back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Jeronim De Rada – përlindës i kombit dhe letrares – Në 120 vjetorin e ndarjes – nga jeta nga Behar Gjoka

Gazeta

Behar Gjoka
Behar Gjoka

Jeronim De Rada – përlindës i kombit dhe letrares

Në 120 vjetorin e ndarjes nga jeta

nga Behar Gjoka

Vargu fillimtar dhe grishës i poemës Këngët e Milosaos: Erdhi Dita e Arbrit! një klithëm emblematike atdhesie, krejt e pazakontë, përpos të tjerash, bart dhe përçon tek lexuesi, dëshminë e dyfishtë:
A – Të përlindjes së kombit të moçëm, të botës arbnore, të përndarë dhe dhunuar gjer në shkreti, në shekujt e mënxyrës osmane, që ngërthen dhe merr vlerë dhe shenjëzim fatidik, të mbijetesës së qenies shqiptare, mbi të gjitha të ringjalljes së saj, gati prej hirit dhe pluhurit të zhbërjes.
B – Të hullisë së rrokshme letrare, pothuajse të përputhur me lavrimin e letërsisë së përbotshme, ndonëse në këtë poemë, ashtu si në të gjithë veprën letrare dhe publicistike, gjuhësore dhe estetike, të ideologut të Rilindjes, të këtij mjeshtri të fjalës shqipe, që lartësoi variantin e arbërishtes në nivele të pazakonta, brendashkruhet një diskurs i përçimit dhe ndërthurjes së shenjave të përsosjes klasike, të dritëzimit iluminues, që përkon me kulmet e të mbërrimeve të letërsisë frënge, si dhe të një aspirate ëndërrore, thelbësisht romantike, e cila zgjoi interesin e Lamartinit, Hygoit etj., në letërsinë shqipe zë fill dhe kulmohet me poezinë e De Radës.
Thirrja drithëruese: Erdhi Dita e Arbrit!, krahas patetikës atdhetare, tharmit ëndërror romantik, në fakt shënon një gur kilometrik të ndritshëm, të vetë idesë së identifikimit të qenies sonë, e po kaq të ringjalljes së kombit të drobitur dhe dhunuar gjer në shfarosje në shtjellat e historisë. Moti 1836, koha kur klithma kozmike për fatin e kombit: Erdhi Dita e Arbrit, e shqiptuar në materien e poemës “Këngët e Milosaos”, nxjerrë më në pah këtë shestim dhe aspiratë autoriale. Pas një nate të gjatë, terri dhe vuajtjesh kaqshekullore, nën sundimin osman, prej vokacionit të poetit, vjen si një ogur shpëtimtar, lajmi i përtrimjes së shumëfishtë, të gjuhës dhe kombit arbnor. Në këtë ëndërrim mjegullaze, poetik dhe tejet shpresëdhënës, ndërkohë që janë kapërthyer moria e shenjëzimeve ekzistenciale të qenies shqiptare, po kaq të vetë letrares, e cila buron prej kësaj ripërtritje të dyzuar dhe përlindëse. Është Moti i madh, që kush tjetër më shumë se sa arbëreshët, e kanë të gdhendur në kujtesë, bashkë me mallin dhe këngët e qëndresës sa asaj epoke, që përbën vatrën zanafillore të idesë dhe veprës letrare.

