back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Ja si duhet bërë hapja e dosjeve… Kastriot Dervishi

Gazeta

Studiuesi Kastriot Dervishi
Studiuesi Kastriot Dervishi

Ja si duhet bërë hapja e dosjeve…

Interviste e Kastriot Dervishit me Dashamir Biçakun

Studiuesi dhe ish- drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, ofron idenë e tij mbi hapjen e dosjeve. Ai thotë se modeli gjerman është më i mundshmi dhe se pohon se asnjë vend i Lindjes nuk ka hapur dosje për bashkëpunëtorët

Ish-drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, thotë se hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, përveç se me ligj, mund të bëhet edhe nëpërmjet deklasifikimit të tyre, duke përgatitur edhe një vendim përkatës të qeverisë, duke shkurtuar si pas tij në këtë mënyrë edhe shumë kohë dhe procedura.

Çfarë ndikimi mund të ketë hapja dosjeve sipas vlerësimit tuaj? Asnjë ndikim dhe asnjë pasojë në kuptimin e hapjes së dosjeve të personave të ndjekur dhe probleme në kuptimin e asaj që mund t’i ketë ndodhur personave që kanë qenë pjesë e rrjetit sekret. Mundësia që personat e ndjekur që jetojnë sot të kenë dosje është në shifra minimale. Edhe sikur të jenë më shumë, dosjet formularë nuk kanë emra bashkëpunëtorësh, por vetëm pseudonime të tyre. P.sh mund të jenë mbi 2 mijë bashkëpunëtorë me pseudonimin “Korabi”, “Dajti”, etj. Ec e gjeje kush është “Korabi” e “Dajti”. Tjetra që sjell ligji është largimi i ish-oficerëve të Sigurimit nga funksionet shtetërore. Kjo mund të bëhet nga qendrat e punës mbi bazë të dosjeve të kuadrit. Oficerët e Sigurimit u larguan në masë në vitet 1992-1993, si pasojë e reformës në forcat e armatosura. Edhe ligji i vitit 1995 e ndalonte pjesëmarrjen e tyre në funksione. Por ligji kishte një hapësirë që i lejonte kryeministrit të miratonte marrjen e një numri të caktuar në punë. Si pasojë e këtij neni, pas shtatorit 1997, e në vijim, kryesisht me propozime të ministrit të Brendshëm dhe kryetarit të Shërbimit Informativ të Shtetit, kryeministri i kohës miratoi pothuaj kthimin e gjithë trupës së oficerëve të Sigurimit në detyra shtetërore.
Mendoni se hapja e tyre do t’i shërbejë më tepër njohjes së shqiptarëve me të kaluarën e tyre, apo njohjes së tyre me vetveten? Jo. Në këto 24 vjet demokraci çështjet kryesore të regjimit janë trajtuar e njihen. Nuk besoj se do kemi ndonjë çudi më shumë. Njohje më të thelluara mund t’i sjellin vetëm studiuesit. Në dijeninë time këta janë fare të paktë në Shqipëri. Bile mendoj se mund të ngatërrohen më shumë. Ka ndodhur më parë që janë ngatërruar p.sh. dosjet e bashkëpunëtorëve me të ndjekurve, etj.
Cili mendoni se mund të jetë ndikimi në jetën politike? Nuk besoj se ka ndonjë ndikim nëse kihen parasysh disa përcaktime dhe nuk bihet në grackën e dokumentacionit të trashëguar. Pasoja është individuale pa asnjë ndikim në jetën politike dhe publike. Unë kam qenë në Gjermani në dhjetor 2008. Natyrisht kam shkruar privatisht pasi prej shtetit nuk kam përfituar asnjëherë asnjë lloj udhëtimi e diete. Kam përfituar përvojën gjermane. Kam respekt të madh për kombin dhe administratën gjermane. Atje kam marrë përgjigjen se Gjermania nuk ka hapur dosjet e bashkëpunëtorëve, por është kufizuar vetëm dosjet e personave të ndjekur. Në dallim nga Shqipëria, shoqëria gjermane nuk kishte lejuar prekjen e dokumentacionit nga regjimi komunist kur ky ishte në fundin e tij. Ish RDGJ-ja ka pasur një diktaturë që po të kishte qenë në Shqipëri do të dukej si demokraci. Krimet e komunizmit në Shqipëri dhe represioni shtetëror që kishte normë kushtetuese luftën e klasave mund të krahasohen vetëm me ish Bashkimin Sovjetik.
Po deklasifikimi çfarë nënkupton në këtë rast? Është procesi i kthimit të një dokumenti të klasifikuar në dokument të zakonshëm që trajtohet në shfrytëzim sipas ligjit të arkivave. Dosjet e personave që janë ndjekur, në pjesën më të madhe nuk kanë një arsye të qëndrojnë të klasifikuara. Nuk kanë asgjë ë lidhet me sekretin shtetëror. Deklasifikimi i këtyre dosjeve mund të bëhet pa kërkuar ligj të posaçëm. Ekziston baza ligjore për të bërë deklasifikimin e tyre. Është ligji nr. 8457, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar, në mbështetje të të cilit ka dalë VKM-ja nr.124, datë 15.3.2001 “Për deklasifikimin e zhvlerësimin e informacionit të klasifikuar sekret shtetëror që ndodhen në rrjetin kombëtar të arkivave”. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, komisioni i deklasifikimit e zhvlerësimit të informacionit të klasifikuar funksionon prej vitit 2010. Po kështu funksionon rregullisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. Nuk kam dijeni nëse funksionon në SHISH. Kryeministri që është autoritet klasifikues e shpalli tanimë publikisht qëndrimin e tij, pavarësisht se nga zyrtarë të administratës së tij mund t’i vijnë kritika p.sh. për “dëmtim prone”, nëse quhet e tillë konsultimi me sy “rrezatues” i një dosje.

