“Jeta dhe vuajtjet e mia në hetuesi dhe burgjet komuniste…” nga Greta Dilo

Telemak Dilo
Telemak Dilo

“Jeta dhe vuajtjet e mia në hetuesi dhe burgjet komuniste…”

Duke shfletuar ditarin e babait Telemak Dilo

nga Greta Dilo

Unë, Greta Dilo, e bija e Telemak Dilos, e lindur në Tiranë dhe banuese në Philadelphia dua të rrëfej historinë e tim eti.
Babai im, Telemaku, përpara se të sëmurej nisi të shkruajë jetën e tij si gjatë luftës edhe në kohën e komunizmit. Ndoshta mendonte që ta botonte një ditë. Dhe po kështu e ka titulluar vetë: “Jeta dhe vuajtjet e mia nëpër hetuesi e burgje”. Babai im nuk na e ka treguar asnjëherë jetën e tij në kohën e komunizmit, por duhet të vinte demokracia, që ai jo vetëm të na e tregonte, por edhe ta shkruante atë. Ndoshta qe sëmundja e keqe, ajo që nuk e la atë që ta botonte ditarin e vet në gazetat e Shqipërisë. Dhe unë dua që ta botoj, që ta plotësoj dëshirën e tij…
Babai im ka lindur më 12.10.1922 në qytetin e Gjirokastrës dhe ka qenë i diplomuar për Histori e Gjeografi. Ishte i biri i avokatit të njohur Dr. Av. Vasil Dilo, i cili i kishte mbaruar studimet e larta për Jurisprudencë në Athinë.
Aty nga vitet 1910-1920, Vasili u bë tepër i njohur jo vetëm në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, por edhe në të gjithë vendin, pasi përveç zanatit të avokatisë, ku ai kishte famë të madhe, ai shkruante artikuj të ndryshëm në shtypin e kohës duke u konsideruar si një nga publicistët më patriotë, dhe pas shumë përpjekjesh arriti të hapë në qytetin e Gjirokastrës gazetën “Omonia”
Në krye të asaj gazete ai shkruante: “Allahu na bëri të lirë dhe ne duhet të jetojmë të lirë”.
Më 1923, Vasili me gjithë familjen e tij u vendos në Tiranë, ku nuk e ndërpreu aktivitetin e tij, ai hapi gazetën tjetër “Tirana” e cila u bë strehë e patriotëve shqiptarë të asaj kohe… Që të flasësh për gjyshin tim, duhet një shkrim i veçantë ose një emision i tërë dedikuar jetës së tij.
Kur babai u dënua me vdekje
Familja Dilo u lidh e gjitha me lëvizjen antifashiste dhe shtëpia e tyre në Rrugën e Dibrës” u bë një nga bazat më të forta ku strehoheshin Qemal Stafa, Vasil Shanto etj.
.
Familja Dilo - Melpomeni

Familja Dilo – Melpomeni

Më 7 Prill 1939, e para dhe e vetmja vajzë që mori pjesë kundra okupatorit dhe që kishte vajtur në front në Durrës si infermiere, ishte halla ime, Melpomeni Dilo. Dhe më pas ajo hapi maternitetin e parë në Shqipëri, ndërsa regjimi komunist si shpërblim e persekutoi atë deri në vdekje. Që të nëntë fëmijët e Vasil Dilos u lidhën me lëvizjen antifashiste. Ja çfarë ka shkruar babai në ditar: Në vitin 1939, duke qenë student në gjimnazin e Tiranës. Kam marrë pjesë në demonstratat e 7 Prillit kundra ardhjes së okupatorit italian në Shqipëri. Gjatë okupacionit italian në vitin 1941, duke qenë student në gjimnaz kam grisur fotografitë e Duçes nëpër klasat e shkollës dhe për aktivitetin tim patriotik përjashtohem nga shkolla. Dhe më 8 Maj 1942, arrestohem nga fashistët italianë, burgosem në burgun e vjetër. Gjatë okupacionit gjerman arrestohem vetë i gjashtë, dënohem me vdekje. Katër nga arrestuarit u ekzekutuan po atë natë: Skënder Kosturi, Gjergj Frashëri, Viktor Ligoreci dhe Trojan Pekmezi, ndërsa për mua dhe Ibrahim Anadollin vendimi nuk u ekzekutua. Lirohem nga burgu me interesimin e familjes në Shkurt të vitit 1944. Dhe pas mbarimit të luftës, që në 1945, familja e babait u godit dhe e quajtën familje reaksionare. Kjo gjë ndodhi pas burgosjes së babait tim dhe të xhaxhait tim, avokati i shquar Koço Dilo, i cili vuri kandidaturën si deputet i pavarur në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945. Pas kësaj, babai im Telemaku u arrestua dhe u dënua me dhjetë vjet burg, i akuzuar si agjent i anglo-amerikanëve e ndërlidhës i tyre me misionin e UNRA. Pas kësaj, familja Dilo iu nënshtrua persekutimit të vazhdueshëm dhe pushteti komunist na kishte halë në sy.

