Ja si e mbytën Shkodranin e pafajshëm Injac Baqli (1915-1954) nga Fritz Radovani – Dhe dekorimi i hetuesit të dosjes Nr. 1989, Fahri Kraja!

Injac Baqli (1915-1954)

Injac Baqli (1915-1954) – fototeka Marubi

Ja si e mbytën Shkodranin e pafajshëm

Injac Baqli (1915-1954)

nga Fritz Radovani

Dhe dekorimi i hetuesit të dosjes Nr. 1989, Fahri Kraja*!

Injac Baqli ka lé në Shkodër në vitin 1915.
Ishte nëpunës në Bankën e Shtetit Shqiptar në qytetin e lindjes.
Një burrë i madh dhe i shëndetshëm, kuqlosh, me flokë kaçurrela, gjithmonë i mbajtun dhe i kërpitun. Dukej edhe ma i pashëm se ishte mbasi gjithmonë shihej i buzëqeshun.
I njohun ndër rrethe të ngushta për humor të hollë. Paraqitja e tregonte një intelektual të mirfilltë.
Nuk e kam njohtë afër, po dij, se, kishte miqësi të madhe me Prof. Gaspër Ugashin mbasi kishin edhe kumbari. E shihshe shpesh nga Dugajtë e Reja mbasi andej kalonte me shkue në punë, në bankë. Më pat lanë një mbresë ndër ato ditë që nuk e pashë ma: Më kujtohej thanja e malësorve: “Mos me pasë shka me i ba as pushka!…” por, kjo thanje ishte para se të njihej në Shqipni sllavokomunizmi.
Até që të ban komunizmi, nuk ta ban as pushka!
Injac Baqli me datën 22 dhjetor 1952 arrestohet nga Sigurimi i Shtetit. I kontrollohet shtëpia dhe në arkën e nanës gjindet nji revolver.
E mjaftueshme me fillue ndjekja penale. Kur fillon hetimet, duket, sikur çeshtja rreh nga armbajtja pa leje, por nuk asht ashtu! Nana e Injacit merr përsipër se revolverin ia ka lanë me e ruejtë avokat Paulin Pali, para se të tentonte me u arratisë, mbasi ai ishte nipi i saj. Hetimet fillojnë me 26 dhjetor 1952. Gjatë zhvillimit të procesit çështja e revolverit sa vjen e ngatrrohet. Marko Markoja, ish kryetar i lagjes atëherë, deklaron: “Injaci ka pasë nji revolver të bukur në kohën e Italisë që e mbante në brez dhe me sa kujtoj unë, ky revolver që asht këtu, nuk më duket se asht revolveri që ka pasë Injaci.” Krijohet mundësia e kenjes së një revolveri tjetër tek shtëpia e Injacit. Kontrollohet shtëpia së dyti por nuk gjindet gja. Injaci pranon se revolverin që kishte në kohën e Italisë e ka dorëzue kur janë dorëzue armët, prandej, ai që kujton Marko nuk asht në të vërtetë ky që asht këtu, mbasi ky nuk asht i emi. Hetuesi, nën/toger Fahri Kraja tue u ndodhë para nji kokforti, fillon kërkimet në pistën e “agjitacionit e propagandës kundër Pushtetit”, pistë shumë e njoftun ndër hetuesitë komunistë, me të lanë mbrendë edhe pa asnjë fakt.
Nji listë rreth 80 vetësh janë personat me të cilët ka bisedue Injaci. Aty rreshtohen të gjithë banorët e lagjes simbas renditjes së dyerve të oborrit, kryetari i lagjes, antarët e këshillit të lagjes, sekretari i partisë, shokët e punës, ish shokët e shkollës, plakat e mahallës që rrinin në darkë ndër stola tek dyert e oborrit, etj.
Hetuesi ndigjon me vëmendje se si po “zbërthehej” Injaci, por kur e pyet se shka janë gjithë këta emna, Injaci përgjigjet: “Ju më pyetët me kë ke folë, unë, ju tregova të gjithë njerëzit që përshëndes e flas me to përditë”. Ironia e Njacit zemron hetuesin…
Nuk ishte e thjeshtë puna në financë.