Kastriot Dervishi - Sigurimi i Shtetit (1944-1991)
Kastriot Dervishi – Sigurimi i Shtetit (1944-1991)

Po në jetën shoqërore të njerëzve dhe në marrëdhëniet e tyre, a mendoni se hapja e tyre mund të ketë ndikim në rihapjen e konflikteve apo të ndasive mes njerëzve duke qenë se një palë ka qenë bashkëpunëtore e Sigurimit dhe pala tjetër e spiunuara? Në këtë kuptim nuk do ketë asgjë të tillë edhe sikur Shqipëria të bëjë atë që nuk kanë bërë vendet e Lindjes. Është e pamundur. Te ne, në rastin më të guximshëm (që nuk e besoj të ndodhë), atë të dekonspirimit të rrjetit sekret, askush nuk është në gjendje të lidhë ngjarje e histori. Këtë mund ta bëjë vetëm një specialist i fushës, që në Shqipëri janë shumë, shumë të pakët. I vetmi shqetësim mund të vijë nga procesi i verifikimit të zyrtarëve të lartë. Ekziston edhe rreziku i përbaltjes së njerëzve nga mënyra e keqpërdorjes së një pjese të informacionit. E them me bindje se mbi 60 për qind e agjenturës ka qenë fiktive. Përgjithësisht kategoria e informatorëve që përbëjnë mbi 80 për qind të rrjetit sekret, ose kanë qenë fiktivë, ose janë rekrutuar në shtrëngim. Unë do t’i merrja me rezerva ose nuk do ta konsideroja fare kategorinë e informatorëve dhe strehuesve në rast se nuk kanë dosje. Përderisa në një pjesë të madhe verifikimi nuk do bëhet me dosje, jam për verifikim vetëm të agjentëve dhe rezidentëve. Për këta kategori mund të bëhet pa frikë përjashtimi nga funksionet publike vetëm në bazë të listave që rrjedhin nga regjistri i agjenturës, sepse këta kanë qenë njerëz të besuar. Shqipëria është një vend ku gënjeshtra është më e fortë se e vërteta. Kjo mund të sjellë lëndime individuale për njerëz që janë në moshë afër pensionit. Por edhe rreziku i ngatërrimit të emrave qëndron. Po ju sjell një shembull nga viti 1996. Asokohe komisioni nuk i dha “pastërtinë” z.Ndre Legisi, të cilit i kërkoj ndjesë për përmendjen e emrit. Shtypi i kohës shkroi për këtë çështje. Z.Legisi në fakt ngatërrohej me një person tjetër me të cilin kishte 5 vjet diferencë moshe. Pavarësisht se Gjykata e Kasacionit i dha të drejtë z.Legisi, në opinionin publik emri i tij u përgojua, një proces ky që kishte ndodhur. Atij iu shkaktua në fakt një dëm moral.
Mendoni se duhet të ketë dallim mes dosjeve që duhet të hapen dhe që kanë interes publik dhe atyre që iu mungon ky interes, apo edhe për shkak të kategorizimit si sekret shtetëror? Sigurisht që duhet të ketë dallim. Drejtim i punës së Sigurimit kanë qenë disa vepra penale si agjitacioni e propaganda, arratisja, diversioni, organizata kundër pushtetit popullor, spiunazhi, etj. Pikërisht për veprën penale të spiunazhit duhet të kihet kujdes. Ka dosje fiktive me akuza të sajuara, të cilat lëndojnë trashëgimtarë të subjekteve si dhe ka dosje të viteve ‘80 të cilat mund të jenë subjekt vijues i shërbimit sekret. Por në tërësi numri i këtyre dosjeve është i vogël. Shteti shqiptar, sot duhet të jetë vigjilent me strukturat e tij sidomos përballë rritjes së ndikimit rus në rajonin e Ballkanit (siç e kanë pohuar disa herë zyrtarë të lartë amerikanë), e si pasojë edhe në Shqipëri ku ka pasur shtrat të trashëguar të rusofilisë e derivateve të saj ballkanike.
