se grupi ishte në rrezik, prandaj ai propozoi të arratiseshin, si e vetmja rrugë shpëtimi. Veledini Bilbili u propozoi Cane Dervishit, Shaqir Bejos dhe Ahmet Blyshit, që të bënin një lojë për të shpëtuar: të shkonin nw Vlorë te kryetari Degës Punëve të Brëndshme dhe t’i propozojnë atij bashkëpunim për çfarë ai ka nevojë. Ashtu bënë edhe ata. Por dhelprat e vjetra të trajnuar prej ujqërve serbw e nuhatën lojën dhe e refuzuan bashkëpunimin. Pas dy ditësh Sigurimi dërgoi në Dukat, të birin e Xhelo Koçiut, Halim Xhelon gjeneralin famëkeq të Sigurimit që përfundoi i varur në birucat e Burrelit prej shokëve të tij komunistë. Halim Gjenerali ose Halim Stalini, siç e quante ai veten duke kërkuar nëpër fshat të atin Xhezo Koçiun, anëtar aktiv i grupit, arriti tek shtëpia e Dervish Canes dhe pyeti për babanë. E shoqja e Dervishit i tha se kanë shkuar në fshat të vjetër. Halimi nxitoi për atje, por nuk gjeti gjë, atëherë u kthye përsëri tek shtëpia e Dervishit, por edhe atje e gjeti shtëpinë bosh.
Ç’kishte ngjarë në fakt?
Kur Halim Xhelua kishte trokitur në shtëpi të Dervish Canes atje ndodheshin nëntë burra: Xhelo Koçiu, babai i Halimit, Cane Dervishi djali Dervishit, Gani Hamiti, Laze Berdo, Shaqir Bejo, Halim Hodo, Laze Thanasi, Ahmet Blyshi, por e zonja e shtëpisë e kishte gënjyer duke i thënë se babai tij kishte shkuar në fshat të vjetër. Ndërkohë që gjenerali udhëtonte në drejtim të fshatit të vjetër për të arrestuar babanë e tij, të nëntë burrat trima, dualën fshehtas nga shtëpia dhe udhëtuan në drejtim të kundërt, kështu ata burra fshatarë e lanë gjeneralin, ujkun e vjetër të Sigurimit me gisht në gojë!
Më 27 prill 1949, ky grup ra në kontakt me mikun e besës dhe udhëheqësin e rezistencës antikomuniste të Dukatit Veledin Bilbilin, i cili kishte ardhur nga Greqia në Dukat me nëndetëse me detyrë për të shpëtuar shokët e tij të idealit.
Në historinë e Sigurimit të Shtetit ky akt është fiksuar me këto fjalë: “Grupi Hodo Metos nga Tragjasi, Ilia Konomit nga Palasa, Jorgji Martikos nga Dhërmiu dhe dy oficerw grekmë 27 prill 1949, morën me vete 10 dukatas midis tyre edhe Xhelo Koçiun dhe pesë veta nga Dhërmiu!”.
.
Valideja e shoqja e Veledin Bilbil Capajt
Valideja e shoqja e Veledin Bilbil Capajt

3.Terrori Sigurimit të Shtetit mbi familjet, strehuesit e të arratisurve.

Arratisja e grupit të Dukatit tregoi dëshirën dhe trimërinë e dukatasve për të mos ju nënshtruar mizorisë dhe dhunës të Halim Xhelos e Kadri Hazbiut, të Hysni Kapos e Mehmet Shehut. Kjo arratisje e tronditi armën mizore të Sigurimit të Shtetit dhe e bëri atë më mizore dhe më të pashpirt. Me dhunën, terrorin dhe pabesinë që ushtruan në Dukat ata hodhën vëllanë kundër vëllait, duke shkelur çdo kod zakonor e ligjor të Shqiptarëve. Bashkë me grupin prej 9 vetash ishte nisur edhe Jazo Adem Jazaj në atë kohë 63 vjeç, i cili nuk mundi t’i ndiqte shokët sepse u sëmur. Shokët e porositën të strehohej te fshatari tyre besnik Sinan Ali Hamiti. Pas Sinanit, Jazo Ademi u strehua te Dervish Iliazi dhe në fund te Shyqyri Bodua, ku u kap më 31.8.1949, pas katër muajve në arrati në pyjet e Dukatit. Pas arrestimit të Jazo Ademit u arrestuan edhe 14 burra të tjerë, për të cilët Gjykata e Shkallës së Parë me kryetar Vangjel Kocani dha për ta dënime çnjerzore: Jazo Ademi, Sinan Ali Hamiti, Beqir Qamil Jazo, Haxhi Hasko, Mete Ali Myftari u dënuan me vdekje me pushkatim.
