back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Jahja Domnori, ditari i pazakontë i një mësuesi të viteve ’30-të në Vlorë – nga Pertrefe Leka

Gazeta

Arsimtarë të Reforës Ivanaj (1935)
Arsimtarë të Reforës Ivanaj (1935)*

Jahja Domnori, ditari i pazakontë i

një mësuesi të viteve ’30-të në Vlorë

nga Pertrefe Leka

Kur fëmijët merreshin nga rruga,
iu mësonin shkrim e këndim,
por edhe higjenën vetjake…
Roli i kryebashkiakut Ali Asllani
dhe vendosmëria e Ministrit Ivanaj për të ngritur
një ekip model mësuesish për Shkollën e Vlorës…
.
Mirash Ivanaj (1891-1953)
Mirash Ivanaj (1891-1953)

Kur Ministri i Arsimit, Dr. Prof. Mirash Ivanaj po zbatonte reformën arsimore, programi bazohej në luftën kundër padijes dhe plogështisë intelektuale, dhe në luftën që pengonte lirinë e mendimit dhe kërkimin shkencor. Kontradikta që lindi ndërmjet kërkesave pedagogjike dhe aftësive konkrete të kuadrove kërkonte spastrimin e shkollës nga të paaftit dhe të papërkushtuarit, duke futur ligjin e kategorizimit përmes testimit.