Pushkatime...

Pushkatime…

Njiherë në fillim kur njerëzit fillonin punën dukej, sikur, këta persona ishin të privilegjuem, por në fakt mungesat e mëdha të kuadrit patën lejue që disa persona me hy në punë në mjaft ndërmarrje si financierë. Kur filluen me dalë disa kuadro që ishin ma të besueshëm se ata që u morën për nevojat e tyne, atëherë, u mendue zëvendsimi i kuadrit të parë. Në shumë raste shkarkoheshin nga puna për shkelje ligji, sëpse ligjet ndryshonin përditë. Por, kur kishin të banin me njerëz të respektuem, atëherë, veprohej ndryshe.
Rastet në Shkodër nuk kanë kenë të pakta, p.sh. Kel Abati, edhe ai nëpunës në bankë, dihet se asht pushkatue vetëm nga ndonjë person që donte eleminimin fizik të Kelit. Po kështu asht veprue me Zef Darragjatin e Çezar Shllakun, që mbasi janë dënue me pushkatim për “difiçit”, në fund të kërkesave për falje jete, shënohej: “… rrjedh nga nji familje që nuk e don Pushtetin, prandej t’i epet dënimi kapital… etj.” si, në rastin e Zef Darragjatit, që ruhet edhe sot shënimi i Aranit Çelës. Si duket, kjo po ndodhte edhe me Injac Baqlin, edhe ky ishte kushrini i avokat Paulin Palit, pak vite ma parë i mbytun në Sigurim. Ishte edhe kushrini i At Aleks Baqlit, i arrestuem si Françeskan e i dënuem me shumë vite burg.
Me datën 4 mars 1953, mbas katër muejsh në hetuesi, hetuesi njofton kryetarin e Sigurimit të Shkodrës, kriminelin Hilmi Seiti:
“I pandehuri Injac Baqli nuk nënshkruan procesin.”
Me datën 22 maji 1953, Injaci shënon në fund të një proces-verbali: “Nuk jam dakord me përmbajtjen as si formë, mbasi nuk janë thanjet e mija. I pandehuri: Injac Baqli d.v.”
Gati mbas nji viti në tortura, nga fundi i vitit 1953, asht Petraq Janko që nxjerr hetuesin nga situata, tue deklarue se në vitin 1952 Injaci, ka dashtë me u arratisë me Petraqin. Madje, kanë ba plane dhe përgatitje për këtë qëllim të dy bashkë.
Përveç arratisjes, Petraqi, ngarkon Injacin dhe me biseda politike, tue paraqitë Injacin si një person të paknaqun nga Pushteti, etj. Akuzat sa vijnë e randojnë çështjen. Injaci vazhdon me qëndrue i vendosun në mohimin e të gjitha thanjeve të Petraqit. Hetuesi organizon nji ballafaqim me hjekë Injacin duarsh.
Petraqi përsërit akuzat përballë Injacit tue vërtetue me firmën e tij proces-verbalin.
Injaci deklaron: “Në kjoftë se del kush dhe provon tue me thanë ndër sy, se janë të vërteta thanjet e Petraq Jankos, pranoj pa asnji kundërshtim edhe dënimin kapital.Kjo asht arsyeja që nuk firmoj proces-verbalet, mbasi nuk asht asgja e vërtetë për shka akuzohem.”
Injac Baqli d.v. (Dosja nr. 1989)

Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)

Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)