Jeronim De Rada - 120 vjetori i Vdekjes
Jeronim De Rada – 120 vjetori i Vdekjes

Simbolika e Motit të madh, që përcillet gjer në totalitet në poemat “Serafina Thopia” 1839, “Scanderbegu i pafan”, 1873, harku i lavdisë dhe qëndresës shqiptare, me të gjitha atributet e veta, përçohet në parafytyrën e kryetrimit të asaj epoke, tashmë e fytyrëzuar deri në skalitje, si një ëndërr frymëdhënëse, në kreatyrën e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ngjarjet e poemës Këngët e Milosaos (që bart edhe tipologjinë e romanit në vargje), fragmentare dhe të grimcuar, janë vendosur në Shkodër, djepi i kulturës dhe qëndresës arbnore në atë kohë dhe më parë, e cila pasi zmbrapsi disa rrethime, më në fund në vjetin 1478, bie në duart e otomanëve. Shkodra, kuptohet se është fortesa e mbrame e Motit të madh, e epokës së ndritur që e lidhi qenien iliro-arbnore përfundimisht me qytetërimin perëndimor. Sfondi historik, megjithatë materia e tekstit thelbësisht imagjinare, është dekori më i bukur, me gjasë edhe më i plotë, i ndjenjës së hollë, të dashurisë së Milosaos dhe Rinës, të cilët në emër të atdheut të Arbërit, pas disa lëkundjesh dhe mëdyshjesh, krejtësisht njerëzore, e sakrifikojnë ndjenjën e përvëlimit dashuror për atdhedashurinë. Në letrat shqipe, gjithkohore dhe gjithhapësnore, vështirë të gjesh një vepër të dytë poetike, sa poema madhore Këngët e Milosaos, që të ketë vënë në ekulibër të jashtëzakonshëm, identitetin me vlerën estetike, atdheun dhe ndjenjën e brishtë të dashurisë, domethënien me shprehësinë letrare. Nëse thënia e përçuar, mesazhet e larta, që përfton poema, ka të bëjë drejtpërdrejtë me aktin e përlindjes kombëtare, madje tërësia e veprës, kumbon si një lajmëtar i Rilindjes Kombëtare, i lëvizjes që prej hiçit rilindi kombin arbnor. Nga ana tjetër, vargjet e poemës së De Radës, janë të një rëndësie parake dhe jetike, për lavrimin letrar në gjuhën shqipe, ndërkaq janë edhe shenjat e shumëfishta etike dhe estetike të kësaj vepre.
Poema Këngët e Milosaos, teksti i parë shkrimor i autorit, botuar në motin 1836, pra kur qenë vetëm 22 vjeçar, ndonëse në moshën 18 vjeç, në vitin 1832, pati shkruar teksti Odise, në kuptimin letrar, rrok në hapësirat e veta, vlera letrare të njëmendta:
-Rifunksionalizon komunikimin me letërsinë dhe kulturën perëndimore, si urë ndërlidhëse me të, aspiratë të cilën e kishin zënë fill autorët e letërsisë së hershme shqipe, Buzuku, Matrënga, Budi, Bardhi, Bogdani dhe Kazazi.
-Vlerat e shumta letrare në hapësirat e tekstit të poemës Këngët e Milosaos, formësojnë dhe shqiptojnë estetiken si vlerë shpirtërore unike, gjë që në studimet letrare të shqipes, akademike dhe mësimdhënëse, emërtohet si një shpikje, (sikur me të zë fill letërsia e mirëfilltë, sikur paska edhe një letërsi jo të mirëfilltë), si një konceptim paragjykues mbi shenjat letrare të letërsisë së hershme, sidomos të poezisë dhe prozës së Budit dhe Bogdanit, e cila është lexuar dhe mjerisht edhe tani, vijon të rilexohet si fetare ose antifetare.
-Teksti poetik Këngët e Milosaos, përpos vlerave të tjera, thënëse dhe arthënëse, është model i romantizmit shqiptar, njëherit është vepra letrare më e arrirë, që pikëpërputhet në shumicën e treguesve me veprat romantike europiane, gjë që përtheksohet edhe nga lëvrues të romantizmit europian, duke tentuar kështu që ligjërimin letrar në gjuhën shqipe, ta vërë në koherencë me letërsinë e përbotshme.
-Tipologjia shkrimore e këtij teksti, për autorin dhe studimet letrare, shenjon një lloji letrar të dyfishtë, edhe një poemë liriko-epike, nga më të rrallat në letërsinë shqipe, po kaq edhe një model të shkrimit të romanit në vargje (ku si roman në vargje përcaktohet Eugjen Onjegin, vepra madhore e Pushkinit), çka ende nuk ka marrë përgjigjen përfundimtare, si një shqyrtim dhe përcaktim i studimeve letrare.
Vargu Erdhi Dita e Arbrit, pamëdyshje referenca më e ngritur etike dhe estetike, përlindëse e kombit dhe qenies shqiptare, e tekstit të poemës Këngët e Milosaos, sikur e rilndi Arbërinë, dherin e shqiptarëve, po kaq e ndërfuti letërsinë shqipe në shtjellat e ligjërimit, pothujase të njëkohshëm me letërsinë perëndimore.

28 shkurt 2023 ne QKLL, për Jeronim De Radën…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.