Në Vlorë ka pasur shumë mësues të ardhur nga Shkodra, të përzgjedhur nga Ministria e Arsimit, si mësues të aftë për ta bërë shkollën sa me funksionale me programet bashkëkohore. Një gjurmë të pashlyeshme në Vlorë dhe në historinë e arsimit kombëtar ka lënë mësuesi i nderuar shkodran Kolë Kamsi, i cili qe një shembull i përkryer për mësuesit e tjerë që erdhën mbas tij.
Në vitet ‘30, në Shkollën Tregtare të Vlorës ishte mësues edhe Ernest Koliqi, ku ndër të tjerë i jepte mësim dhe Petro Markos.
Ministri i Arsimit, Prof. Mirash Ivanaj, i bëri thirrje ish studentit të tij, në Gjimnazin e Shkodrës, Jahja Domnorit, të shkonte atje mbasi kishte larguar disa mësues të padisiplinuar. Ai i njihte mire aftësitë pedagogjike dhe organizative të ish nxënësit tij, qysh kur kishte qenë mësues dhe drejtor i asaj shkolle.
.
Jahja Domnori, ditën e Pashkës 1935.
Jahja Domnori, ditën e Pashkës 1935**
Nga ditari i mësuesit Jahja Domnori, mësojmë se e kishte marrë në dorëzim shkollën, në Skelë të Vlorës, me 80 nxënës. E kishte filluar punën vetëm me një mësuese, Varvara Miho, një zonjë shumë e nderuar. Shkolla kishte shumë nevoja, por mbi të gjitha duhet të përfshiheshin edhe fëmijët e portit, që nuk kishin frekuentuar asnjëherë shkollën. Me një punë këmbëngulëse ai arriti të regjistrojë shume nxënës që punonin ose endeshin në port. Kështu në pak kohë, ai arriti ta trefishojë numrin e nxënësve.
Që në fillim të punës, ai ndjeu mbështetjen e plotë të Kryetarit te Bashkisë së qytetit, z. Ali Asllani, cili e kishte prioritet arsimimin, emancipimin dhe zhvillimin shoqëror të Vlorës.
Duke pasë një kontigjent nxënësish të vështirë, i kërkonte vazhdimisht Ministrit t’i dërgonte mësues, “dorë e fortë”, burra, por ministri kishte besim te kuadrot që kishte emëruar atje, prandaj i shkruante – “po të dërgoj mësuese të afta!” Kështu u rrit personeli mësimor me mësueset, Razije Kallulli (nëna e Adriatik Kallullit), Ifet Asllani (vajza e Ali Asllanit) Hava Xhaferi, të cilat punuan me përkushtim dhe krijuan me drejtorin e shkollës një kolektiv shumë kompakt dhe serioz.
Në mes të këtij kolektivi, përmendet edhe Kadriu nga Dukati, i cili bënte punën e higjenistit në shkollë. Drejtori i shkollës shkruan për të se: “ai na ndihmonte në kontrollin e pastërtisë së çdo nxënësi, para se të futeshin në mësim…” Për këtë, drejtori, kishte blerë peshqirë, sapunë dhe një fuçi të cilën Kadriu e mbante me ujë të ngrohtë, për t’u larë kokat e nxënësve që vinin të papastër.
Për nxënësit që kishin nevojë më shumë kishte blerë makinë qethëse, të cilën e bënte vetë drejtori dhe pastaj e mësoi edhe Kadriu. Ai e bënte punën me shumë përkushtim dhe ishte bërë pjesë e pandarë e trupit mësimor. Drejtori i shkollës shkruante me shumë respekt për Kadriun, sa nuk e dallonte nga mësuesët e tjerë. Mirëkuptimi në kolektiv, me mësuese të përgatitura dhe organizimi me një disiplinë shembullore bëri që shkolla të dalë shumë shpejt nga prapambetja.
Drejtori Jahja Domnori, punonte pa u lodhur e me sistem. Për t’i angazhuar nxënësit me punë, ai me ndihmën e Kryetarit të Bashkisë, z. Asllani kishte, krijuar kopshtin e shkollës, ku fëmijët praktikonin mësimet e tyre, dhe një bibliotekë modeste. Botimet e Kolë Kamsit, 1919, “Mësime përmbi natyrën” dhe “Lulet e mendimit”, ishin të pranishëm për t’u ofruar dije nxënësve mbi natyrën.
Në ditarin e drejtorit theksohet se: “…në shkollë kishte shumë fëmijë të familjeve hebreje. Ata sapo mbaronin mësimin shkonin në pikat e shitjes ku i kishin caktuar prindërit. Një praktikë që i stimulonte fëmijët e tyre akoma më shumë për mësim dhe fitim, që t’i dinin më mirë vlerat e shkollës e për ta përballuar me shpenzimet e tyre.
Interesante ishte, njohja e drejtorit të shkollës me Kryetarin e Bashkisë, z. Ali Asllani.
.
Gjate Reformës Arsimore Ivanaj” në shkollën Zogu i Parë, Vlorë
Gjate Reformës Arsimore Ivanaj në shkollën Zogu i Parë, Vlorë***
Për atë flet me një konsideratë të admirueshme, jo vetëm në sjelljen e tij prej diplomati, por edhe në sjelljen e tij, si njeri i thjeshtë i punës, organizator që kontrollonte në terren detyrat e ngarkuara prej tij.
Një ditë, Kryetari i Bashkisë, z. Ali Asllani po shkonte të verifikonte, një punë që ua kishte ngarkuar punonjësve të tij. Kur po kthehesh afër shkollës dëgjoi shumë fëmijë që flisnin me një dialekt tjetër. U ndal të takonte drejtorin e shkollës, të cilin e vlerësonte për punën që kishte bërë.
Në bisedë e sipër, plot humor ai i tha: “Z. Jaho, të përgëzoj për të gjitha që keni bërë, por si është e mundur që fëmijët e shkollës flasin në dialektin tuaj.” Drejtori iu përgjigj: “Në kopshtore është mësuese Zina Beltoja, ajo flet një shkodranishte të pastër, unë jam lidhur shumë me fëmijët e portit për t’i tërhequr sa më shumë pas shkollës, kështu që fëmijët së bashku me mësimet kanë pëlqyer edhe dialektin e Shkodrës, janë fëmijë shqiptarësh, zoti Ali, kjo tregon se dialektet kapërcehen lehtë.
Drejtori në bisedë e sipër i tha: edhe ju zoti Ali e keni pëlqyer shumë dialektin tonë, kur unë shqiptoj në dialektin tim, Vlona për Vlora ju jeni shprehur, “po, sepse vlon shpirti i vlonjatit…”
Përsëri me humor, drejtori i kishte thënë: “…edhe unë ta kam la borxhin, z. Ali, ta kam mësuar përmendsh “Hanko Hallen” në labçen tuaj të bukur…” Kështu e gjithë biseda kaloi me humor pozitv.
Drejtori, Jahja Domnori komunikonte shumë mirë me Kryetarin e Bashkisë jo vetem për probleme pune, por edhe në diskutime të ndryshme për kulturën botërore.
Të dy i njihnin gjuhët orientale, dhe shpesh ndaleshin në poetët persianë, Saadi e Rumi, Kajami e Avicena. Por edhe në kulturën perëndimore, e të dy e kishin fort për zemër Gëten. Drejtori shkruante z. Ali Asllani si në bisedë edhe në poezi kishte një humor të hollë, çfarë kishte në shpirt ia pasqyronte shprehja e fytyrës, të cilën e përcillte me një buzëqeshje të ëmbël. Por kur shpërthente në poezitë e tij kundër padrejtësive ishte i rreptë dhe shpesh më kujtonte Fishtën tonë të shtrenjtë.
Si në zyrë ashtu e dhe në shtëpi kishte një sjellje dhe një etikë që rrallë mund ta gjeje te intelektualët e kohës. Kur me ftonte në shtëpi, bashkë me Zonjën e tij, më bënin një pritje shumë të ngrohtë e të kulturuar.
Ishte interesante se në marrëdheniet me njerëzit ishte shumë i thjeshtë, por kur i shkonin ne zyrë i donte njerëzit me një paraqitje dinjitoze dhe me një veshje të rregullt, sepse siç thoshte vetë, “respektojnë institucionin…!”
 