***
Hetuesi Fahri Kraja përgatitë akuzën: Injac Baqli ka dorëzue armën e vet, ndërsa kjo që asht gjetë ka qenë e Paulin Palit, kushrinit të tij (i pushkatuar).
-Ka qenë spijun në shërbim të fashizmit.
-Ka folë kundër Pushtetit Popullor, sepse ka pikëpamje armiqësore.
Akuzat e sipërme vërtetohën edhe nga thanjet e dëshmitarëve: Zef Berdica, Ndoc Deda, Marko Marko, Petraq Janko.
Poshtë dokumentit shënohet: Pëlqehet: N/kol. Hilmi Seiti d.v.
Pëlqehet: Kryetari Degës hetuesisë (N/kol. Nevzat Haznedari)d.v.
Pëlqehet: Komandant i Rep. 2111 (Dhimitër Gjoni) d.v.
Trupi Gjykues i Gjykatës Ushtarake Shkodër, i përbërë nga: Kryetar, Faik Spahija, antarë: Rexhep Haxhiu e Marko Demiri dhe prokuror Njazi Zjarri, japin vëndimin ndaj të pandehurit Injac Baqli, me   6 vjet heqje lirije.
Gjykata e Naltë Tiranë, vendosë përsëritjen e gjyqit, mbasi proçes-verbalet nuk janë firmuar nga i pandehuri Injac Baqli.
Përsëritet gjyqi me datën 18 korrik 1953, tue shënue: “…për krimin e armbajtjes (revolver gold amerikan, me 5 fishekë) deklarohet i pafajshëm. Akuzat tjera mbesin…
Me datën 29 janar 1954, Injaci ban këtë kërkesë: “Kërkoj prishje vendimi dhe rikthim aktesh për rishqyrtim dhe rigjykim. Injac Baqli d.v.”.
Prej datës 22 dhjetor 1952 e deri më 29 janar 1954 vazhdonin proçes-verbalet tue u sjellë sa andej këndej ndër dosjet e Seksionit katolik në Degën e Mbrendshme të Shkodrës dhe, në podrumet e mëshefta të Ministrise së Mbrendshme në Tiranë.
Vazhdohej vetëm tue shënue “pëlqehet” nga kriminelët e pashoq Hilmi Seiti, Nevzat Haznedari e Fahri Kraja me shokët e tyne.
Mjaftonin çpifjet me torturue të pafajshmit dhe çështja vazhdonte pafund… Nga përdorimi i elektro-shokut Injaci, u keqsue me shëndet. Zemra nuk duronte ma. E dërgonin formalisht në podrumet e spitalit civil të Shkodrës, por përgjegja e mjekëve ishte: “Pse e sillni kot  përderisa ju vazhdoni punën tuaj?”.
Infermjere Angjelina Martini më tregonte, së si nji ditë, tue mos pasë jastekë me e mbështetë mbasi Injacit po i merrej fryma, u ula në shtratin e tij dhe e mbështeta për parzmin tim.
Zemra e tij e shkatrrueme nga torturat donte me dalë nga kafazi i krahnorit, kur jepte ndonjë rrahje si shenjë jete. Ishte në agoni, vetëm më shtërngonte dorën me të cilën u mundoja me e qetsue tue i fërkue gjoksin. Ai fliste me nji shok të tij Mikel Gulin, me të cilin i dukej se po lonin poker. Dikur, ra në njëfarë qetësie dhe dha shpirt. I bana Kryq e dola nga dhoma.
Erdhën dy policë dhe ashtu të mbështjellun në batani e çuen në dhomën e të vdekunve.
Mora vesh se e kishin nisë për Tiranë.
Atje, e kishin dërgue në morg dhe simbas nji dëshmisë Dr. A. D., që atëherë ishte student në fakultetin e mjeksisë dhe, tashti asht mjek në Shkodër, Injac Baqli asht coptue nga studentat për studim, mbasi ai e ka pa me sytë e tij kokën e Injacit, të cilin e njihte shumë mirë.
Kështu, u mbyll edhe dosja  nr. 1989, me shënimin “pëlqehet” Nën/kol. Hilmi Seiti d.v., një kriminel i regjun dhe i pangopun me gjak shkodranësh, viktimë e të cilit, asht edhe Martiri i Ri,
39 vjeçari i Pafajshem, Injac Baqli.

Shënim: Dekorohet Fahri Kraja* – Oficer i Sigurimit të Shtetit, Hetues, ish-drejtues i lartë në Sigurimin e udhëheqjes komuniste.
Melbourne, Dhjetor 2015.

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook