back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Janar 1945 – Vit i kobshëm edhe për mësuesin e devotshëm Bedri Gjinaj nga Ismet Azizi

Gazeta

Bedri Gjinaj
Bedri Gjinaj

Janar 1945 – Vit i kobshëm

edhe për mësuesin e devotshëm Bedri Gjinaj

nga Ismet Azizi

“Djemtë me shkollë,
shohin me katër sy”
Shaban Palluzha
 
Bedri Gjinaj është një ndër figurat më të njohura dhe më të nderuara të arsimit në Mitrovicë, në Kosovë, Sanxhak e më gjerë. Bën pjesë në radhën e veprimtarëve më të shquar të arsimit shqiptar, i cili punoi me kompetencë e devocion për zhvillimin e arsimit gjatë Luftës së Dytë Botërore në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Pazar i Ri). Ai dha kontribut për çështjes shqiptare sa ishte në pozitën e sekretarit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Ishte një ndër burrat intelektualët më të mëdhenj dhe më të nderuar të kombit.
Bedri Gjinaj me familjen e tij...
Bedri Gjinaj me familjen e tij…
Gjashtë vëllezër dhe një motër. Nga e majta: Vetoni, Shemsiu, Lulja, Bedriu, Sokoli
(në prehër të Bedriut), Nuriu e Bahriu (mbas në këmbë)(Foto e viteve ’30 familja Gjinaj)
Gjatë kohës sa punoi në Mitrovicë (1941-1944), u rrethua me dashurinë e respektin e veçantë nga të gjithë. Edhe pse vendlindja e tij Mitrovica, gjendej në veri të Kosovës e Shqipërisë, ai dëshironte ta bënte atë qendër të koalicionit shqiptar. Për këtë arsye u afrua dhe bashkëpunoi me gjithë atdhetarët, nacionalistë shqiptarë. Shpesh, për t’u marrë vesh me patriotë e demokratë, me njerëz me influencë e me traditë kombëtare, udhëtoi në Prishtinë, në Vushtrri, në Pejë, në Prizren, në Podujevë, në Pazar të Ri, Skënderaj, etj. Punën, zellin dhe idetë e tij ia çmonin e respektonin ministri Ernest Koliqi, Rexhep Mitrovica, Xhafer Deva, Bedri Pejani, Aqif Blyta, Ago Agaj, Vehbi Frashëri, Rexhep Krasniqi e shumë nacionalistë të tjerë. Përpiqej me tërë qenien që t’i bashkonte të gjitha forcat aktive aktuale, me përjashtim të komunistëve, sepse ata i konsideronte si bashkëpunëtorë të bolshevizmit rus e shërbëtorë të Serbisë. Gjatë kohës kur Mitrovica me Vushtrrinë, me Podujevën e më Pazarin e Ri ishin ndarë dhe i përkisnin zonës gjermane të interesit, Bedriu zhvillonte një aktivitet të dendur që kjo zonë me strategji historike e ekonomike t’i bashkohet me çdo kusht Shqipërisë. Prandaj i thërriste patriotët e intelektualët shqiptarë që të bëhen të gjithë një gojë, të bashkohen në një vend sidomos sa i përket çështjes së Mitrovicës: “Po të bashkohemi të gjithë, do të fitojë Mitrovica, po fitoi Mitrovica e po u bashkua me truallin mëmë, do të fitojë Kosova, do të fitojë Shqipëria!
Pas okupimit të Mitrovicës nga ana e forcave ushtarake të Jugosllavisë titiste, Ali Shukriu lëshoi urdhëresë për arrestimin e Bedri Gjinajt. Për t”iu shmangur arrestit, Idriz Geci nga Llausha dhe Hamëz Mehmeti nga Luboveci, ilegalisht e nxorën nga Mitrovica Bedriun, Bahriun, vëllanë e tij, dhe nënë Hajrijen. Ata i strehuan së pari në Llaushë e mandej Lubovec dhe Siçevë. Pas një takimi me Miftar Bajraktarin, dhe pas shqyrtimit të situatës së përgjithshme në rajon, Bedriu shprehu dëshirën të takohet me Shaban Palluzhën. Takimit i tij me Shaban Palluzhën u bë në mbledhjen e Shtabit të mbajtur më 30 nëntor 1944, në Palluzhë, ku, pos tjerash, u vendos që Bedri Gjinaj të emërohet këshilltar i komandantit të Brigadës së Drenicës – Shaban Palluzhës. Që nga e nesërmja Bedriu filloi të punojë me një vullnet të madh në punimin e shkresave, informatave, raporteve dhe analizave mbi situatën politike dhe ushtarake, duke e konsultuar rregullisht dhe duke e informuar komandantin e Brigadës së Drenicës, Shaban Palluzhën. Më vonë Shaban Palluzha thuhet t’i kishte thënë Bedri Gjinajt “Djemtë me shkollë shohin me katër sy”, prandaj angazhimi i tyre për liri është i domosdoshëm.
Në fillim të vitit 1945, komunistët, të cilët idealin e çlirimit nga fashizmi e shndërruan në ide vepruese kriminale kundër vëllezërve të tyre, sepse kishin guximin qytetar që me plot gojën t’i thoshin të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë, pra ta tregonin sllavokomunizmin si tragjedi për shqiptarët, arritën ta zënë me dredhi. Sipas dëshmitarëve okularë (shkruan Azem Hajdin-Xani) Bedri Gjinaj dhe Avdyl Zhubi janë arrstuar në mënyrë enigmatike, në Krushefc më 18 janar 1945.