Inisiativën e drejtorit, për të hapë kurset kundër analfabetizmit për vajza dhe gra, Kryetari i Bashkisë e përshendeti me entuziazëm. Ishte shumë përparimtar, shumë modern, emancipimin e gruas shqiptare e shihte me përparësi dhe këtë e kishte shumë të qartë se këtë zhvillim mund ta bënte vetëm shkolla.
Në afishen e shpallur në shkollë shkruhej (gegënisht): “Zoja e zojusha – Çdo punë para se m’e ba duhet me ditë se si bahet, për me ditë asht nevoja që të mësohet.
Prandaj çdo nanë apo vajzë e rritshme do të mundohet të mësojë sa të jetë e mundun. Pra, për me zhdukë analfabetizmin e kësaj lagje ç’me sod asht çilë nji kurs për femna. Për këtë punë janë ngarkue dy mësueset: zoja Hava Xhafa e zojusha Ifet Asllani, për të mësue çupat e rritshme e gratë që s’kanë pasë fatin me mësue në shkollë. Prandaj ata që dishrojnë le të merren vesht me to e t’urdhnojnë ditën e enjte pasdreke.
Me kaq ju falnderojmë nga zemra me gjithë personelin tim, që keni pasë mirësin me urdhnue…” (Jahja Domnori, 1935)
Mbështetja që na dha z. Asllani, për ndryshimet progresive në edukimin arsimor, ishte ndihma me e madhe që i bëhej shkollës sonë. “Ishte fat i madh për mua, që nëpërmjet z. Ali Asllani dhe Kadriut nga Dukati njoha labin bujar, trim e patriot…” – shkruan Jahja Domnori.
Kështu, reforma arsimore, bëri një mobilizim të përgjithshem duke korrur shpejt frytet e punës. Nuk ishte thjeshtë një dukuri e re për arsimin, por ishte një thirrje për të punuar së bashku, në çdo skaj të vendit aty ku ishte e nevojshme; pa dallim krahine, feje, e ideje në dobi të popullit dhe të Atdheut. Ky ishte orientimi i Ministrit të Arsimi, Mirash Ivanaj për Shkollën e Shtetit ose shkollën e lirë, të cilën e shikonte si shkollë të Atdheut: “Shkollë të mendimit të lirë e të përparimit. Shkollën për djelmërinë e tri besimeve, për të forcue atë bashkim që vetë zoti na e ka dhanë me një gjak, me një gjuhë, me një interes, megjithëse me tre besime të ndryshme…”
Mirënjohje për njerëzit e punës, për thjeshtësinë e tyre, për përkushtimin e tyre në detyrë, për disiplinën që i karakterizon, për aftësitë drejtuese dhe urtësinë, për horizontin e gjerë arsimor dhe kulturor. Ata para nesh bëhen të madhërishëm.
Koha dhe historia kurrë s’i harron, sepse këta njerëz i duhen Shqipërisë.
Shpjegues i fotove
*Në qendër të fotos, drejtori i shkollës Zogu i Parë, Jahja Domnori, i përfshirë në reformën arsimore Ivanaj. Emrat nga e djathta në të majtë, burrat: Cuk Beltoja, Jahja Domnori dhe Jaku.
Rreshti i grave nga e djathta: Zina Beltoja (e shoqja e Cukut), Neta, (vajza e Zinës dhe Cukut) e cila studionte në institutin “Nana Mbretëreshë”, Varvara Miho dhe Gjena (e shoqja e Jakut).
Poshtë: Dy djemtë e Cukut. Foto e bërë ditën e Pashkës 1935, tre familje me fe të ndryshme festojnë së bashku Pashkët,  në harmoni të plotë.
 
**Arsimtarë të përfshirë në Reformën Arsimore Ivanaj në Vlorë. Gratë në foto nga e majta në të djathtë: Varvara Miho, Razije Kallulli, Ifet Asllani (vajza e Ali Asllanit), Hava Xhaferri. Drejtor i shkollës Zogu i Parë Jahja Domnori I kërkonte ministrit Ivanaj të sillte burra në shkollë për vështirësitë që kishte me fëmijët e portit, ministri Ivanaj në përgjigje të tij sillte vetëm elemetin femëror, për të cilat kishte besim të plotë se ato mund të kryenin detyrën njësoj si dhe burrat në vendosjen e disiplinës… Dhe ashtu ndodhi vërtet.
 
*** Gjatë “Reformës Arsimore Ivanaj” në shkollën Zogu i Parë, Vlorë. Në karrige nga e majta në të djathtë – Jahja Domnori, Razije Kallulli (nëna e Adriatik Kallulli)

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.