Hysni Aliaj, Sinan Jazo, Dervish Jazo, Haxhi Qepi, dhe Shyqyri Bodo me 20 vjet burgim. Siri Jazaj, me 15 vjet, Zini Hamiti me 8 vjet, Dervish Ahmet Hibraj dhe Alem Blushi me 7 vjet dhe Hasim Hamzo, me 2 vjet punë të detyruar. (Vendimi nr. 116, dt. 23.12.1949)
Por dora e ngrohtë e partisë siç dihet “mendonte” pwr popullin dhe dënimet me pushkatim i ktheu me burgim dhe të zestw dukatas u dergjën burgjeve dhe kampeve të punës së detyruar për 25 vjet. Për të gjithw të dënuarit u vendos sekuestrimi i pasurisë dhe humbja e të drejtave elektorale. Të dhjetë familjet e të arratisurve u internuan.
Çfarë kishin bërë këta burra që u dënuan me vdekje dhe familjet e tyre u internuan?
Të 15 burrat e dënuar ishin fshatarë, bujq e blegtorë, pa arsim ose e shumta me arsimin fillore. E tërë jeta e tyre kishte shkuar pas bagëtive ose në ara, por ata ishin me ndjenja kombëtare dhe nuhatja e mençurisë popullore i kishte shpurë në përfundimin se komunizmi ishte sistem çnjerëzor, prandaj duhet të luftonin dhe të mos nënshtroheshin.
Jazo Ademi ka deklaruar në hetuesi nën tortura çnjerzore: “Jam analfabet, me profesion bari dhe bujk… Pushteti më ka marrë më tepër se njëmijë kokë bagëti: dhën, dhi, lopë e qé. Kam biseduar me Xhelo Koçinë, sot i arratisur, dhe thoshim si do bëjmë se keshëm frikë mos na arrestojnë si kulakë dhe na vrasin se Xhelua më thosh kulakët në Rusi i kanë vrarë… Traktorë për tokën ne nuk na jepnin se ishim kulakë. Kështu ditën vejmw me dhën dhe natën diheshim jashtë… Kështu që unë u nisa për t’u arratisur, por në rrugë u sëmura dhe rashë si i vdekur, Gani Hamiti dhe Xhelo Koçiu më vunë dorën në ballë dhe më thanë kur të ngrihesh shko te Sinan Ali Hamiti, se atje do vimw të të marrim.” (Arkivi MPB, F.1, D. 1474)
Ky ishte i tërë faji i Jazo Ademit, ndërsa faji i Sinan Hamitit, i Shyqyri Bodos që dënoheshin me vdekje ishte se kishin strehuar Adem Jazon që siç thoshin hetuesit komunistë ishte “armik i popullit”!
.
Fshati Dukat (foto e vitit 1900)
Fshati Dukat (foto e vitit 1900)

4.Jeta e mundimshme e Veledin Bilbil Çapaj (1903-1981)

Veledini ruante zakonet, traditat dhe ishte njeri bujar. Ai i urrente komunistwt dhe thosh: “Këta brashnjarë duan të bëjnë popullin të hajë në gavetë si ushtarët. Dinte italisht e nuhaste të keqen dhe e evitonte. Paratë i kthente në kapital. Ai u lidh me Lëvizjen Antifashiste dhe më 5 gusht 1943, ka marrë pjesë në luftën në Llogora. Pas kësaj lufte italianët bënë raprezalje dhe kontrolle në fshat dhe arrestuan: Veledin Bilbilin, Xhafer Asllan Çapaj, Sadudin Ahmet Alushi dhe Musa Goxhon. Musa Goxhua iu dha italianëve 3-4 qypa me mjaltë dhe shpëtoi. Tre të tjerët i çuan për t’i pushkatuar. Veledini e dinte italisht dhe e kuptoi që do i pushkatonin, prandaj u thotë shokëve të iknin me vrap. Ndërsa Veledini u nis me vrap, shokët hezituan për momentin dhe pastaj u nisën dhe ata. Xhafer Çapaj dhe Sadudin Alushi u vranë nga plumbat e fashistëve dhe u shpallën dëshmorw, Veledini shpëtoi.
Në pranverën e vitit 1943, zbarkoi në gadishullin e Karaburunit misioni Anglo-amerikan i cili u prit nga Skënder Muço, Hodo Meto, Veledin Bilbili, Sulejmën Meço, Maliq Koshena, Gani Hamiti, Halim Hodo, Çane Dervishi, Axhem Imeri, Xhelil Imeri, etj.
Veledini zotëronte një pasuri të madhe tokë arë, kullota e pyje si dhe 4 shtëpi, 2 në Dukat dhe 2 në Kepin e Gjuhëzës, nw Karaburun, 750 dynym tokë etj. Ndërmjet burrave të shquar të Dukatit si Shaqir Bejua, Xhelo Koçiu, Cane Dervishi, Azem Shehu, Jazo Ademi, Ahmet Blyshi, Shyqyri Mislliu, Xhezo Mislliu, Axhem Imeri, Maliq Koshena, Xhelil Imeri, Çelo Imeri, Ahmet Mëhilli, Selman Hamiti, Hamdi Gjoni etj., përmëndej edhe emri Veledin Bilbil Çapaj.
Më 1943, komunisti Salo Petoshati po u fliste fshatarëve të tij Dukatas dhe u thosh: “Partia jonë i ka rrënjët në shkëmb…” Aty kaloi edhe Veledin Bilbili shoqëruar me Shaqir Bejua e Cane Dervishi. Kur e dëgjoi Veledini i tha Salo komunistit: “Partia juaj i ka rrënjët tek gënjeshtra dhe pabesia vrasëse, e në i pastë në shkëmb, një ditë ai shkëmb do të bëhet pluhur dhe do ta marrë era, të m’i mbash mënt këto fjalë o Salo komunisti.”
Nën shtypjen e komunistëve, tre herë i arrestuar, dy herë i shpëton arrestimit.
Oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit Mustafa Hoxha, ka lënë kujtimet e tij në shërbim të diktaturës komuniste, ku shkruan ndërmjet të tjerave edhe për Veledin Bilbilin:
“Veledini, pas çlirimit, nisi një fushatë të hapur anti-qeveritare. Ai propagandonte parrulla për të përmbysur rendin socialist. Në Dukat njihet historia e Murat Goxhos, i cili kish qenë ushtar në Turqi, erdhi lajmi se qe vrarë dhe njerëzit e qanë. Më pas Murati erdhi i gjallë në fshat dhe dukatasit thoshin: “U ngjall Murati”. Veledini e përdorte këtë shprehje “U ngjall Murati” që kishte kuptimin që u ngjallën Anglo-amerikanët dhe po vijnë!”
Në vitin 1947, i sigurt se do t’ia merrnin mallin e gjënë një pjesë të plaçkave i transportoi dhe i fshehu tek miku i tij besnik Musa Gaxho. Ai ishte i lidhur edhe me desantët ose emisarët e lirisë që vinin nga bota e lirë për të luftuar këtu në atdheun e tyre me kuçedrën e kuqe. Kështu ndërmjet të tjerëve ai ka strehuar në Zabrek të Dukatit në një kasolle për 15 ditë rresht Izet Vrazhdon, Lahe Nuron dhe Ahmet Kukën. Këto lëvizje të tij kishin rënë në sy të Sigurimit dhe spiunëve dukatas që përgjonin natë e ditë, prandaj ai ishte në shënjestër. Për këtë veprimtari antikomuniste Veledini u arrestua tre herë, por falë inteligjencës tij natyrore, shkathtësisë, miqësisë dhe qëndresës, komunistët nuk mundën në asnjë rast të provonin fajësinë e tij. Dy herë të tjera ai me guxim dhe shkathtësi i shpëtoi arrestimit, kur bandat e ndjekjes i trokitën në derë të shtëpisë.
Herën e parë e arrestuan më 1945, për vrasjen e një partizani dhe për arrestimin e Ramadan Alushit. Për 45 ditë rresht u torturua në hetuesi, por u lirua për mungesë provash.
Herën e dytë, e arrestuan në shtator 1948, në Himarë, ku Veledini kish vajtur për të biseduar me miqtë e tij për t’u arratisur në Greqi. Këtë herë ai u ndihmua nga Izeir Nuhu, çam, oficer Sigurimi, por që kish ndenjur në Dukat e qe ndihmuar prej familjes së Veledinit.
Kështu vazhduan ta arrestonin Veledin Bilbilin. Herën e katërt që vanë për ta arrestuar, Sigurimi e gjeti Veledinin maje çatisë duke rregulluar tjegullat.
-Hyni brenda, – u tha Veledini – se po zbres!
Në fakt Veledini zbriti dhe kaloi nga dera e pasme e shtëpisë dhe nga ai moment u hodh në arrati, i ndjekur kudo këmba këmbës prej bandave të Sigurimit të Shtetit dhe spiunëve të tyre.
Në vitin 1949, ai u dënua me vdekje në mungesë dhe në vitin 1959, ai nuk u fal prej qeverisë shqiptare.
Në arrati në tokën mëmë.
Ai flinte me net të tëra jashtë. Në netët e ftohta gdhihej në kasollet e bagëtive në mal, që ishin bosh. Kur vinte darka bashkë me errësirën e shoqja Velideja bashkë me të birin Idainw vinin përpara një ka, të cilit i kishin lidhur poshtë barkut një trastë me ushqime dhe ia shpinin Veledinit. Po të takonin njeri do të thoshin se po ja çojnë të zotit Musa Goxhos. Dhe nëse do ta takonin kur të ktheheshin do të thoshin se na pati ikur kau dhe e gjetëm këtej nga Goxhajt! Kështu ngryseshin dhe gdhiheshin net të tëra. Veledini sipas sinjalit që merrte nga e shoqja dhe i biri vente edhe në shtëpi për t’u ndërruar. Ata ishin marrë vesh për këtë sinjal: E shoqja dhe i biri kontrollonin territorin dhe nëse nuk do të shihnin ndonjë gjë të dyshimtë të hidhnin në mur një qylym të kuq. Një ditë në të errur Veledini pa qilimin e kuq dhe mbërriti në shtëpi me shpejtësi të madhe. Nuk kaluan as pesë minuta dhe trokiti porta. Ishte hera e parë që Veledini nuk e mendoi të keqen dhe doli vetë e hapi derën. Kur ç’të shoh forcat e ndjekjes të armatosur.
-Erdha, u tha Veledini, sa të marr kapelen! Ai u fut brenda dhe me shkathtësinë që e karakterizonte iku nga dera e pasme e shtëpisë duke kaluar mure e gjerdhe.
Kjo ishte hera e pestë që ai u shpëtonte bandave komuniste dhe dita e fundit në shtëpinë e tij, prej asaj dite ai nuk u kthye më kurrë në shtëpi dhe nuk i pa as gruan, as të dashurit e tij dhe as shtëpitë dhe pronat e tij të shumta që i kish ngritur me aq punë e djersë.