.
Kanalet e Kenetave te thara

Kanalet e Kenetave te thara

Fletë nga ditari: Telemak Dilo

“Jeta dhe vuajtjet e mia në hetuesi e burgje

prej vitit ’46 deri më ’49

E kurorëzuar me kampin-burg famëkeq të Vloçishtit.

Jemi në vitin 1946, natën vonë arrestohem nga Sigurimi i Shtetit, për veprimtari të ashtuquajtura armiqësore kundra shtetit. Ndodhem në hetuesi, në një birucë të vogël, një metër gjerësi dhe një metër e gjysmë gjatësi. Jam vetëm. Hetuesi, natën filloi të më marrë në pyetje, për çudi kërkonte nga unë të tregoja aktivitetin tim armiqësor kundra shtetit. Pasi nuk kisha se ç’të thoja, më kërcënoi. Të bëjmë ne të flasësh. Shko mendohu. Të nesërmen vonë në darkë më thërrasin në pyetje: Fjala e parë:
U mendove? Ç’ke për të thënë? Përgjigja, asgjë.
Pyetjet: Çfarë bisedon me shokët?
Kërkonte me çdo kusht të akuzoja shokët. Filluan torturat. Shputat pa numërim në fytyrë, grushte dhe shqelma këmbëve. Pasi më bënë fërtele, më thanë në fund: Shko mendohu, nesër në darkë do të shihemi prapë. Roja më dërgoi në birucë me urdhër të hetuesit, më lidhën duart me hekura, më hoqën rrobat e fjetjes, pa bukë e pa ujë. Të nesërmen në darkë vjen hetuesi dhe vazhdon pyetjet e zakonshme, shoqëruar me torturat çnjerëzore, duke më shkelur duart e lidhura me hekura, shputa, grushta fytyrës duke më thyer edhe dhëmbët, goditje me takën e këpucës, dërrmim i gishtave të këmbëve. Kur më kthenin në birucë pas atyre torturave çfarë të qahesha më parë; dhimbjet e trupit nga torturat, të ftohtit, uria, etja apo pagjumësia? Kjo lloj torture vazhdoi për shtatë ditë e net, nuk munda të rezistoj më gjatë se isha katandisur kockë e lëkurë e nuk mund të qëndroja më në këmbë, më ra të fikët. Hetuesi, duke parë gjendjen time, vendosi të ndërpriste torturën dhe dha urdhër të më jepej ushqimi, veshmbathja dhe dysheku. Tani që po i kujtoj ato netë në atë birucë, më rrëqethet mishi. Më kujtohet kur më dhanë ushqimin, nuk isha në gjendje të përtypja bukën për arsye se ishin konsumuar lëngjet e trupit e sidomos pështyma ishte tharë. Isha i detyruar ta përcillja ushqimin me ujë.
Dhjetor 1946, pasi kisha kaluar ato tortura të tmerrshme, vjen roja natën vonë në birucë, më lidh duart me hekura dhe më çon lart në pyetje. Për çudi, nuk ishte hetuesi im, ishte hetues Skënder Konica me suitën e tij. Më uli në karrige, këmbëzbathur, më lidhi duart me tela nga telefoni (korrenti) Më mori në pyetje personalisht. Kishin arrestuar Dhespot Irine Banushin, siç duket Skënder Konica ishte hetuesi i tij, e meqë nuk kishin fakte për të, kërkonin nga unë fakte për ta dënuar. Pyetje: Kërkonin deklaratë akuzë. Çfarë bisedonte Dhespot Irineu me babain tim, avokat Vasil Dilon dhe për nipin e tij Gabriel Meksi, meqë ishin anëtarë të këshillit të kishës autoqefale orthodokse. Deri në këtë pikë mbërrinte poshtërsia e këtij hetuesi kriminel, që i biri të akuzonte babanë e kushëririn e tij. Hetuesi Skënder Konica i filloi vetë torturat duke përdorur korrent, shqelma këmbëve, grushta fytyrës. Kjo lloj torture vazhdoi me egërsi me orë të tëra, më binte të fikët, më lagnin me ujë, më sillnin në vete, vazhdonin përsëri. Skënder Konica ishte i vendosur të më merrte me çdo kusht një deklaratë. Nuk kisha rrugë dalje, duhej thënë diçka patjetër për Dhespot Irineun, torturat vazhdonin pa pushim. Më së fundi u detyrova të bëj deklaratë se Dhespot Irineu kishte thënë: “Dhespotët midis tyre janë vëllezër nga Krishti”. Bëhej fjalë për Dhespot Kotokën… Kërkoj që ky hetues kriminel Skënder Konica, të arrestohet si kriminel dhe do të pranoja me gjithë qejf që të asistoja në hetuesi.
.