Cilat janë problemet që po e shoqërojnë aktualisht Arkivin e Ministrisë së Brendshme ku ju keni shërbyer deri para pak ditësh? Çfarë mangësish vihen re? Është çështje e gjatë për diskutim. Jam krenar për punën time që në kushtet e idealizmit të plotë e vullnetarizmit, mungesës së çdo ndihme shtetërore, thuajse nga zeroja, munda ta organizoj arkivin sipas normave metodologjike profesionale, siç e kërkon ligji i arkivave. Megjithatë ka shumë punë për të bërë. Nga ky moment do të duhet edhe një vit punë intensive për të përmbyllur fazën e fundit të kësaj pune. Shpresoj të bëhet, ndonëse nuk e besoj se kush mund ta kuptojë e ta bëjë. Por mund të them se shoqëria shqiptare dhe pushtetet e ndryshme kanë qenë dhe janë shumë indiferentë në raport me rrjetin arkivor të vendit. Është mangësi e madhe për shtetin shqiptar keqfunksionimi në protokollin shtetëror dhe rrjetin arkivor. Shteti shqiptar është zemërgjerë p.sh. me ndërtime burgjesh pafund, madje t’u çojë edhe kompjuter nëpër dhoma të burgosurve, por kurrë nuk u bë i vetëdijshëm se nga diktatura në demokraci, nuk ka bërë asgjë për rrjetin arkivor të vendit. E pra kërkohen veçse investime minimale. Mjafton këtu t’ju përmend një fakt të thjeshtë: në asnjë program qeverie nuk është përmendur këto 23 vjet fjala “arkiv”. Arkivistët e Republikës së Shqipërisë kanë në sistemin e pagave, rrogat më të ulëta, ndërsa shteti ynë mban kushedi sesa organe pa detyra funksionale e pa mision. Kushtet e punës së punonjësve janë ato baraz me kushtet e minierës. Mbizotëron pluhuri, papastërtia dhe disa gjëra të tjera që nuk do ketë europian ta besojë po ta them. Në këtë gjendje e vetmja gjë mund të kërkosh është që të paktën të lënë të punosh. Në dijeninë time, 60 për qind e administratës shqiptare duhet shkurtuar si parazite dhe e kotë, ndërkohë që rrjeti arkivor i vendit duhet së paku të katërfishohet. Para se të dëgjonim si përherë “muhabet dosjesh” apo kërkesën e fundit “dixhitalizimin”, do ishte mirë të pyetej një herë si ruhen dosjet? A ka caktuar shteti shqiptar personelin e nevojshëm në shërbim të rrjetit arkivor të vendit, siç ligji e kërkon atë? A ka investuar shteti shqiptar në drejtim të krijimit të hapësirave të reja për vendosjen e dokumenteve? A rrezikohen këto dokumente nga këto shkaqe? Në rast se në 23 vjet përgjigja është jo, më thoni ju lutem çfarë veprimi tjetër mund të jetë ky përveçse antikombëtar? Mungesa tërësore e investimeve dhe mungesa e kuadrit të fushës, janë probleme më të rëndësishme se debati që shtrohet për dosjet. Kuadri arkivor nuk del nga seksionet militantëve të lagjeve, sepse rrjeti arkivor nuk është njësoj p.sh. me ndërmarrje rrugësh, fermë lopësh apo drejtori patentash. Rrjeti arkivor nuk mund të jetë në funksion të partive apo grupeve politike. Është detyrim ligjor përjashtimi nga ky rrjet i personave partiakë.

Kastriot Dervishi - Sigurimi Sekret Shqiptar
Kastriot Dervishi – Sigurimi Sekret Shqiptar