Sigurimi i Shtetit e ndiqte tashmë këmba-këmbës. Ai ku gdhihej një natë nuk gdhihej një natë tjetër. Sa merrte vesh Sigurimi se ku gjendej, ai kishte ikur që andej. Nder dhe respekt gjithë familjeve dukatase që e mbajtën e fshehën dhe e strehuan birin e tyre, ashtu si shumë bij të tjerë të tyre.
Pas vitit 1990, në liri këto familje trime e fisnike tregojnë për Veledinin se ai e kalonte natën më shumë në këmbë se sa shtrirë në ato krevate dërrase që i ofronte fshatari i varfër por i ndershëm dhe që priste orën katër të mëngjesit që të mund të largohej e të mos e gjenin aty hijet e zeza të Sigurimit.
Fadili, djali i Veledinit shkruan në kujtimet e tij: “Babai iku, por si iku shpirti i tij e di. Si u shkëput nga ajo shtëpi me dhimbje e mall, për gruan që e la vetëm në moshë të re, me dhimbje për 6 fëmijët e tij të dashur, që po i linte prapa. Po linte prapa gjithë djersën e tij, gjakun e tij. Punën që e kish kthyer në kapital, por koka vlente më shumë se gjithë kapitali, etj. Gruaja nuk do të shihte më burrin, strehën e shtëpisë që për pak vite që jetuan bashkë, kaluan një jetë të mire. Fëmijët do qajnë dhe s’do u thotë më goja baba. Nuk do të bëjë më hije në atë vend ku kish jetuar, punuar e luftuar për 45 vjet me radhë. Fëmijëve ju mbetej vetëm çiftja e varur në mur. Këtë armë nuk do ta prekë më dora e atij burri trim, hije rëndë dhe mëndjemprehtë”.
Fadili vazhdon më poshtë: “Por që tragjedia familjare të quhej e plotë dhe që të kënaqte bishat komuniste duhej që bashkë me arratisjen e babait të internohej edhe nëna. Një nënë shqiptare e re në moshë duhej të largohej me dhunë nga çerdhja e saj familjare edhe pse ishte e pastër e ndershme dhe pa asnjë faj. Ajo çerdhe e porsa krijuar me dallëndyshe të vogla duhej të prishej. Edhe pse dallëndyshet e vogla sapo kishin filluar të cicëronin. Ende nuk kishin lëshuar krahë për të fluturuar. Edhe më të mëdhenjtë që mendonin se kishin krahë, ua preu komunizmi dhe i la cung”.
Kuçedra e kuqe qe vërsulur me egërsi, si e tërbuar mbi një grua me një foshnjë dy muaj në gji dhe 5 fëmijë të mitur, njerëz të pafajshëm, por Sigurimi duhej të realizonte qëllimet e tij makabre. Kështu gruaja e Veledin Bilbilit, me një foshnjë në gji dhe me dy djemtë e mëdhenj u internuan në disa kampe. Tre fëmijët e tjerë të mitur mbetën vetëm në mes të katër rrugëve.
Siç ka treguar në emigracion, Veledini diku i fshehur e kishte parë nga larg me hidhërim këtë skenë tragjike të internimit të gruas dhe fëmijëve të tij të mitur. Para kësaj skene Veledini mendoi se s’kishte ç’të bënte më në Dukat. Iku në Dhërmi tek miqtë e tij Thanas Dallfa për ta ndihmuar që të arratisej në Greqi. Miku i besës shpejt i gjeti një anije greke dhe nga Spileja e Himarës Veledini u gdhi të nesërmen në Greqi.
Ishte 15 nëntor 1948.
Në emigracion dhe desant i lirisë.
Jetën e vështirë të emigracionit Veledini e nisi në një kamp refugjatësh në Greqi e Itali. Por ai nuk hoqi dorë asnjëherë dhe deri në fund të jetës nga lufta kundër komunizmit. Janë këto arsyet që ai tre-katër herë ka ardhur si desant në Shqipëri. Në Greqi, ai bje në kontradiktë me disa shqiptarë për bindje politike dhe jep dorëheqje përfundimisht prej Ballit Kombëtar dhe kalon në Partinë e Legalitetit. Në dasmën e Leka Zogut ai ka shpurë si dhuratë njëmijë dollarë, shumë e cila tërhoqi vëmendjen e trashëgimtarit të fronit dhe prej atij momenti ata mbeten miq deri në fund të jetës.