31 Dhjetor 1946, ikja nga biruca e vdekjes

Vjen hetuesi në birucë: Nxirri teshat jashtë! U tremba, nuk më bënin duart të nxirrja dyshekun, kujtova se po fillonin përsëri. Më mirë do ta prisja vdekjen dhe po të kishte mundësi do të kryeja vetëvrasje se sa të kaloja përsëri ato tortura aq çnjerëzore të papara dhe të palexuara në histori, dhe tani që po i kujtoj, më dridhet trupi. Ky ishte një transferim nga biruca në korridor. Në birucën e vdekjes ku isha unë, futën një të burgosur minoritar nga Dropulli, Jani Jorgjiun, i cili nuk mundi t’i rezistonte torturës çnjerëzore. Ditën e katërt, rojet e gjetën të vdekur në birucë. Mbas tij erdhi Llambi Llambiri, i arrestuar në Tiranë, nxënës i shkollës së Fullcit. Hetuesi i tij i bëri të njëjtat tortura, nuk i duroi dot ato tortura të tmerrshme kriminale, vendosi të vrasë vetën me varje në birucë. Llambin e shpëtoi një e burgosur tjetër, e quajtur Liri Prifti, e cila flinte në korridor. Ajo e ndjeu zhurmën në birucë (ishte Llambi që përpëlitej), lajmëroi rojen dhe e shpëtuan…
.

Gjyqi fals me dyer të mbyllura…

Jemi në vitin 1947. Ndodhem në një dhomë me dy të burgosur të tjerë, Niko Llambirin dhe Ramiz Kacën, të cilët i kishin kaluar torturat nga hetuesit e tyre kriminelë. Në Tiranë, kudo qarkullon lajmi: Grupin e deputetëve dhe intelektualëve…
Torturat, ishin arma për hetuesin për të bërë procese false, krijuan organizata tradhëtare, grupi i deputetëve, spiunazhi anglo-amerikan, agjentët e Fullcit dhe agjentura të tjera. Tortura në çdo minutë, çdo orë, në çdo ditë, në çdo muaj, tortura të pa fund, që imagjinata e njeriut nuk mund ta kapi dot, po nuk e pësoi në kurriz..
Mbas 15 muaj izolim dhe tortura nga më çnjerëzoret në birucat e errëta të vdekjes, pasi çështja rihapet nuk kisha bërë ende proces. Më merr në pyetje një hetues tjetër. Për të bërë procesin kishin vendosur të më nxirrnin në gjyq. Filloi menjëherë nga pyetjet dhe torturat;
a)Më lidhi duart me hekura shtrënguar fort.
b)Më izoloi vetëm, meqë nuk kishte birucë teke, më futen nën shkallë, në errësirë.
c)Pa bukë e pa ujë. Në mbrëmje pyetje e tortura, korrent telefoni, duart e lidhura me hekura (natë e ditë) vendosja e duarve në tokë, hetuesi i shkel duart me këmbë, këmbë zbathur, hetuesi me takat e këpucëve të tij godiste këmbët, deri sa të gjakoseshin, pa pasur aspak mëshirë, i lindur kriminel, shpirti i ishte arratisur nga ai… Pyetja fol! Pas shumë torturash, nuk zgjati shumë, vendosën t’më bëjnë procesin dhe t’më nxirrnin në gjyq. Kjo ndodhi në vitin 1948. Transferohem në burgun e vjetër në izolim dhe më 7 prill 1948 më nxorën në gjyq ushtarak pa avokat, me dyer të mbyllura. Gjyqi u zhvillua në Drejtorinë e burgut. Me gjithë mohimet e akt-akuzës, gjykata më dënoi me 10 vjet burg, i paskam dhënë informata misionit Amerikan… krime kundër shtetit… Pa faj, pa baza me gënjeshtra e tortura…
.