Hapja e dosjeve nuk nënkupton dënimin e krimit komunist

Z. Dervishi, aktualisht po zhvillohet një debat lidhur me hapjen e dosjeve që kanë të bëjnë me ishbashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, apo me aktivitetin e këtij të fundit për periudhën e viteve ’45- 90. Ju si ish- drejtor i Arkivit të Ministrisë së Brendshme dhe si një studiues, a vlerësoni se hapja e tyre është një veprim i domosdoshëm? Pikësëpari ju flas si studiues me mbi 15 vjet përvojë studimore. Shërbimet sekrete shqiptare kanë qenë një nga temat e mia studimore nga viti 1922, kur janë krijuar në Shqipëri e deri ditët e sotme. Nisur nga kjo përvojë e kam shumë të lehtë njohjen, kuptimin dhe interpretimin e çështjeve që ngrihen. Nuk është hera që parë që zhvillohet ky debat. Të gjithë diskutimet për “hapje dosjesh” kanë një gjë të përbashkët se flitet jo konkretisht, herë nga emocion e herë nga inati. Nga subjektet e përndjekura flitet se “po u hapën dosjet” do dënohet krimi komunist, do vihet drejtësia në vend, etj. Në fakt “krimi” shpesh herë ka shëtitur në mes të Tiranës dhe nuk u pa ndonjë reagim. Nga subjektet persekutore, thuhet se le të hapen dosjet se partia paraardhëse nuk i hapi, etj. Në rastin më të mirë të “hapjes” së përgjithshme të dosjeve, nuk do të kemi as dënim krimi e as ndonjë gjë tjetër, pasi lexim të menjëhershëm dhe dënim automatik nuk është parë të ndodhi gjëkundi. Kam përshtypjen se imagjinata njerëzore shkon në përfytyrime dosjesh ku do të gjesh gjëra të llojit “unë filani po vras sot filanin”, etj. Përvoja europiane tregon se atje nuk është trajtuar çështja e bashkëpunëtorëve në kuptimin e dekonspirimit masiv të tyre. Me “hapje dosjesh” nuk duhet të kuptohet dekonspirimi i ish- rrjetit sekret, por i dosjeve të përpunimeve (personave që janë ndjekur me dosje për shkaqe politike). Në kuptim të ligjit të lustracionit, ligjvënësi mund të vendosë të përjashtojë nga funksionet publike p.sh. ish drejtuesit e lartë të Partisë së Punës, oficerët e Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtorët e rrjetit sekret, etj. Kjo i takon ligjvënësit ta diskutojë. Por ligjvënësi nëpërmjet ekzekutivit mund të nxisë komisionet përkatëse të marrin vendime për të përmbyllur një proces deklasifikimi pa qenë nevoja të hyjë në çështje që nuk i takojnë.
Çfarë duhet kuptuar sipas jush me fjalën “dosje sigurimi”? Kjo është çështja e parë që kërkon sqarim. Në Shqipëri kanë vepruar tri drejtori të Sigurimit të Shtetit: Drejtoria e Parë, që merrej me “veprimtarinë armiqësore” brenda vendit, Drejtoria e Dytë që ruante udhëheqjen e lartë komuniste nga pikëpamja agjenturore dhe Drejtoria e Tretë e Zbulimit Politik që vepronte e kamufluar brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme. Dy të parat ishin në varësi të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme për Sigurimin. E treta ishte në varësi të drejtpërdrejtë të ministrit. Të tria kanë vepruar me sekretari të posaçme. Dokumentacioni i prodhuar ka ardhur nëpërmjet sekretarisë dhe kartotekave. Sekretaria ka prodhuar dosjet administrative në të cilat pasqyrohet veprimtaria e përditshme e institucionit, analiza, përgjithësime, raporte, përgjithësime, etj. kartoteka me qendrën e saj në Degën e 4 në Drejtorinë e Parë ka prodhuar dosjet e rrjetit sekret dhe dosjet e përpunimeve. Kur flitet për dosje, të interesuarit kanë parasysh pikërisht këtë të fundit, pavarësisht se nuk e shprehin saktësisht. Rrjeti sekret përbëhej nga rezidentët, agjentët, informatorët e strehuesit. Këta kanë pasur dy lloje dosjesh: dosje personale dhe dosje pune. Në dosjen personale vendoseshin plani i rekrutimit, deklarata e bashkëpunimit, vërtetimi biografik (ustanofka), vendimi për mbylljen e dosjes, etj. Në dosjen e punës vendosej një kopje e informacionit që jepte bashkëpunëtori. Kopja tjetër vendosej në dosjen e përpunimit. Ligji i vitit 1995 i ka shpjeguar mjaft mirë këto koncepte. – Dosjet e përpunimeve (përndjekjeve). Ishin disa llojesh të cilat identifikoheshin si 2A (përpunim aktiv), 2B (kontroll operativ), PP (Përpunim Paraprak) dhe problem i centralizuar (kur ndiqeshin dy e më shumë persona).
A ka një perceptim se sa është numri i përafërt i dosjeve? Shifra njihet prej meje, por nuk pëlqej ta komentoj. U takon autoriteteve shtetërore ose personave të autorizuar që para se të ndërmarrin nisma ligjore të hartojnë relacionin përkatës ku do bazohet një ligj i ardhshëm.
Marrë nga gazeta Shekulli 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.