Më vonë, kushëriri i tij i parë Shaqir Bejo e tërhoqi atë në Kanada së bashku me Cane Dervishin dhe djalin e tij, pas ca kohe shkoi në Çikago dhe së fundi jetoi në Detroit së bashku me kunatin e tij Jaup Xhezo nga Tragjasi.
Veledin Bilbili, e mbylli jetën në korrik të vitit 1981, nga një aksident automobilistik në Detroit të ShBA, zemërdjegur që nuk i pa asnjëherë as fëmijët dhe as Shqipërinë për të cilën luftoi tërë jetën. Dy vjet pas tij ndërroi jetë edhe Velideja, bashkëshortja e tij besnike...
.
Familja Capaj ne kampet e interrnimit
Familja Capaj ne kampet e interrnimit

5.Takimi i Fadilit me nënën pas 12 vjet ndarje, që nuk e njohu.

Mbasi u arratis Veledini, komunistët internuan gruan e tij. Këtë grua fisnike dhe besnike ndaj të shoqit dhe Shqipërisë fillimisht e çuan në Tepelenë, pastaj në Lozhan të Korçës, Valias të Tiranës, Cërrik të Elbasanit dhe së fundi në Plug dhe Savër të Lushnjës. Po vazhdojmë tregimin, tashmë sipas kujtimeve të djalit të Veledinit, Fadilit:
“Nënën na e rrëmbyen në vjeshtë të vitit 1948, me një vajzë 2 muajshe në gji dhe dy djem mbi 14 vjeç. Tre fëmijë të tjerë të Veledinit më i madhi 7 vjeç, mbeten në fshat, në mes të katër rrugëve. Zoti vetë ndërhyri dhe i tha një njeriu të mirë të merrte tre fëmijët e Veledinit e t’i mbante në prehrin e tij së bashku me fëmijët e tij. Zoti i dha atij njeriu të mirë forcën e mendjes për të ndriçuar udhën e mirësisë. Ashtu bëri një njeri i mirë, Gani Çapaj. Në atë kohë të trazuar ku njeriu vuante nga uria po më shumë nga dhuna e Sigurimit të Shtetit një veprim i tillë është më shumë se heroizëm. Gani Çapaj kish kurajon, trimërinë, zgjuarsinë, shpirtin e bukur dhe zemrën e madhe. E kjo barrë e rëndë që mori përsipër nuk ishte kohë e shkurtër por plot 12 vjet që nga 1948 deri më 1960-tën. Kështu tre fëmijët e Veledinit u rritën së bashku me pesë fëmijët e Ganiut.
Ja çfarë bëri një njeri i ushqyer me ndjenjat e larta të dashurisë ndaj atdheut, me besimin tek Zoti, me mirësinë e shpirtit, ai u dha jetë krahas pesë fëmijëve të tij edhe tre fëmijëve të vegjël të Veledin Bilbilit të mbetur në rrugë.