13 Maj 1948- Kampi i vdekjes Vloçishtit

Një muaj pas dënimit, një skëterrë tjetër e diktaturës së Enver Hoxhës më priste.
Sot lexova me kujdes artikullin në gazetën RD me rastin e 45 vjetorit e një skëterre të diktaturës së kuqe të Vloçishtit, nga kolegu im i vuajtjeve z. Hajro Babameto. Jam plotësisht dakord, aspak i ekzagjeruar, mëse të vërteta, por duhen shtuar dhe disa episode të tjera të ndodhura në brigadën ku bëja pjesë unë, dhe në kamp. Është e vërtetë, mjerisht pak njerëz dinë ose kanë dëgjuar për tmerret e vërteta atje. Shumë nga katër anët e botës kanë dëgjuar dhe kanë parë filma nëpër kinema, dokumentare për Mathuzenin, Buchenvaldin e të tjera skëterra të nazizmit gjerman. Por pak janë ata që kanë marrë vesh, sidomos rinia, se ç’ka ndodhur në Vloçishtin e skëterrës së Enver Hoxhës e të komunizmit në Shqipëri. Jam dakord me krahasimin që z. Hajro Babameto bëri midis kampit të Vloçishtit dhe kampit gjerman Mathuzen e Buchnvaldit.
.

Në kampin e Vloçishtit…

1.Puna e normuar 3.5 metra kubik; gërmim dheu dhe transportim dheu në skarpat personi. Në rast mosrealizimi të normës të groposnin me baltë në kanal.
2.Terreni me ujë (kënetë) kondita shumë të vështira për të realizuar normën. Uji, balta dhe druri.
3.Ushqimi shumë i dobët; gjellë pras, lakër dhe bukë.
4.Në punë me vrap, mjerë ai që mbetej i fundit, e godisnin me kopaçe.
Të parët që nuk mundën të përballonin skëterrën e Vloçishtit nuk i rezistuan terrorit, urisë, stërmundimit në punë, ishin të moshuarit. Si pasojë filluan të dobësohen kockë e lëkurë dhe në fytyrë, për çudi filluan të fryhen si tullumbace dhe më pas vdisnin. Të parët që e pësuan ishin vëllezërit Sefanaq dhe Loni Plumbi. Stefanaqi vdiq ndërsa vëllai i tij Lonin, e dërgoi dr. Taqi Lito në Korçë dhe shpëtoi. Kjo ndodhi brenda tre muajve. Nuk e teproj aspak, ajo që ka ndodhur në Vloçisht brenda gjashtë muajve nuk mund të krahasohet me asnjë kamp. Vloçishti ishte një skëterrë. Imagjinata e njeriut nuk mund ta kapi dot, po nuk e pësoi në kurrizin e tij. Prandaj jam i mendimit të bëhet libret që ta lexojë rinia dhe mbarë bota, dhe akoma më mirë Kinostudio ta konkretizonte duke xhiruar film.
Një ide për punën që është bërë në Vloçisht për tharjen e kënetës së Maliqit: Kemi bërë shtratin e lumit, nuk më kujtohet emri, i cili hapej në Fushën e Maliqit, gjerësia e shtratit të lumit 32 metra. Dy kanale kullues të fushës për krah shtratit të lumit 16 metra gjerësi në derdhjen në liqenin e Maliqit. Dy skarpate për krah të shtratit të lumit ku grumbullohej dheu i kanaleve, përshkonin gjithë fushën e Maliqit. Kjo punë, në gjashtë muaj, nga 1500 të burgosur. Me vegla pune; lopata, bel, kazmë dhe karrocë dorë, ushqim gjellë lakre, presh dhe bukë. Me torturë: Kopaçe, groposje në kanal me baltë dhe vrasje…
.
Pushkatime...