Në radhët e Brigadës së Drenicës, OZN-a kishte arritur të fusë spiunët e vet të veçantë, përmes së cilëve Ali Shukriu arrinte të informohej për çdo gjë lidhur me situatën në Drenicë e më gjerë, prandaj, kur mori vesh se ku ndodhej Bedri Gjinaj, hartoi planin për ta zënë. Ali Shukriu dhe Bedri Gjinaj ishin lindur dhe rritur në Mitrovicë. Bedriu ishte i gjithanshëm dhe shumë me autoritet, prandaj ky shkëlqim i tij ia zbehte yllin. Ishin edhe kundërshtarë politikë: Bedriu nacionalist, ndërsa Aliu komunist e vegël e serbëve. Dy spiunët e caktuar nga Ali Shukriu, shkuan në vendin ku ndodhej Bedri Gjinaj dhe gjoja se Shaban Polluzha ka dhanë porosinë që Bedri Gjinaj dhe Avdyl Zhubi “të mos vijnë në Skënderaj, por të qëndrojnë aty, sepse Skënderaj mund t’i identifikojnë komunistët. Pra, sipas tij, qëndrimi në fshatin Kryshefc “asht ma i sigurt”. Kështu, partizano-çetnikët menjëherë mbas largimit të Brigadës së Shaban Palluzhës, i morën dhe i dërguan në Skënderaj, ku, me urdhër të eprorit të tyre, Ali Shukriut, ua lidhën këmbë e duar me tel, i hipën në një kamion të zbuluar dhe i dërguan në vendlindjen e tyre në Mitrovicë. Në sheshin matanë Urës së Ibrit i ekzpozuan para qindra qytetarëve, që i kishin tubuar me dhunë, për të treguar se ja kështu do ta pësojnë të gjithë ata që e kundërshtojnë ideologjinë komuniste dhe bashkimin e Kosovës me Jugosllavinë, përkatësisht Serbinë. Bedri Gjinaj dhe Abdyl Zhubi u burgosën në kazermën ushtarake në Mitrovicë.
Më 23 janar, Brigada e Drenicës arriti në Podujevë pa Bedri Gjinajn, këshilltarin e komandantit Shaban Polluzha. Feriz Bojaj nga fshati Kërrnicë, njëri prej njerëzve të afërt të Shaban Palluzhës citohet të ketë thënë se deri në Podujevë komandanti ka pyetur tre-katër herë për Bedri Gjinajn.
Ato ditë OZN-a burgosi edhe tri mësuese të shkollës fillore “Skënderbeg” të Mitrovicës, që kishin bashkëpunuar me Bedri Gjinajn: Lina Shkrelin, Melihate Devën dhe Zehra Zhubin, ndërsa kishte ekzekutuar pa gjyq mësuesin Ali Gaxha…
Anëtarët e Lidhjes Popullore Shqiptare (Organizatë nacionaliste shqiptare),
Anëtarët e Lidhjes Popullore Shqiptare (Organizatë nacionaliste shqiptare),
drejtohej nga intelektualë nga Mitrovica e Pazari i Ri: Bedri Gjinaj (i pari nga e majta në këmbë)
Rexhep Mitrovica (në mes, ulur), Ago Agaj, Vehbi Frashëri, Imer Lutfiu, Tafil Boletini, Ali Draga,
Kudret Kokoshi, Nexhip Deva, Shaban Mustafa e Dr. Xhelal Mitrovica (në mes, në këmbë)
Ali Shukriu, me pamjen e fitimtarit, kundërshtar i përbetuar i Bedriut, shtihej se i dhimbsej “shoku” i fëmijërisë, prandaj, para se ta likuidonte përfundimisht, donte ta plotësonte edhe një dëshirë: ta detyronte t’i përulej, t’i binte në gjunjë, ta luste që t’i falte jetën, – shkruan Fazli Hajrizi në monografine e tij për Bedri Gjinajn.
Ali Shukriu kishte vepruar njësoj edhe me rastin e arrestimit të Aqif Blytës, mikun dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të Bedri Gjinajt, duke i thënë: “A edhe ty po më duhet me të arrestu? Si e lejove vetën që një grue e flliqtë me të trathtue”? (I. A)
Pas arrestimit, Bedriun e kanë mbajtur disa ditë në burgun e Mitrovicës, pastaj e kanë dërguar në bashkë me të tjerët në Prishtinë. Në burgun e Mitrovicës dhe në atë të Prishtinë në këtë kohë ndodheshin edhe shumë patriotë të tjerë, në mesin e tyre edhe njëri nga komandantët e Luftës së Pazarit të Ri, Bajazit Boletini. Në prill të po atij viti i kthejnë sërish në burgun e Mitrovicës. Avdyl Zhubi dënohet me 18 vjet burg të rëndë, ndërsa Bedri Gjinajt ia përgatitën kalvarin më të egër. Ushtruan mbi të torturat më çnjerëzore në hetuesi e në burg, sa në atë Mitrovicës, edhe në atë të Prishtinës. E dërrmuan, e shkatërruan atë trup atleti, ia rrënuan shëndetin. E dërguan gjoja në spital për ta mjekuar nga “tifusi”, mirëpo aty e helmuan. Sipas mendësisë së tyre, vetëm duke e likuiduar atë fizikisht, do ta zhduknin idealin madhor të tij, vetëm duke e vrarë atë, do ta vrisnin edhe ëndrrën e popullit shqiptar për liri. Pushteti partizano-çetnik e varrosi fshehurazi në një vend, edhe sot të panjohur.
http://kosovapersanxhakun.org 23 Janar 2017

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.