Na e morën nënën. Kurrë nuk mund ta harroj atë skenë të dhimbshme edhe vdekja do të ishte më e lehtë. Na e morën nënën bashkë me dy vëllezër dhe një foshnjë. Përse na e morën nënën, çfarë kish bërë? Çfarë mund të bëjë një foshnjë e porsa lindur, që ia prishën çerdhen ku po flinte! Motra dy muajshe kish si burim ushqimi gjirin e nënës. Po nëna e shkretë ku do të gjente pak bukë që të mbante gjallë veten dhe foshnjën e sajë? Ne të tre e kishim një çerdhe ku mblidheshim, shtëpinë e xha Ganiut. Nga ne më e madhja ishte motra 7 vjeçe. Ajo zëvendësoi nënën që na e morën bishat. Motra e mjerë ngrihej natën na mbulonte. Na pyeste shpesh a kishim uri, sa për ta ditur se dhe ajo s’kish ku të gjente asnjë kafshatë bukë. Xha Ganiu na dërgoi dhe në shkollë. Unë mësoja shumë. Kur vija nga shkolla veja më dhën. Por ngado që veja mendjen nuk e hiqja nga nëna. Ah! Mendoja të kisha nënën do më thoshte ndonjë fjalë të ngrohtë e cila do ma ngrohte trupin e sfilitur, dhe fjala e ngrohtë është e ngrohtë!…
Kisha 12 vjet që isha ndarë me nënën dhe nuk e kisha parë asnjëherë. Më kishte lënë 8 vjeç më 1948-tën kur u ndamë dhe tani më 1960, unë isha 20 vjeç. Edhe nëna kishte 12 vjet të kaluar në vuajte e mjerim, pa bukë e pa ujë, pa dashuri, pa familje e ndarë për së gjalli me njerëzit dhe me fëmijët e saj. E kishin plakur shumë, por nuk ja kishin prishur shpirtin e saj të bukur…
Kështu pas 12 vjetësh, xha Ganiut në Dukat i erdhi një letër nga nëna, e që morëm vesh se ajo ishte internuar në Savër të Lushnjës. Ajo shkruante: “I dashur vëlla Gani! Të lutem me përgjërim m’i sill një herë të tre fëmijët t’i shoh dhe le të vdes”. Burri fisnik na veshi e na ngjeshi me ato që kish dhe me të u nisëm për të takuar nënën pas 12 vjetëve pa e parë. Në Plug të Lushnjës mbërritëm pas mesdite. Në arat e pafundme të Lushnjës shumë gra ishin duke prashitur. Mua më dërgoi xha Ganiu të pyesja për nënën:
-Ku është Velide Çapaj? – pyeta gratë e para që takova.
-Çfarë e ke? – më pyetën ato.
-Nënë! – u thash unë.
-Është në fund të arës, më thanë ato gra të lodhura dhe të drobitura, ajo me atë fëmijën pranë. Pasi mbërrita në fund të arës, iu drejtova gruas që prashiste dhe që kish pranë një vajzë rreth 10-12 vjeçe.
-O shoqe, i thashë asaj gruaje, a e njihni Valide Çapajn?
-E ç’e do, a të keqen nëna? – më tha ajo.
-E kërkojnë në xhade, – i thashë unë.
Gruaja e vuajtur m’i nguli sytë mirë, filloi të marrë frymë si me zor dhe më pyeti:
-Po ti i kujt je dhe nga je mor bir?
-Jam nga Dukati, i biri i Gani Çapaj, e gënjeva unë.
Gruaja m’u qas pranë dhe po më vështronte nga lart poshtë, po ashtu bëri dhe vajza e saj, të dyja më vunë në mes dhe po më shikonin si të shastisura. Mua filloi të më rrihte zemra fort.
-Mos më gënje, të keqen nëna, më tha ajo. Gani Çapaj nuk ka djalë të madh, mos je ti Fadil? – më pyeti me zë të dridhur.
-Po, i thashë unë.
Nëna e mjera ra përdhe, ndërsa vajza e saj m’u hodh në qafë duke më puthur.
-Të keqen motra, të keqen motra!
Ajo plakë që nuk e njoha ishte nëna ime, ajo vajzë që nuk e njoha ishte motra ime. Ishim ndarë me të kur ishte 2 muajsh dhe tani po e shihja 12 vjeçe.
Kjo është drama ime, po sa drama të tilla ka në Shqipëri shkaktuar prej komunistëve barbarë. Hodha sytë nga fusha dhe pyeta veten mos vallë edhe fëmijët e këtyre grave të mjera, nuk i njohin nënat e tyre kështu si dhe unë? Prej atij momenti edhe ne të tre fëmijët e mbetur jetim me nënë dhe babë gjallë u bashkuam me nënën pas 12 vjetësh dhe jetuam në Savër të Lushnjës…
“Gazeta 55”, e enjte, 14 shtator 2017
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.