Pushkatime…

Një episod në kamp

Kishte të burgosur, që dobësia e madhe dhe uria e papërballueshme, shkonin në çanakun e derrit dhe hanin ushqimin e derrit. Deri këtu kishte arritur i burgosuri i shkretë pa faj, nga uria dhe puna e madhe e vështirë. Uria para vdekjes të detyronte të haje ushqimin e derrit. Një episod i ndodhur në punë, ç’episod, ishte krim i shëmtuar. Në punë e sipër, një i burgosur nga ata tregtarët e Korçës i kishin sjellë qëllimisht në Vloçisht për t’i torturuar, që të dorëzonin floririn. U largua nga ne nja dhjetë metra për të bërë nevojat personale, e këshilluam të mos largohej se të qëllon roja. Bëje këtu, por nuk dëgjoi fatkeqi, rojet e qëlluan me armë, por nuk u vra, u kthye menjëherë. Në çast mbërritën policët, na pyetën kush ishte ai që u largua dhe që e qëlloi roja? I burgosuri e pranoi, si përfundim filluan ta qëllojnë me kopaçe, me shqelma në fytyrë pa mëshirë, në trup ku të mundnin në trupin e të gjorit të burgosur të pa faj. Nuk u ngopën me kaq kriminelët, njeri e mori nga krahu dhe tjetri nga këmbët, e hodhën në kanal dhe vdiq në vend, aty në skarpat u varros…
.

Një episod në kapanon

Një episod që nuk mund ta harroj dhe 45 vjet të kaluara; sa herë që më shkonte mendja për krimet e diktaturës komuniste, ishte heqja e dyshekëve. Një mbasdite kur po ktheheshim nga puna, të rraskapitur nga një front i largët; me të mbërritur në kamp, një surprizë na befasoi; në mungesën tonë, drejtori i kampit, krimineli Tasi Marko, i vëllai i Rita Markos, kish dhënë urdhër; tu hiqen shtresat të sjella nga Tirana. Që prej asaj dite iu shtua stërmundimit tonë të punës dhe dërrmimi i kockave në dërrasat e shtratit. Shpikja e tyre për të na munduar sa më shumë, s’kishte të sosur…
.

Një tjetër episod i shëmtuar në kamp.

Në darkë, ndërsa po ktheheshim nga puna në kamp, kaluam në një parcelë të mbjellë me panxhar sheqeri… Disa të burgosur nga uria shkulën nga një panxhar. Panxhari i papjekur nuk hahej se të digjte në fyt, duhej pjekur patjetër. Rojet e kampit na morën panxharët dhe i hodhën në nevojtore. Një nga të burgosurit tentoi t’i merrte panxharët. Rojet e kapen dhe për dënim e futën në nevojtore. E pabesueshme po fatkeqësisht ka ndodhur. Çdo njeri duhet ta ketë të qartë se në komunizëm e pabesueshmja ka ndodhur…
.

14 nëntor i vitit 1948

Gëzim i madh, po kthehemi në Burgun e Tiranës. Ishte një fitore e madhe se po largoheshim nga kampi i vdekjes së gjallë. Prap të lidhur dorë më dorë me hekura. Jemi në burgun e vjetër, pasi u pastruam nga parazitë të sjellë nga kampi. Takimi me familjarët në portat me hekura të dyfishta të burgut, ishte një takim me britma “Na sillni bukë, bukë, bukë”! Familjarët tanë nuk na njihnin dot, ishim të transformuar nga vuajtjet. Në këtë përkufizim të hyjnueshëm të përngjashme me Termopilet, unë i shtoj një lapidar, lapidar që të dallohet me kilometra larg, ngritur në këtë vend, që brezat që do të kalojnë në këtë vend të mallëngjehen e të urrejnë se çfarë i kanë bëri këtij njeriu servilët e komunizmit…
Telemak Dilo
“O udhëtar, që kalon nëpër këtë fushë të begatë,
Shkel me kujdes!
Poshtë këmbëve të tua janë eshtrat e atyre që thanë kënetën”
Vloçisht!… Vloçisht!… Vloçisht!…
Tiranë, më 20/05/1993
 
Marrë nga https://sot.com.al/opinione 17/01/2013

 

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook